Spartak Topollaj
Historian dhe Diplomat
Në shtetin më të madh të botës, me histori sa të lashtë, aq dhe kontribuese për qytetërimin botëror, në Kinën e gati 1.5 miliard banorëve, sapo është mbajtur Kongresi XX jubilar i Partisë Komuniste Kineze, që me 100 milionë anëtarët e saj (saktësisht 96 milionë), është më e madhja parti komuniste e ditëve tona në rruzullin tokêsor!
Duke iu kthyer disa dekadave më parë, nuk mund të mos kujtojmë një tjetër kongres të XX historik, atë të PK të BS, mbajtur nga 14 – 26 shkurt 1956, kongres në të cilin, udhëheqësi sovjetik N. S. Hrushov, në ditën e parafundit të tij, pra në mëngjesin e 25 shkurtit, mbajti Raportin Sekret mbi Kultin e Individit të Stalinit dhe pasojat e tij. Në sallën plot me delegatë stalinistë, të Pallatit të Madh në Kremlin, para 1436 delegatëve, pa mëdyshje, Hrushovi tregoi kurajo të madhe me demaskimin e krimeve të tmerrshme të Stalinit! Natyrisht, që askush nuk priste të ndodhte kjo në tetorin e 2022 -shit, në sallën gjigante të Asamblesë së Madhe Popullore në Pekin, para 2300 delegatëve, kur Lideri i Partisë dhe i Shtetit, Xi Jinping, të mbante raportin 100 minutësh në Kongresin XX të PKK, ku jo vetëm nuk u kritikua kulti i Maos, por u ruajt trashëgimia e tij, madje deri aty, sa edhe Presidenti Xi , që pas dy mandateve me nga 5 vite secili, duhej të zëvëndësohej, me një ndryshim paraprak të mekanizmit statuor – kushtetues, u vendos rizgjedhja për një mandat të tretë, apo më saktë , ashtu si Kryetari Mao , të mbetet President i Përjetshëm !

Në mënyrë të përmbledhur, ja kush janë shtatë personalitetet më të larta, zgjedhur nga ky Kongres, si anëtarë të kupolës udhëheqëse, sipas hierarkisë, protokollit dhe ceremonialit tradicional në Kinën Komuniste:
1) – Xi Jinping – 69 vjeç
Lindi më 15 qershor 1953 në Pekin. Bashkëshortja e parë nga 1979, Ke Lingling, me të cilën u ndanë shpejt, qysh më 1982, ishte vajza e Ambasadorit kinez në Britaninë e Madhe.
Në vitin 1987, martohet me Peng Liyuan, këngëtare e njohur dhe deputete, me të cilën kanë edhe një vajzë, Xi Mingze, e mbiquajtur Xiao Muzi…. .
I diplomuar për inxhinieri kimike, në Universitetin e famshëm Tsinghua të Pekinit, ai është njëkohësisht edhe Doktor Shkencash në Drejtësi !
Xi, bënte pjesë në grupin e të “llastuarve” “princa të Kuq”, i njohur si Taizi, ku hynin fëmijët dhe nipërit e veteranëve të Marshimit të Madh dhe Fitores Historike të 1949, që më 1 tetor nga Sheshi Tien An Men Mao Ceduni, e shpalli Kinën, Republikë Popullore!
Babai i tij, Xi Zhongxun, veteran, ish funksionar i lartë, Shef Departamenti i Propagandës pranë KQ të PKK, u godit rëndë gjatë Revolucionit Proletar Kulturor dhe së bashku me gruan e tij, u dënuan me vdekje, dënim që nuk u ekzekutua , por u shndrrua në burgim të përjetshëm!
Xi, pas kësaj, për 7 vite dërgohet në riedukim, nga ku mëson, edhe se një nga motrat, Xi Heping , kish vrarë vehten nën terrorin e gardistëve të kuq, që tundnin librin me kapakë gjithashtu të kuq , të citateve të Mao Cedunit !
Ai ka edhe dy motra e dy vëllezër të tjerë, gjê e rrallë kjo për familjet kineze, me 1 apo e shumta 2 fëmijë!
Më vonë, babai i tij u rehabilitua nga Teng Hsiaopingu i famshëm dhe luajti rol të madh në reformimin dhe zhvillimin galopant të ekonomisë kineze!
Xi Jinping, filloi tashmë ngjitjen e shkallëve në parti dhe pushtet, deri sa mbrriti si anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të KQ të Partisë dhe Zëvendës President, pra numëri 2 pas Hu Xhintao-s, kreu i partisë dhe i shtetit për dy mandate rresht, i cili e promovoi me përparësi, deri në majë të pushtetit!
Interesant për né mbetet fakti, që Xi, për disa vite, ishte Shef Kabineti i Gën Biaos, (1909 – 2000) Ministrit të Mbrojtjes dhe Sekretar i Përgjithshëm i Komisionit Ushtarak të KQ të PKK, të cilin shqiptarët e njohin mirë si Ambasador i Kinës në Tiranë, çka tregonte rëndësinë që Kina i jepte marrëdhënieve me Shqipërinë.

Lé t’i kthehemi tani Kongresit XX të PKK.
Xi përmendi në raport 73 herë fjalët “mbrojtje” dhe “siguri”, duke paralajmëriar “betejë shpirtërore” ndaj sfidave të jashtme, dhe forcimit të partisë dhe shtetit të centralizuar nacionalist homogjen, që sundon në të gjitha fushat, se sipas tij për Kinën , pritet të vijnë “erëta të forta”, “dallgë të larta” dhe “furtuna të rrezikshme” !
Ai deklaroi, se Shteti kinez, nuk mund të imagjinohet pa rolin e madh të PKK dhe se vetë Partia, nuk do mund të priste fitore dhe suksese, pa atë vetë në krye?!
Ai propozon një ndryshim strategjik nga vija e Teng Hsiaopingut, i cili mbajti “profil të ulët” të Kinës në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke shfaqur haptaz ambiciet ekspansioniste dhe hegjemoniste të Kinës aktuale, ndërkohë që Tengut , ia njeh meritat e mëdha për reformat e thella ekonomike, që sot e nxjerrin Kinën superfuqia e dytë në Botë me GDP mbi 20 trilion $, pas SHBA -së me GDP mbi 25 trilion $ !
Ritmet e zhvillimit ekonomik të Kinës, kanë rënë dukshëm së fundmi, por jo shpenzimet për ushtrinë dhe modernizimin e saj, çka duket, në ekspansionin ekonomik, që ajo ka ndërmarrë në të gjitha kontinentet, po ku shquan synimi për zotërim të plotë në Detin e Kinës Jugore, nëpërmjet shtimit drastik të pranisë së flotës luftarako – detare dhe ndërtimin e ishujve artificialë, që mund të shërbejnë edhe si baza ushtarake nesër !
Për Taivanin, Xi deklaroi, se as që mund të mendohet se do të ketë kompromis dhe lëshime, madje, nuk përjashtoi, edhe pushtimin me forcën e armëve, nëse kjo do t’i imonohej Kinës!
Asnjë fjalë për Covid -19 e Ëuhanit që shkaktoi rreth 7 milionë humbje jete në botë dhe po ashtu, asnjë fjalë për agresionin dhe masakrat e Putininit në Ukrainë, ku vriten deri edhe qindra fëmijë?!
Në fund, Kongresi zgjodhi KQ të ri të PKK prej 200 anëtarësh, Byronë Politike prej 25 anëtarësh dhe Komitetin e Përhershëm të BP prej 7 anëtarësh (asnjë femër), me Xi Jinpingun në krye , si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë, President i Republikës, Kryekomandant i Ushtrisë dhe Kryetar i Komisionit Ushtarak të KQ të PKK !
Kongresi u mbyll me një incident të rëndë, çuditërisht, kaluar lehtas nga politika botërore dhe mediet e huaja!
Nga tribuna e Kongresit, ku ai ndodhej vetëm 50 cm. në krah të tij, Xi, urdhëroi dy agjentë të Sigurimit Publik, të nxirrnin forcërisht nga salla e Kongresit , që ngriu dhe ku pllakosi një heshtje varri, ish Presidentin dhe Liderin e Partisë për 10 vite, Hu Xhintao, njëriun të cilit, minimumi i detyrohej si promovues i karrierës në ngjitje deri në majë të të gjithë pushteteve në Kinë ?!
Vetēm në mbrëmje vonë të asaj nate, u gjet me një naivitet tipik kinez, por turpërues, justifikimi si zakonisht i HSINHUA -së, se Hu Jintao nuk ishte ndjerë mirë (ndaj edhe e kishin nxjerrë përdhunshëm nga salla e Kongresit ) ?!!!…
Mosmirënjohje tipike komunistësh në historinë 100 vjeçare të PKK, të cilën, të paktën né shqiptarët e njohim mirë, nga historia, kur në gati 45 vite, Diktatori ynë stalinist Hoxha, zbatoi për shumicën dërrmuese të miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë, nga Koçi Xoxe e deri té Mehmet Shehu, që e vetëvranë dhe Kadri Hazbiu në fund!!!
Hoxha, urdhëronte uljen e detyruar në fund të sallës së Plenumit në KQ, të atyre fatzinjve, që do u bëhej gjyqi nga Partia, paçka se ata endé ishin anëtarë të Byrosë Politike dhe u takonte të qëndronin në podium!
Pasi përjashtoheshin nga Byroja dhe KQ, po në sallë përjashtoheshin edhe nga partia, e drejtë kjo, që i takonte vetēm organizatës bazë tē partisë ?! Té dera e sallës së Plenumit, iu merrej tesera e Partisë nga Drejtori i Statutit në Aparatin e KQ dhe posa dilnin arrestoheshin e u viheshin prangat, nga dy oficerë të rinj e të fuqishëm të Sigurimit, kuptohet pa asnjë mandat të Prokurorit!
Kjo praktikë ishte huajtur nga Stalini, por meqë jemi té Kina edhe nga Mao, që kështu kish vepruar me Marshallin Pin Dehuaj, Peng Çenin, Liu Shaoçinë, Lin Biaon, si dhe të tjerët pas vdekjes së Maos ( 09/09/‘76 ), me “Bandën e të Katërve” : Van Hunven, Çan Çunçiao, Çian Çin dhe Jao Venjuan, si edhe me Çen Potá-në etj etj , ashtu si, edhe pse në pleqëri të thellë që ishin , lanë në hije Çu Enlain, Teng Hsiaopingun, Çu De-në, Dun Bi U-në , Sun Çin Lin-in Kang Shen-in Çen Ji- në etj etj !
Presidenti XI, që vetë vuajti ndëshkimin e rëndë të prindërve, por dhe 7 vitet e tij në punë të detyruar, nuk duhej për asnjë arësye të imitonte Maon e tij, apo Enverin tonë!
Gjashtë të tjerët, qê vijnë pas Presidentit Xi, janë:
2) – LI QIANG, 63 vjeç, Sekretar i PKK për Shanghain, ish Shef i Kabinetit të Presidentit. Xi, kur drejtonte Provincën Zheijang me 65 milionë banorë 101.800 km.2
Kryeqytet – Hanxhou
Mendohet të jetë Kryeministri i ardhshëm, ndërkohë që Kryeministri aktual Li Keqiang, pritet të ketë fatin enigmatik të ish Presidentit Hu Xhintao!
3) – ZHAO LEJI, 65 vjeç,
Mendohet të drejtojë Asamblenë Kombëtare Popullore të Kinës.
I njohur për luftën ndaj korrupsionit dhe si Kryetar i Komisionit të Disiplinës në Parti .
4) – ËANG HUNING, 67 vjeç, Profesor dhe ideolog i neoautoritarizmit.
5) – CAO QI, 66 vjeç. Në krye të Sekretarisë së Partisë, por edhe kreu i Partisë për Pekinin!
6) – DING XIEXIJANG 60 vjeç. Shef Kabineti i Presidentit Xi!
7) – LI XI, 66 vjeç
Sekretar Partie i Provincës Guangdong.
Shef i Luftës kundër Korrupsionit, Shef i Partisë së Yananit të Maos (ku Presidenti Xi kaloi 7 vite me punë të detyruar) dhe i afërt i familjes së Presidentit Xi!
I njohur për drejtim të suksesshëm në ekonomi dhe teknologji!
(siç shihet, mosha mesatare e udhëheqjes së lartë është, mbi 65 vjeç dhe të gjithë janë pjesë e njohur e anturazhit të Presidentit të rizgjedhur)?!

Historia e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën filloi pas shpalljes së saj, Republikë Popullore më 1 Tetor 1949, dhe Enver Hoxha me Mehmet Shehun u pritën nga Mao në Pekin, më 1956, por ato morën një zhvillim të madh pas prishjes tonë me Bashkimin Sovjetik, më 1961 dhe për një dekadë të tërë, ato shkuan në ngjitje, madje ndihma kineze, në të gjiha fushat, përfshi dhe ushtrinë, llogaritet të ketë shkuar deri në 10 miliardë $!
Edhe Shqipëria ndihmoi në pranimin e Kinës në OKB (Rezoluta Shqiptare), si edhe lejoi për vite të tëra, lundrimin në dete e oqeane të flotës tregtare kineze me Flamurin Shqiptar!
Gjithashtu në territorin tonë, Kina ngriti Radiostacione të fuqishme për të përhapur propagandën e saj!
Marrëdhëniet “vllazërore”erdhën duke u ftohur , kur Kinën e vizitoi Presidenti amerikan Nikson dhe Sekretari Kissinger ?!
Në delirin e madhështisë dhe protagonizmit, Enver Hoxha me paranojat e tij, desh t’i imponohej me diktat Kinës dhe Maos, pas vdekjes së të cilit, ashtu si me “vëllezërit” jugosllavë më 1948 dhe “vëllezërit” sovjetikë, më 1961 para tyre, u prish edhe me “vëllezërit” kinezë, korrik 1978?!
Kina e sotme, pa dyshim është një superfuqi. Ajo ka politikat, strategjitë dhe taktikat e veta.
Nuk është vështirë të kuptohet, se Kina në të vërtetë, nuk e do një Rusi të fortë, mbasi ajo kalkulon rivalitet vetëm me SHBA, por synon ta përdorë Rusinë, në dobësimin sadopak të Amerikës!
Putini priste tjetër qendrim nga Kina për agresionin barbar që ndërmorri ndaj Ukrainës, por Kina nuk është as Irani dhe as Bjellorusia apo Korea e Veriut! Kompromentimi i saj në këtë agresion, dënuar nga rreth 150 shtete në OKB, do të kishte kosto të lartë për politikën, pse jo dhe ekonominë e investimet kineze në botë!
Nga ana tjetër Shqipëria, nuk mund dhe nuk duhet t’ia pranojë kurrë Kinës, qëndrimin absurd dhe të pamotivuar pro serb dhe kundër pavarësisë së Kosovës!




















