Kryeministri të zgjidhë nyjen: të japë dorëheqjen, të kërkojë votëbesim, të bëjë një qeveri teknike, të lejojë zgjedhje të parakohshme. Ikin drejtorë drejtorish, zv/ministra, ministra, dhe nuk ndodh asgjë nga ato që reshtuam më lart.
Për ato që po ndodhin në Shqipëri, nëse do të ishim një demokraci funksionale, Kryeministri duhej të bëhej burrë, domethënë të zgjidhë nyjen: të japë dorëheqjen, të kërkojë votëbesim, të bëjë një qeveri teknike, të lejojë zgjedhje të parakohshme. Por ne s’jemi një aso, vendi demokratik, jemi njëlloj hibridi; kështu që… shty të shtyjmë. Ç’shprehje e thatë, bajate; ashtu siç jemi edhe ne: Ikin drejtorë drejtorish, zv/ministra, ministra, dhe nuk ndodh asgjë nga ato që reshtuam më lart. Rrihen njerëzit barbarisht nga të afërm të deputetëve të partisë në pushtet, dhe prapë nuk ndodh asgjë. Ia vënë me shpatulla për muri zv/kryeministrin, flitet se “ka çarë ferrën” dhe prapë nuk ndodh asgjë. Dhe kjo është sa qesharake, aq edhe për t’u trishtuar. Gjatë gjithë kontributit tim modest në publicistikë (Alternativa SD, Ballkan, Gazeta Shqiptare, Metropol, Shekulli e tash te Telegraf) nuk kam shkruar, siç edhe nuk do të shkruaj kurrë, me urrejtje, as duke përqeshur, edhe pse kjo e fundit është pjesë e profesionit dhe e stilit tim. Notat sarkastike i kam drejtuar gjithnjë te dukuria. Persona të caktuar, edhe pse i kam kritikuar, nuk i kam tallur; dhe s’ka pse. Por këta nuk duan t’ia dinë prej kurrfarë gjëje. E kanë mbushur kupën, po u zbrazet, dhe nuk tregojnë asfare pendim apo vullnet për të përmirësuar ndonjë gjë. Këta janë bërë vërtet për t’u vënë drunë. E megjithatë, ndonjëherë, prirja për t’i përqeshur kthehet në njëlloj mëshire. (E di, është shumë, kërkoj ndjesë; por nuk gjeta dot një fjalë tjetër më pranë asaj që dua të them.) Kështu edhe me z. Kryeministër, për të cilin kam pasur ndjenja të mira si artist, më ka ardhur shumë keq kur e rrahën për vdekje, pastaj kam formuluar për të edhe fjali vlerësuese, për shembull për publicistikën e tij. Një kohë, ajo ishte ndër më të mirat në median shqiptare. Më pas, i kam drejtuar atij një sërë kritika: që nga tallavaja me kanabisin, te lejimi i ndërtimeve monstruoze në Tiranë, zhgënjimi për zotimin e tij “Kthim në identitet”, ngritja e pagave të ministrave dhe deputetëve, etj. Po ashtu, edhe për gjëra më pak të rëndësishme, si “marrja përsipër e rolit të liderit rajonal”, veshja qesharake apo premtimi se do të përkthente nga frëngjishtja në shqip aksh libër të një autoreje shqiptare (!) Por sa për këtë herë, termi vajtues Malvolio, u shfaq vetiu. Ky derëmbylluri, Malvolio, është një nga personazhet më interesantë të komedisë “Nata e dymbëdhjetë” të Shekspirit. Është një maxhordom vanitoz, i leshtë, por egërsisht ambicioz, që dikur i mbushet mendja se mund të flirtojë me zonjën e tij… (Edhe Kryeministri ynë, krejt si Malvolio, u vjen rrotull zonjave të tij (kupto: BE-së dhe Amerikës) duke menduar se po ua merr mendjen, ndërkohë që shëtit “pa u lodhur” andej këtej, herë në aksh samit e herë në ndonjë turne politik, gjithnjë duke kërkuar (në mënyrë të sforcuar) protagonizëm e duke dhënë mend, edhe pse askush nuk ia kërkon. Mund ta lëmë me kaq, që të mos shtojmë se ndërkohë që ai “këshillon” Ballkanin dhe më gjerë, problemet në vendin e tij janë… nga t’i kapësh më parë. Të vijmë tek e nisëm. Me sinqeritet, personalisht, nuk kam menduar asnjëherë se do të shkonte mirë me përfshirjen e tij në qeverisje. Kam dashur gjithnjë (edhe kam shkruar) që vendin ta drejtojnë teknikë, ekspertë, pra: inxhinierë, ekonomistë, juristë, diplomatë. Një qeveritar i ardhur nga arti apo sporti, sado që ato i çmoj shumë, vështirë se mund ta gjejë veten në administratë. Këta fillojnë pastaj dhe bëhen specialistë për gjithçka, në fakt autoritaristë. (Kjo më kujton kohën kur një tjetër kryeministër (M. Shehu) një ditë prej ditësh mori e foli për letërsinë, për humorin, dhe shpiku termin “humor pozitiv” e, midis të tjerave, kjo më kushtoi një notë mesatare në punën time të diplomës si student, sepse nuk e kisha përfshirë fjalën e tij në literaturë.) Përtej analogjive, përtej edhe groteskut – që nuk e përdor më kur kthehem në temë – në këto kohë, kemi pasur dhe kemi probleme të rënda. Vendi është pjesërisht në dorën e banditëve; të atyre që kishin pushtetin më parë dhe të këtyre, që e kanë pushtetin tani. (Them pjesërisht, sepse nuk është e drejtë të stigmatizosh krejt administratën dhe institucionet, por edhe njerëzit që përpiqen të punojnë me devotshmëri; e të tillë ka çdo kohë.) Por ja, banditët u futën në politikë, përveçse merren me tregti të paligjshme, me ndërtime poshtëruese për qytetarët, madje edhe me rrahje e kërcënime. Kohë më parë, gjithë në gazetën e nderuar “Telegraf”, botova shënimin me titull “Ose me qytetarët ose me banditët”. Vetë e mirënjohura Yuri Kim, u shpreh dikur se udhëheqësit duhet të zgjedhin se kush e ka në dorë këtë vend, qytetarët apo kriminelët ? Dhe se paratë e pista bëhen pallate e resorte turistike. Por ja, “udhëheqësit” nuk zgjedhin ose bëjnë lojë, me të huajt dhe me të vetët; zotëria e tij, edhe pse situata është tejet gri – siç po e themi, me dhimbje – nuk ka sy për qabe, domethënë të zgjidhë nyjen: të japë dorëheqjen, të kërkojë votëbesim, të bëjë një qeveri teknike, të lejojë zgjedhje të parakohshme. Është një sjellje primitive, neokomuniste; është një qasje e pamje që nuk shkon fare me atë pjesë të hartës ku jemi; është një pushtet në dhunë e në zdërhallje, që nuk do ta donin asnjëherë qytetarët shqiptarë. Koha imponon fate të mbrapshta; kjo ndodh shpesh me ne. Kryeministër, zgjidhe nyjen! Ajo po e mbyt vendin…