Xhevat Mustafa: Emigrantët për bukën e gojës 

266
Sigal

Prej 32 vjetësh ikin si refugjatë dhe emigrantë drejt vendeve të Perendimit, deri në SHBA, Kanada, Zelana e Re, Australi…, me dhjetëra çdo ditë, me qindra çdo muaj, me mijëra çdo vit…djem dhe vajza, burra e gra të moshave të reja, sepse në Shqipëri, nuk i duan dhe nuk mendojnë fare t’i mbajnë e ndalojnë qeveritë, njera më e paaftë, më e korruptuar, më çnjerëzore, më antishqiptare… se tjetra!

 Me sa kuptohet në kuadrin e skenarit qeveritar për të sajuar sa më shpesh shou dhe ngjarje për debate, deri në provokacionin e shtimit dje të një ylli komunist flamurit kombëtar, të përdhosjes së qëllimshme të tij, me synim që të harrohen dështimet, skandalet, rritjet e reja të çmimeve, me kulm atë të naftës, dje me 248 lekë litri…, domethënë që të ruhet përgjumja disa vjeçare e shumicës së popullit, këto ditë është hedhur në media dhe rrjete sociale edhe tema, që ka të bëjë me emigracionin mbarëshqiptar, sidomos në drejtim të Anglisë….Duke “harruar” jo rastësisht mungesën e dëshirës për t’i mbajtur shqiptarët e moshave të reja në vend me punë dhe jetesë normale njeriu, paaftësinë, papërgjegjshmërinë nga ana e Rama-qeverisë, paradoksalisht dhe pamoralisht janë sulmuar me sharje, fyerje, edhe nga prindërit, nga ndershmëria e nënave, me mallkime… të gjithë, rreth 1.5 milionë emigrantë, që kanë ikur drejt vendeve të Perendimit dhe jo rastësisht, jo drejt Rusisë dhe Kinës Komuniste, nga 2 korriku 1990 deri më sot…!? Sipas këtyre avoketërve mbrojtës, disa padashur, për idealizëm dhe militantizëm naiv ndaj “të majtës” e të tjerët, me dëshirë fanatikësh proqeveritarë vullnetarë, pse jo edhe me “honorare” të qeverisë, emigrantët shqiptarë, mes të cilëve një masë jo e vogël edhe intelektualë elitarë, të integruar me merita dhe denjësisht, duke na nderuar si vend e si popull, kanë bërë gabim,”herezi”, “tradhëti”…,që e kanë braktisur atdheun, sidomos me një natyrë të mrekullueshme dhe me plazhe magjepës…! O tempora, o mores! Kjo klithmë shpërthen sidomos kur me një patriotizëm fals dhe poetik, si të Enverit, formulojnë dhe lëshojnë pyetjen se si mund të braktiset ky vend, kjo parajsë tokësore???

Duke u bërë interpret apo përsëritës i plotë prej atyre SHQIPTARËVE, intelektualëve, qytetarëve…,nga vendi e nga diaspora si dhe nga Kosova dhe Maqedonia, që u kanë dhënë përgjigjen e merituar zërave përcjellës të këtyre pyetjeve, po u jap sot një përgjigje subjektive edhe unë. PO, lihet atdheu, Shqipëria, PARAJSA  si natyrë e nga ZOTI dhe FERR nga robtë e qeverisjeve, kur nuk gjen punë me pagë për bukën e gojës për vete dhe krejt familjen, për jetë normale shqiptare…Kur prindërit janë me paga e pensione qesharake dhe vajtuese e kur mendon dhe ikën për të marrë një pagë e pension 5- 15 herë më të lartë e për t’i ndihmuar familjet në Shqipëri rregullisht me 100-200 euro, dollarë, stërlina-paund, franga zvicerane…në muaj e për shumë vite, rreth 1 miliard euro buxhetit të shtetit! Kur nuk ke mundësi të marrësh një kaush akullore për vete ose fëmijët apo një shishe birrë në këto ditë vere afrikane apo arabe…Kur shumica e çmimeve të ushqimeve, përfshirë edhe ato të veshjeve, elektronikës, të karburanteve…janë më të larta se sa në Gjermani…! Jo pak shqiptarë të këtyre 32 viteve, sidomos gjatë këtyre 9 viteve të Rama-qeverisjes, kanë ikur edhe për t’i shpëtuar persekutimit politik, ekonomik, social…shumëformësh, me papunësi prej vitesh për motive politik, qenien kundërshtar e me rrezikun e prangave, për kundërvënie mediatike ndaj Gramoz Ruçëve, Spartak Brahove…, gjasme reformës në drejtësi…Pra, shumë kanë ikur për demokraci të vërtetë, shtet ligjor dhe social të vërtetë dhe funksional, për jetë normale e të dinjitetshme njeriu…Një sqarim: nuk po i llogaris fare ata enveristo-edramistë, që kanë ikur e kanë  mbetur edhe pas 30 vitesh ata që ishin, komisarë dhe propagandistë komunistë, spiunë të Enverit, Ramizit, Gramozit, Edit…e që vazhdojnë të kryejnë me devotshmëri skllavi e militanti të verbër misionin e vjetër…, pa ndjerë dhembshuri për jetën e ferrshme të shumicës së  bashkëkombasve në Shqipëri, sidomos gjatë këtyre viteve të fundit…!?

Shkurt e shqip, ky vend është i mrekullueshëm, i bekuar nga ZOTI, por është bërë i ferrshëm, i padëshirueshëm, i papërballueshëm  edhe për jetesë allashqiptare nga keqqeverisjet 110, 78 apo 32 vjeçare…! Ky vend është parajsë apo ku mund të mbijetohet allashqiptarçe për rreth 1- 1.5 milionë qytetarë e fshatarë, me lidhje me politikanë e pushtetarë; me bosë biznesesh dhe me trafiqe; që kanë punë dhe paga të mira në institucione shtetërore dhe të qeverisjes, në kompani biznesesh…, ku u pikojnë rrëke apo rrëkeza përfitimesh shumëformëshe, të ligjshme e të paligjshme…Si dhe që janë me fat për trashëgimi pronash; me fëmijë emigrantë të rregulluar për së mbari në vende të Perëndimit…. ! Për pjesën tjetër, fatkeqësisht ky vend është bërë prej 32 vitesh për të ikur sa më parë e me çdo rrugë, mjet, faturë…Deti e rëra e plazheve shqiptare janë për ata që kanë para me bollëk e jo paga e pensione në rreth 15.000- 25.000 lekë! Deti, rëra, plazhet, lumenjtë, liqenet, malet, pyjet, fushat…e Shqipërisë, nuk janë as bukë, as djathë, as mish e qumësht, as fruta, as pije, as, as, as…! As…kastraveca e as pras, këto dy vitet e fundit edhe këto me çmime “të çmendura” si shumçka në këtë vend!

Duke mos u tërhequr nga “misioni” që u kanë ngarkuar apo që kanë marrë përsipër vullnetarisht, “zëdhënësit e rinj qeveritarë” kapen tek një kartë tjetër. Dalin me idenë apo propozimin, që e reklamojnë si “zbulim origjinal” të këtyre ditëve, që ata emigrantë, të cilët kanë bërë shumë para, mund të vijnë për të investuar në Shqipëri për biznese…

Sipas gjykimit subjektiv tim këta emigrantë me pasuri të vënë me djersë dhe punë të ndershme e sakrifikuese, që do të pranonin të vinin këtu për investime, do të bënin “vetëvrasje”! Andej ku janë mund të jetojnë e bëjnë biznese shumë më të sigurtë! Kurse këtu do të jenë nën kërcënimet dhe rreziqet e shumta e të shpeshta, edhe për kokën (me plumba kallashnikovësh, pako tritoli…nga vrasës me pagesë), nga mafia ordinere dhe qeveritare shqiptare! Të dyja mafiet, përgjithësisht, me kulm në këto vitet e fundit, nuk i duan dhe nuk u lënë kushte e hapësirë për biznese dhe konkurencë të ndershme investitorëve jo të krahut të tyre politik, pra edhe të huajve, plotësisht të huaj ose nga diaspora shqiptare në botë! Sepse, mendojnë, dëshirojnë dhe përpiqen që këtu të mbeten, të plotpasurohen, plotpushtetizohen vetëm kushurinjtë, miqtë, ortakët…, me politikanë dhe qeveritarë, kryesisht të krahut të pozitës, pra, bosët, oligarkët, “investitorët strategjikë” socialisto-edramistë…Dihet se si e kanë pësuar shumica e kompanive të mëdha të huaja që kanë ardhur në Shqipëri me dëshirë të madhe për të investua, dhe se sa kanë mbijetuar deri sot…Nisur nga kjo përvojë e hidhur dhe zhgënjyese,  dy fëmijët e mi, unë, subjektivisht,  nuk do t’i lejoja kurrë! Fatmirësisht, edhe ata nuk vijnë, as për bisnes e as për plazhe. Sepse plazhe po kaq apo edhe më të bukur e me kushte më të mira e çmime më të lira kanë gjetur edhe në Itali, Spanjë, Greqi, Francë, Turqi…!

Prej 32 vjetësh ikin si refugjatë dhe emigrantë drejt vendeve të Perëndimit, deri në SHBA, Kanada, Zelanën e Re, Australi…, me dhjetëra çdo ditë, me qindra çdo muaj, me mijëra çdo vit…djem dhe vajza, burra e gra të moshave të reja, sepse në Shqipëri, nuk i duan dhe nuk mendojnë fare t’i mbajnë e ndalojnë qeveritë, njera më e paaftë, më e korruptuar, më çnjerëzore, më antishqiptare… se tjetra!