Vangjush Saro: Jemi ‘mirë’, por renditemi nga fundi…

116
Sigal

Po si mund të jenë të kënaqur ata qytetarë, kur gjysma e Qeverisë përplaset në SPAK? Raportet konstatojnë që vendi është i pazhvilluar, në një krizë pasigurie dimensionet e varfërisë flasin pak ndryshe nga arritjet në Turizëm. Gjërat duhen ndryshuar me rrënjë: në administratë, në arsim, në sigurinë e jetës; nuk shtyhet duke u ofruar botës ca të dyshimta. Vendi ka nevojë për ndryshime thelbësore dhe ato nuk i bën dot qeveria aktuale; e ka treguar tash sa vjet.

Telegraf.al / Nëse jemi mirë, nëse kemi ‘arritje’, siç këndohet në refrenin e përditshëm të pushtetarëve – korin mburravec e kryeson vetë z. Kryeministër – atëherë si shpjegohet që në të gjitha raportet e studimet e botës apo të rajonit shfaqemi për faqe të zezë (!) Sipas Raportit Botëror të Lumturisë, një studim i përvitshëm i mbështetur nga OKB, Shqipëria kishte zbritur edhe 4 shkallë më poshtë në renditje; dhe kjo është kaq e trishtë, kur mendon se sa shumë po ‘lodhen’ drejtuesit aktualë në mënyrë që të bindin popullin (e vet) dhe aleatët (jo gjithnjë aso) që vendi po përparon, që ka investime, zhvillim, etj.

Studimi i fundit e ka gjetur Shqipërinë në vendin e 83-të; e gjithë kjo, është njëlloj vrapimi si nëpër ëndërr dhe vjen e përsëritet pothuaj çdo vit. Në atë Raport, Finlanda cilësohej vendi më i lumtur në botë edhe për vitin 2024. Raporti u publikua në Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë, duke anketuar mbi 100 mijë njerëz nga 143 vende të ndryshme. Studiuesit vlerësojnë të dhëna të tilla si mbështetja sociale, produkti i brendshëm bruto për frymë (GDP), përceptimi për korrupsionin, jetëgjatësia, liria e zgjedhjeve dhe besimi në qeveritë respektive, etj.

Sigurisht, këto indekse nuk janë të përsosura dhe ndonjëherë shfaqin edhe çudira. Por në tërësinë e vet, janë të besueshme. Për fat të keq, në të gjitha ato, ne jemi diku nga fundi, madje edhe kur ‘matemi’ me vendet e rajonit apo të tillë me të cilët kemi pak a shumë të njëjtën tragë në sensin e historisë dhe të ndërrimit të rendit politik. Në studimin e fundit, disa prej këtyre vendeve janë shumë larg nesh (e gjithnjë kështu ka qenë): Çekia në vendin e 18-të dhe Slovenia në vendin e 21-të, kurse Rumania në vendin e 32-të. (Madje edhe fqinjë për të cilët ne kemi aq shumë rezerva, prapë kanë një renditje më të mirë nga ne: Bosnjë-Hercegovina në vendin e 65-të dhe Moldavia në vendin e 71-të.)

Një tjetër studim, ai për qytetet më të mirë apo ku jetohet më mirë, sërish na përplas andej nga fundi; çdo vit. Dhe kjo është për të vënë duart në kokë. Qytetet shqiptare – që i kryeson kryeqyteti, pa asnjë park dhe me ndërtime që po bien mbi njëri-tjetrin – gjithashtu janë ‘larg’ nga bota (!) Specialistët flasin për beton e ndotje gjithfarë, për lënie pas dore të rrethinave, me rrugë të ngushta dhe pisllëk. Dhe çfarë kanë ndryshe të tjerët, sidomos ata që renditen gjithnjë ndër të parët, (siç ne themi se jemi). Qytetet e lançuara nga vende si Australia, Kanadaja, Evropa Perëndimore dhe Zelanda e Re dhe që zakonisht dominojnë renditjen nga 1 te 10, kanë shumë gjelbërim, kanë disponueshmërinë e tyre të gjerë të mallrave dhe shërbimeve, kanë rrezikun e ulët personal dhe një infrastrukturë efektive.

Sipas Raportit Botëror të Lumturisë, një studim, kishte zbritur Shqipërinë edhe 4 shkallë më poshtë në renditje; dhe kjo është kaq e trishtë, kur mendon se sa shumë po ‘lodhen’ drejtuesit aktualë në mënyrë që të bindin popullin (e vet) dhe aleatët që vendi po përparon, që ka investime, zhvillim, etj.

Shtrohet sërish pyetja: Nëse ne themi që jemi ‘mirë’, me qendrën digjitale ‘më të madhe në rajon’, me turizmin më tërheqës se kushdo, e ku di ç’tjetër, pse gjithnjë renditemi nga fundi? Ja edhe një studim i tretë, ku qasja jonë prapë nuk bën ndryshim të madh: ai mbi pabarazinë, diametralitetin e jetës, çka e kemi trajtuar edhe herë tjetër si temë më vete. Dihet që pabarazia e pasurisë, është e dukshme në mbarë botën. (Sipas këtij indeksi, në Evropë, 10% e njerëzve zotërojnë 67% të pasurive të kontinentit.) Shkalla në të cilën pasuria shpërndahet në mënyrë të pabarabartë, ndryshon gjithashtu në mënyrë të konsiderueshme nga vendi në vend, siç tregohet së fundi nga Credit Suisse dhe Raporti Global i Pasurisë. Në Shqipëri, pabarazia e pasurisë gjithashtu është sfiduese; edhe në këtë studim, ajo paraqitet më e lartë, më kërcënuese se ç’është, bie fjala, në Malin e Zi, në Itali e Greqi.

Studimi tjetër, që tregon për nivelin e kënaqësisë (së jetës) si dhe perceptimin e situatave sociale dhe ekonomike, prapë nuk është me ne; domethënë me mburrjet tona. Në gjetjet e Barometrit të Ballkanit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, shqiptarët vijnë apo renditen ndër më të pakënaqurit mes vendeve të rajonit. (Ky është një publikim i përvitshëm, të paktën që prej vitit 2015 dhe jep një panoramë thuajse 360 gradë mbi shumë aspekte të jetës dhe mirëqënies së popullsive në vendet e Ballkanit Perëndimor.) Me 50% të njerëzve të pakënaqur – e mbase përqindja mund të jetë më e lartë se kaq – shqiptarët janë mbi mesataren e rajonit, që fiksohet pranë 44% dhe (këtë herë) lënë prapa vetëm Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut. Po si mund të jenë të kënaqur ata qytetarë, kur gjysma e Qeverisë përplaset në SPAK (?)

Më në fund, ka disa kohë, një nga treguesit më shpresëdhënës për vendin, duket se është Turizmi; dhe këtu, po synohet të arrihet ndonjë kuotë që mund të ‘përmirësonte’ disi renditjet e tjera. Sigurisht, rritja e të ardhurave nga ky sektor është një lajm i mirë; dhe vërtet ka ndërtime e resorte që s’u lënë gjë mangut atyre të botës. Por le të përmbahemi pak, duke u kujtuar që pamja e përgjithshme është tjetër nga zbukurimet dhe luksi i disa plazheve apo resorteve. Po shtoj që shumica e amerikanëve dhe kanadezëve zgjedhin Meksikën për pushime; dhe vërtet, atje është ngrohtë në përgjithësi dhe resortet janë shumë të këndshme. Por ndërkaq, duke parë rreth e rrotull, duke dëgjuar lajme soj-soj e duke lexuar raporte si ato më sipër, konstaton që vendi është i pazhvilluar, në një krizë pasigurie; dimensionet e varfërisë flasin pak ndryshe nga arritjet në Turizëm.

Kjo përvojë mbase e vlen edhe për Shqipërinë dhe ata që e drejtojnë atë. Gjërat duhen ndryshuar me rrënjë: në administratë, në arsim, në sigurinë e jetës; nuk shtyhet duke u ofruar botës dhe ekraneve të panumërta vetëm ato që duken bukur për momentin, ca investime edhe ashtu të dyshimta. Vendi ka nevojë për ndryshime thelbësore dhe ato nuk i bën dot qeveria aktuale; e ka treguar tash sa vjet.