Sigal

Ish-ministri i Drejtësisë drejtoi 40 pyetje për ministren Kumbaro në Parlament

Deputeti i LSI-së Nasip Naço i ka drejtuar në parlament dje rreth 40 pyetje ministres Kumbaro për projektligjin e ri, duke ngritur pikëpyetje serioze në lidhje me marrjen e truallit të teatrit, e deri tek studimi i mjedisit.

– Është propozim i pakërkuar nga operatori ekonomik, shoqëria Fusha SHPK, apo është propozim i kërkuar nga qeveria?!

– Kush e ka bërë studimin e fizibilitetit, analiza teknike dhe financiare ekonomike dhe ligjore dhe përllogaritjen e vlerës së kontratës së këtij partneriteti publik-privat?

– Sa do t’i kushtojë më shumë qytetarëve shqiptarë?

– Ku e keni sigurinë që në hapjen e garës nuk do të ketë oferta më të larta se kompania që propozuat?

– Cila është arsyeja që nuk është bërë me procedurë të hapur?

– A janë bërë studime mjedisore dhe implikimet në natyrë?

– Sa është vlera financiare e parashikuar dhe sa do të jetë kohëzgjatja e kësaj kontrate?

– Sa do të jenë në zbatim te kjo kontratë dispozitat e ligjit për prokurimin publik, dispozitat e ligjit për koncesionet, për investime strategjike?

– Sa e besueshme është kjo shoqëri, duke marrë parasysh kostot dhe risqet e ndërtimit në varësi të zgjatjes së kontratës?

– Përse nuk i është bashkëlidhur këtij projektligji edhe inventari i pronave të paluajtshme në shtet, meqenëse jemi në kushtet ku do të shkëmbehet prona shtetërore me atë private për të parë dhe statusin ligjor?

– A do të shmanget shoqëria Fusha shpk nga tarifat e shitjes së pasurisë së paluajtshme? Pasi kjo është e barabartë me kontratën e shkëmbimit. Dhe nëse po sa është kjo shumë?

– Nëse qëllimi është ndërtimi i Teatrit Kombëtar përse në krye të Komisionit të Negocimit dhe autoriteti kontraktor është Bashkia e Tiranës, e cila ka vetëm 2100 metër katror truall, ndërsa Ministria e Kulturës ka 6000 metra katror truall?

– Cila është arsyeja që nuk është vendosur bashkëlidhur projekt propozimit fusha shpk në kuadër të transparencës edhe relacioni që shoqëron këtë projektligj?

– A mund të kemi një CV të këtyre investimeve? Si ka qenë me realizimin e kontratave kjo kompani? A kemi investime të rajonit, apo në evropiane kjo për transparencë për deputetët dhe opinionin publik?

– A ka ndërtuar ndonjë vepër të ngjashme brenda apo jashtë vendit si Teatri Kombëtar brenda standardeve evropiane që duhet të ketë një teatër?

– Sa është sipërfaqja në metër katror truall dhe sipërfaqja në metër katror ndërtime që do të jetë në zonën e zhvillimit që ka kjo kompani?

– A ka paraqitur shoqëria fusha shpk një pasqyrë financiare që pasqyron garancitë ekonomike të partnerit privat dhe çdo dokument tjetër provues se pala financuese nëse ka si garantim për zhvillimin e projektit. A ka paraqitur shoqëria fusha shpk bilancin financiar të tre viteve të fundit?

– Përse është shmangur hapja e garës për kompani të tjera kombëtare apo ndërkombëtare? Dhe pse jemi në kushtet e një propozimi të pa kërkuar nga shoqëria fusha shpk?

-Përse po shmanget procedura e ligjit për koncesionet, kur procedurat edhe për këto propozime janë të detajuara? Përse pa u bërë vlerësimi po kalohet direkt në lidhje kontrate me kushtet e diktuara nga shoqëria FUSHA.shpk?

– Si mund të bëhet vlerësimi financiar, pa pasur ndonjë inventar të pronës?

– Përse në komisionin e negocimit është shmangur asistenca dhe vlerësimi i projektit nga pikëpamja teknike, financiare dhe ligjore e një konsulencë të huaj, të propozimit të paraqitur nga shoqëria Fusha Shpk të kontratës që do lidhet, ndryshe nga praktikat e tjera të mëparshme, praktika inovative që përmendni dhe ju në relacion?!

– Përse keni shmangie të garës nga konsulenti i specializuar që do të zgjidhet pa garë, sipas një procedure të përshpejtuar nga ana e Bashkisë?

– Si do të bëhet vlerësimi, nëse ky konsulent është më i mirë, nëse nuk ka garë? Përse qeveria sipas këtij projektligji shmang garën?

– Pyetja ime është, sa metra katrorë është sipërfaqja aktuale dhe funksionale e godinës së Teatrit Kombëtar? Sa metër katrorë sipërfaqe që do të përfitohet si pjesë e godinës së re të Teatrit Kombëtar me çelësa në dorë? Sa metra katrorë është sipërfaqja ndihmëse aktuale e godinës së Teatrit Kombëtar?

– Sa metra katrorë është sipërfaqja ndihmëse aktuale e godinës së Teatrit Kombëtar që do të shfrytëzohet nga shoqëria Fusha shpk?

– Sa për qind do të jetë koeficienti i shfrytëzimit nga shoqëria Fusha Shpk?

– Dhe sa për qind apo metra katrorë do të jetë përfitimi nga Ministria e Kulturës, pra nga Teatri?

– Sa për qind do të jetë koeficienti i shfrytëzimit në zonën në qendër të Tiranës nga subjektet private dhe sa për qind është përfitimi i tyre?

– Sa për qind, apo sa metra katrorë do të jetë sipërfaqja përfituese nga Bashkia e Tiranës?

– Sa për qind është koeficienti i shfrytëzimit të përfitimit në zonën në qendër të Tiranës nga subjektet private?

– Sipas nenit 10 të projektligjit, miratimi i kontratës është parashikuar se pas nënshkrimit të kontratës nga kryetari i bashkisë, ose personi i autorizuar prej tij, kontrata së bashku me relacionin përmbyllës të negociatave i dërgohet Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Financave për ndjekjen e procedurave të mëtejshme në Kuvend. Ndryshe nga praktikat e tjera inovative që keni pasur më parë, kjo praktikë është në kundërshtim me ligjin, është në kundërshtim me ligjin numër 9000 datë 30.01.2003 për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave.

Ju keni anashkaluar miratimin e projektligjit për miratimin e kontratës në Këshillin e Ministrave dhe dërgimin në Kuvend, pasi nëpërmjet këtij projektligji që ju propozoni, autorizoni vetëm dy ministrisë përkatëse që të ndjekin procedurat ligjore në Kuvend. Dhe kjo është një praktikë e re inovative, ju po i shmangeni qëllimisht miratimit në Këshillin e Ministrave.