Shqipëri – Kosovë/ Qeveria Rama dhe Kurti mblidhen në Gjakovë, zbulohen marrëveshjet që do nënshkruhen gjatë mbledhjes

109
Sigal

Të mërkurën e ardhshme, qeveria Rama dhe Kurti, do të bëhen bashkë në Gjakovë. Këtë e konfirmoi kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së kabinetit të tij, duke thënë se mbledhja do të mbahet në Gjakovë.

“Do të jetë mbledhja e nëntë e përbashkët e Qeverisë sonë dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. E treta në më pak se dy vjet. Në mbledhjet e deritanishme kemi nënshkruar 41 marrëveshje bilaterale, ndërministrore dhe ndërinstitucionale. 39 nga to kanë gjetur zbatim të plotë, e dy të tjerat janë në fazën finale të zbatimit”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, Kurti tha se në mbledhjen e radhës do të nënshkruhen marrëveshje në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe mbrojtjes. “Ndër to që vlen të përmendet është ajo për njohjen e ndërsjellë të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit në Zgjedhjen e Mosmarrëveshjeve. Përmes saj do të mundësohet ushtrimi i këtyre profesioneve në të njëjta kushte në të dy vendet duke garantuar edhe interesin më të mirë të vetë qytetarëve”,- shtoi Kurti.

Ai bëri të ditur se në këtë mbledhje do të propozohet marrëveshja për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve me origjinë jo shtazore, në mënyrë që importi, transiti dhe eksporti i ushqimeve me origjinë jo shtazore, të mund të realizohet në Pikën e Inspektimit Kufitar ose në doganën më të afërt të vendit të destinacionit.