Vili Minarolli: Një fjalim i pazakontë në Strasburg

293
Sigal

Vili Minarolli
Ish anëtar i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE

E para se atë që kërkonte të arrinte mund ta bënte me një gjuhë të qetë dhe diplomatike si e kërkonte vendi, e dyta se Asambleja nuk është prokurori, e treta se në mos të  gjithë, të paktën shumica e tyre as e kishin idenë për një dokument të 11 viteve më parë kur ata nuk merrnin pjesë dhe e fundit nuk mund të vihej në rolin e një akuzuesi dhe deputetët në sallë t’i vinte në rolin e fajtorit

Para dy ditësh Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama mbajti një fjalim para Asamblesë Parlamentare të KE, një praktikë e zakonshme në këtë institucion europian për nivele të larta qeverisëse të një shteti. Edhe unë si shqiptar, i angazhuar më herët në politikë dhe si ish anëtar në këtë forum të lartë europian, e ndoqa me vëmendje fjalimin e gjatë dhe pas tij përgjigjet e pyetjeve të kryeministrit Rama dhe si edhe të tjerët, dëshiroj të shpreh mendimin tim, duke dashur të arsyetoj edhe titullin  e shkruar në krye. Fjala  tepër e gjatë  e zotit Rama ( zakonisht në të tilla raste nuk zgjat më shumë se 20-25 minuta) u përqëndrua në çështjen e një rezolute të KE e miratuar 11 vite më parë dhe që kishte të bënte me një akuzë fallse për gjoja ekzistencën e një „shtëpie të verdhë” ku  ish drejtuesit e UÇK-së gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, e kishin përdorur gjoja për transplant organesh me robërit e luftës. Kryeministri Rama e përdori këtë argument në pjesën më të madhe të fjalës të tij para anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të KE me një gjuhë aspak diplomatike, sikur pjesëmarrësit në sallë të ishin fajtorë që kjo rezolutë ishte bërë shkak që zoti Hashim Thaçi ( i vetmi që  u cilësua me emër) dhe drejtuesit e tjerë mbaheshin me të padrejtë në Hagë. Më duket se kryeministri ynë nuk kishte gjetur rrugën e duhur për të mbrojtur ish drejtuesit e luftës për çlirimin e Kosovës. E para se atë që kërkonte të arrinte mund ta bënte me një gjuhë të qetë dhe diplomatike si e kërkonte vendi, e dyta se Asambleja nuk është prokurori, e treta se në mos të  gjithë, të paktën shumica e tyre as e kishin idenë për një dokument të 11 viteve më parë kur ata nuk merrnin pjesë dhe e fundit nuk mund të vihej në rolin e një akuzuesi dhe deputetët në sallë t’i vinte në rolin e fajtorit. Këtë qëllim të mirë për të thënë se drejtuesit e UÇK-së nuk kishin të bënin me këtë faj dhe mbaheshin me të padrejtë në Hagë për shkak të rezolutës mund ta realizonte duke ua shpjeguar me qetësi dhe butësi, fillimisht anëtarëve të asamblesë: Së pari se përse bëhej fjalë dhe duke argumentuar se kjo rezolutë ishte provuar nga vetë institucionet europiane e bazuar në të pavërteta dhe shpifje, të kërkonte  shkurt dhe me një gjuhë diplomatike shfuqizimin e saj. Por në praktikën e funksionimit të këtij institucioni do të kishte edhe një mënyrë më të thjeshtë, shumë më diplomatike dhe rezultative nëqoftëse kryetari i delegacionit shqiptar ( apo edhe përfaqësuesi i shtetit të Kosovës, pjesëmarrës si vëzhgues) t’i paraqisnin me shkrim kryetarit të Asamblesë kërkesën e ligjshme për shfuqizimin e rezulutës të miratuar 11 vite më parë dhe pas kësaj sekretaria përkatëse përgatiste tekstin  dhe në seancë plenare shfuqizohej rezoluta që përmbante një të pavërtetë dhe që ishte pranuar si e tillë prej vitesh. Madje edhe nga hartuesi i saj ish deputeti Dick Marti. Por një tjetër mënyrë e pazakontë në këtë rast ishte se Kryeministri i një vendi, Shqipërisë, fliste  në emër të një vendi tjetër të pavarur, Kosovës. Nga deputetët tanë para vitit 1999 në fjalët e tyre në Asamble flitej jo pak në mbrojtje të të drejtave të dhunuara të qytetarëve shqiptarë në Kosovë për shkak të represionit e madje krimeve të pushtuesve sërbe ndaj popullsisë civile të pambrojtur dhe unë për herë të fundit në fjalën time para asamblesë kam prezantuar krimin e policisë dhe strukturave paramilitare serbe në vrasjet e disa dhjetrave qytetarë në Reçak. Por para dy ditësh, kur Kryeministri Rama akuzoi anëtarët e asamblesë se për shkak të rezolutës mbaheshin  katër të pafajshëm në Hagë, në sallë ndodhej një përfaqësuese e lartë e qeverisë të Kosovës ( për më tepër viktimë e dhunës serbe), e cila e paraqiti qartë genocidin e pushtuesve serbë ndaj qytetarëve të pafajshëm, për të cilën vetë Europa dhe SHBA nuk qëndruan indiferente. Ndoshta pa dashje Kryeministri ynë  nuk e përmendi fjalën genocid, por nuk harroi të mbronte mikun e tij, presidentin serb se nuk duhej t’i kërkohej të bashkohej me vendet europiane për sanksione ndaj okupimit rus të Ukrainës. Unë mendoj se Kryeministri Rama  ishte i vetëdijshëm se me kohë kjo e ashtuquajtur rezolutë ishte hedhur poshtë dhe për më tepër nuk ishte shkaku i akuzës për të ndaluarit në Hagë. Ashtu siç jam i bindur që zoti Rama nuk ishte thirrur për të folur para Asamblesë të KE për Kosovën ( përfaqësuesi i Kosovës ishte në sallë), apo për të ndaluarit në Hagë, por për vendin që drejtonte. Të gjithë parafolësit në vite për këtë qëllim e kanë përdorur këtë foltore dhe u janë përgjigjur me qetësi, me argumenta çdo pyetje që tek dikush apo vendi që përfaqësonte kishte krijuar paqartësi apo keqkuptime. Mendoj se këtë duhet të bënte edhe zoti Rama. Por ai zgjodhi atë që nuk i takonte, pikërisht për të mos folur për vendin e tij që e drejton për gati dhjetë vjet dhe problematikat me të cilat ndeshet ky vend dhe vendet e tjera në Europë për shkak të funksionimit jo normal të demokracisë, të drejtave të njeriut, të lirisë të shtypit, të krimit të organizuar, të mos funksionimit të sistemit të drejtësisë, të…Për më tepër ai ishte në dijeni se ishte bërë publik Progres Raporti i BE për Shqipërinë dhe nuk kishte dëshirë të gjendej para pyetjeve që ngriheshin në këtë dokument. Ndoshta edhe mënyra e të folurit me zë të lartë, me gjeste dhe lëvizjeve të pjesëve të trupit dhe deri tek përgjigjet aspak diplomatike, mund të ishte gjetja e duhur për të shmangur ato të vërteta që mund të ishin në gojë të secilit prej pjesëmarrësve. Dhe qëndrimin e tyre e shprehën me mospjesëmarrjen në darkën zyrtare që përfaqësia jonë në Strasburg jepte për nder të Kryeministrit të vendit të saj, praktikë e zakonshme në raste të ngjajshme.