Vangjel Tavo: Qeveria të ulë kokën dhe t’i kërkojë falje çdo shqiptari

624
Sigal

Nga Vangjel Tavo:

Holanda, një ndër vendet më promotore, pionere dhe mbështetëse për heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët në hapësirën Schengen, sot ngriti sërish gardhin e shembur gati një dekadë më parë. Ky akt i këtij vendi tejet progresist, i cili mbart prej shekujsh vlerat më të çmuara evropiane, duhet lexuar me shumë trishtim nga Tirana zyrtare dhe duhet të turpërojë cilindo gardian të pushtetit që kontribuoi në kthimin e vizave për shqiptarët.

Dita e sotme shënon një hap pas për integrimin e vendit dhe për ëndrat e lira të shqiptarëve. Dita e sotme rikthen kujtimet e radhëve në ambasada. Dita e sotme duhet të ishte ndryshe. Një ditë e re me hapa të reja, ndërkohë solli një trishtim të thellë të maktheve të vjetra, dhe shqiptarët ndihen më larg sesa kurrë destinacionit evropian tek i cili kanë shpresuar prej një kohe shumë të gjatë.

Është e pafalshme burgosja për herë të dytë e këtij populli. Është sakrilegj historik të shtosh vargonjtë e robërimit të një populli ndërkohë që ai duhet çliruar plotësisht.

Shqiptarët janë evropianë me mendje, zemër dhe ëndra por fatkeqësisht robëruesit e këtij kombi vazhdojnë t’i kyçin nga brenda edhe më fort portat e integrimit.

Lërini shqiptarët të lirë në vendmbërritjen e tyre. Lërini shqiptarët të tregojnë se janë zemra e Evropës.

Sot qeveria duhet të ulë kokën e t’i kërkojë falje çdo shqiptari. Sot qeveria nuk e meriton më këtë emër, dhe plot turp duhet të pranojë dështimin.

Sot gardhi evropian u ngrit ndërsa qeveria shqiptare ra.