Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Rama si Kaligula!

313
Sigal

Rama, pasi bëri gallatë me ndërkombëtarët, tani është futur në ciklin e dështimeve, dhe do të konfliktohet fort me ta. Ai nuk pyeti për marrëveshjen e 5 qershorit dhe ndryshoi në mënyrë të njëanëshme Kushtetutën. Urdhëroi që më 1 tetor të ndryshohej edhe Kodi Zgjedhor. Por, bashkë me shirat, filluan edhe dështimet, dhe kjo po i brengos shërbëtorët e tij. Ja, dështoi me “shkrirjen” e Këshillit Politik. Dështoi edhe me “shkrirjen” e partive politike, në një parti zgjedhore. Tani të gjitha institucionet europiane  i kërkojnë Ramës, që të rikthehet te Këshilli Politik, dhe t’i përmbahet marrëveshjes së 5 qershorit. Nëse palët nuk bien dakort, ato rekomandojnë t’i drejtohen OSBE-ODIHR-it. Mirë e kanë euroatlantikët. Po konfliktin me kryetarin e OSBE-së, kush do e zgjidhë, se mandati i tij mbaron në dhjetor! Kryetari i OSBE-së me sjelljet e tij po na rikujton perandorin Kaligula. Kaligula drejtoi Perandorinë Romake në vitet e para të shekullit parë, më saktë në vitet 37-41.  Ai e shpalli veten hyjni!  Kryetari i OSBE-së vetëshpallet  kryeministri më i mirë në 108 –vjet! Kaligula tallej me senatin. Rama tallet me parlamentin. Kaligula vendosi që kalin e tij ta emëronte konsull të Romës, pra kryeministër. Kryetari i OSBE-se krijoi dy opozita, “opozitën parlamentare” dhe “opozitën politike”. Opozita parlamentare, herë shpallet “shpëtimtare”, e herë herë, kur kundërshton, si rrangallë. Kaligula, vetëshpallej Jupiter,  Neptun e Venus. Kur vetëshpallej si perëndesha e bukurisë, si Venusi, vishej me fustan dhe dilte me pandofla. Ramën “talentet” e tij e shpallin Skënderbe, shkon me atlete në ceremoni zyrtare në Europë dhe në festën e pavarësisë vishet me shallvare! Tani po kuptohet përse, sa erdhi në pushtet, e hoqi portretin e Presidentit nga selitë dhe vuri atë të Ismail Qemalit. Përderisa ai u vetëshpall si kryeministri më i mirë në histori, e është kuruar estetikisht që të ngjasojë me Ismail Qemalin, pas “fitimit” të mandatit të tretë, edhe portreti i Ismail Qemalit do të zëvendësohet me atë të Filozofit surrelist të së Drejtës!