Pali Nito: Pensionistët më mirë preferojnë një vezë sot se një picë mot!

35
Sigal

Pensionistët muarën lajmin nga kryeministri, Edi Rama se nëse Shpiragu aq shumë i përfolur nxjerr naftë atyre, pra pensionistëve do t’u rriten pensionet, por këtu ka një NËSE të madhe pasi Shpiragu mund të nxjerrë edhe ujë. E them këtë pasi specialistët gjeologë tek ne madje dhe në botë janë zhgënjyer jo pak herë. Shqyem sytë dhe shprehëm jo pak habi kur morëm vesh lajmin se deputetëve, pushtetarëve dhe zyrtarëve qëndrorë dhe vendor të të gjitha rangjeve dhe nomenklaturave do t’u rriten pagat, pra për këta nuk u prit sa të jepte naftë Shpiragu, ndërsa pensionistët duhet të presin deri ditën që do të nxirret naftë nga Shpiragu. Prandaj është kjo arsyeja që pensionistët më mirë parapëlqejnë një vezë sot se një pulë mot, pasi kësaj as më shumë e as më pak i thonë prit gomar të mbijë bar. Është e habitshme se kur propozohet për rritjen e pagave të pushtetarëve dhe politikanëve dhe zyrtarëve qëndrorë dhe vendorë të gjithë janë në një linjë, dakortësohen një zëri maksimalisht, ngrenë përpjetë duar dhe këmbë, ndërsa për pensionistët, për këta njerëz kokëzbardhur dhe kurriz të ulur që ndërtuan me mundin, djersën, përpjekjet dhe sakrificat e tyre sa e sa fabrika, uzina, rafineri dhe vepra madhështore e gjigande para viteve 90-të politikanët dhe veçanërisht mazhoranca qeverisëse që ka gurin dhe arrën në dorë hesht, bën qorrin dhe shurdhë-memecin dhe për të larguar vëmendjen e opinionit publik flet dhe propagandon me bujë për vëndburimin e Shpiragut, për këtë “mrekulli “ ekonomike që do të garantojë rritjen e pagave të pensionistëve si dhe prespektivën ekonomike që e pret vëndin tonë në një të ardhme jo të largët. Pra sikundër shihet një propagandë fallco, boshe dhe krejtësisht gënjeshtër, madje gënjeshtër jo çfarëdo, por gënjeshtër me bisht të gjatë. Përballë këtij realiteti të trishtueshëm për gjëndjen ekonomike, financiare dhe sociale të pensionistëve, të cilët janë në kufinjtë e mbijetesës dhe në pikë të hallit, nga politika në përgjithësi dhe nga qeverisja në veçanti kërkohet domosdoshmërisht ndërhyrje, punë, pasion, vendosmëri, impenjim, operativitet, vetëveprim, papërkulshmëri, impenjim maksimal dhe energji reflektuese. Politikat propagandistike nuk i shërben qytetarëve, por politikanëve dhe pushtetarëve faqezinj që as skuqen dhe as zverdhen. Në lidhje me këtë çështje profesor Haberlandika ka thënë: Shkenctarë të mirë ka shumë, ndërsa politikanë të mirë shumë pak. Pasi politika sipas dijetarit Volter s’është gjë tjetër veçse mjeshtëri e gënjeshtrës në çastin e duhur. Në shoqërinë tonë të brishtë e jo pak të prapambetur krahasuar me vëndet e rajonit pa folur për më gjërë kemi shumë problematika shqetësuese nëpër këmbë sikundër korrupsioni që i ka shtrirë tentakulat kanceroze anë e mbanë vëndit dhe në shumë fusha dhe drejtime të veprimtarisë shoqërore kemi gjithashtu vrasje dhe vetvrasje për shkak të problematikave të shumta nga më të ndryshmet e sidomos të gjëndjes së rënduar sociale e psikologjike. Ndaj gjithë këtyre problematikave, politika dhe sidomos maxhoranca qeverisëse duhet të mendojë për aplikimin dhe shpalosjen e alternativave që prevalojnë ndryshim, përparim dhe zhvillim të pandalshëm të vëndit e të qeverisë tonë që aspiron për t’u bashkuar me familjen e madhe dhe moderne Evropiane.