138 bejlerët e komunave dhe 53 pashallarët e parlamentit

482
Sigal

Nën shembullin e deputetëve, disa krerë bashkie e komunash me 8, 12 e 16 vite sundim në zona, janë vërsulur përsëri për të mbajtur kolltukun e kreut të “pashallëkut”, të joshur prej fondeve e territoreve më të mëdha që kanë 61 bashkitë e reja 

Dorëheqja “regjisoriale” e kreut “plak” të Bashkisë Pogradec, Artan Shkëmbi, vazhdoi dy ditë më parë me deklaratën e Baftjar Zeqos, për moskandidim, kryetar bashkie “veteran” në Fier. Ky “Operacion fshesa”, i maskuar pas (dorë)heqjeve dhe “mungesës së dëshirës për mos kandidim”, ka nisur shumë më herët se zgjedhjet lokale, të cilat zhvillohen pas 110 ditësh. Faktikisht, fushata ka nisur me ndarjen e “çifligjeve” mes partive aleate, si majtas edhe djathtas. Jemi në fazën, kur populli po merret kafeneve me lakimin e emrave, ndërsa shefat e partive po merren me piketimin e atyre që do caktohen faktikisht për të kandiduar. Element i kësaj fushate, të nisur katër muaj përpara datës së zgjedhjeve, është edhe skenari për të nxjerrë jashtë loje “të plakurit” në krye të kolltuqeve të bashkive e komunave. Këtë “nxjerrje jashtë loje”, të gjendur përballë “ujqërve të vjetër” të bashkive e komunave, që e mbajnë në rresht “kopenë” popull, shefat e partive, pra ata që përzgjedhin, firmosin e vulosin, po aplikojnë modelin “dorëheqje”, duke përdorur kërcënime “për hapje letrash korrupsioni”, nëse guxojnë të kandidojnë jashtë skemës së shefave të partive E majta e ka nisur aksionin për të zbritur nga kolltuqet “bejlerët” e pushtetit lokal. Ndërsa e djathta, ende nuk po vepron. Gazeta “Telegraf’, ka qenë “zëri” i parë dhe i vetëm, që qysh në prag-zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007, ka hedhur idenë dhe domosdoshmërinë e kufizimit kohor të drejtimit në pushtetin lokal, duke kërkuar t’i jepet fund me Kod Zgjedhor, sundimit pa kufi të “bejlerëve shtetërorë” në komuna e bashki, të “ngulur” në kolltuqe për 10, 12, 15 e madje deri 20 vjet me radhë. Proceset zgjedhore vendore në Shqipëri, kanë dëshmuar se realisht këta “bejlerë” zonash nuk propozoheshin e nuk votoheshin si vlera intelektuale e potenciale drejtimi, as se i donte populli. Por ishin produkt i klaneve, prej fuqisë së të cilëve “uzurponin” kolltuqet me vulë të kupolës së partisë si pjesë e familjes, shoqërisë, fisit, ortakërisë në biznese dhe nëpërmjet “çeqeve” të dhënë tek deputetët, apo shefat e partive. Pasi merrnin mandatimin politik prej partisë, ata hidheshin në sulm me premtime për “parajsë në zona”, me kërcënime, me vota të blera me 1000 e 2000 lekë, me “thasë mielli”, me futje të hallexhinjve në lista të ndihmës ekonomike, me pagesa të borxheve të fukarenjve nëpër dyqane lagjesh e me ca pastrime rrugësh dhe oborresh gjatë 40 ditëve të fushatës. Kjo ishte trampolina dhe metodologjia, që ata përdornin për të hipur e qëndruar nga 12, 16 e 20 vite në kolltuqet e bashkive dhe komunave. Se sa prej tyre janë me 5-7-8 klasë e me diploma false, kjo dihet. Se sa të aftë kanë qenë e janë për të qeverisur, kjo dihet. Se sa probleme të komunitetit kanë zgjidhur e do të zgjidhin, edhe kjo dihet. Se sa kanë vjedhur dhe sa kanë plan të vjedhin nga fondet publike, edhe kjo dihet. Se sa pasuri kanë vendosur e sa pasuri duan të shtojnë, nëpërmjet mbajtjes së kolltuqeve, edhe kjo dihet. Se sa u ka “rrahur e do t’u rrahë zemra” për popullin, të vjen për të “vjellë” kur e mendon. Çudia është, se asnjërit prej tyre nuk i është bërë e nuk i bëhet bilanci krahasues financiar “pagë-pasuri”! Përkundrazi, pasi zbresin ose zbriten nga kolltuqet e bashkive e komunave, me milionat dhe pasuritë e vjedhura gjatë sundimit në pushtetin lokal, kapin kolltuqe të larta në pushtetin qendror, hapin biznese të fuqishme, ose shkojnë e bëjnë jetë “sheikësh” jashtë Shqipërisë! Disa nga këta krerë bashkie e komunash edhe pas 10, 15 e 20 vitesh sundim, tani në prag të zgjedhjeve të 21 qershorit 2015, kanë “nxjerr dhëmbë e kthetra” e u janë vërsulur përsëri “marifeteve” për të uzurpuar kolltuqet e 61 bashkive të reja, me synim për të vazhduar “sundimin” e tyre, tashmë në “pashallëk” (territor) më të zgjeruar, me më shumë babëzi e mundësi për të zhvatur. Gazeta “Telegraf’, këto ditë pas hapjes së “betejës” për 61 kolltuqet e bashkive, ka zhvilluar një investigim, duke pyetur disa nga kryetarët e bashkive e komunave me nga 3 e 4 mandate pushtet. Përgjigjet e tyre, janë këto:  – Do kandidojmë, na do populli”! I pyetëm: – Po nëse nuk do partia t’ju kandidojë, si do veproni? Përgjigja: – Do ta gjejmë “fjalën” me partinë dhe me deputetët, ndryshe do të kandidojmë direkt nga populli! Këta që nuk tërhiqen, janë “bejlerët” e bashkive e komunave, të cilët ia dinë mirë “kimetin” atij kolltuku “fabrikë miliardash”. Janë 35 kryetarë bashkie dhe 103 kryetarë komunash me sundim 3 e 4 mandate, të cilët duan të vazhdojnë sundimin edhe pse “dosjet”, jeta në luks dhe pasuritë e tyre bankare e fizike, provojnë se kanë “rrjepur” fondet publike të zonave, kanë vjedhur, shitur e kanë dhënë me qira toka shtetërore e private, rezervuarë, shtretër lumenjsh, male për gurore, kanë vjedhur fonde nga koncesione pastrimi, nga lyerje e rikonstruksione shkollash, nga investime çerdhesh e kopshte fëmijësh, zyrash, fonde mobilimi të zyrave e shkollave, të blerjes së karburanteve e makinave, të ndriçimit publik, të trotuareve, gjelbërimit, emergjencave, investimeve dhe aktiviteteve kulturore e muzeale, të licencave të taksive e tregjeve, deri tek lekët e bravave të zyrave, leckave të tualeteve dhe pesticideve të mizave.

 Edhe 53 “pashallarë” të plakur e që “po plaken” si deputetë në parlament

 Modeli i sundimit 12, 20 e deri 25 vjeçar në krye të bashkive e komunave, ka vepruar e po vepron dhe me “sundimin” shumë deputetëve në parlament. Nëse kemi 138 “bejlerë” bashkish e komunash “të plakur” në kolltuqet e pushtetit lokal, kemi edhe 53 “pashallarë”, që janë plakur e po “plaken”, si deputetë, në kolltuqet e parlamentit. Disa madje e kanë nisur sundimin e tyre, që prej parlamentit pluralist të 31 marsit 1991. Janë shumë emra deputetësh, që janë “ngulur e nuk shkulen” prej kolltuqeve të parlamentit, përkundrazi bëjnë gjithçka që të mos dalin prej tij. Deri në vitin 2005, deputetët (bëhej sikur) propozoheshin nga populli. Turma, që besonte, i votonte si “shpëtimtarë”. Këto 25 vite kanë treguar se nën emrin e “mandatit të popullit”, ata kanë punuar e po vazhdojnë të punojnë për interesat e tyre, aq sa edhe “maçokët” e familjes i kanë futur me punë të zgjedhura në zyrat e larta të shtetit. Kanë paga të larta, makina luksoze, dieta mujore sa 1 pagë mësuesi, kanë shpërblime mujore sa 1 pagë polici, kanë pagesa për udhëtime jashtë shtetit, kanë pagesa për shërbime mjekësore jashtë shtetit. Ndaj të “vrasin”, nëse guxon t’i nxjerrësh nga parlamenti. Disa prej tyre, janë futur në parlament 30 vjeç e sot janë 55 vjeç, disa janë futur në parlament 40-45 vjeç e sot janë 65-70 vjeç. Disa janë futur në parlament studentë e sot janë 45 vjeç! Disa janë futur në parlament 7 vite përpara se të lindej Kejdi Mehmeti e sot ajo është deputete në një sallë me ta! Shtrohet pyetja: Kjo “jetëgjatësi” e tyre në pushtetin si deputetë, a provon që “pashallarët” e parlamentit janë votuar nga populli? Jo! Këtë sundim të gjatë deri çerek-shekullor si deputetë, ata e kanë marrë fillimisht me votë popullore, pastaj me klane, pastaj me pazare… Fakti, flet vetë. Pas disa mandatesh “sundim” demagogjik për popullin dhe deputetllëk konkret për interesat e tyre, “pashallarët” e parlamentit nisën qarkullimin me mos kandidime në zonat e tyre të origjinës, duke “shtegtuar” për t’u bërë deputetë në zona të tjera, tamam si “fallxhorët”, që pasi u del falsiteti, shkojnë e hedhin “fall” në zonë tjetër. Fakti është ky: prej 20 vjetësh, 89 deputetë aktualë të parlamentit shqiptar, nuk kanë kandiduar në “katundet” e tyre, ndërsa 97 deputetë, në 3 palë zgjedhjet e fundit kanë ndryshuar zonat e kandidimit nga 2-3 herë. Për të vazhduar sundimin e tyre në parlament, ata kanë shpikur e kanë vënë në zbatim një model tjetër, që u siguron sundimin në parlament. Prej 3 mandatesh, “pashallarët” e parlamentit caktohen me lista nga kupolat dhe kryetarët e partive. Nga një testim që ka bërë gazeta “Telegraf”, rezulton se, nëse kandidimi nuk bëhet me lista partie, 120 deputetë aktualë nuk pranohen nga populli. Gjithsesi, në vitin 2017 këta do të vërsulen përsëri të mbajtur mandatet…

———————————-

Çudia e një eksperti të UNESCO: – “Edhe 12 vite më parë, këta kryetarë kam takuar…”

 Sundimi i gjatë i disa krerëve të bashkive e komunave, ka krijuar çudi edhe në botë. Po tregoj një episod. Disa ditë më parë, po bisedoja me një ekspert të UNESCO. Ishte me të birin 23 vjeçar. Më tregoi se Ministria e Kulturës i kishte dhënë emrat e kontaktit në disa qytete e zona, të cilët UNESCO i ka në “kujdestari”. Më tregoi listën e emrave të kontaktit dhe me habi, më pyeti: – “Si është e mundur, që “X” e “Y” janë akoma drejtues në Gjirokastër, Shkodër, Berat, Lezhë, Fier, Vlorë, Pogradec, Elbasan…”! Më tej vazhdoi: – “Jemi takuar me ta, qysh përpara 10-15 vitesh, kur i kemi lënë disa detyra, por çudia është se po shkojmë përsëri në këto qendra dhe do t’u lëmë të njëjtat udhëzime të përsëritura, të njëjtëve drejtuese, që ua kemi lenë atëherë….”. Dhe për efekt humori, eksperti i UNESCO, duke treguar nga i biri, më tha: – “Ky është im bir. Përpara 12 vitesh, ka qenë në këto qytete. E kam sjell si “turist kureshtar”, kur ka qenë fëmijë 11 vjeç. Sot që është 23 vjeç, do të takojë përsëri, por si “burrë”, pikërisht ata kryetarë, që përpara 12 vitesh e kanë përkëdhelur si fëmijë…”.

 “Ushtria” me 6600 këshilltarë vendorë, 60% e tyre prej 24 vjetësh, 7% qysh prej vitit… 1987!

 Sundimi në pushtet është tregues edhe për një kategori tjetër kolltukofagësh përfaqësues popullor të nivelit të fundit, të quajtur “anëtarë këshilli” bashkie e komune. Edhe këta, kanë gjetur mënyra e mjete dhe kanë përdorur marifete, që të jenë të përjetshëm në këtë detyrë. Në total, aktualisht nëpër bashki dhe komuna “sundojnë” 6.600 këshilltarë. Edhe këta ia kanë parë “hajrin” pushtetit që zotërojnë. Një votë e tyre në favor të “bejlerëve” të bashkive e komunave ka shumë vlerë. Madje, kur bëhet fjalë për votë vendimesh, ku “luhen” miliona, kjo votë e tyre edhe paguhet e konvertohet me shpërblime të tjera. Nuk është fjala, se përse këta paguhen çdo muaj nga taksat e popullit dhe votojnë për “qokat” dhe pazaret e kryetarëve të komunave e bashkive. Shqetësimi është se edhe këta funksionojnë si “cuba e si klika” në zona, duke abuzuar me votën e popullit. Mjafton të kujtosh faktin, që në çdo proces zgjedhjesh lokale, bëhet “luftë” e egër deri me përleshje fizike mes grupeve politike, familjare, klanore, krahinore e fisnore për të uzurpuar vendet në këshillat bashkiakë e komunarë. Shumë prej këtyre “bejlerucëve”, kanë arritur të marrin dhe ruajnë sundimin e tyre prej shumë vitesh, si anëtarë në këshilla. Vetëm një fakt: 60% e anëtarëve të këshillave bashkiakë e komunarë, “sundojnë” prej 24 vitesh, 20% e tyre prej 16-20 vitesh, 5% e tyre prej 8 vitesh, ndërsa 7% që prej vitit 1987, kur kanë qenë ish-anëtarë të këshillave popullor të qyteteve e të këshillave popullorë të fshatrave.

———————–

 Fakti/ 22 mijë “kryepleq” lagjesh e fshatrash, 2100 janë “kryeplaka”, 70% janë prej 22 vjetësh

 Një kategori tjetër “bejlerësh” të përjetshëm të pushtetit lokal, janë dhe “kryepleqtë”, ose siç quhen zyrtarisht “administratorët e lagjeve e fshatrave”. Për nga sundimi i gjatë në këtë “post”, shumë prej “kryepleqve” janë “kopje” e kryetarëve dhe anëtarëve të këshillave të bashkive e komunave. Ata janë vendosur prej vitesh në ato “kolltuqe” dhe nuk lëvizin. Thonë, se “kryepleqtë” zgjidhen me votën e popullit, por në fakt emërohen nga kryetarët e bashkive e komunave dhe nga partitë politike, që kontrollojnë pushtetin lokal në zona. Edhe këta, paguhen çdo muaj nga taksat e shqiptarëve, për të mbajtur në “administrim” zonën ku janë caktuar. Afro 80% e tyre nuk njihen fare nga populli. Nga 22.000 “kryepleq”, që ka në krejt strukturën e qeverisjes vendore, 2.100 prej tyre janë femra, ose “kryeplaka” siç quhen. Nga evidentimi i bërë prej Ministrisë për Çështjet e Pushtetit Vendor, rezulton se 70% e “kryepleqve” janë në këtë detyrë prej 22 vjetësh, ndërsa 25% e tyre “sundojnë” prej 12-16 vjetësh.

——————————————-

 Ja 53 “pashallarët” e plakur e që po “plaken” në parlament

1.      Sali Berisha

2.      Genc Ruli

3.      Shkëlqim Cani

4.      Kastriot Islami

5.      Gramoz Ruci

6.      Namik Dokle

7.      Fatmir Mediu

8.      Nard Ndoka

9.      Aldo Bumçi

10.  Valentina Leskaj

11.  Ritvan Bode

12.  Igli Cara

13.  Vangjel Tavo

14.  Eduard Halimi

15.   Tom Doshi

16.  Vangjel Dule

17.  Florion Mima

18.  Arta Dade

19.  Luçiano Boçi

20.  Besnik Baraj

21.  Albana Vokshi

22.  Majlinda Bregu

23.  Mimoza Hafizi

24.  Eduart Selami

25.  Fatmir Toçi

26.  Paulin Sterkaj

27.  Xhemal Qefalia

28.  Vasilika Hysi

29.  Ardian Turku

30.  Myqerem Tafaj

31.  Astrit Patozi

32.  Shpëtim Idrizi

33.  Jozefina Topalli

34.  Gjovalin Kadeli

35.  Tahir Muhedini

36.  Pandeli Majko

37.  Fatmir Xhafa

38.  Spartak Braho

39.  Dashamir Peza

40.  Edi Paloka

41. Anastas Angjeli

42.  Agron Duka

43.  Dashamir Shehi

44.  Arben Imami

45.  Bashkim Fino

46.  Bledi Klosi

47.  Erjon Braçe

48.  Ben Blushi

49.  Musa Ulqini

50.  Taulant Balla

51.  Pirro Lutaj

52.  Edmond Spaho

53.   Genc Pollo

Përparim HALILI