UJK KURRSESI, POR AS DELE…

581
Nga Zija Çela
I dashtun mik, patjetër do ta ruaj intimitetin që më besove dhe anonimatin tënd. Por ti dëshiroje një përgjigje prej meje. Me sa kuptova, kjo është pyetja që të mundon: Përballë realitetit ekonomik, politik e social, qytetari i thjeshtë a duhet të gjejë mënyrën për t’u shprehur, apo t’i gëlltisë në heshtje pakënaqësite e veta? Unë po them se njeriu e ka gjetur një rrugë, ku shumëçka vetasgjësohet. Dhe ky krematorium është harresa. I bën mirë harresa njeriut? Ka lloj-lloj harresash, prandaj vështrimi shkencor u lihet specialistëve, ndërsa ne japim thjesht opinion. Sipas meje, njëfare makinë e gjallë është njeriu. Dhe kjo makinë e gjallë që prodhon lëvizje, mendim, fjalë, sekrecione, kollitje, krime të përbindshme, ka skapamentot e saj për të shkarkuar fëlliqësitë fiziologjike, por jo pisllëkun shpirtëror. Kam një lutje për ty, mos pandeh se ngaqë nuk shihet me sy, gjithë çfarë është e kalbshme kalbet menjëherë, prandaj nuk kemi përse të alarmohemi. Po të mendosh kështu, gabohesh. Repartit të kalbjes në varreza, i paraprin këtej reparti i ndotjes në të gjallë. Thonë se asnjë cikël nuk mund të mbyllet ndokund, nëse nuk ka filluar diku tjetër. Të ndalemi pak këtu. Nga pandeh, zotrote, se i vjen ndotja shoqërisë? (Për të mos thënë në përgjithësi njerëzimit.) Në krahasim me fajet që përfundojnë në gjykatë, ndotja më e madhe i vjen nga fajësitë që kurrë nuk paditen. Nuk paditen sepse fshihen. Aq fshihen e fshihen, sa nuk ka burrë nane ta thotë sa shumë dhe sa llahtarshëm fshihen në vendin tonë! Dhe për nga përhapja, këta janë shumëfish në numër. Sepse, përveç autorëve të drejtëpërdrejtë, për interesa të pista, ndërvarësi korrupsioni e qëllime pushteti, në fshehjen e fajësive implikohen politikanë, prokurorë e gjykatës, deputetë e zyrtarë të lartë, miku e shoku, gjithfarë bërlloku. Shkurt fjala, duke e përpunuar e stërholluar, këtë fshehje e kemi ngritur në rang institucioni. Pa qenë prift as unë e as ti, çdo figurë krimi mbart edhe kuptimin religjioz, atë të mëkatit dhe të mëkatarit. E ky kuptim na zbret në burim. E pyeti Zoti dikur Adamin, përse e hëngre mollën e ndaluar? Më tha Eva, u përgjigj shpejt e shpejt ai. E pyeti Zoti atëherë Evën, përse e hëngre mollën? Më tha gjarpri, ia priti po aq shpejt ajo. Mos vallë çifti i botës së ardhshme u ndodh në trevat tona, kur i dha këto përgjigje?!.. Sidoqoftë, kaq iu desh Hyjit që të vinte në provë dobësinë e krijesës së vet. As burri, as gruaja nuk e kthyen gishtin nga vetja, por nga tjetërkush. A thua qysh atëherë njeriut nuk i pëlqen të mbajë përgjegjësi?! A thua qysh atëherë e kultivoi dalëngadalë Harresën, atë krematoriumin ku asgjësohet bërlloku shpirtëror, përgjegjësitë e fajësitë kriminale, por edhe pakënaqësitë e gëlltitjet e qytetarit qyqar?!.. Nuk jam i sigurt, me përjashtim të një urtësie: Kur hyn ujku në vathë, mbyt disa dele njëherësh, megjithëse për të ngrënë vetëm njëra do t’i mjaftonte. Ja përse po heshtë shpesh, vjen koha që kthehesh në dele, dita kur të përpijnë me mish, me eshtra e me lesh. Sa për alternativën ose ujk ose dele, kuptohet se është jashtë gjykimit të shëndoshë. Tani është radha jote të flasësh. E fol pra, se mbyllja e gjatë ndjell kalbëzimin. Aq më tepër që, po mungoi dialogu, nuk mjafton kurrë një përgjigje e vetme. Sa herë të vërtetës i vihet cak me autokraci, ka shanse që ajo të bëhet pluhur e hi. Në fshehjen e fajësive implikohen politikanë, prokurorë e gjykatës, deputetë e zyrtarë të lartë, miku e shoku, gjithfarë bërlloku.
Sigal