Vangjush Saro: Arti nuk bëhet enver-isht

45
Sigal

Këto ditë, Kryeministri Edi Rama priti dy artiste, të cilët kanë në plan të xhirojnë një film për të përndjekurit; (për një revoltë në një nga burgjet e “asaj kohe”). Para së gjithash, uroj t’u shkojë mbarë puna e mundi dhe të kenë sukses. Njëherësh, do të shpreh rezervat e mia rreth këtij episodi. Nëse kolegët do ta kishin realizuar këtë film, do të kishin marrë pjesë në ndonjë festival ndërkombëtar dhe njëfarësoj do të ishin nderuar atje, atëherë po, mund të shkonte ky takim në mënyrë të ndërsjelltë. Por shoë në fjalë më duket i gabuar, në kushtet kur ata thjesht kanë një projekt, si edhe krijues të tjerë, që s’e kanë fatin (ose edhe nuk e mendojnë se parimisht mund) të takohen për një gjë të tillë me Kryeministrin. Dhe ky s’mund të dalë mbi ligjet dhe rregullat, mbi parimin e konkurimit. Në këtë shtet, ka një institucion (QKK, s’është vendi ta “vizatojmë”) që shqyrton projektet kinematografike; pra një takim me shefin e qeverisë, premtimet e tij, i gjithë shoë, siç e quajta, shkelmon krijuesit e tjerë, konkurentët e tjerë, projektet e tjera. Për më shumë, ka ikur koha kur arti bëhej enver-isht e shteti drejtohej enver-isht. (Anipse zotëria e tij, siç thonë e shumëkund duket, kontrollon e ka në dorë gjithçka.) Vetë bëj pjesë ndër ata që s’e kanë fatin (as bindjen se duhet) të kenë një takim me Kryeministrin a ndonjë personalitet tjetër për të nxitur realizimin e ndonjë projekti. Në fakt, kam disa të tilla dhe mbase po të kisha vëmendjen e tij, mund t’i ofroja ato: Kështu mund të flisnim për ekranizimin e romanit “Misioni”; ka në qendër një ish-profesor në pension, që krijon një mision, për të sensibilizuar popull e zyrtarë, në Shqipëri e rajon, në lidhje me shkatërrimin e mjedisit dhe marrjen nëpër këmbë të njerëzve. Profesori rend nga njëra aventurë në tjetrën, duke u përpjekur të “zbardhë” tatëpjetën që po përjeton bota: klima, zhurmat, plastikat, plehrat, padrejtësitë. Në një nga aventurat e tij, përpara dyerve të një klubi që prodhon pareshtur ndotje akustike e sherr, duke pasur në krah një mikeshën e tij që rëndom pjek misra te një qoshk aty diku, profesori… mban fjalë kundër drogës dhe pastaj, bashkë me partneren fillon e kërcen tango, muzikën e bën vetë, një mbrëmje kaq groteske, derisa vjen dhe e ngre që atje Policia, e lajmëruar nga pronari i lokalit, i cili më parë i kishte dhënë fjalën se do ta lejonte të propagandonte jetën dhe kërcimet e “shëndetshme” (!) Ndoshta kjo temë është shumë “ndërkombëtare”, por mund të bisedonim për romanin tjetër “Pema e Krishtlindjes” – titull provizor – që flet për një Miss ndryshe nga ç’agjitojnë mediat: gazetare, vajzë e zgjuar më shumë se e bukur, e cila bie në dashuri me djalin e një familjeje emigrantësh, që ndodhet në atdhe thjesht për një porosi. Rasti e do që ata të njihen e të dashurohen marrëzisht. Mjedisi është i ndotur nga mediokriteti, presionet, sulmet e atyre që duan veç kurmin e saj, tenderat ku lëpijnë e lëpihen zyrtarët e mjerë; ndërkohë, vajza, gazetarja, është përpara një sfide: të shkojë pas atij që do, duke sakrifikuar t’ia nisë nga e para, dhe kjo e tremb, apo të ndjekë ëndrrën e saj këtu… (Dinë gjë Kryeministri dhe ata rreth tij që ka ardhur koha të ikim nga subjektet me fiksime e luftë klasash!) Natyrisht, këto projekte do të mbeten private, sepse veç të tjerash, nuk kanë politikë dhe as përndjekje; por unë thjesht cakita fatin dhe mundësitë, rregullat dhe institucionet. Në asnjë vend (të përparuar) nuk ndodh që krijuesit të shkojnë e t’i zënë derën Kryeministrit a dikujt tjetër në pushtet për aksh projekt artistik. Por mbase çështja është më e thellë se kaq, prandaj edhe po ndalem. Janë dy argumente që “kërcasin”. I pari, ajo që thashë, shkelmimi i rregullave. I dyti ne duam me doemos të bëjmë një dallim horror midis dy kohëve, duke marrë nëpër këmbë çdo traditë, arritje e përvojë në fushat përkatëse. Dhe ashtu sikurse më parë mbiluhej gjithçka me partizanë e heroizma të Socializmit, tash mbiluhet me asi të sferës së përndjekjes. Padyshim, kjo e fundit është një pjesë kaq e dhimbshme e historisë sonë; kam shprehur dhe ndjej keqardhje për çdo të lënduar pa faj. Unë prapë uroj sukses për autorët e filmit; dhe do të ishte mirë që shkrimtarët dhe kineastët të sillnin edhe figura si At Zef Pëllumbi, Musine Kokalari, pse jo edhe Sherif Merdani e Dhori Gërnjoti, në filma ku drama dhe spektakli të gjenin “ujdi” (ndryshe nuk të ndjek spektatori). Por dua të theksoj ndërkaq, siç u shpreha edhe më lart, mund të bëjmë më shumë kujdes që të mos e mbiluajmë temën, sepse nuk ia dalim dot që çdo 40 vjet të kërcejmë nga njëri ekstrem te tjetri. E meqë ra fjala për “dy kohët”, këto ditë u përpoqa të gjeja arsyet pse libri im “Shqipëria në dy kohë” (në fakt, Shqipëria e çdo kohe) nuk e pati fatin të përzgjidhej nga MAS ndër ato (qindra) që rekomandohen për bibliotekat e shkollave. Nëse do të kisha mbështetjen e Kryeministrit – duke shpjeguar edhe sa e dobishme është të kuptojmë se me urrejtje dhe debate të egra për historinë, filmat, sportet, etj., nuk i kulturojmë dhe nuk i edukojmë dot brezat, përkundrazi, po i shkallojmë – ndoshta libri mund të rishikohej. (Ai, sikundër edhe “Misioni”, që e ceka më lart, kanë gjetur Publikun dhe Kritikën). Por nëse edhe këtu nuk do të bënte fajde mbështetja kryeministrore, atëherë do t’i kthehesha librit me fabula “Drenusha që humbi rrugën” dhe do të kujtoja që rrethanat për këtë zhanër janë gjithashtu bindëse. Duke kërkuar pak durim nga lexuesit e nderuar, ja disa nga përfundimet e ekspertëve, vjelë nga shënime kritike letrare të publikuara në gazetat dhe revistat “Dita”, “Nacional”, “Telegraf”, “Fjala e lirë”, etj. “Krijimi i tij është si një artefakt i vendosur në Muzeun e Madh të Fabulës dhe menjëherë bie në sy si një shkëlqim; jo sipërfaqësor, por si një dritë që vjen nga zemra e saj.” (Fatmir Terziu / shkrimtar, kritik letrar) “Sipas gjykimit tim, kemi një novacion kompozicional dhe ligjërimor. Një stil origjinal fabulesk.” (Vangjush Ziko/ poet, përkthyes, studjues) “Janë fabula të mirëfillta, me aktualitet të përhershëm dhe moral të shprehur pa rënë në moralizim. Stil i përkorë, pra elegant, shqipe e kulluar.” (Edmond Tupja/ përkthyes, poet) “Shenja të reja në krijimet fabulore. I gjejmë ato në konceptim, në këndvështrim dhe ndërtim. Kjo lidhet me aktin poetik individual të tij.” (Xhahid Bushati/ poet, studjues) “Të bukura; me pak vargje, thonë shumë.” (Gjikë Kurtiqi/ poet) “Krahas të qeshurës me zemër a buzëqeshjes, na kanë bërë të menduar…” (Shpresa Kapisyzi/ poete)  “Ai është një fabulist me profil të plotë artistik.” (Thani Naqo/ shkrimtar) “Metrika e realizuar me kujdes, bën të mundur leximin e rrjedhshëm, spontan, të ndihmon të shijosh ritmin dhe ta memorizosh lehtë situatën artistike.” (Ligor Prifti/ përkthyes)  “Personazhet ndajnë konflikte dhe moskuptime që natyrshëm e shtyjnë lexuesin të shkojë përtej vargjeve dhe subjekteve.” (Pandeli Koçi/ shkrimtar, kritik letrar)  “Një nga arsyet pse mundësohet ky komunikim me lexuesit, është aftësia për të folur me gjuhën e kohës, për të përcjellë mesazhe aktuale.” (Flamur Shabani/ publicist, mësues) “E ruajnë në vazhdimësi origjinalitetin e tyre. Në kuptimin përmbajtësor, duke përafruar e ngushtuar qartazi problematikën në kushtet aktuale të vendit, por jo aq sa të humbasin universalitetin në kohë e hapësirë.Të shkruara në një stilistikë tipike të tijën…” (Kostaq Mizaku/ poet) Bashkangjitur këtij shkrimi është një fotomontazh: vetëm pak nga jehona në media e librave dhe në qendër (poshtë) një grafik (i pjesshëm) i shitjeve në Amazon, çka e plotëson tablonë… kur një krijues “ngre zërin”. Tani, shumë ndjesë që e zgjata, por a kam një të drejtë të pyes përse nuk është përzgjedhur as “Drenusha…” Çfarë kërkojnë “ekspertët” e MAS, ku janë kritikët e saj, mbi ç’kritere përzgjedhin? Me sinqeritet, jo më shumë, po sikur çereku i atyre (librave) që kanë lançuar të kishin një mbrojtje të tillë profesionale, të shpallur në shtyp – ka edhe nënvizime të tjera – unë do të heshtja. Dhe që të kthehem sërish atje ku e nisa, për të gjitha këto, dhe ato më lart, unë s’mund të lutem te Kryeministri dhe ai s’mund të marrë përsipër kurgjë; nuk është ky roli i tij, për krijues të mëdhenj apo të vegjël qofshin, për vepra të mëdha apo modeste aso. Fundja, si duhet të sillemi ne që jemi “larg” tij, në të gjitha kuptimet e fjalës? Pra, lipset të vendojnë institucionet, hallkat. (Më duket se këtu ia mbyta kot.) Por e vlen të përsëritet: arti nuk bëhet enverisht. Dhe as shteti (sot) nuk drejtohet enverisht.