Ka gjashtë muaj që në Shqipëri ka hyrë në fuqi ndalimi i parë gjithëpërfshirës i TikTok-ut në Europë. Rreth 1,5 milion përdorues në Shqipëri, një e treta e të cilëve janë midis moshës 12 dhe 25 vjeç, nuk mund të përdornin platformën e njohur kineze të videove të shkurtra. Shqipëria ka 2,7 milion banorë. Ndalimi ishte një reagim ndaj vrasjes së një 14-vjeçari në nëntor 2024. Një adoleshent tjetër e qëlloi këtë të fundit, pasi të dy kishin pasur një mosmarrëveshje përmes rrjeteve sociale. Pas kësaj, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpalli bllokimin e TikTok-ut si një masë kundër dhunës tek fëmijët dhe gjuhës së urrejtjes në internet edhe pse, sipas të dhënave të TikTok, asnjëri nga të dy adoleshentët nuk kishte profil në platformë. Sot është e qartë: ndalimi nuk ka funksionuar.
Rritje 1200-përqind e përdorimit të VPN-ve
Nga njëra anë, nuk është e qartë nëse qëllimi i vendosur është arritur. “Ne nuk kemi të dhëna nëse dhuna midis të rinjve apo gjuha e urrejtjes në internet ka ndryshuar që nga ndalimi,” thotë Daniel Prroni, studiues në Institutin për Demokraci dhe Media në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.Nga ana tjetër, TikTok vazhdon të përdoret shumë në Shqipëri pavarësisht ndalimit. Përdoruesit mund ta shpërfillin ndalimin duke përdorur një VPN (Rrjet Privat Virtual). Kështu trafiku i të dhënave ridrejtohet përmes një vendi të tretë, duke anuluar kufizimin gjeografik. Pikërisht këtë bënë shumica e përdoruesve të TikTok në Shqipëri.Më 12 mars, një ditë para ndalimit të TikTok, ofruesi zviceran i VPN-ve, Proton, regjistroi një rritje prej 1200 përqind të regjistrimeve në Shqipëri. Një analizë e kompanisë së të dhënave Pikasa Analytics tregoi se gjatë javës pas ndalimit u krijuan 3,3% më pak video – por u shikuan 14% më shumë video.
Shqipëria si laborator eksperimentimi
Ka pasur shumë spekulime për arsyet pse qeveria, pavarësisht shanseve të vogla për sukses, ndërmori këtë masë drastike. Politikanët e opozitës akuzuan Ramën se po ushtronte censurë para zgjedhjeve të 11 majit. Bashkësitë e gazetarëve iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese dhe kërkuan që kjo të shpallte ndalimin e TikTok si të paligjshëm.
Daniel Prroni ka një opinion tjetër: Rama nuk kishte nevojë të merrte një masë kaq drastike për të fituar zgjedhjet. Kjo u duk qartë në ditën e votimit: Partia Socialiste mori 52% të votave, dhe Rama filloi mandatin e tij të katërt.
Studiuesi Prroni thotë se ekziston një shpjegim shumë më i thjeshtë: “Ndalimi i TikTok u përdor kryesisht për t’i dhënë publikut të zemëruar një zgjidhje të shpejtë dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga probleme të tjera si korrupsioni.” Pas vrasjes së 14-vjeçarit pati protesta në Tiranë. Mësues, nxënës dhe prindër kërkonin llogaridhënie dhe masa nga qeveria.Ndalimi i TikTok mund të shihet gjithashtu si pjesë e projektit të Edi Ramës për ta përdorur Shqipërinë si një lloj laborator europian për masa politike të diskutueshme. Në këto përpjekje përfshihen edhe qendrat e kontestuara të dëbimit për kërkuesit e azilit të refuzuar nga Italia, si dhe ideja për të krijuar një ministri të drejtuar nga inteligjenca artificiale, ose për ta bërë shoqërinë shqiptare plotësisht pa para fizike. Sipas ekspertëve, Rama synon që vendi i tij të bëhet i dukshëm për shtetet europiane, të mundësojë bashkëpunime dhe të përshpejtojë një anëtarësim të mundshëm në BE.Nga Jaschar Dugalic, Neue Zuercher Zeitung






















