Vangjush Saro: Vendi në stres, qeveria e lumtur

241

“Nuk bëhet ai vend! Si mund të bëhet kur pikërisht mungon shteti, ka kaq shumë dhunë e paqytetari, bërtitje e kacafytje, fyerje e kërcënime, përndjekje dhe, mbi të gjitha, filma – gënjeshtër se po jetojmë në demokraci. Kombi është në stres , ndërsa krimi dhe kusaria grabisin ditën për diell.”

Sigal

Vendi është në stres, por qeveria është e lumtur. Ja, bie fjala Turqia na dërgoi kaq autobuzë e makina policie… Si ishte kjo? Aty qenkemi ende, te ndihmat e të huajve? Një lajm më shumë në panoramën rozë, që qeveria dhe shefi i saj, z. Rama, e kanë aq për zemër. Por ndërkohë, në mjedisin shqiptar (madje edhe jashtë kufijve administrativë) shënohen pareshtur vrasje, përdhunime, vjedhje, aksidente fatale, kacafytje individësh e njerëzish të veshur me pushtet apo thjesht në politikë, etj. Për shkak të këtyre episodeve, gjatë gjithë kohës ka një tension e një mungesë qetësie që të brengos. Ndonjëherë, kjo gjë të duket e stisur, sikur bëhet me qëllim, si për t’i mbajtur njerëzit nën tutelë e të çoroditur. Përballë kësaj pamjeje, shoqëria shqiptare ndonjëherë shihet e lodhur, pothuaj e dorëzuar, sikur ka ngritur duart përpjetë… Por shteti mbahet mirë, qeveria shton zyrat e personelin, mbulon deficitetet e veta përfshi korrupsionin galopant e, më në fund, justifikon gjithçka duke bërë ndonjë ndryshim në radhët e administratës e të policisë. Siguron edhe ca ndihma, siç thamë më lart. Edhe ndonjë çmim për verën… Ja, kaq ishte. Po përpiqem më poshtë të shpreh opinionin tim pse jemi në këtë derexhe. Fakti është që ndër vite nuk ndëshkohen siç duhet dhe në vazhdimësi krimet, vjedhjet, kusaritë dhe ndyrësitë gjithfarë; të individëve apo të institucioneve. Këtu vidhet ditën për diell, konsumohen krime e aksidente të rënda dhe autorët më parë dalin nga burgu sesa hyjnë në të. Për më keq, ndonjëherë në shkelje të rënda përfshihen edhe institucionet. (Po, shpesh edhe ato, për shkak të presionit qeveritar e të individëve, lëshohen e nxiten që të shpifin, të zmadhojnë çështje të ndryshme, të mpakin skandalet dhe vjedhjet, të marrin pjesë në gjuetinë e shtrigave, etj.)  Në vite, pandëshkueshmëria ka fituar teren, është bërë normë. Nuk u zbardh asgjë nga megaskandalet e kohëve: Piramidat jo. Gërdeci jo. 21 janari jo. Historia e trishtë e Santos jo. Trimëritë e pandërprera me drogën jo. Përrallat me inceneratorët jo. Ato me qendrat e mëdha muzeale jo. Ndërkohë, mediat (më së pari ato pranë pushtetit) merren për ditë të tëra me hollësi rreth fatit të banditëve ose rendin si të fiksuara pas mendereve të ca femrave narciste e që përveç hireve të shtuara s’kanë asgjë tjetër për të treguar. Është e vërtetë që në kushtet e sotme lajmet marrin dhenë sakaq, mediat janë shtuar, janë të etura për publik, rrjetet sociale vijnë si një zë më tepër në këtë kakofoni… Por teprimi është esencial, i dukshëm. Disa prej gazetave madje lejojnë komentuesit të shajnë mbarë e prapë dhe me një fjalor që as vetë s’e di ku e gjejnë kaq të ndyrë e përtej çdo etike a sjelljeje njerëzore. Dhe baltë mbi baltë e vrer mbi vrer, vendi veç vuan të njëjtin tension e psikologji frike dhe të njëjtën pasiguri. Mëritë, urrejtjet, kacafytjet (me dhe pa shkak) përfshijnë shpesh Kuvendin, rrugët, bizneset, makinat e policisë; dhe për të gjitha e gjithnjë gjenden justifikime: Po ja, kështu është edhe atje… Kjo ka ndodhur edhe diku gjetkë… Dhe të tjera marrëzira këso, a thua jemi në garë me skutat dhe episodet më të errëta të kësaj bote. Ka ndodhur apo ndodh diku dhe është e thënë apo e justifikuar që të ndodhë edhe këtu? Ku mbështetet kjo logjikë? Një pamje e fundit e tallavasë së kohës, është përpjekja për të përmbysur me çdo kusht tablotë komplekse të së shkuarës, pa njohur asnjë mund e vlerë. Një pjesë e kanë mbledhur mendjen që “ta dërmojnë rendin e shkuar”, s’kishte asnjëlloj pune e arritjeje, vetëm shtypje, varfëri, tela me gjemba, njerëz të rreckosur… kjo është (sipas tyre) tabloja e së shkuarës; dhe ky vrer, për fat të keq, helmon e ndot edhe brezat që nuk i kanë jetuar ato dekada, ashtu si ishin. Shkrues që thonë se vijnë nga përndjekja, por ca më shpesh duket se janë nga lagje e familje komuniste, ngase nuk kanë ose nuk dinë me çfarë të merren tjetër, fillojnë e mbushin gazetat dhe rrjetet me hartimet e tyre për antikomunizmin dhe dokrra të tjera, që bien erë të keqe. Dhe pastaj rëndon thuhet: Nuk bëhet ai vend! Po vërtet, si mund të bëhet kur pikërisht pse mungon shteti, ka kaq shumë dhunë e paqytetari, bërtitje e kacafytje, fyerje e kërcënime, përndjekje dhe, mbi të gjitha, filma – gënjeshtër se po jetojmë në demokraci, çka është në fakt një sistem hibrid me gjithfarë mbetjesh nga e shkuara dhe shtesa (të sajuara vetëm për fasadë) nga e sotmja. Si mund të bëhet ndërkohë që kombi është në stress, kurse shteti, qeveria ndjehen mirë, ia hedhin paq në çdo skandal e pabesi ndaj qytetarëve të vet. Si mund të bëhet kur nuk zë vendi vend, kur për çdo gjë e në çdo temë duam vetëm përmbysje e marrëzi totale. Një komb që nuk gjeti së paku njëherë pajtim për gjërat kryesore të historisë dhe jetës së tij, dje dhe sot (!) E gjithë kjo situatë stresi e amullie është e favorshme për krimin dhe korrupsionin, ndërkohë që nxit mëri e vëllavrasje të reja, sjellje brutale, papërgjegjshmëri qytetare, tallje me rregullat elementare të jetës, shmang orientimin e qytetarëve kah problemet e vërteta të demokracisë e, së fundmi, mbulon gjithë marrëzitë e administratave përkatëse. Mendoj që kemi nevojë për një emancipim qytetar; dhe unë s’e di kur mund të ndryshojë diçka në këtë temë. Duhet të rivihen në punë me përparësi shkolla, shoqatat dhe institucionet; ato duhet të “ringrihen” në përputhje me parimet e vërteta demokratike, larg presionit të pushteteve të përkohshme. Kjo do të thotë rregulla, ligje, e në thelb ndarje reale e pushteteve. Kjo do të thotë një zgjidhje politike, një marrëveshje që të lejojë hapësira për çka u tha më lart. Natyrisht, nuk do të vijë me ‘deus ex machina’, por me një mandat më bindës e më të përmirësuar, që vetë qytetarët duhet ta kërkojnë.