Zef Preçi: Cili ka nevojë për amnisti: Qeveria, mafia apo të dyja bashkë?

216
Sigal

Duke ndjekur aktivitetin publik të ditës së sotme në të ashtuquajturin “konsultim publik” të KM Rama dhe disa nga ministrat më të rëndësishëm të tij, nuk mund të mos të lindin disa pyetje dhe pikëpyetje. Kjo jo për diskutimin nëse duhet ose jo ky hap, sepse për këtë personalisht nuk kam asnjë dyshim se është një hap i gabuar në qeverisjen e vendit, por për disa elemente të tjerë që nuk mund të injorohen.
Së pari, duket qarte se motivet kryesore përmblidhen në të paktën dy më kryesorët: nevojat e ngutshme të buxhetit për para për të paguar kontratat e PPP dhe programin e investimeve publike të qeverisë, mesa duket tejet agresiv dhe jashtë kapaciteteve fiskale të vendit. Kjo u duk edhe nga prezantimi i sforcuar i argumenteve mbështetëse, kryesisht morale dhe “duke qarë hallin”, psh të emigrantëve, nga vetë z. Rama.
Së dyti, duke marrë parasysh prononcimet zyrtare kundër kësaj amnistie të një numri organizatash të biznesit dhe heshtjen e disa të tjerave, të krijohet bindja se vetëm ajo pjesë e biznesit, që perceptohet rëndom si lobiste apo oligarkët vetë janë thelbësisht të interesuar për të. Thënë ndryshe: ata që janë pasuruar me pasuritë natyrore të vendit, me fondet publike apo përmes shfrytëzimit të avantazheve financiare që burojnë nga lejet dhe licensat shtetërore. Ndonëse mbështetja ndaj amnistisë në këmbim të favoreve që ajo mendohet se do të krijojë për ta është një e drejtë e tyre. Nuk besoj se kjo është pikërisht ajo gjë për të cilën ka nevoje ekonomia jonë kombëtare.
Së treti, mendoj se nevoja për konsensus me qytetarët, që kanë paguar rregullisht tatimet-taksat gjatë tre dekadave të fundit, që përllogaritet 50-70% të qytetarëve dhe bizneseve të vendit; nevoja për konsensus politik për aministinë ligjore që shoqëron amnistinë fiksale dhe të aseteve sipas draftit zyrtar të prezantuar deri më tani, si dhe nevoja për konsesusin e institucioneve financiare ndërkombëtare mbeten parakushte të saj. “Këshillimi” i sotëm nuk ofron asnjerën nga këto parakushte, pavarësisht sulmeve të z. Rama ndaj dhomës Amerikane të Tregtisë apo asaj Gjermane.
Së katërti, nuk besoj se kërkon që të jesh politikan i lartë apo biznesmen i njohur për të ditur se nuk ka asnjë kriminel dhe hajdut të fondeve publike (alias nëpunës i korruptuar i qeverisë), aq budalla sa të vendosë fondet e vjedhura apo paratë që vijnë nga aktivitete të paligjshme në emrin e vet. Shumica e tyre nuk kanë as makine, përjashto këtu që personat më të anatemuar si të korruptuar nga elita politike, të cilët “mbrohen” duke marrë poste shumë të larta në parlament apo në qeveri… Historia në zhvillim e sipër e njohur në publik si “afera e inceneratorëve” dëshmon se problemi kryesor tek ne është vjedhja e fondeve buxhetore dhe pasurive kombëtare duke përdorur pushtetin dhe se rrjetet kriminale të përfshira në evazion dhe krime fiskale janë shumë të mëdha nga ccfarë njihet deri më tani. Të jemi më të drejtpërdrejtë: Sot kemi tre lloj ekonomie nË përbërje të ekonomisë sonë kombëtare: ekonominë formale ose 50-70% të ekonomisë, ekonominë informale ose 20-30% dhe një nivel ende të panjohur me paratë që vijnë nga aktivitetet e paligjshme (kryesisht prodhimi, tregtimi dhe trafikimi i drogave të buta dhe të forta dhe përfitimet nga korrupsioni qeveritar). Ccvendosja e parave nga njeri lloj ekonomie në tjetrin është lirisht e mundshme dhe disa zhvillime në dekadën e fundit që koincidon me periudhën e qeverisjes së z. Rama tregojnë se lloji i tretë (ekonomia kriminale) po “fiton” terren ndaj dy të tjerave. Kështu paratë kriminale tashmë kanë depërtuar apo “janë rrugës” në koncesionet e energjitikës, minierat, kontratat koncesionare të llojit PPP, ndërtimin e kullave, deri edhe në sektorin bankar, etj. Viktima e kësaj situate është konkurrenca në tregje, disa vendim-marrje të qeverisë dhe parlamentit si “ligjet e porositura”, etj.
Së pesti, duke gjykuar edhe nga shifrat, që kanë dalë në raportimet e kësaj jave të institucioneve të drejtësisë nuk mund të mos vihet re se veprat penale të lidhura me pastrimin e parave jane rritur dukshëm, ndonëse ndëshkueshmëria e tyre është një shqetësim në rritje i qytetarëve dhe biznesëve. Në këtë këndvështrim, mendoj se qeveria po ndjek rrugën më të shkurtër dhe më të gabuar njëkohësisht, për të sjellë në standardet e ligjit atë segment të ekonomisë kombëtare që për ironi të fatit, lidhet me vetë rolin dhe funksionimin e qeverisë, qëndron ende jashte sistemit.
Së fundi, një eksperiment i dështuar më shumë në ekonominë tonë nuk duket ndonjë gjë e madhe, por kostot që lidhen me performancën e administratës fiskale dhe institucioneve të drejtësisë, për moralin e shoqërisë dhe të bizneseve (vullnetin e tyre për të paguar tatimet-taksat), për procesin e integrimit Europian të vendit si dhe për legjitimitetin e vete qeverisë janë të pariparueshme. Natyrisht që për shumë njerëz, duke përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, qeverisja e zotit Rama gjatë gjithë dekadës ka qenë shumë herë në kufinjtë e të paligjshmes, por kësaj radhe mendoj se anon plotësisht në këtë anë, duke shtuar rreziqet për paqen sociale e politike ne vend, duke i dhene keshtu hov keq-qeverisjes dhe populizmit qe pjell prej saj. Keshtuqe per r’ju pergjigjur pyetjes ne titullin e ketij shkrimi: te dyja – qeveria dhe Mafia – kane nevoje per amnistine fiskale dhe ligjore qe qeveria po mbron sot.