Administrata e mbushur me 80% drejtues dhe 60% nëpunës, në vende pune jashtë profilit

502
Përparim HALILI
Në krye dhe brenda zyrave të institucioneve e shërbimeve publike, janë emëruar persona që nuk kanë lidhje profesionale me detyrën dhe punën që kryejnë 
Disa ditë më parë, në redaksi na erdhi një shkrim me këtë subjekt konkret: Një drejtues institucioni shërbimesh publike në Gjirokastër që kërkonte drejtim profesional, angazhonte privatisht një specialist, për ta orientuar, se si duhej të fliste në takimet me vartësit, se si duhej të raportonte tek drejtori qendror në ministri, prej të cilit varej, lidhur me çështje profesionale që përfshinte detyra e tij si drejtor. Ky fakt, na nxiti të bëjmë një investigim nëpërmjet gazetarëve tanë, lidhur me emërimin dhe punësimin e drejtuesve e nëpunësve në zyrat e shtetit dhe shërbimet publike në çdo sektor e në çdo qark! Çfarë rezultoi? Po përmendim “bilancin” që doli nga ky investigim: Në krye dhe brenda zyrave të institucioneve e shërbimeve publike në të gjithë vendin, janë emëruar persona që nuk kanë asnjë lidhje profesionale me detyrën dhe punën që kryejnë. Administrata rezulton te jetë e mbushur me 80% drejtues dhe 60% nëpunës, të caktuar e punësuar në vende pune jashtë profilit të tyre! Nuk e kemi fjalën për diplomat false, për diplomat fiktive të blera me miliona e klering nëpër ish-universitetet private “kioska” që janë mbyllur dhe në universitetet “ruleta” që ende janë hapur, por edhe në universitetet shtetërore, të cilët janë kthyer në “treg malli” (notash e diplomash) Çështja qëndron, tek një skandal tjetër shumë problematik, që po shkatërron jo thjeshtë administratën si strukturë, por po degradon totalisht e deri në “themel” drejtimin e punëve në shëndetësi, diplomaci, turizëm, ekonomi, kulturë, tatime, dogana, energji, polici, ushtri, arsim, financa, shkencë, infrastrukturë, porte e aeroporte, ujësjellës, bashki, qarqe, prefektura e kudo ku shteti ka shërbimet dhe institucionet e veta. Kudo ndesh p sh., mësues që punojnë drejtorë doganash, muzikantë që punojnë drejtor tatimesh, veterinerë që punojnë drejtor policie, policë që punojnë shefa ushqimi, inxhinier mekanikë që punojnë drejtorë spitali, agronomë që punojnë drejtor kufiri, inxhinierë nafte që punojnë drejtorë… muzeu e monumentesh kulture…! Po kështu, ka mijëra nëpunës që kanë profesion tjetër, dhe punojnë në institucione e shërbime që nuk kanë lidhje me profesionin e tyre! A mund të drejtojnë këta jashtë profesionit të tyre?! A mund që nëpunësit të kryejnë detyrën në teren jashtë profesionit të tyre? natyrisht që jo. Mirëpo ja që ata janë emëruar e caktuar në poste drejtuese e vend pune, jashtë profesionit të tyre. A mund të drejtoj me eficencë psh., komisariatin e policisë, një mësues, gjeolog apo inxhinier pyjesh?! Mirëpo ja që të tillë drejtues jashtë profilit ka me shumicë e jo vetëm në polici, por në çdo sektor! Si janë emëruar? Cilët i kanë emëruar? Si ua verifikojnë punën që bëjnë? Përse janë punësuar kur konkurset e punësimit në administratën publike, kanë si kriter bazë të pashmangshëm, profesionin? Kështu thotë ligji! Pikërisht këta, përpara se të emërohen e punësohen në zyrat e shtetit apo si drejtues e administratorë në krye të shërbimeve dhe enteve publike, duhet të nënshtrohen zbatimit të ligjit, madje edhe verifikimit të figurës morale e ligjore. U trumbetua me të madhe, se do të krijohej një administratë e “rilindur” deri tek sanitaret dhe dezhurnet e institucioneve. U bënë edhe ligje e VKM, u nxorën urdhra e udhëzime për pranime në administratën publike vetëm me konkurse dhe brenda profesionit sipas vendit të punës, apo postit drejtues. Po, a u emëruan, punësuan e rekrutuan ata që plotësojnë kriteret, për të qenë pjesë e administratës edhe sipas profesioneve që kërkojnë vendet e punës? A u zbatuan procedurat në emërime, punësime e rekrutimet me konkurs? A ka punësime nepotike të bëra gjoja me konkurs, duke emëruar veterinerin drejtor policie, kufiri e deri konsull dhe ambasador?!
Sigal