Abdi Baleta/ Kosova e Shqipëria përballë Serbisë: Së bashku, apo veças?

568
Kjo “dilemë shqiptare” ka marrë fund tashmë në rrafshin sportiv futbollistik. Por ajo mbetet temë e mprehtë e ditës në rrafshin e politikës e të diplomacisë, edhe pse nuk e gjejmë të formuluar kështu në deklarata zyrtare. Forcën që të jep bashkimi i gjithë potencialit kombëtar e shohim më mirë se në çdo drejtim tjetër në arritjet e lavdërueshme të Kombëtarës Shqiptare në futboll, ku tashmë shumica e lojtarëve janë shqiptarë nga Kosova. Kjo përfaqësuese tregoi vlerat e saj sportive dhe atdhetare gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, më 14 tetor 2014 në Beograd. Kapiteni gjakovar i ekipit të Shqipërisë, Lorik Cana, i dëmtuar në kavilje pak ditë para këtij takimi, ka shqiptuar fjalët frymëzuese: “Për Shqipërinë do të luaja edhe me një vertebër të thyer”. Futbolli vërtet është sport, por luhet nën uniformën e simbolikën kombëtare dhe merr vlera të veçanta politike kur zhvillohen ndeshje të tilla si Shqipëri-Greqi, Shqipëri-Serbi. Përfaqësuesja jonë e futbollit, me lojtarë nga gjithë trojet etnike shqiptare, na ka bërë tashmë dhuratën më të bukur, ka jetësuar parimin “një komb-një kombëtare”, që brohoritet prej vitesh me pasion atdhetar e vizion politik nga tifozëria e mrekullueshme “Kuq e Zi”. Ka ardhur koha që ky parim i lartë, i sendërtuar aq mirë në përfaqësimin futbollistik, të gjejë zbatim edhe në ligjërimin e veprimtaritë politike e diplomatike shqiptare, për të qartësuar se si duhet ta bëjnë “përfaqësimin shqiptar”, Shqipëria e Kosova përballë Serbisë, së bashku apo veçmas?.Tani është kohë hamendësimesh të shumta mbi krijimin në Ballkan të një klime mirëkuptimi e bashkëpunimi pas Samitit të Vienës të 27 gushtit 2015, pas shpeshtimit e shtensionimit të kontakteve midis kryeministrave të Shqipërisë e të Serbisë. 

Nisma Merkel dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor

Pritet me kërshëri të shihet nëse “Nisma Merkel” do ta bëjë të qëndrueshme këtë atmosfereë dhe do të përshpejtojë vërtetë integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor. Udhëheqjet shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Shkup vazhdojnë t’i japin në unison përparësi integrimit europian mbi bashkimin kombëtar. Nuk reshtin zërat çoroditës se bashkimi kombëtar shqiptar sjell ndryshim kufijsh në Ballkan dhe këtë gjë nuk e dashkan BE dhe SHBA. Ka shpërthyer edhe një eufori e re, e tepruar diplomatike, deri në OKB, për “mrekullinë shqiptare” të harmonisë fetare, pas “pelegrinazhit fetar” ndërkombëtar që u organizua në Shqipëri nga San Exhidio me moton “Paqja është gjithmonë e mundshme”, që u shoqërua me një urim papnor: “Nga toka shqiptare, nga toka e martirëve të lindë një profeci e re paqeje”. Por Ballkani mbetet ai që ka qenë, edhe pas Samitit të Vienës e urimit papnor. Këtë na e tregon edhe histerizmi shovinist antishqiptar i propagandës serbe me rastin e ndeshjes së 8 tetorit në “Elbasan Arena” dhe çjerrjet serbe “vrisni shqiptarët” nga tifozëria ruse në stadiumin “Lokomotiv” të Moskës, gjatë ndeshjes së skuadrës vendase me “Skënderbeun” e Korçës. Kurse në tokën e bekuar të Shqipërisë po ashpërsohet në ekstrem lufta politike për pushtet e për grabitje pasurish. 

Diplomacia e fishkur “Mustafa-Vuçic”

Në Kosovë po rriten dukshëm tensionet pas zyrtarizimit të “Zajednicës” serbe, çka po thellon krizën politike dhe amullinë e lidershipit. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërcënohen nga Beogradi pse shpallën edhe ata “bashkësinë e komunave” të tyre, si serbët në Kosovë. Shqiptarët e FYROM-it nuk e kuptojnë më se ç’po ndodh me ta dhe me politikanët e tyre, nuk e dinë ku janë, ku po i çojnë e ku duan ata vetë të shkojnë. Prandaj nuk mund të entuziazmohemi nga diplomacia e bujshme dyshe, me shumë batuta e me kolorit futbollistik “Rama -Vuçiç”. Nuk mund të shpresojmë tek diplomacia e fishkur, më tepër nën zë, “Mustafa-Vuçiç”. Në Ballkan janë ende të freskëta gjurmët e luftërave gjenocidale serbe, në kohën kur në Europë festohej mbarimi i Luftës së Ftohtë. Mbeten të pashlyera imazhet tronditëse të kolonave me refugjatë të mjeruar shqiptarë që Serbia e Maqedonia i trajtonin shumë më keq se refugjatët e sotëm nga Lindja e Mesme. Në Ballkan vërtet kanë ndodhur ndryshime të thella, është dyfishuar numri i shteteve brenda një çerek shekulli, por konfliktet, kontradiktat, përplasjet e rreziqet nuk janë pakësuar. Meritojnë vëmendjen e duhur, jo përfolje inatçore, fjalët e kryeministrit Rama se po nuk u përfshi Ballkani Perëndimor në BE do të ketë cikël tjetër dhune. Madje, as kjo përfshirje nuk jep garanci absolute për parandalimin e shpërthimevve të reja. Integrimi nuk i zgjidh vetvetiu disa probleme madhore therëse. “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike” e titullonte zonja e nderuar britanike Edit Durham analizën mbi gjendjen e zhvillimet në Ballkanin e dy dekadave të para të shekullit XX . Këto ngatërresa tani janë bërë 120-vjeçare. 

Projekti europian për “Jugosllavinë e tretë”

Projekti europian për “Jugosllavinë e tretë” na kujton se nuk janë për t’u shpërfillur as sot vlerësimet e Edit Durhamit: Kontradiktat e problemet që çuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë nuk janë fashitur, por janë gjithnjë vepruese dhe kanë klonuar disa Jugosllavi më të vogla. BH dhe FYROM-i janë më tipiket, por dhe në Serbi e Mal të Zi vlojnë të njëjtat kontradikta. Nënshtrimi dhe pranimi pa kushte nga politika kosovare (Mustafa-Thaçi) i “Zajednicës” serbe e kthen praktikisht Kosovën në një Bosnje-Hercegovinë të dytë. Më kanë bërë shumë përshtypje dy vlerësime të kundërta, njëri serb e tjetri shqiptar, lidhur me rrjedhojat e krijimit të Zajednicës. Zonja Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Serbi është shprehur se “Zajednica” do të dëmtojë shqiptarët. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë vizitës së saj në Tiranë më 10 shtator 2015, deklaroi se “Zajednica” nuk e dëmtoka Kosovën, nuk e cenoka sovranitetin e saj shtetëror. Për logjikë politike e seriozitet gjykimi duhet t’i besojmë zonjës serbe, Biserko. Vendosja e “Zajednicës”, si kërcu serb mbi samarin e ngarkuar me shumë detyrime të Kosovës para Serbisë e faktorëve ndërkombëtarë, do t’i vështirësojë lëkundjet e deritanishme prej lavjerrësi të Kosovës midis Beogradit e Tiranës. Edhe “Plani Ahtisari” e ngarkoi me aq shumë privilegje për serbët statusin e pavarur të Kosovës sa e bëri “një vend të paqeverisshëm”, siç e ka cilësuar eksperti juridik amerikan Henri Perrit Jr. në studimin “Rruga drejt pavarësisë së Kosovës. Një kronikë e Planit Ahtisari” (2010). Pavarësia e Kosovës u shpall dhe u njoh ndërkombëtarisht (2008), falë vendimit providencial që mori në qershor 2007 ish-presidenti amerikan, Xhorxh Ë. Bush. Por nuk u ndëprenë përpjekjet serbe e ndërkombëtare për të gërryer sovranitetin e shtetit të Kosovës, të cilin e cilësuan për kënaqësi të Serbisë edhe “shtet-fusnotë”. U shpikën 6 pikat minuese të Ban Ki Munit, që u bënë baza e “bisedimeve shqiptaro-serbe” në Bruksel, nga të cilat lindi Zajednica, si “hibrid simbioze shtetërore”, njëfarë projektimi në të sotmen i “simbiozës pushtetore” midis pushtuesve serbë e të pushtuarve shqiptarë, që ekzistonte dikur në Kosovë. Këtyre proceseve rrënuese të pavarësisë së Kosovës duan t’ua vënë kapakun me një “pajtim të madh shqiptaro-serb”. Si për ironi për këtë qëllim u përdor edhe “diplomacia futbollistike”, përurimi i së cilës ishte e vetmja risi që solli Samiti i Vienës në fund të gushtit 2015, sepse gjithçka tjetër që ndodhi atje shënoi fillimin e zbehjes së “Procesit të Berlinit”, të një viti më parë mbi Ballkanin Perëndimor. Mbetet i dyshimtë efikasiteti i kësaj “diplomacie futbollistike” gjermano-austriake. Topi i futbollit mund të marrë gjithfarë flurudhash. Pajtimi shqiptaro-serb do të ishte me dobi dhe i dëshiruar për shqiptarët. Por për shumë kohë ai do të mbetet vetëm një mirazh. Shqiptarët nuk kanë përse t’u përgjigjen me “JO” të prerë ftesave të miqve ndërkombëtarë që të luajnë bashkë me serbët në ndonjë ekip futbollistik të Ballkanit Perëndimor përballë ekipit të BE-së. Por UEFA e ka më mirë që nuk do të lejojë më që Serbia e Shqipëria të jenë në të njëjtin grup eliminator për kampionatet europiane e botërore. 

Kosova dhe Shqipëria duhet të veprojnë bashkarisht në unitet

Kosova dhe Shqipëria duhet të formulojnë një strategji të vetme veprimi diplomatik, edhe pse formalisht do të paraqiten në skenën botërore veçmas për njëfarë kohe. Për të arritur këtu u duhen dhënë fillimisht përgjigje të sakta, pa lënë shtigje për bishtnim, dy pyetjeve: A do të vazhdojë Shqipëria të qëndrojë në pozitat e indiferentizmit ndaj zhvillimeve në Kosovë, sikurse ka qëndruar shumicën e kohës, qysh kur u krijua shteti i pavarur dhe i cunguar shqiptar? A do të vazhdojë shteti i ri shqiptar, Republika e Kosovës, të sillet ndaj më të vjetrit, Shqipërisë, si ndaj një fqinji të çfarëdoshëm? Shqipëria duhet t’i japë fund indiferentizmit dhe ndjenjës së mospërgjegjësisë. Kosova duhet të mos pajtohet më tutje me pozicionin e lavjerrësit midis Beogradit e Tiranës. Deri tani shohim që pushtetarët e Tiranës e të Prishtinës po bëjnë më shumë llafe se punë në këto drejtime; shumë demagogji e pak vepra konkrete për zgjerimin e thellimin e bashkëpunimit vëllazëror në të gjitha fushat. Kjo vjen edhe për faktin se pushtetarët dhe mjaft politikanë e intelektualë në Tiranë e në Prishtinë, i japin përparësi integrimit europian. Me këtë duan edhe të shfajsohen që i janë larguar përgjegjësisë për t’u marrë seriozisht me forcimin e lidhjeve Shqipëri-Kosovë në funksion të bashkimit të ardhshëm shqiptar. Ky bashkim kombëtar nuk ka për të gjetur zgjidhje vetëm se Kosova e Shqipëria integrohen në BE veç e veç, dorë për dorë, apo toptan si Ballkan Perëndimor. Kryeministri italian Renci deklaroi, pas Samitit të Vienës, se zgjerimi i ri BE-së është më mirë të nisë me Shqipërinë e Serbinë. Nëse veprohet kështu si do të tundet “lavjerrësi kosovar”?! Nuk jam aspak i dëshiruar të paraqitem para lexuesit me perceptime e qasje skeptike dhe kritike. Por zhvillimet më të fundit në Kosovë e në marrëdhëniet midis dy shteteve shqiptare me Serbinë të shtyjnë të mendosh edhe për më të keqen. Për më tepër, ka edhe vende mike perëndimore që ende nuk po i trajtojnë shqiptarët njësoj si kombet e shtetet e tjerë të Ballkanit dhe i kundërvihen pa arsye parimore të drejtës së shqiptarëve për bashkim kombëtar. E keqja jonë e madhe sot është se kjo apiratë anashkalohet, në vend që të shndërrohet në tabu të paprekshme. Prandaj nuk kemi as strategji të përpunuar për zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe vërdallisemi rreth formulës “integrimi europian si qëllimi ynë final”. Për kaq gjë nuk vevojitet “strategji shqiptare”, sepse strategji e përcakton Brukseli. Në kushtet e tanishme e mira është që të mos vetëmashtrohemi nga një mirëkuptim fiktiv në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, të mos biem viktimë spekulimesh e hipokrizirash për pajtime e miqësira. Ka vend vetëm për realpolitikë të arsyeshme që do të thotë të synohet ende për mjaft kohë vetëm një modus vivendi.
Sigal