BE refuzon të hap jap dritën jeshile për fondet e IPARD, ndërkohë qeveria shqiptare jep ‘ok’ për kanabisin. Në këtë atmosferë premtimesh dhe investimesh, mbetet të presim nëse do të korrim më shumë vota apo bimë në zgjedhjet e 11 majit
Shuhen shpresat për këtë vit. Fondet e programit të financimit nga Brukseli për bujqësinë dhe jo vetëm, IPARD III nuk do të hapen për këtë vit.Fondet u bllokuan në vitin 2023 pas denoncimeve dhe skandaleve për abuzime të shumta. Mes përfituesve ishin edhe njerëz të botës së krimit por edhe të afërm të qeveritarëve.
112 milionë eurot e programit të IPARD III nuk do të hapen as këtë vit.Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka dorëzuar pranë strukturave të Komisionit Evropian (DG AGRI) që në shtator të vitit të shkuar një plan veprimi me masat që do të ndërmerren për të garantuar transparencë, mirëmenaxhim të fondeve të BE-së si garanci për parandalimin e abuzimeve me këto para.
Në korrik të këtij viti do të ketë një raport për realizimin e këtyre detyrave dhe në vjeshtën e po të këtij viti (shtator-tetor-nëntor) do të auditohen masat e ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR, dhe vetëm pas këtij procesi do të ketë një vendimmarrje nga Bashkimi Evropian. Aktualisht pranë AZHBR-së është ngritur një sistem që pra ndalon parregullsitë pasi bën një verifikim në kohë reale të aplikimeve të bëra.
Ministria e Bujqësisë pret që drita jeshile për IPARD III të jepet në vitin 2026, duke u dhënë kështu mundësinë fermerëve të përfitojnë në 9 fushat që do të mbështeten me fonde, si infrastrukturë rurale, ndërtim tregjesh, për Agro-përpunim apo Agro-turizëm, pylltari, asistencë teknike e këshillim.
Për shkak të parregullsive dhe abuzimeve të konstatuara, Komisioni Evropian vendosi në korrik 2023 të ndërpresë mbështetjen për Shqipërinë, duke bërë që IPARD III të mos hapet. Ndërkohë është mbyllur lëvrimi i fondeve për fermerët përfitues nga IPARD II që i takon periudhës 2014-2022 ishte 94 milionë euro në total.
Mbill kanabis, korr pushtet, caktohen 10 zonat ku do të lejohet kultivimi
Me afrimin e zgjedhjeve, qeveria po shpejton procesin e mbjelljes së kanabisit.Ekzekutivi caktoi dhjetë zona kadastrale ku do të lejohet kultivimi, të cilat nuk u bënë publike. Ndërsa ministrja e bujqësisë, Anila Denaj, siguroi se mbjellja nuk do të prekë tokat bujqësore.Në një përpjekje për ta paraqitur këtë si një proces të rregullt dhe të studiuar, Denaj theksoi se zonat janë zgjedhur me kujdes, larg qendrave të banuara dhe shkollave. Meqenëse kriteret janë vendosur “me kujdes”, siç u shpreh ministrja, mbetet të shihet kush do të ketë fatin të korrë përfitimet e kësaj skeme të re “bujqësore”.Përveç kësaj, qeveria miratoi dhe një fond prej 44 milionë eurosh për subvencione bujqësore dhe vendosi të ngrejë Bankën Shqiptare të Zhvillimit, e cila do të financojë sektorin e bujqësisë. Në këtë atmosferë premtimesh dhe investimesh, mbetet të presim nëse do të korrim më shumë vota apo bimë në zgjedhjet e 11 majit.“Janë 10 zona kadastrale që janë përcaktuar në bazë të studimi dhe janë të mirë përcaktuara, dhe njëkohësisht në gjithë bashkërendimin e veprimeve, besoj që të gjithë udhëzuesit do ta përcaktojnë më së miri se si do vijojë procesi. Janë të gjithë Shqipërinë, por ka një kriter të domosdoshëm, janë të përjashtuar të gjitha zonat me intensitet të lartë bujqësore. Janë zona bujqësore , që janë jashtë vëmendjes të zhvillimit aktual të bujqësisë intensive, dhe me një distancë nga shkollat, vendet e banuara, dhe gati 3 kilometra në distance ku bletaria sot zhvillohet”, u shpreh Denaj.