Vrasja e Klodianit / Analisti : Revolta qytetare nuk fitoi. Po përgatitet një gjeneratë e re skllevërish në Shqipëri

387
Sigal

Analisti Fatos Lubonja, në një prononcim mediatik duke folur për protestat për vrasjen e Rashës, tha se revolta qytetare nuk fitoi.

Lubonja u shpreh se në Shqipëri, fatkeqësisht po përgatitet një gjeneratë tjetër skllevërish.

“Mendoj se protesta nuk ka arritur sukses. Unë e shikoj rënien e protestës si fitore të kulturës së dhunës shtetërore ndaj qytetarëve në Shqipëri. Përveç protestës të armëve kimike, ne nuk kemi asnjë protestë të fituar dhe ky është problem. Astiri, Teatri dhe protesta të tjera qytetare për ndryshim nuk i fituan. As dialog nuk kishte, por kultura që kemi ne është kush është më i forti.

E shoh situatën dramatike. Po përgatitet gjeneratë tjetër skllevërish në Shqipëri. Ne jemi rritur me idenë që e rrahim adoleshentin, që ai të mësojë. Edhe në shtëpi kur i kemi, në botë mundohen që të komunikojnë me adoleshentin dhe jo të ushtrojë dhunë mbi të, sepse nesër e pasnesër do rritësh një qenie të nënshtruar ndaj çdo autoriteti”, tha Lubonja.

Fatos Lubonja theksoi se shteti po përcjell në këtë rast kulturën e fitores të dhunës.

“Shteti përcjell kulturën e fitores të dhunës. Me këta njerëz që edhe shkatërruan edhe ca gjëra, duhen kuptuar. Duhet që me adoleshentin të flasësh e jo ta rrahësh. Kultura që përcjell maxhoranca është që unë shkatërroj çdo protestë. Kultura që përcjell shteti është se unë i mposht. Çfarë ndodh? Njeriu ose do të nënshtrohet, ose do të ikë ose nuk do të dalë më. Rezulton se protestat janë pakësuar. Kjo kulturë do të na çojë tek një Edi Rama tjetër, që njësoj do të veprojë”, deklaroi Lubonja.