Zef Preçi: Trinomi;qeveri, biznes, konsumator

109
Sigal

Shkak për këtë koment u bë “sihariqi” për shkrirjen e të ashtuquajturit “Bord i Transparencës së Karburanteve”. Pra nuk e kam fjalën për individë të caktuar. Ata të tre janë:

– Qeveria (po deshe “Qeveriu”),

– Biznesi (në të cilin bëjnë pjesë edhe oligarkët), dhe

– Konsumatorët e të gjitha shtresave

Ekuilibrin në marrëdhëniet e këtyre tre aktorëve në kapitalizëm e garantojnë entet rregullatorë. Këto të fundit pengojnë qeverinë të jetë tejet agresive ndaj biznesit dhe konsumatorëve, dmth mundësojnë lirinë ekonomike, pengojnë biznesin të monopolizojë tregjet për të siguruar fitime maksimale, si dhe i garantojnë konsumatorit mundësinë e zgjedhjes së mallrave dhe të shërbimeve. E tash të vijmë te i ashtuquajturi “Bord i Transparencës” i mallrave ushqimore (shfuqizuar para pak kohësh) dhe i karburanteve (shfuqizuar sot). “Bordi” ishte një “shpikje” e mëndjeve të ngushta, nostalgjikë për “kohën e artë” – regjimin e shkuar, kur qeveria caktonte çfarë duhej mbjellë, sa duhej shitur dhe me ç’farë çmimi duhej shitë prodhimi apo shërbimi…

E megjithatë fakti që nëpërmjet “Bordit” dy aktorë (qeveria dhe biznesi) u bënë bashkë për të varfëruar të tretin (konsumatorin) tregon se kapitalizmi shqiptar është në nivel infantil, se qeveria kontrollohet nga 15-20 biznese të mëdha dhe/ose oligarkë, se mungesa e kulturës së reagimit të qytetarëve konsumatorë është shtrati ku ngjizet keq-qeverisja. Se vërtet prej sot Bordi i Transparencës së Karburanteve nuk ekziston de jure, por “vepra” e tij (varfërimi i konsumatorëve) vazhdon de facto. Dmth në tregjet tona mungon konkurrenca, qeveria “lumturohet” për shtimin e të ardhurave buxhetore (vjet 600 milionë Euro plus), por “i treti” (konsumatori) po varfërohet ditë mbas dite. Madje sot shtypi shkruante se për herë të parë prej më shumë se një dekadë, është rritur numri i familjeve debitore ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. Dmth varfëria po thellohet më tej. E pra, sot “Bordi” iku, por varfërimi i konsumatorëve vazhdon më me intensitet se kurrë më parë. Dmth jo vetëm ishin, por ata janë tre dhe skema “dy të parët (qeveria dhe biznesi) kundër të tretit (konsumatorit)” vazhdon edhe pa Bord…