10 vjet heshtje

189
Sigal

Një pjesë e të ashtuquajturës elitë intelektuale dhe kozmopolitane në Shqiperi e ka të vështirë, ndoshta të pamundur, që ta kuptojë raportin e Kosoves me Serbinë. U duket e papranueshme se si ca kosovarë primitivë e shikojne me lupë çdo serb, duke përfshirë këngëtarët, sportistët, shkrimtarët dhe Kishën.

Ju keni pasë problem me Milloshevicin, përse po i futni të gjithë në një thes?

Këtu pra është edhe zanafilla e problemit dhe e keqkuptimit. Jo, ne nuk kemi pasë punë VETËM me Millosheviçin. Ne kemi pasë problem me shoqërinë serbe. Millosheviçi ka ardhur në krye të këtij shteti, sepse shoqëria e ka kërkuar, e jo që ky bëri diçka të veçantë. Fare lehtë ka mundur të mos ishte Slloba dhe do të ishte një tjetër. Intelegjencia serbe ka qenë duke e përgatitur terrenin me dekada, për të ardhur në krye të serbëve një njeri, qe do ta shpallte tokë serbe kudo që ishte një varr i një serbi.

Millosheviçit i rastisi të ishte ai. Mirëpo në një vije me të ka qenë Akademia e Shkencave.

Ka qenë Kisha Serbe. Ka qene komplet spektri politik serb. Ka qenë liga e futbollit, e basketbollit dhe çdo ligë tjetër. Kane qenë regjisoret, aktorët dhe kengëtarët.

Të gjithë këta kohe pas kohe kishin probleme me njëri-tjetrin, por ribashkoheshin kur ishte në pyetje Kosova dhe shqiptarët.

Ne ishim šiptari. Ishim nën kategori njerëzore.

Ka zgjatur kjo periudhë një dekadë.

Dikush po thotë “po çfare faji ka Bregoviçi për këtë gjë”. Ka edhe shumë bile. Si është e mundur që një artist kaq kulminant, sa thuhet që është, qëndron neutral ndaj një segregacioni të tillë? Si është e mundur që ai dhe mijëra kolegë të tij nuk e thoshin asnjë fjalë për fatin e zi të shqiptarëve? Me qenë neutral, ose me pretendu që nuk po sheh, kur përpara vetes e ke një elefant sa bjeshka, i ke çu ujë Millosheviçit.

Njerëzit kanë reagu, me të drejtë, për aparteidin në Afrike të Jugut, e ky artisti kulminant bashkë me mijëra kolegë të tij nuk reagonin për Kosovë. Unë nuk e njoh asnjë serb me ndikim në botën e tyre që ka reagu për Kosovën. Serbët, me shumicë absolute e kanë aprovuar çdo politikë të Sllobes. Ata ishin të hidhëruar me të përse e la Kosoven t’i ikte, e jo pse shkaktoi aq shumë gjakderdhje.

Një pjesë në Shqipëri këtë nuk e kupton dhe nuk dëshiron ta kuptojë. Jo pse jane të verbër, por duan të bëhen të verbër. Edhe nuk e njohin realitetin politik në mes të shqiptarëve dhe serbëve, edhe flasin për keto raporte.

Une besoj dhe shpresoj që populli shqiptar në Shqipëri me shumicë është kundër kësaj qasje. Kjo çfarë po ndodhë është ingjinjering shoqëror i kreut politik dhe institucional të Shqipërisë.

Koncerti i Goran Bregoviçit në Korçë është një after party e Ballkanit të Hapur.