Thoma Goga: S’kam lekë se nuk jam as patronazhist, as anëtar partie, as punoj në administratë

231

– “Ndodhi” në natën e Vitit të Ri – “Të rroç a të vdeç…”

Sigal

 

Kjo mesele që do rrëfej tani është ca reale e ca fantazi.

…Natën e vitit të ri që sapo hyri, në maternitetin e qytetit tonë lindi një fëmijë. Ishte një fëmijë “i rrallë”. Ishte “gjeni”. Do ta njihni hap pas hapi. Po të bëjmë ca llogari, ai që lind natën e vitit të ri, duhet të jetë produkt i dashurisë së dy prindërve natën e 1 prillit…Pikërisht më 31 dhjetor mbushen plot 9 muaj. Edhe kjo dashuri në “festën”  e gënjeshtarëve na bën të mendosh shumë. Thonë se këtë “festë” ua kanë dedikuar politikanëve…Nejse.

Sa hapi sytë, fëmija i “rrallë”, njohu nënën. E përqafoi dhe filloi të flasë. Po, po të flasë…

– Alarm, alarm! – ulëriu ai. Infermieret dhe  mamitë u pataksën. Thirrën doktorin, i cili sa u paraqit, dëgjoi urdhërin e parë:

– Atëherë më thirr këtu kryetarin e bashkisë së qytetit.

– Më vjen keq, – tha doktori. – Nuk e urdhëroj dot. Është duke mbjellë pemë. Pastaj ka dalë një vendim që për çdo lindje do ketë shpërblim. Po më thuaj, çfarë halli ke?

– A i jep dot përgjigje pyetjes time: “Të rroj a të mos rroj?”.

– Pa diskutim që do të rrosh mirë. Jetojmë në një vend demokratik, anëtar i NATO-s  dhe kandidat për në BE.

– Ore doktor, mos më shit pordhë! Thuaja ndonjë tjetri këto. Sa lekë na duhet që të jetojmë me prindërit e mi si:  ata të NATO-s apo të BE?

– Nuk merrem me këto llogari. I di qeveria më mirë,- tha doktori.

– Urdhër i prerë! – tha vogëlushi ëngjëll. – Dua të më sjellësh këtu kryeministrin.

– Ku ta gjej? Sa priti krerët e Europës, nuk shkoi as në Surel, ja mbathi në Bruksel…

– Tani që dola në jetë, a është jeta ime e sigurt? Më thirr këtu drejtorin e policisë së qytetit.

– Janë të zënë, po korrin hashash.

– Po unë me hashash do jetoj? Prindërit e mi rropaten për të mbjellë grurë, misër, perime dhe nuk po e përballojnë jetën. Kurse ata me vila e makina luksoze. Çdo ditë ulërima. Ç’janë këto krime, aksidente, trafiqe?! – ia ktheu vogëlushi “i rrallë”. Pastaj iu drejtua mamasë.

– Cili është deputeti për të cilin ke votuar?

– Nuk e njoh, o shpirt. Ti je perëndia ime…

– Mos është ai që u arrestua?

– T’u bëftë mamaja, qetësohu e pi pak qumësht. Ta kam bërë hallall.

– Nëna ime dhe ti doktor, më thoni: të rroj a të mos rroj?!

– Pa diskutim, – tha doktori. – Standartet janë rritur. Ritmet e rritjes ekonomike këtë vit arritën 3 për qind. Punësimet kaluan mbi 90 për qind. Sapo u miratua një paketë ndihme për më të vafrërit. Me një klikim kryen të gjitha shërbimet publike.

– E di që jetojmë në kohën e internetit, në kohë dixhitalizimi, – tha vogëlushi. – Po këto që thua zotrote nuk i ha as qënushi im.- Sa lekë do të marrësh ti mamaja ime nga kjo paketë?

– Asnjë kokërr, sepse jam pa pension e pa punë…S’kam numër llogarie. S’jam as patronazhiste, as anëtare partie…Po, pi kap qumësht, zemra ime!

-Sa vjet u bënë, o mama, që nuk e ke marrë tapinë e tokës dhe të shtëpisë?

– Do t’I marrim bir dhe ti do i gëzosh të gjitha.

– Atëherë hapni televizorin të shoh pak lajmet.

Dëshira e vogëlushit u plotësua. Një studio me analistë, deputetë dhe një sallë plot me milet. Debati kishte marrë zjarr për ca inceneratorë, për ca zyrtarë të korruptuar.

– Ç’janë këto skandale?! Ndërroje këtë kanal, – tha vogëlushi. Dhe doktori lëvizi telekomandën.

– ”Një deputete europiane mbush çantat me para…”

– Pa më thoni, kush i “pjell” këto skandale?

– Është një “virus” i ri, – u përgjigj doktori dhe ndërroi gjithë ato kanale.

– Që në bark të nënës e kam dëgjuar se ky“virus” e ka emrin “korrupsion”, – tha vogëlushi. Doktori, për t’i bërë “bisht” muhabetit, ndërroi stacion.

– Pastruesja milionere: Paret e korrupsionit fshihen në hale…

– “Lirohen nga burgu disa të arrestuar, – tha spikerja në tjetër kanal. – Akuzohen për dy vrasje në një lokal. Mungonin dëshmitarët se vetëm vrasësit dhe viktimat ishin në atë lokal…”.

– Mbyllni çdo kanal! – ulëriu fëmija i “rrallë”.- Doktor më thuaj përfundimisht; të rroj a të mos rroj?!

– Motrën ku ta kesh, se na merove! – u nxeh doktori, që u bombardua me pyetje.- Ta thom unë: Do rrosh, po të mos e rruash…”.

Në mbarim të kësaj meseleje edhe unë do imitoj Vangjelin e Tanës tek një film:

– “Të rroç a të vdeç. Kjo është puna. Po unë i dhashë karar; do pi, do dehem”…

Dhe vërtet; është më mirë të dehemi që të harrojmë se rrojmë.