Përparim HALILI/ Dy profile/ Skllavi punon, horri mbretëron!

653
Sigal

Siç e thotë edhe populli, disave “u dhemb barku” nga uria, ndërsa disave “u dhemb” nga të ngrënit. Disa zhyten kazanëve të plehrave e bredhin mensave të bamirësisë për të gjetur “bukë” një vakt në ditë, ndërsa disa lëvizin me makina luksoze e jahte nga veriu-në jug, për të gjetur lokalin më luksoz, për të ngrënë dreka e darka “mbretërish”. Disa bëjnë mijëra letra në ditë në qeveri e bashki, sepse nuk u jepet as ndihma ekonomike lëmoshë, ndërsa disa përdorin milionat si letra higjienike. Po prezantojmë dy personazhe, nga shoqëria e sotme shqiptare.

 Ky ka punuar 32 vjet minator dhe jeton me 1 lugë supë në mensa lypjeje

 Ky fakiri që shikoni në këtë fotografi, duke u ushqyer 1 herë në ditë me supë bamirësie, nuk ka patur dhe nuk ka asnjë lidhje me bosët e kapitalizmit shpirt-marrës të shqiptarëve, të cilët edhe kilogramin e gjizës e shesin me çmim sa 3 bukë! Ky, nuk ka patur e nuk ka lidhje as me bosët e politikës e të pushteteve shpirt-helmues e shkatërrues të shqiptarëve, që premtojnë parajsë përrallore dhe afrojnë mizerje sociale e mjerim ekonomik ekstrem. Ky nuk përfillet nga askush, madje prej bosëve të biznesit (pisnesit) quhet “turp i shoqërisë”.Ky fakir-fukarai, një shqiptar që ende shkon e voton rregullisht për politikanët barkë e qafë derra, sepse vazhdon të besoj mashtrimet e tyre, ka punuar 32 vjet minator. Për shkak të mashtrimeve 22 vjeçare të politikës, nuk ka përfituar akoma pension pleqërie e as të parakohshëm edhe pse është në moshën 70- vjeçare, mbasi qeveritë kanë bërë akrobaci elektorale me moshën e pensionit të minatorëve. Aktualisht, nuk merr pension pleqërie edhe pse është sa 20 vjeç më i madh se Kryeministri Edi Rama dhe bashkëmoshatar me Sali Berishën. Ditën, “punon” nëpër kazanë plehrash, për të gjetur “mallra” që shkëmbehen me lekë, ose me qese ushqimesh ditore, minimale. Në darkë, një herë në ditë shkon tek një “mensë supe”, për të mbushur barkun me një “lugë” supë e me një “copë” bukë. Përveç rropatjes duke “gërmuar” në plehra e duke mbushur barkun një herë në ditë në mensa bamirësie, ky fakir i lënë pa pension, nuk ka asnjë mundësi tjetër për të mbetur gjallë…!

 Ky nuk ka punuar as 1 ditë dhe fshin djersët në ahengje me 500 euro

 Ky “kokëderri” që shikoni në këtë fotografi, duke fshirë me “kartopecetë” 500 euro djersët e dala prej dhjamosjes e luksit është djali Ardian Fullanit, “kryebosit” të kupolës shtetërore, të pushtetit financiar shqiptar. E ka ende babain, Guvernatorin më të paguar të botës dhe më të pasur, të shtetit më të varfër të Europës. Ky që po fshin me 500 euro, djersët e dala prej qejfit në darka të shfrenuara luksi nëpër PUBE- e lokale luksoze të Tiranës e të kujtdo shteti ku i teket të shkojë, është vetëm 20 vjeç. Nuk ka asnjë lidhje me politikën, por ato lidhje i ka krijuar dhe i mbanë fortë  e me “akrobaci” babai i tij guvernator. Kartëmonedha 500 euro, me të cilën ai po fshin djersët, ndoshta edhe pjesë të tjera të djersitura e të ndotura të trupit, nuk është fryt i punës së tij, por i pasurive të vendosura prej babait të tij, nëpërmjet “marifeteve” zyrtare dhe “akrobacive” politike që ka bërë në 10 vitet si guvernator. Ky në këtë fotografi, që po fshin djersët e “lodhjes” në qejfe me 500 euro, nuk i ka fituar ato me djersë pune. Nuk ka punuar as 1 orë. Nuk ka fshirë kurrë as xhama në rrugë, si mijëra fëmijë familjesh të varfra, por i ka pështyrë fshirësit e xhamave, nga xhamat e makinave superluksoze. Ky nuk e di se çfarë është puna, madje punë quan djersitjen në qejfe. Ky quan “lodhje”, fshirjen e djersëve me 500 euro. Madje, as fëmijët e sheikëve nuk i fshijnë djersët, hundët e jargët me 500 euro, që është e barabartë me 7 pensione pleqërie!