Presidenti Bajram Begaj/ Takim me homologun e Estonisë: Integrimi i Ballkanit Perëndimor, garanci stabiliteti, situata në Kosovë kërkon zgjidhje

95
Sigal

 

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi  një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij të Estonisë, Alar Karis.

Në fjalën e tij presidenti Begaj u shpreh se dy vendet tona janë sot më pranë se kurrë njëri-tjetrit, ndërsa shprehu falenderim për mbështetjen e Estonisë në procesin e integrimit të vendit tonë drejt BE-së.

“Dy vendet tona, edhe pse ndodhen disa mijë kilometra larg gjeografikisht, janë sot më pranë se kurrë me njëri-tjetrin. Kjo dëshmohet me këtë vizitë të Presidentit, që është e para e një presidenti estonez në Shqipëri. Dëshmohet gjithashtu me të gjithë mbështetjen e Estonisë dhënë vendit tonë gjatë viteve të fundit. E falënderova Presidentin e Estonisë, që na kanë qëndruar pranë dhe vazhdojnë të na gjenden pranë në procesin e integrimit në BE.
Integrimi në familjen e madhe evropiane është objektivi ynë madhor strategjik”,- tha Begaj.

Presidenti vuri në dukje se, Shqipëria mbajti vitin e kaluar Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, falë mbështetjes edhe të Estonisë, teksa u shpreh besimplotë se këtë vit do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare, sërish edhe përmes përkrahjes së Estonisë.

“Integrimi jo vetëm i Shqipërisë, por i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE, do të ishte një garanci e jashtëzakonshme për një të ardhme të stabilizuar dhe të prosperuar të të gjithë rajonit. Në këtë kuadër, vlerësova se Estonia ka luajtur dhe vazhdon të luajë rolin e saj mbështetës për një Ballkan Perëndimor më të stabilizuar dhe të zhvilluar. Kjo është shumë e rëndësishme, veçanërisht në kontekstin e ri gjeopolitik dhe në situatën e sigurisë globale ku ndodhemi sot”,- theksoi Presidenti.

Duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek agresioni brutal dhe i pajustifikuar rus kundër Ukrainës, që solli në Evropë erërat e trazuara të një të djeshme, që mendonim se e kishim lënë pas, Begaj tha se Shqipëria, që në krye të herës, e ka dënuar ashpër këtë agresion.
“Nënvizova faktin se vizioni i NATO-s i treguar deri më tani në përballimin e kësaj situate dhe zgjerimi së fundmi i Aleancës me Finlandën, tregoi se jemi më të fortë se kurrë, më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë për të mbrojtur vlerat e saj”.

“Jam i bindur se kjo do të tregohet qartazi dhe me aderimin sa më të shpejtë të Suedisë si edhe në Samitin e NATO-s që do të mbahet shumë shpejt fare pranë Estonisë, në Vilnius, Lituani. Doja gjithashtu të vija theksin tek pjesëmarrja e trupave tona në misionet e NATO-s në përgjithësi dhe në batalionin shumëkombësh të NATO-s në Letoni në veçanti, që reflektojnë më së miri rolin aktiv të Shqipërisë si shtet anëtar i NATO-s. Mënyra se si do t’i përgjigjemi bashkarisht sfidave të sigurisë të tanishme, do të përcaktojë se si do të jetë e ardhmja për kontinentin tonë por edhe për botën në dekadat që do të vijnë”, u shpreh Presidenti, teksa deklaroi se sfidat komplekse të sigurisë mund të përballohen vetëm të bashkuar.

“Gjatë takimit nënvizova se Shqipëria, ashtu sikundër edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, apo edhe vendet e Baltikut, janë të kërcënuara nga influencat e aktorëve të tretë keqdashës, që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne. I shpreha mirënjohjen mikut tim për ndihmën shumëdimensionale që i kanë dhënë vendit tonë përgjatë viteve. Programet dhe projektet ku Estonia ka dhënë kontributin e saj në Shqipëri përfshi fushat që nga ajo e sigurisë apo sistemi gjyqësor, tek qeverisja elektronike. Estonia është vendi i parë në Bashkimin Evropian në ofrimin e shërbimeve në mënyrë elektronike, ndaj ne kemi shumë për të mësuar nga ju, dhe bashkëpunimi i mëtejshëm në këtë drejtim do të ishte i mirëpritur”, -theksoi Begaj.

Duke u ndalur tek bashkëpunimi ekonomik, Presidenti i Republikës theksoi se ekspertët dhe institucionet e të dy vendeve duhet të eksplorojnë më mirë të gjitha mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm.

“Kjo mbështetje është gjithashtu një tregues i qartë i vullnetit të Estonisë për të ndihmuar rajonin e Ballkanit Perëndimor të shohë nga e ardhmja”, theksoi Presidenti, teksa nënvizoi se ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë, na kujtojnë edhe një tjetër herë rëndësinë që ka zbatimi sa më parë i marrëveshjes së dakordësuar publikisht në Bruksel dhe anekseve të saj në Ohër nga ana e Serbisë dhe Kosovës.

“Vizita juaj sot, është e para e një presidenti estonez, por jam i bindur se nuk do të jetë e fundit. Teksa vitin e shkuar festuam 30 vite të vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe, jam besimplotë se përpara na presin dekada shumë të frytshme bashkëpunimi. Qëndrim sa më të mbarë në Shqipëri!” – u shpreh Begaj.

Konferenca/ Presidenti Begaj analizon situatën në Kosovë dhe Ballkanin e Hapur

Presidenti Bajram Begaj komentoi konfliktin në Kosovë, duke thënë që nuk i shërben stabilitetit të rajonit në procesin e integrimit në BE.

Askush nuk është i kënaqur me situata apo sjellje që nuk i shërbejnë stabilitetit të rajonit aq më tepër kur është në proces të integrimit. Ndërsa të gjithë ne prisnim të zhvilloheshin negociata mes Kosovës e Serbisë, kemi pasur një tensionim të situatës, e cila ka ardhur si rrjedhojë e keqpërdorimit të popullatës serbe në Veri të Kosovës dhe ushtrimit të dhunës nga grupe kriminale. Kjo sjell pasoja për rajonin, por edhe për komunitetin ndërkombëtar siç është sforcimi i panevojshëm i partneriteteve. Mendoj që situata kërkon një zgjidhje, e cila besoj se do të merret në konsideratë nga drejtuesit dhe 2 faktorët kryesorë’. Kështu që mendoj që situata kërkon një zgjidhje, e cila besoj se do të merret në konsideratë nga drejtuesit dhe nga të dy faktorët kryesorë. Në takimin me Presidentin e Estonisë, Alar Karis, Begaj tha se ka qenë një rrjedhojë e keqpërdorimit të popullatës serbe dhe ushtrimi i dhunës nga grupet kriminale. Edhe në rastin konkret të situatës së tanishme kam pasur komunikim me autoritetet më të larta të Kosovës, po ashtu me komandantin e KFOR-it dhe me disa presidentë të rajonit.

Për nismën “Ballkani i Hapur”, Begaj është shprehur që është një domosdoshmëri për integrimin.

‘Sa i përket nismave rajonale, çdo nismë është pozitive dhe e domosdoshme dhe e rëndësishme. Për Ballkanin e Hapur, kjo është iniciativë e konceptuar vetëm si ekonomike që do të sillte përfitim përmes shkëmbimit të mallrave, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe burokracive. Nëse sjell iniciativë ekonomike, është e mirëseardhur si nismë. Çdo iniciativë rajonale është e lidhur me objektivin tonë strategjik që është integrimi në BE. Nëse nuk bashkëpunojmë me njëri tjetrin si mund të kërkojmë të bashkëpunojmë me komitetin e BE. Komunikimi im me Kosovën është i vazhdueshëm, me autoritetet më të larta, me komandantin e KFOR dhe disa presidentë të rajonit. Kam shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën dhe kam vënë theksin te marrëveshja në Bruksel dhe anekset e dakordësuara në Ohër. Duhet të fokusohemi te prioritetet’.