Abuzimi i kryebashkiakut të Gramshit/ Prokuroria e Elbasanit bën gati prangat për Klodian Taçe. Babëzia me tenderat dhe denoncimi I këshilltarve të PS-së

524
Sigal

 

Muaj më parë këshilltarët socialistë i dërguan një letër të hapur kreut të PS-së, Edi Rama, ku deklaronin se Gramshi meriton më shumë dhe kryebashkiaku  është përfaqësues i klaneve dhe jo socialistëve  të  ndershëm. Madje,  njëri  prej  këshilltarëve  socialistë të qytetit të Gramshit, Fatbardh Çekrezi në letrën e tij ai ngrinte shqetësimin se ky qytet, ku neve sot po banojmë, nuk është ai që u premtuam votuesve tanë, pasi investimet e Gramshit merren nga një dorë hajdutësh me dokumenta të fallcifikuar, duke aluduar për  bashkëpunim  edhe me drejtuesin e qarkut. Kjo ka bërë që investimet të jenë fiktive dhe të pandjeshme për komunitetin. Këtë problematikë e ka vërejtur edhe KLSH, e cila ka zbuluar abuzime të rënda si në emërime, tendera, investime, shërbime etj. Pikërisht, këto abuzime janë bërë shkak për fillimin e hetimeve në drejtim të kryebashkiakut të Gramshit Klodian Taçe dhe dje, prokuroria e Elbasanit, nxorri nga sirtarët dhe përgatit prangat për këto abuzime. Bashkë me kryebashkiakun,  si Kryetar i Entit të Prokurimit janë thirrur edhe komisioni i prokurimeve. Sipas burimeve disa nga anëtarët e saj A.Shtylla, A. Shuli dhe të tjerë duhet të mbajnë përgjegjësinë për të cilën kryebashkiaku i Gramshit deklaron se përgjegjës, janë anëtarët e komisionit të prokurimeve dhe blerjeve pranë bashkisë. Por sipas burimeve, pranë anëtarëve të prokurimit, këta të fundit nuk do të pranojnë të marrin përsipër abuzimet e bëra me urdhër nga Kryebashkiaku Taçe dhe se nuk do të shkojnë në burg për të. Ndoshta hetimi i kryebashkiakut të Gramshit, i jep një mundësi më shumë PS-së, pasi banorët e qytetit kishin deklaruar se nuk do ta votojmë PS-në, derisa në krye të bashkisë të jetë një njeri që qytetin e shikon vetëm si “lopë për ta mjelë” dhe jo si shërbëtor i qytetarëve.

Dosja e Klodian Taçes, i akuzuari që drejton Bashkinë e Gramshit

Dje , Prokuroria e Elbasanit kishte një të ftuar “VIP” në ambientet e saj. Bëhet fjalë për kreun e Bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe, i cili akuzohet për abuzime në tendera dhe prokurime publike. Por kjo nuk është hera e parë që Taçe akuzohet për vjedhje. Në 2 nëntor të vitit 2019, Partia Demokratike, në vazhdën e denoncimit të kryebashkiakëve socialistë, futi në listë edhe Taçen duke e akuzuar për një tender të dhënë ndaj një kompanie që ishte nën sekuestro për mospagesë gjobe për prerje pyjesh. Po kjo kompani kishte marrë tenderin për të funizuar me dru shkollat e Gramshit. Por nuk ndali këtu. Kryebashkiaku i Gramshit  kishte fshehur hetimin e vitit 2009 nga prokuroria e Tiranës. Ai akuzohej për vjedhjen e 68 mijë lekëve të reja dhe ishte paditur nga recepsionistja e një qendre private shëndetësore.

Prokuroria e Elbasanit mori në pyetje edhe 3 kryebashkiakë të tjerë të PS-së

Prokuroria e Elbasanit pas kryebashkiakut të Gramshit, këtë pasdite në pyetje ka marrë edhe kryebashkiakun  e Peqinit, Lorenc Tosku, të Belshit, Arif Tafani dhe kreun e bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Burime bëjnë me dije se kryebashkiaku i Peqinit është marrë në pyetje, pasi akuzohet se makinën e bashkisë e ka përdorur për nevoja të veta private. Kreu i Bashkisë së Belshit është një tjetër kryebashkiak që është marrë në pyetje nga Prokuroria e Elbasanit, në kuadër të hetimeve për investimet e kryera në pedonale.