Shqiptarët presin nga SPAK hetimin e thelluar për të gjithë personat që përpiluan dhe firmosën kontratat e inceneratorëve që po pasurojnë politikën dhe varfërojnë qytetarët. Ish-deputeti Zela, Zhupa dhe Shehaj: Inceneratorët, shfaqja me e turpshme e zaptimit të Shqipërisë nga grupi i strukturuar. VOA: Kryeministri ka mbrojtur inceneratorët në mënyrë të përsëritur
Inceneratorët po djegin milionat e shqiptarëve, afera më e madhe korruptive po përvëlon politikën
Deri ku do të shkoj SPAK me inceneratorët?
Ish-deputeti socialist: Inceneratorët, shfaqja më e turpshme e zaptimit të Shqipërisë
Ilir Zela, ish-deputet i Partisë Socialiste bëri një reagim të ashpër pas publikimit të lajmit për sekuestrimin nga ana e SPAK të inceneratorit të Tiranës. Në reagimin e tij, ish-deputeti socialist i konsideroi inceneratorët në Shqipëri si shfaqja më e turpshme e zaptimit të Shqipërisë nga monopolet dhe abuzimi me pushtetin. “Inceneratorët nuk janë vepra publike, nuk janë zgjidhje të emergjencës mjedisore, nuk janë partneritet publik privat, nuk janë burime energjie. Inceneratorët janë produkte të veprimtarisë kriminale! Janë shfaqja më e turpshme e zaptimit të Shqipërisë nga monopolet, papërgjegjshmëria dhe abuzimi me pushtetin. Janë ilustrimi i rezultatit të pushtetit pa llogaridhënie. Janë kulmi i çatisë së zhvatjes sistematike të shqiptarëve! Inceneratorët janë fundi i populizmit me të shëmtuar politik, i cili iu imponon prej vitesh shqiptarëve perversitetin si modernitet! Inceneratorët janë klithma e një populli të zhvatur i cili kërkon drejtësi!” – tha në reagimin e tij ish-deputeti i njohur socialist Ilir Zela.
Brisida Shehaj paralajmëron arrestime të tjera për inceneratorin, SPAK i vonuar por në rrugën e duhur
Brisida Shehaj eksperte e ekonomisë foli për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës nga SPAK ditën e djeshme, teksa bëri paralajmërimin se do të ketë më shumë arrestime. Në lidhje me sekuestrimin e incenaratorit të Tiranës nga SPAK, Shehaj u shpreh se ishte veprim i vonuar, por megjithatë është në rrugën e duhur. “Veprimi ka qenë i vonuar, por SPAK po bën punën e duhur. Jo se jam fort e kënaqur me këtë gjë, është një hap fillestar shumë i mirë. Për herë të parë Dumani (kreu i SPAK) pati kurajon për të marrë dokumente zyrtare nga gazetarë për këtë çështje. Do ketë arrestime të tjera, pasi e shoh të paevitueshme. Ministrja Ibrahimaj ka bllokuar kontrollet për të mos arritur te Zoto. Sido të vijë logjika e vijës hetimore, është e logjikshme dhe e paevitueshme që kjo dosje të zbardhet deri në fund. Nuk ka gjykatë ndërkombëtare arbitrazhi që nuk po hetohet vetëm nga SPAK, por edhe kompani të lidhur si në Bullgari, Maltë. Sekuestrimi është i mirë pasi menaxhimin e merr shteti. Është një histori shumë e madhe për t’u mbyllur, por administratori që do e pranojë detyrën, uroj mos jetë një Farudin nr.2. Deri më tani po më pëlqen Dumani dhe veprimet që ka bërë, pasi po shoh diçka pozitive. Mendoj se njerëzit janë lodhur aq shumë saqë s’ka më skandal që përbën skandal” – tha Brisida Shehaj.
Partia Demokratike për inceneratorin e Tiranës: SPAK të kërkojë kokën e grupit të strukturuar kriminal
Partia Demokratike deklaron se sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës bëhet dy vite pasi pronarët e tij, fiktiv apo në letra, janë shpallur në kërkim. Deputetja Ina Zhupa tha në një deklaratë për mediat se kjo mase ndryshe nga dy të tjerët, djegësi i Elbasanit dhe Fierit as që mund të kryhet, sepse në Sharrë nuk ka pasur kurrë dhe nuk ka as sot incenerator. Zhupa apeloi SPAK që të kërkojë kokën e grupit të strukturuar kriminal. “Vetëm dje, pas vitesh denoncime të Partisë Demokratike, përballje me forcën e provave dhe fakteve, padive në SPAK, më në fund u hap kapaku i pusetës së inceneratorit inekzistent të Tiranës. Partia Demokratike vlerëson çdo masë dhe vendim për zbatimin e ligjit. Por, Partia Demokratike deklaron se sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës bëhet dy vite pasi pronarët e tij, fiktiv apo në letra, janë shpallur në kërkim. Dhe në fakt, kjo masë ndryshe nga dy të tjerët, djegësi i Elbasanit dhe Fierit as që mund të kryhet, sepse në Sharrë nuk ka pasur kurrë dhe nuk ka as sot incenerator. Letrat dhe kompania e Zoto-Mërtirit mund të sekuestrohen. Njoftimi që SPAK bëri tregon edhe hetimin e veprës penale “shpërdorim detyre” një vepër që nuk i përket as Zotos, as Mërtirit, dy individë që më së shumti janë vetëm aksionerë dytësorë të sipërmarrjes Rama- Veliaj. “Shpërdorimi i detyrës” ju takon Edi Ramës, Erion Velisë dhe anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale që ngritën si sipërmarrje të tyre djegsat, dhe realizuan vjedhjen e shekullit. SPAK nuk mund t’ju servirë si pronarë të vërtetë Zoton dhe Mërtirin, kur me firmat dhe vulat e tyre të tillë mund të provohen Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi etj. Zoto dhe Mërtiri nuk mund të ndryshonin praktikën e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, nuk mund të dërgonin sicc ka dërguar Erion Veliaj katër shkresa për miratimin e koncensionit, nuk mund të tjetërsonin para nëse qeveria dhe bashkia nuk do jepte para për djegie plehrash kur djegës nuk ka! Sipas të dhënave të Drejtorisë së Thesarit, të përpunuara nga Open Data Albania, në periudhën 4 prill 2018 – 12 qershor 2023, Bashkia Tiranë ka kryer 150 transaksione me vlerë 56.6 milionë euro për llogari të kompanisë “Integrated Energy BV SPV”. Këto 56.6 milion euro dhe të tjera që jepen akoma vidhen nga taksat e qytetarëve, hiqen nga buxheti i shtetit dhe nuk kryejnë asnjë funksion. Të gjitha ata që sot janë në burg apo në kërkim ndërkombëtar i quanin sukses inceneratorët, të njëjtën refren mbajti edhe Veliaj, që mesa duket e kupton që fijet e inceneratorit, që nuk ekziston shkojnë detyrimisht te ai. Do të mjaftonte ky paragraf i auditimi të KLSH të vitit 2021 që SPAK të shikojë përgjegjesit, sicc i shikon ccdo shqiptar: “Aktualisht çmimi i paguar 29 euro/ton nuk është çmimi real i shërbimit që kryhet, pasi kjo tarifë përfshin edhe incenerimin e mbetjeve, proces, i cili nuk është kryer deri më sot. Pavarësisht mos kryerjes të procesit të trajtimit të mbetjeve, Bashkia Tiranë ka vijuar të kryejë pagesat e plota të tarifës për këtë shërbim”. SPAK nuk mund të anashkalojë mënyrën se si u bë gara për djegësin e Tiranës, si iu dha bonusi prej 8 pikësh 9 muaj para se të regjistrohej, e cila u regjistrua vetëm një ditë para lidhjes së kontratës, si rastësisht me të njëjtët pronarë përfitues me Elbasanin dhe Fierin. Spak nuk mund të injoronte si u shpreh në emër të Këshillit të Bashkise dhe qarkut Tiranë, në mënyrë antiligjore Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë, si nisi pa incenerator dhe si vazhdon po pa incenerator pagesa e 29 eurove për ton?! Qeveria e Ramës dhe Bashkia e Tiranës e Veliajt kanë vepruar të koordinuar si një organizatë e struktuar kriminale, ku vendimet përgatiteshin nga zyra private dhe ekzekutoheshin në zyra publike. SPAK duhet t’i lidhë zyrtarët, siç janë të lidhur me njëri- tjetrin, si një grup i strukturuar kriminal, me në krye kryetarin e qeverisë, Edi Rama. Çdo përpjekje për t’i copëzuar synon mbrojtjen e tyre nga kjo akuzë e tmerrshme dhe reale dhe nuk ndihmon në nxjerrjen para drejtësisë të atyre që kanë vjedhur qindra miliona euro nga taksat e qytetarëve.” – tha Ina Zhupa, deputete e Partisë Demokratike.

Zëri i Amerikës: Kryeministri në mënyrë të përsëritur i ka mbrojtur projektet e inceneratorëve
Sipas Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri dy sipërmarrësit Zoto dhe Mërtiri kanë përfituar afro 4 milion euro duke përdorur fatura të falsifikuara tatimore. “Zoto ka paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Technology Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare të Tiranës. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë Zoto dhe Mërtiri”, nënvizon Prokuroria. Për këtë arsye, nën sekuestro, përveç shoqërisë koncensionare të impiantit në Tiranë, është vënë dhe kompania e Zotos, “Integrated Technology Services”, e cila ka një tjetër masë sekuestroje që prej vitit të shkuar, për rastin e Fierit. Në njoftimin e SPAK bëhet e ditur, po ashtu se nën sekuestro preventive, është vendosur dhe një sipërfaqe prej 611 m2 me vlerë 1 milion euro, e cila është në emër të shoqërisë “F.M.O”. Sipas prokurorisë “është evidentuar fakti se Zoto dhe Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k”, dhe se blerja e pasurisë për llogari të kësaj kompania është realizuar përmes të ardhurave të siguruara nga përfitime të paligjshme. Gjashtë vjet pas nënshkrimit të kontratës, në kryeqytet funksionon vetëm landfilli, ndërsa inceneratori nuk ka nisur as të ndërtohet. Vënia nën sekuestro është akti i parë i ndërmarrë nga drejtësia për rastin e Tiranës, ndërsa për Elbasanin dhe Fierin, hetimet janë mbyllur dhe çështjet janë drejt përfundimit dhe në Gjykatën e posaçme të shkallës së parë. Vendimi i SPAK-ut u përshëndet nga opozita, e cila prej vitesh e ka patur këtë çështje një kalë të fortë beteje, kundër qeverisë së Kryeministrit Rama, i cili në mënyrë të përsëritur, i ka mbrojtur publikisht projektet e inceneratorëve, të cilat kanë çuar përballë drejtësisë, ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ndërsa ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në bankën e të akuzuarve është dhe ish deputeti Alqi Bllako si dhe zyrtarë të ndryshëm të institucioneve qëndrore dhe lokale. Një listë që me gjasë pritet të zgjerohet, ndërsa hetimet për rastin e Tiranës janë ende në vijim.




















