Xhevat Mustafa: Indonezia e Nepali, sa larg dhe sa afër…!

Ndërsa Azia e Jugut vazhdon të jetë në protesta, shqiptarët vazhdojnë prej rreth 12 vitesh në plazhe, dasma, festa…Edhe nëpër lokale e para ekraneve, për të dëgjuar “përrallat” e vjetra e të reja të qeverisë Rama 4 si dhe për të parë seriale turq e ndeshje futbolli…!?

Siç është bërë publike nga mediat ndërkombëtare e shqiptare, sidomos nga BBC e “Reuters”, këto ditët e para të muajit shtator, janë zhvilluar protesta masive popullore e të dhunshme edhe në vende të Azisë së Largët, në Indonezi dhe Nepal! Ato kanë objektiva dhe kërkesa kryesore uljen drastike të nivelit të korrupsionit me shtrirje të gjerë në të gjithë piramidat qeverisëse dhe për zgjerimin e demokracisë reale dhe funksionale!
Shkak për protestat në Indonezi, sidomos në kryeqytetin Xhakarta, është bërë një shtesë mujore prej 50 milionë rupiahësh (rreth 3,030 dollarë) në përfitimet e deputetëve, një shumë që është afërsisht dhjetëfish më e lartë se paga minimale në Indonezi. Presidenti Prabowo Subianto njoftoi të dielën, më 7 shtator,  se disa nga këto privilegje do të shkurtohen, përfshirë edhe përfitimet mujore dhe udhëtimet jashtë vendit të deputetëve. Lëshimet apo tërheqjet  e qeverisë duket se nuk e kanë shuar zemërimin popullor. Protestuesit kanë kërkuar rritje pagash, ulje të taksave, masa më të ashpra kundër korrupsionit, dhe kanë dënuar qasjen e dhunshme të policisë ndaj demonstruesve.
Po sipas BBC, Reuters dhe JOQ Albania, edhe Nepali është përfshirë nga trazira të dhunshme që prej dt.8 shtator 2025! Mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të brezit “Gen Z”, kanë dalë në rrugë duke protestuar kundër ndalimit të mediave sociale dhe korrupsionit në vend. Sipas mediave ndërkombëtare, bilanci i përleshjeve është tragjik: 19 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, pasi policia ka përdorur gaz lotsjellës, plumba gome dhe më pas armë zjarri për të shpërndarë turmën. Protestuesit kanë thyer kordonët e sigurisë dhe kanë hyrë në ndërtesën e Parlamentit, të cilës i vunë zjarrin. Po ashtu, u raportua se janë djegur edhe shtëpitë e disa zyrtarëve të lartë, përfshirë kryeministrin dhe presidentin e vendit.

Në kulmin e revoltës, kryeministri K. P. Sharma Oli dhe ministri i  Brendshëm, Ramesh Lekhak, dhanë dorëheqjen, ndërsa qeveria u detyrua të heqë ndalimin ndaj 26 platformave sociale, përfshirë Facebook, X dhe YouTube.
Ndërsa Azia e Jugut vazhdon të jetë në protesta, shqiptarët vazhdojnë prej rreth 12 vitesh në plazhe, dasma, festa…Edhe nëpër lokale e para ekraneve, për të dëgjuar “përrallat” e vjetra e të reja të qeverisë Rama 4 si dhe për të parë seriale turq e ndeshje futbolli…!?
Kur kanë parë skenat e protestave të dhunshme në Xhakarta e Katmandu, Edi Rama me shoqe e shokë janë qetësuar e ngushëlluar ndjeshëm kur kanë menduar se populli shqiptar nuk është si POPUJT e tjerë! As si ata indonezianë e nepalezë! As si francezët, që më 16 mars 2019, i vunë flakët Parisit, vetëm pse iu rrit çmimi i karburanteve 10 apo 20 cent!? Ndryshe nga këta e të tjerë, populli shqiptar, është shpirt butë, sfungjertë, pambuktë! Edhe “më i mençur”, sepse ka mbi 80 vjet që e ka kuptuar se duhet ta durojë gjithë jetën partinë dhe kryetarin e zemrës dhe qeveritë e tyre, edhe duke sakrifikuar për ata jetën e vet e të fëmijëve!? Biles, edhe sikur ata t’ia bëjnë  mu(sh)tin edhe mbi kokë!? I ka ngushëlluar edhe fakti se, fatmirësisht Tirana, nuk ka lumë të gjerë e të thellë, por një Lanë, ku uji nuk u arrin në shumicën e ditëve të vitit, as deri tek nyjet e këmbës! Pushtetarët e këtyre viteve në Shqipëri janë fatlumë edhe pse e kanë lënë vendin, falë edhe sorosve atë e bir, Biden-it, Blinken-it, McGonigalit, Yuri Kim- it, pa opozitë rrotacion-sjellese e qeveri- rrëzuese.  E shumta, ajo mund të organizojë protesta në ditë me diell e jo me shi e borë, që ngjajnë me konkurse oratorie dhe sfilatash veshjesh firmato!?
Mendoni, ç’do t’u bënin nepalezët pushtetarëve të vet, po të mbeteshin 80 vjet si vlonjatët nga qeveritë e partisë së zemrës pa ujë të pijshëm e me 2 orë ujë sa për higjienë…?! Apo 4-5 ditë pa ujë vetëm për higjienë si disa lagje e dhjetëra mijëra banorë në Tiranë?!
Ndërsa në Shqipëri, afër zemrës së Evropës, për më tepër që ëndërron dhe ka dorëzuar kapitujt e anëtarësimit në  BE, shumica e popullit, prej rreth 12 vitesh, është e vetëngujuar me orë të tëra, para dite nëpër kafene!? Ndërsa nga dreka deri afër mesnatës para ekraneve të televizioneve, duke parë nja 20 herë Edi Ramën me shoqe e shokë në qeveri, edhe pse e kuptojnë se u bëjnë premtime mashtruese i llogarisin dhe trajtojnë si fëmijë…!? Pas emisioneve të lajmeve mbush me rrena të vjetra e të reja, ndjekin gojë hapur serialet turq, ku dhuna e egër, jo më e butë se e TikTokut të ndaluar me vendim qeveritar, me armë zjarri e të ftohta, me grushte e shkelma, me drurë e hekura, edhe në gjirin e familjeve, lë pa gjumë edhe “të verbrit” e “të shurdhrit”!

Ndërsa shumica e popujve të tjerë, sidomos të përfshirë në BE e në pjesën e Perëndimit apo të Lindjes së Largët, si Zelanda e Re, Singapori, Australia, Japonia, Korea e Jugut… janë me nivele të larta zhvillimi, mirëqenie, demokracie, shtetesh ligjorë e socialë funksionale,  në të kundërtën, prej të paktën 80 vitesh, populli shqiptar është “dehur” apo “droguar” nga partia dhe kryetarët e zemrës, sa i ka bërë gjokset gropë dhe fytet me kallo, duke u vetë lavdëruar si “legjendar”, që “e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”; që “të merr gjak në vetull”, që “u ka futur tmerrin ushtrive pushtuese”…!? Për më keq, duke “harruar” dhe duke mos pranuar me sinqeritet apo burrërisht se këto cilësi, virtyte, tradita…, i ka treguar më shumë në betejat me vetveten se sa me ushtritë pushtuese dhe me diktaturat e diktatorët…!?  Apo, se në këta 10 vitet e fundit ka treguar me vepra nivele të larta nënshtrimi e servilizmi dhe të ulët emancipimi qytetar, demokratik, kombëtar, social, kulturor…!?
Protesta si këto në Indonezi e Nepal dhe gjetiu bëhen në vende ku ka POPULL e që nuk durojnë e lejojnë përkeqësimin e vazhdueshëm të nivelit të jetesës e të të drejtave dhe lirive demokratike e qytetare! Sidomos gjatë këtyre 10 viteve të fundit, sipas skenarit Soros-Rama, në Shqipëri mungojnë POPULLI, RINIA, SINDIKATAT, POZITA, OPOZITA, SHOQËRIA CIVILE… me nivele të larta emancipimi qytetar dhe demokratik, që mendojnë më shumë për vete e fëmijë se sa për kryetar e parti?! Është bërë e qartë se Edi Rama ia ka arritur që t’i bëjë shumicën e shqiptarëve, mbetur akoma në Shqipëri e pa ikur nëpër vende të Perëndimit, një popull pa dëshirë dhe forca për të mos lejuar edhe pas 80 vitesh mashtrimin dhe nënshtrimin masiv, me premtime dhe shifra rrenëse; me suksese e arritje të pafrytshme e të papërjetueshme. Për më tepër e më keq, e ka lënë edhe me fare pak rini, që ka përgjegjshmëri, kurajë…të mendojë e përpiqet të mbrojë shëndetin, jetën, lirinë, dinjitetin, të ardhmen e vet! Sepse, shumicën e shtetasve të moshave nga 20-50 vjeç, Rama-qeveria i sikterrisi për në Itali, Gjermani, Francë, vendet skandinave, Angli, AMERIKË…Një  pjesë masive i bëri punonjës apo rrogëtarë në ushtrinë rreth 220 mijë frymësh apo kokash të administratës si dhe patronazhistë, shumica me 2-3 paga në bordero e pa shkuar fare nëpër zyra!? Për më tepër e më keq, militantë partiakë deri aty sa për një vend pune dhe paga të kënaqshme “të pista”, nuk e kanë për turp të shesin jo vetëm dinjitetin dhe votën e vet, por edhe të prindërve…! Përgjithësisht, shqiptarët “e majtë”, edhe ata të thinjur apo veteranë, edhe ata të Forumit Rinor Eurosocialist, jo më pak “të vjetër” për nga mendësitë politike se sa gjyshërit dhe prindërit, duke menduar të mos shkulen nga “karriget e arta” të punës, të blera e të mbajtura me fatura të shtrenjta dhe nga përfitimet e tjera, shumica “të pista”, kanë treguar gjatë 80 viteve se për partinë e zemrës mund të bëjnë verbërisht apo skllavërisht shumëçka!? Për më keq e shumica me vetëdije të plotë, “të droguar” përjetësisht nga enverizmi dhe variantet e tij të pas 1990- tës, nanoizmi dhe edramizmi, të dëshmuar me vepra të shumta si “teori dhe praktika” antikombëtarizmi, vazhdojnë t’i duan, mbështesin, votojnë…symbyllurazi!? Edhe pse e kanë kuptuar se gjatë rreth 80 viteve i kanë bërë me mendt edhe duart e tyre gjëma vetes dhe vendit!

Sigal