Rama: Presidentit francez i pëlqyen atletet e mia, kur të lë politikën do dizenjoj rroba…

500
Një nga revistat e modës, WWD e cila konsiderohet si ‘Bibla e modës’ ka realizuar një intervistë me kryeministrin Edi Rama ku ka vënë në pah stilin e veçantë të veshjes të kryeministrit shqiptar. Artikulli i David Moin titullohet “Stili i pazakontë i kryeministrit shqiptar”. Revista e nis shkrimin me atletet e famshme të Ramës në Samitin e Triestes. Sipas Ramës, lajmi kryesor i këtij Samiti, ishin pikërisht atletet e tij.
“Praktikisht isha lajmi më i madh i samitit. Presidenti francez më tha se i pëlqyen atletet e mia, kështu që i dërgova një palë kur u ktheva në shtëpi. Por për të i zgjodha me rripa blu dhe të kuq, për të kombinuar në mënyrë perfekte ngjyrat e flamurit francez” thotë Rama.
Gazetari shkruan për Ramën se nuk është aspak një kryetar shteti i zakonshëm. Ai gjithashtu përmend faktin se Edi Rama ka luajtur basketboll deri në moshën 27-vjeçare duke qenë pjesë e Kombëtares.
“Ne nuk kemi luajtur shumë sepse ishim një vend i izoluar.
E lashë basketbollin sepse u përfshiva totalisht në lëvizjen kundër regjimit komunist dhe kur Shqipëria u hap unë dola të shoh botën. Kemi pasur më të mira vajzat e volejbollit”,-thotë Rama.
Rama ka folur edhe për kohën kur ka qenë ministër Kulture.
“Kur u bëra ministër i Kulturës, duhet të shkoja në mbledhjet e Këshillit të Ministrave dhe nuk përqendrohesha dot për gjërat që thoshin. Ishin takime që zgjasnin me orë dhe unë gjatë gjithë kohës vizatoja mbi fletët e vendimeve. Por ministri i Arsimit që ulej afër meje, më tregoi pas disa kohësh koleksionin e tij të artit. Pashë mes tyre dhe një koleksion me punimet e mia. U habita. Ishte e trishtë që i kishte marrë. I thashë asistentes sime që ky tipi më ka vjedhë artin dhe ajo më tha: Mos u shqetëso, kemi me tonelata këtu. Në mënyrë private, ajo i kishte ruajtur gjërat. I thashë që të vazhdonte t’i mblidhte”, vijon Rama.
Në fund të intervistës, Rama bën edhe një zbulim interesant. Ai thotë se kur të tërhiqet nga politika, do të dizenjojë rroba:
“Gjithmonë kam thënë se do kem një jetë të tretë. E para ishte si artist, e dyta si politikan dhe e treta do jetë një miks.
Dua të dizenjoj këmisha, pantallona e çorape, gjëra të vogla. Jo si biznes, por pak a shumë për vete dhe njerëzit që njoh. Jo për prodhim masiv. Por kush e di? Gjithçka mund të ndodhë”- thotë Rama.
Në shkrimin e gjatë të “Women’s Wear Daily” Rama i ka dhuruar gazetarit David Moin edhe një kravatë të stiluar sipas vizatimeve të tija:
“Ende nuk e kam vendosur nëse do t’i komercializoj këto. Ndoshta në një jetë të tretë”.
Rama thotë se gjatë kohës që jetonte si artist i lirë në Francë nuk e imagjinonte veten në politikën zyrtare:
“Unë u bëra i famshëm për shkak të aktivizimit në politikë. Isha një lloj Michael Moore. Çfarë mendoni për të? Ai nuk është politikan, por është shumë i lidhur me politikën. Gjithmonë e kam menduar se një qytet i angazhuar në art apo që është figurë publikë e ka obligim të përfshihet”- thotë Rama.
Një pjesë të madhe të shkrimit zënë edhe idetë e Ramës për të shtuar eksportet e veshjeve me traditë shqiptare dhe se si kompanitë e mëdha të modës përdorin krahun e lirë të punës në Shqipëri për markat e tyre.



Sigal