Xhevat Mustafa: Shqipëria,”nënë e mirë” për politikanët, pushtetarët, oligarkët… e “njerkë” për qytetarët e thjeshtë…!

213

…Ta duash sinqerisht atdheun, “nënën”, më shumë se me përbetime fjalareske shprehesh duke ia thënë në sy e duke mos ia fshehur të vërtetat e hidhura, të përjetueshme, të dhembshme deri në thellësi të shpirtit…

Sigal

 

“Ndryshe nga sa ndodhte në kohën e diktatorëve Enver Hoxha e Ramiz Alia, që të gremisnin nëpër burgje, të pushkatonin e varnin për një fjalë goje, poezi, apo këngë…Në këta 31 vjet na ka mbetur, që bashkë me kryeministrat, ministrat, kryetarët e partive, kryebashkiakët, bosët dhe oligarkët, “të shajmë” edhe Shqipërinë e shumicën e popullit!”

Ka vite, që punishtja propagandistike e Rama- Parti- Qeveri, ka sajuar e hedhur në tregun kafeneistik, nëpërmjet kopesë së enveristo-edramistëve ”të lashtë”, patronazhistëve, me apo pa maska si dhe në atë mediatik thellësisht proqeveritar, edhe apelin apo kërkesën tinzare që të ndërpriten kritikat, vërejtjet, akuzat, “sharjet” për Shqipërinë, sepse kështu “shahet”, fyhet, denigrohet…”nëna”. Nënteksi apo qëllimi i vërtetë kuptohet lehtë: mos e shani Shqipërinë, sepse kështu, nxihet edhe më shumë se sa është në realitet vetë qeverisja Rama, sepse lakuriqësohen dhe diskreditohen në sytë e shqiptarëve e të ndërkombëtarëve paaftësia, keqqeverisja, papërgjegjshmëria, pashpirtësia njerëzore e sociale e saj, korrupsioni, antishqiptarizmi i saj…! Edhe përdorimi i fjalës “sharje” është qëllimisht tendencioz, mashtrues, manipulues! Sepse, t’i thuash të vërtetat e hidhura, tronditëse, të përjetueshme, vështirë të kapërdijshme publikisht e në media, nuk duhet “përkthyer në shqip” si sharje. Në të vërtetë, kjo është detyrë patriotike, qytetare, individuale e kujtdo apo e të gjithëve atyre, që janë shqiptarë me zemër e jo vetëm nga pasaportat dhe kartat e identitetit!

Historikisht, Shqipërinë, edhe pse e kanë dashur shumë, ndoshta edhe më shumë se veten, “e kanë share”, qysh më 1905 e më vonë Konica, (“Shqiptarët janë armiqtë më të mëdhenj të vetvetes”), Fishta, Migjeni, Kuteli,…”E kemi sharë dhe e shajmë” edhe plot nga ne, në këta 32 vjet Shqipërinë tonë, duke e dashur me zemër shumë më tepër se reklamuesit me fjalë si “ëngjënj mbrojtës” të saj. E kemi bërë këtë “herezi”, sepse fati i saj i keq na ndëshkoi edhe ne, bijtë e saj, të jetojmë si në Shqipëri e jo si në Zvicër, Austri, Gjermani, Francë, Holandë, Belgjikë, Suedi, Finlandë, Danimarkë, Amerikë, Zelandën e Re, Singapor, Australi, Japoni, Korenë e Jugut…! “E kemi sharë dhe e shajmë”, sepse ka lindur dhe plotpushtetizuar e plotpasuruar më shumë politikanë, pushtetarë, qeveritarë, që e kanë sjellë pas 110 vjetësh në këtë gjendje e nivel, të fundit në Europë për nivele zhvillimi, pagash, pensionesh, mirëqenieje…se sa nga ata, që kanë menduar e punuar, edhe duke sakrifikuar jetët dhe pasuritë për atë! “E kanë sharë” shqiptarë të mëdhenj dhe “e shajmë”, sepse nuk ka një POPULL, që të dijë të bëjë SHTET DEMOKRATIK, LIGJOR, SOCIAL, FUNKSIONAL…si në shumicën e vendeve të Perëndimit Kapitalist, por që për shkak të nivelit të tij të ulët të formimit arsimor, kulturor, qytetar, demokratik, për vese, shprehi, zakone, mendësi negative iu nënshtrua skllavërisht e me një jetë të ferrshme për 47 vjet diktaturës enveriane…”E kanë sharë” shqiptarë të shquar dhe “e shajmë” plot nga ne jo konformistët e pragmatistët interesaxhinj, jo të shitur e blerë nga qeveritë dhe kryeministrat, sepse për 31 vjet, ky popull e jo popull harroi diktaturën e baballarëve, gjyshërve, xhaxhallarëve, dajallarëve dhe mbështet, voton symbyllurazi dhe duke nëpërkëmbur vetveten, në mënyrë absurde e të habitshme, partinë dhe qeveritë e bijve e bijave, nipërve dhe mbesave, nuseve dhe dhëndurëve të tyre. I ka mbështetur dhe votuar masivisht këto qeverira dhe këta politikanë dhe pushtetarë, edhe pse këta, ashtu si paraardhësit e tyre, ua kanë bërë ferr jetën dhe Shqipërinë, duke ua dëbuar si emigrantë nëpër vende të Perëndimit, qysh nga 1990 rreth 1.5 milionë bijë e bija!? Tani, në formë pyetëse për të gjithë ata që mendojnë se të vërtetat, kritikat, vërejtjet, “kujtesat”… ndaj qeverisjeve, qeverive e në këta 9 vjet, në adresë të qeverive Rama, janë “sharje”: çfarë mund të bëhet për këto fakte zhgënjyese, stresuese, tronditëse dhe revoltuese, për këto probleme, mungesa, shqetësime, dukuri, privacione, eksperimente dhe skandale çnjerëzore, “plagë të vjetra e të reja” allashqiptare, prej 110 apo 78 vjetësh??? Të mbyllen sytë e goja përjetësisht? Të nënshtrohemi e të pajtohemi përjetësisht me të këqijat? Ndryshe nga sa ndodhte në kohën e diktatorëve Enver Hoxha e Ramiz Alia, që të gremisnin nëpër burgje, të pushkatonin e varnin për një fjalë goje, poezi, apo këngë…, Në këta 31 vjet na ka mbetur, që bashkë me kryeministrat, ministrat, kryetarët e partive, kryebashkiakët, bosët dhe oligarkët, “të shajmë” edhe Shqipërinë e shumicën e popullit! Atdheu dhe populli meritojnë kritika e “sharje”, sepse  vazhdojnë t’i duan e durojnë si dikur Enverin, trashëgimtarët apo pasardhësit e tij. I bëjnë këto jo nga frika e burgjeve dhe internimeve të përhershme gjatë 47 viteve të diktaturës së Enverit, por nga foshnjëria demokratike dhe miopia politike, nga vënia mbi të gjitha, edhe mbi veten, familjen, Shqipërinë të interesave ngushtësisht personale, të kapjes dhe mbajtjes me thonj e me dhëmbë e me çdo mënyrë e faturë të një vendi të mirë pune apo për biznes, karrierë dhe përfitime marramendase financiare… Në këto kushte, cilët mbetën të shajmë? Presidentët dhe kryeministrat ( kancelarët) e Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Zvicrës, Austrisë, Holandës, Belgjikës, Kanadasë, Australisë dhe vendet e tyre, që kanë pasur shumë më tepër mend e fat se ne që nuk na kanë ndihmuar të bëhemi si ata??? Pra, shqip fare: Shqipërisë do t’ia zbrasim të gjitha “predhat” e zemërimit, dëshpërimit, zhgënjimit, pakënaqësive, sharjeve, sepse ajo, ndryshe nga presidentët, kryeministrat, ministrat, politikanët, kryebashkiakët, na i fal e duron të gjitha, nuk na hedh në gjyq e nuk na dënon me miliona lekë për fyerje, sharje, mallkime!!!

“Mos e shani Shqipërinë, sepse kështu, nxihet edhe më shumë se sa është në realitet vetë qeverisja Rama, sepse diskreditohen në sytë e shqiptarëve e të ndërkombëtarëve paaftësia, keqqeverisja, papërgjegjshmëria, pashpirtësia njerëzore e sociale e saj, korrupsioni, antishqiptarizmi i saj…!”

Por, është fakt i përjetueshëm dhe i gjendshëm në libra e gazeta, se edhe popujt e vendeve që u përmenden më sipër e të të tjerëve, i kanë sharë dhe i shajnë “nënat” e tyre, edhe pse, fati e shumë rrethana të tjera, gjeografike, historike, ekonomike, aleancore i kanë ndihmuar të kenë, në krahasim me ne, nga “nënat” e tyre dashuri shumë më të madhe, jetesë shumë më të mirë…Nga ana tjetër, edhe në jetë, pra jo vetëm në disa romane e seriale turq, ka edhe nëna jo të mira, që për një kompleks arësyesh, të formimit, arsimimit, kulturës, interesave, lidhjeve, ambicjeve nuk dinë t’i duan fëmijët e tyre, ua nxijnë jetët po aq sa vetes apo edhe më shumë. Ne “e kemi sharë” dhe do ta “shajmë” me dhimbje të forta shpirti e zemre “nënën tonë hallemadhe” edhe që “t’i kujtojmë” asaj të jetë më e vëmendshme e më e ashpër, për t’u tërhequr veshët e flakëruar faqet atyre fëmijëve të këqinj, që u ka lënë çelësat e shtëpive, që i ka zgjedh dhe duron ta qeverisin, duke menduar e punuar më shumë për përfitimet e veta se sa për “nënën” dhe “vëllezërit dhe motrat”…

Mos vallë, kjo dëshirë dhe kërkesë, me patriotizëm parrullesk, që të mos shahet “nëna Shqipëri” fsheh dëshirën dhe kërkesën tinzare të politikanëve, pushtetarëve, qeveritarëve, që t’i lëmë të qetë edhe 110 apo 78 vjet të tjerë, që t’i bëjnë kësaj “nëne” dhe shumicës së “vëllezërve e motrave”  edhe 1001 gjëma, të liga, të zeza të tjera??

Përse “nuk çohet ndërmend” se ne që “e shajmë dhe do ta shajmë” e bëjmë këtë jo se nuk e duam, po aq, bile edhe më shumë sa ata, që “e mbrojnë verbërisht”, me patriotizëm idealist, poetik apo edhe komunisto- socialist, për të cilin është karakteristikë “dashuria e madhe” me fjalë, parrulla, këngë, valle dhe rrënimi apo ferrimi me vepra? Se e shajmë që ta ndihmojmë e ndërgjegjësojmë të shikojë me sytë e veta, të kuptojë e reflektojë për t’i parë, kuptuar, korrigjuar gabimet e të metat, që të bëhet shumë më e mirë se sa është sot, edhe më e mirë se të gjithë vendet fqinjë? Pse, jo edhe më e mirë se vendet më të largët, që i kemi idealizuar dhe brohoritur më 1990- 1992, për t’i marrë si shembuj e modele?

Edhe një kujtesë tjetër, për ata, që nuk i zë gjumi nga dashuria për “nënën Shqipëri”, të cilët kanë një jetë që e shfrytëzojnë barbarisht dhe e mashtrojnë pashpirtësisht e paskrupullsisht: ta duash sinqerisht atdheun, “nënën”, më shumë se me përbetime fjalareske, shprehet duke ia thënë në sy e duke mos ia fshehur të vërtetat e hidhura, të përjetueshme, të dhembshme deri në thellësi të shpirtit e jo të xhepit, sirtarit, kasafortës! Përndryshe, kësaj i thonë të mashtrosh veten apo të ngopesh me lugë të zbrazët, siç u mësuam keq për 47 vjet në kohën e gjasme komunizmo- socializmit dhe në këta 31 vjet të gjasme demokraci- kapitalizmit! Në mënyrë figurative: Shqipëria, sidomos në këta 78 vjet, është treguar “nënë e mirë” për tufat e politikanëve, pushtetarëve, qeveritarëve, bosëve, oligarkëve, spiunëve… dhe “njerkë” për shumicën e qytetarëve të thjeshtë apo varfanjakë!Do ta bëjmë këtë, sepse nëpërmjet “sharjeve” për “nënën” shfryjmë e zbrazim dufet ndaj partive, politikanëve, qeverisjeve, qeverive, pushtetarëve të paaftë, të papërgjegjshëm, të pashpirt, të paskrupullt, disa deri në mercenarizëm e misionarizëm, duke “i mohuar” apo më SHQIP e troç, duke “i tradhëtuar”, hapur apo fshehtazi, për kolltukë pushteti, për miliona e miliarda .., “nënën” me gjithë “vëllezër e motra”!!!

Po e mbyll me një poezi të mikut tim, poet dhe publiçist, Vaso Papaj, sepse, duke qenë përtej personales, gjykoj se i përshtatet shumë idesë dhe mesazhit të shkrimit tim të sotëm.