Xhim Xhema: shqiptaro-amerikani që i qiti telashe të mëdha Serbisë së Millosheviçit

715
Frank SHKRELI
(Me rastin e 9-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës)
Me rastin e 9-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Republika e Kosovës me institucionet e saja dhe shqiptarët kudo, në mënyrën e tyre, festuan këtë përvjetor duke nderuar veprat dhe heroizmat e shumë individëve që punuan, kontribuan, sakrifikuan dhe madje dhanë jetën për kauzën e lirisë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Unë sot dua të vendos, jo vetëm në radhën e këtyre një shqiptaro-amerikan, të cilit ndoshta i takon vendi në krye të listës së atyre që duhet të kujtohen dhe të falënderohen për punën e tyre heroike dhe për kontributet që kanë dhënë në realizimin e çlirimit të Kosovës nga regjimi barbar i Serbisë. Përpjekjet, sakrificat dhe luftërat shekullore të të cilëve, më në fund, u kurorëzuan me pavarësinë e Kosovës, duke ndryshuar kështu, për më mirë dhe përgjithmonë, historinë e kombit shqiptar. 

E kam fjalën për shqiptaro-amerikanin, Xhim (Xhemail) Xhema, biznesmenin dhe njërin prej aktivistëve më të dalluar në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Xhimi, siç njihet nga miqtë dhe dashamirësit e tij, jeton e punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte vendosur më 1968. Ai ka lindur në fshatin Tupallë të Medvegjës të “Shqipërisë lindore”, por pohon se familja e tij e ka origjinën prej Shkrelit të Malësisë së Madhe. Për të gjithë ata që e njohin, Xhimi është tepër modest dhe nuk flet për veten dhe për as sukseset e tij në jetë, si njëri prej biznesmenëve më të dalluar – i njohur si i tillë në qarqet amerikane dhe ato shqiptare, jo vetëm si mjeshtër i madh i profesionit të tij në ndërtimtari, por i njohur edhe në fushën politike si patriot, që e ka provuar veten gjatë veprimtarisë së tij politike 40-vjeçare këtu në Amerikë, se ai ishte dhe, me të vërtetë, mbetet i paarritshëm në këtë fushë. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, të cilin ai me bashkëpunëtorë të tjerë shqiptaro-amerikanë, kishte ndihmuar në themelimin e tij, e që falë përkushtimit të Xhimit, luajti një rol të rëndësishëm, ndoshta të pazëvendësueshëm, në mbrojtje të Kosovës gjatë vv ’90 dhe në mbështetje të interesave shqiptare në përgjithësi – e kishte dekoruar më 2003, me medaljen “Për Arritje të Mëdha në Jetë”, me motivacionin: Për devotshmërinë e tij legjendare ndaj çështjes shqiptare dhe për punën e palodhur drejtë përmirësimit të jetës së shumë shqiptarëve, në të dy anët e Atlantikut.”

Përkushtimi dhe devocioni i Xhim Xhemës – dje dhe sot – ndaj interesave shqiptare në Shtetet e Bashkuar dhe në trojet e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor nuk kanë kufi. Xhim Xhema e kishte kuptuar shumë mirë, se fati i shqiptarëve në të kaluarën kishte qenë i lidhur me Amerikën. Ai ishte i vetëdijshëm për rolin që kishte luajtur komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me Fan Nolin -në fillim të shekullit XX – në ndërmjetësimin e presidentit amerikan Woodrow Wilson, në favor të pavarësisë së Shqipërisë. Xhimi me disa pjesëtarë të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan kishte ardhur në përfundimin, se vetëm Amerika do të ndihmonte shqiptarët dhe të drejtat e tyre edhe në fund të shekullit XX. Ai filloi të trokiste në dyert e senatorëve dhe kongresmenëve më të njohur të jetës politike amerikane, për t’i njohur ata me situatën tepër të vështirë përballë të cilës gjendeshin shqiptarët e Kosovës, dhe shqiptarët në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të veta. Dyert e tyre nuk ishin kurrë të mbyllura për Xhimin.

Kam pasur fatin që Xhim (Xhemail) Xhemën ta kem njohur për më shumë se 30-vjet. E kisha takuar për herë të parë në Washington aty nga gjysma e vv’ 80, në një prej vizitave të tij të shpeshta që bënte në atë kohë nga New Yorku në Washington. Ishte pothuaj kulmi i luftës së ftohtë, por edhe fillimi i përpjekjeve të shqiptaro-amerikanëve për ndërkombëtarizimin e asaj, që në atë kohë filluam ta cilësonim si, “çështja kosovare”, “The Kosova issue”. Deri në vitet 80-ta, ish-Jugosllavia, megjithëse një vend komunist, gëzonte një mbështetje dhe reputacion të konsiderueshëm në Washington, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste. Fjalët e ish-Jugosllavisë kishin peshë dhe, jo vetëm në qarqet qeveritare, por edhe në ato akademike dhe gazetareske. Por ja, më në fund, falë veprimtarisë së Xhim Xhemës me shokë, gënjeshtrave dhe shpjegimeve zyrtare të Serbisë mbi situatën dhe trajtimin e tmerrshëm që u bëhej të shqiptarëve të Kosovës, u kishte dalë boja – diplomacia jugosllave kishte filluar të vihej gjithnjë e më shumë në dyshim nga Washingtoni zyrtar. Serbia kishte filluar të fliste me veten, pasi nuk priste një ndryshim të qëndrimit të Washingtonit ndaj shqiptarëve “irredentistë” të Kosovës, por gënjeshtrat e Beogradit nuk ishin më monopol i Serbisë. Tashmë kishte edhe një zë të besueshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan në lidhje me ngjarjet në Kosovë, një zë që filloi të sigurote besimin dhe bindjen e zyrtarëve të Washingtonit dhe botës, se diçka e tmerrshme po ndodhte në Kosovë. Vërtetë, diçka po ndodhte! E vërteta mbi trajtimin e keq të shqiptarëve nga regjimi i Beogradit, më në fund, kishte arritur në Washington, falë përpjekjeve të Xhimit me shokë, të cilët nëpërmjet të vërtetës mbi gjendjen e vështirë të shqiptarëve të Kosovës, do të ushtrohnte influencë mbi politikën amerikane në favor të kauzës së shqiptarëve për liri e demokraci dhe më në fund edhe për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara. 

Periudha e vv’ 80 dhe sidomos në vitet ’90, lobimi i komunitetit shqiptaro-amerikan kishte arritur kulmin dhe falë Xhim Xhemës me shokë, përfshirë edhe ish-kongresistin me origjinë arbëreshe, Joe Dio Guardi, konsiderohej si një prej grupeve lobiste më me influencë në Washington, gjë që krahasohej me lobin izraelit, i cili konsiderohet si më i fuqishmi. Është meritë e Xhim Xhemës që komuniteti shqiptaro-amerikan siguroi mbështetjen për kauzën shqiptare të disa ligjvënësve më me influence në Amerikë – si republikanë ashtu edhe demokratë. Xhimi ishte bërë si “vendas” në Washington gjatë vv’ 80 dhe vv’ 90. Më kujtohet me një rast një vizitë e Xhim Xhemës në Kongresin amerikan. Ndërsa po shkonte tek disa zyra të ligjvënësve, dëgjoheshin zërat e stafit që e panë, duke thirrur, “Jimmy is coming, Jimmy is coming”, Po vjen Xhimi, Po Vjen Xhimi. E tillë ishte prezenca e tij, sidomos në Kongresin amerikan, por edhe në ente të tjera qeveritare në Washington. Sidomos, miqësia e tij me Senatorin Bob Dole, ishte kritike në mendimin tim. Xhimi kishte mbështetur fuqishëm fushatat politike të Senatorit Dole dhe ish-presidentit George Bush, por jo vetëm me këta. Xhimi dinte të bënte për vete politikanë me mendime të ndryshme nga të dy partitë kryesore, përfshirë jo vetëm senatorët nga New Yorku, e Connecticut, ku jetonte dhe punonte, por edhe nga shtete më të largëta, si Senatori Bob Dole nga Kansas dhe Senatori Mitch McConnell nga shtetit Kentucky, me të cilin Xhimi vazhdon të ruajë miqësi të ngushtë, i cili tani është kryetar i shumicës republikane në Senatin e Shteteve të Bashkuara.
Besoj, se ndër sukseset e para me rëndësi dhe me pasoja të mëdha për të ardhmen e Kosovës dhe gjithë shqiptarisë – megjithëse ai është tepër modest të flasë për sukseset e tija – të ketë qenë lobimi tepër efektiv, besoj me ndihmën e Senatorit Dole, për të bindur Presidentin Bush të vjetër që t’i dërgonte Serbisë, atë që tani njihet si “Paralajmërimi i Krishtlindjes – letra, pra dërguar Beogradit zyrtar më 25 dhjetor të vitit 1992, për të mos shkelur vijën e kuqe. Presidenti Bush i kishte dërguar një letër sekrete kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milloseviçit me një mesazh të shkurtër, por që ishte i qartë, i përpiktë dhe nuk linte hapësirë për dyshim për askënd: “Në rast se në Kosovë ndodh një konflikt, i cili shkaktohet nga provokimet serbe, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë, si edhe brenda vetë territorit të Serbisë.” Letra sekrete e Presidentit Bush u bë më vonë baza e politikës amerikane ndaj Kosovës për dekadën shumë të vështirë për shqiptarët atje gjatë vv’ 90. Kjo politikë e Washingtonit, e përcaktuar nga Presidenti Xhorxh Bush në fillim të vv’ 90, u përsërit herë pas here gjatë asaj dekade nga Presidenti demokrat Bill Klinton dhe zyrtarët e lartë të administratës së tij. “Jemi të gatshëm të përgjigjemi ndaj serbëve, në rast të një konflikti në Kosovë, i shkaktuar ose i provokuar nga Serbet”, kishte pohuar Sekretari i Shtetit në administratën e ish-Presidentit Klinton, Uorren Kristofer me 13 Shkurt 1993. Dhe, “Politika amerikane nuk ka ndryshuar” pat deklaruar më 4 Mars të vitit 1998, Robert Gelbard, përfaqësues i posaçëm amerikan për Ballkanin kur u pyet nëse ishte gjithnjë në fuqi paralajmërimi i Presidentit Bush. Dhe më në fund, vetë ish-Presidenti Bill Klinton, në Mars të vitit 1999 deklaroi në Uashington se, “Vija e kuqe ishte shkelur….dhe nuk besoj, se duhet të rrimë duarkryq, ndërsa mijëra veta vriten e masakrohen dhe varrosen në fusha topi, para se ne të bëjmë diçka, për t’i ndaluar ato.” Me 24 Mars, 1999, Presidenti Klinton urdhëroi fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s kundër objektivave serbe në Kosovë dhe anë e mbanë Serbisë. 

Xhim Xhema e kishte gjithmonë gishtin në pulsin e politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe ndaj Kosovës në veçanti, deri në shpalljen e pavarësisë. Nga paralajmërimi i Presidenti Bush të vjetër, qëndrimi amerikan për lirinë e shqiptarëve të Kosovës u bë pjesë e politikës së jashtme amerikane, për t’u zhvilluar, për t’u mbështetur dhe për t’u kultivuar nga udhëheqësit më të njohur të Amerikës në Kongresin amerikan të asaj kohe dhe nga administrata të ndryshme – përfshirë Presidentin demokrat Bill Clinton, i cili bindi NATO-n dhe urdhëroi bombardimin e Serbisë e deri tek republikani George W Bush i ri – njëri prej meritorëve të pavarësisë së Kosovës, i cili deklaroi nga kryeqyteti i kombit në Tiranë se “mjaft është mjaft”, Kosova duhet të jetë e pavarur. 

Ky përkushtim i Amerikës ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës vazhdon të pasqyrohet edhe në ditët e sotme. Një delegacion kongresistësh amerikanë – republikanë dhe demokratë – në vizitën e tyre të parë të Kongresit të ri jashtë vendit në fillim të administratës së re amerikane, vizituan ditët e fundit Kosovën. Në takimet e tyre me zyrtarë të lartë në Prishtinë, pohuan mbështetjen e vazhdueshme pa rezerva të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

Xhim Xhema e kishte kuptuar që në fillim se për kauzën shqiptare në përgjithësi, për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës në veçanti, ai duhej të punonte me përfaqësues të dy partive kryesore të Amerikës, si me republikanët ashtu edhe me demokratët. Politika amerikane ndaj Shqipërisë dhe Kosovës vazhdon të mbështetet nga Washingtoni pa marrë parasysh, se cila parti ka shumicën. Me gjithë veprimtarisë prej pothuaj 40-vjetësh, e cila vazhdon gjithnjë, Xhim Xhema kurrë nuk humbi interesimin as mbështetjen për mirëvajtjen e punëve shqiptare, gjithmonë i gatshëm për t’i ardhur në ndihmë çështjes shqiptare. Gjatë takimit të fundit me të, duke biseduar pak si me zhgënjim për zhvillimet dhe gjendjen politike të këtyre viteve të fundit në trojet shqiptare, ndoshta me gjysmë shaka, e gjysmë seriozitet, Xhimi në kalim sugjeroi, se ndoshta ka ardhur koha të ri-angazhohemi përsëri si komunitet, ndonëse kësaj radhe armiku nuk është më Sllobodan Millosheviçi.

I nderuar Xhimi, të njohim si njeri tepër modest për veprimtarinë tënde, por e ndjej si detyrim moral që në këtë 9-vjetor të Pavarësisë së Kosovës, këto dy tre fjalë t’i kushtoj me respektin më të madh për punën tënde prej shumë dekadash në mbështetje të lirisë dhe demokracisë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për veprën tënde të vazhdueshme në mbështetje të kauzës mbarë shqiptare të kombit dhe për emrin e mirë që u ke dhënë shqiptarëve në atdheun tonë të adaptuar, këtu në Shtetet e Bashkuara. Xhimi, ti je krenaria jonë! Të përshëndesim në këtë ditë të shënuar, jo vetëm për Republikën e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët kudo.
Takimi im i parë me Xhim Xhemën, në fillim të 1980-ave në Washington – Në foto Xhim Xhema, Elez Biberaj, Sejdi Bitiçi dhe autori
Xhim Xhema me Senatorin Bob Dole dhe Presdientin Bill Clinton –Foto credit: Illyriapress
Xhim Xhema me Profesor Sami Repishtin dhe me Senatorin Dole – Foto credit: Illyriapress
Dhjetor 2016 në pritjen vjetore me rastin e festave të fund vitit, organizuar nga Xhim Xhema, për miqtë shqiptarë dhe amerikanë, në një prej lokaleve të njohura të New Yorkut.

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Sigal