Afera e inceneratorëve/ Bosat e plehrave shijojnë milionat në arrati, pasi e lanë të largohet, kërkohet arrest me burg për Mërtirin

229
Sigal

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në gjykatë masë sigurie “arrest me burg” për biznesmenin Mirel Mërtiri, bashkëjetues i Stela Gugallias, i cili sipas akuzës është pronari faktik i kompanisë përfituese. Mërtiri i cili është shpallur në kërkim sipas prokurorisë fshihej pas emrit të bashkëjetuses së tij Stela Gugallia, dhe ka rezultuar se është përfitues direkt edhe në incineratorin e Elbasanit. Masa është kërkuar në Gjykatën e Posaçme dhe është pranuar nga kjo gjykatë ndërkohë një masë të dytë për rastin e Elbasanit pritet t’i komunikohet edhe ish Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako. Në materialin hetimor që organi i akuzës ka vënë në dispozicion të avokatëve mbrojtës të të pandehurve, është analizuar në mënyrë të detajuar abuzimi që është bërë në këtë incenerator thuhet se: “Bazuar në dokumenta të administruara gjatë hetimit provohet fakti dhe krijohet bindja se shtetasi Alqi Bllako në cilçsinë e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit në bashkëpunim edhe me shtetasit Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Jonid Zeqo Bardhul Çabiri Serafin Pepa në cilësinë e anëtarëve të dhënies së koncesionit si dhe në bashkëpunim me shtetasin Lefter Koka në cilësine e Ministrit të Mjedisit kanë konsumuar të gjithë elementët e veprës penale “shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim”. Ndërkohë avokatët e të akuzuarve janë njohur me materialet hetimore dhe deri në 23 nëntor kanë afat për të dërguar pretendimet e tyre, të cilat do të vlerësohen nga prokuroria dhe më pas dosja pritet të dërgohet për gjykim. Gjithashtu në proces përfundimtar është edhe inceneratori i Fierit ku prokurorët pritet të marrin të pandehur edhe për këtë inceneratori edhe persona të tjerë, që dyshohet se kanë patur lidhje me abuzimet e bëra.