Ç’ po ngjet sot në vendet demokratike Perëndimore?
Në të vërtetë, terrorizmi dhe radikalizmi i dhunshëm, kriza e refugjatëve dhe rritja e populizmit, Brexit-i dhe pasojat e tij për BE-në kanë goditur rëndë perspektivën dhe besimin popullor në vendet Perëndimore. Aty, sot, po nxitet e përhapet një valë ekstremizmi e populizmi. Për më tepër, po fuqizohen e mbështeten forcat e së djathtës ekstreme përfshirë dhe nacionalizmin, të ushqyer nga ndjenja e epërsisë ndaj kulturave e racave të tjera. Sidomos, në Evropë, influenca e grupimeve nacionaliste radikale është rritur dukshëm nëpërmjet një propagande të egër anti-emigracion. Thelbi i saj është një kthim prapa tek koncepti i vjetruar apo vizioni i dikurshëm i kombit dhe i shtetit-komb. Nga ana tjetër, globalizimi i Islamit radikal brenda vendeve evropiane ka nxitur brenda emigracionit dhe sidomos myslimanëve (fillimisht të gatshëm për përfshirje e bashkëveprim me bashkësitë e tjera), një prirje vetë-përjashtimi, deri duke refuzuar integrimin dhe organizimin shumë-kulturor, kohezionin e adoptimin normal të tyre për punë dhe jetë më të mirë. Ky përjashtim apo vetë-përjashtim po shërben dhe si “feedback” (si sistem me ushqim të kundërt) në nxitjen e ushqimin e radikalizmit dhe terrorizmit. Një shqetësim i ri, bile një kërcënim real në vendet Perëndimore po bëhet dhe populizmi, që po merr dhe një trajtë më të veçantë – atë të një lëvizje politike kundër “establishmentit” kushtetues, vetë institucioneve të shtetit.
Ekstremizmi, populizmi shpërthyes dhe pamje të ndryshme të nacionalizmit etniko-kombëtar po shndërrohen në një bazë për polarizim social dhe mungesë tolerance në shoqëritë Perëndimore, deri duke shtrënguar edhe politikat anti-emigracion. Politikanët ekstremistë evropianë, që ushqejnë e nxisin frikën e publikut, po luajnë me vështirësitë ekonomike, duke nxitur ksenofobinë, urrejtjen racore e fetare, deri duke detyruar masa më të rrepta sigurie në kurriz të të drejtave të njeriut, në cenim të lirisë e demokracisë. Sidoqoftë, për të kuptuar më mirë këtë valë populizmi (aty-këtu dhe me nuanca fashizmi), po ndalojmë shkurt në një paralele midis Recesionit të Madh dhe Depresionit të Madh.
A ka ndikuar Recesioni i Madh mbi politikën Perëndimore?
Sa për krahasim, gjatë Depresionit të Madh, GDP-ja globale, në periudhën 1929-1932, ra afërsisht me 15%, ndërkohë që gjatë Recesionit të Madh, midis viteve 2008 – 2009, kjo madhësi u zvogëlua me më pak se 1%. Depresioni i Madh pati pasoja shkatërrimtare në të gjitha vendet, të pasura ose të varfra. Të ardhurat personale apo të ardhurat në përgjithësi u ulën në mënyrë të konsiderueshme, ndërsa tregtia ndërkombëtare ra me më shumë se 50%. Papunësia, p.sh., në ShBA u rrit me mbi 25%, kurse në vende të tjera kapi vlera mbi 35%. Këto kushte shërbyen si karburant i lëvizjeve ekstremiste- populiste në vende të ndryshme evropiane. Të tilla ishin, p.sh., lëvizja naziste e udhëhequr nga Hitleri në Gjermani, lëvizja fashiste e udhëhequr nga Musolini në Itali, lëvizja nacionaliste e Frankos në Spanjë, etj. Si rrjedhojë, më 1939, shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, fillimisht në Evropë. Ndërsa, në dhjetor 1941, me sulmin e përgjakshëm nga ajri të japonezëve ndaj bazës amerikane në Pearl Harbor, edhe Amerika u përfshi në luftë. Mjaft fabrika e uzina të saj u orientuan në funksion të luftës. Me një prodhim të tillë industrial në ekspansion dhe me regjistrimin nën armë të qytetarëve, vetë papunësia ra nën nivelin e para fillimit të krizës (Depresionit të Madh).
Edhe pse ndikimi i Recesionit të Madh ka qenë shumë më minimal krahasuar me Depresionin e Madh, përsëri dhe kjo krizë e fundit i dha ushqim populizmit, duke e trazuar dhe dobësuar rolin e politikës liberale-demokratike në Perëndim. Kështu, Britania e Madhe votoi për t’u shkëputur nga BE-ja, ndërsa Amerika e Trumpit po kritikon drejtpërdrejt politikën globale. Megjithatë, ky lloj“revolucioni populist” për t’i bërë rezultatet e dukshme kërkon shumë më shumë kohë, kohë kjo që në Evropë, ndoshta, nuk do t’i jepet në sajë të mobilizimit të ndërgjegjes kolektive demokratike evropiane. Aq më tepër që lëvizja populiste pretendon ndërtimin e një rendi të ri botëror ose, të paktën, shkatërrimin e rendit të vjetër, dhe rikthimin tek koncepti i shtetit-komb. Po ashtu, kjo është një revoltë “anti-establishment” e shtrirë në Amerikë dhe Evropë, përfshirë dhe vendet kryesore të BE-së.
P.sh., në Itali, me mobilizimin e partive politike populiste, vota kundër në referendumin e 4 dhjetorit 2016 e detyroi kryeministrin Renzi që të jepte dorëheqjen. Në Holandë dhe Francë, në zgjedhjet e ardhshme, lojtarë të ekstremit të djathtë janë duke ngacmuar po të njëjtat “vena” zemërimi ndaj institucioneve, njëlloj si gjatë fushatës për Brexit të Farage në Britani ose fushatës së Trumpit në ShBA. Me votimin pro shkëputjes, britanikët dëshmuan se integrimi i Perëndimit, nuk është as i pashmangshëm, as i pakthyeshëm. Një mesazh i ngjashëm shoqëroi edhe fushatën presidenciale të Trumpit. Gjatë saj apo në ceremoninë e betimit të presidentit të ri, u premtua se Amerika do të hiqte dorë nga angazhimet e saj nëpër botë, që ajo do të fokusohej tek vetja e saj (Amerika e para – “America first”)…
Në këtë situatë të re, lindin pyetjet: A mos duhen negociuar nga e para marrëveshjet ndërkombëtare të pas Luftës së Dytë? A nuk duhet që të vazhdojë të kufizohet interesi i shteteve(shteteve-kombe) prej rendi global dhe strukturimit të mëtejshëm të tij? Në fakt, ndjenjat “anti-establishment”, kundër emigracionit e pro-nacionaliste po zhvillohen në mënyrë paralele në Perëndim. Ata janë bërë karburanti i ekstremit të djathtë nëpër Evropë, deri duke e rritur ndikimin dhe elektoratin e vet. Bile Gjermania që, deri vonë, konsiderohej si shtylla e Evropës Perëndimore dhe e BE-së, po vuan më shumë nga përmasa e emigracionit masiv në të, sesa nga një rritje ekonomike modeste. Një sondazh i kohëve të fundit, tregon se 42% e gjermanëve kërkojnë organizimin e një referendumi mbi anëtarësinë në BE, që në vetvete po pompon një shfaqje egoizmi shtetëror e nacionalizmi. Situata të ngjashme ndeshen në Francë apo kudo në Evropë.
Disa shembuj
– Partia e Pavarësisë, e drejtuar nga Nigel Farage, e themeluar si një grupim euro-skeptik, u bë dhe avokatja kryesore e shkëputjes së Britanisë nga BE-ja.
– Partia populiste “anti-establishment” apo grupimi Lëvizja e Pesë Yjeve, i themeluar nga Beppe Grillo, krahas Lega Nord-it, janë të orientuar kundër emigracionit në Itali.
– Partia e Lirisë është një parti e së djathtës ekstreme me një platformë për kufizimin e emigracionit dhe forcimin e kufijve të Austrisë. Siç duket, pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale, kjo parti ka një shans që të fitojë zgjedhjet legjislative të vitit 2018.
– Fronti Kombëtar në Francë, një parti euro-skeptike dhe nacionaliste, e drejtuar nga Marine Le Pen (që po përpiqet ta shkëpusë partinë nga rrënjët e veta neo-fashiste) po synon që të fitojë mbështetje të re me një retorikë anti-emigracion dhe politika proteksioniste. Vetë Le Pen, si kandidate për presidente, ka premtuar shkëputjen e Francës nga Eurozona dhe mbajtjen e një referendum (“Frexit”) për daljen e saj nga BE-ja.
– Partia për Liri, është një parti e së djathtës ekstreme në Holandë, e udhëhequr nga Geert Wilders, i njohur për pozicionin e tij armiqësor ndaj Islamit. Ai është akuzuar për nxitje të urrejtjes racore e fetare.
– Alternativa për Gjermaninë është një parti e ekstremit të djathtë me pozicion anti-euro. Ajo drejtohet nga Frauke Petry, e cila shkon deri aty sa të kërkojë që policia kufitare të qëllojë kur kalohet kufiri në mënyrë ilegale, madje edhe kur zhvendosjet janë masive.
-Podemos, është një parti e konsideruar e ekstremit të majtë. Ky grupim me orientim majtist-populist, i drejtuar nga Pablo Iglesias, po e rrit elektoratin e vet duke shfrytëzuar krizën në Spanjë. Ka një qëndrim tejet opozitar kundër masave të ashpra apo korporatave..
-Syriza është koalicion partish me orientim për nga e majta dhe e majta radikale në Greqi. Udhëhiqet nga Aleksis Cipras, i cili, fillimisht, iu kundërvu masave të ashpra “alla Merkel” për rimëkëmbjen e ekonomisë.
Një grup tjetër është Partia Pirate në Island, e drejtuar nga Birgitta Jonsdottir, një ish aktiviste e Uikiliks-it (WikiLeaks). Një grupi të tillë iu dha dhe mandati që të formonte një koalicion qeverisës sipas një platforme populiste të demokracisë së drejtpërdrejtë. Pozicionime anti-emigracion ndeshen në Danimarkë tek Partia e Popullit, në Hungari tek Lëvizja për një Hungari më të mirë (që është një parti politike radikale nacionaliste), në Finlandë tek grupimi Finlandezët e vërtetë, në Suedi, tek Demokratët suedezë; etj. .
Shfaqja e populizmit në variante të ndryshme
Populizmin e ndeshim në Perëndim në forma të ndryshme, si në krahun e majtë, ashtu dhe atë të djathtë. Qëllimi kryesor është për të ngritur popullin kundër autoritetit të pushtetit, ndërtesës politike dhe strukturave tradicionale: ose të korruptuara, ose të lëna pas nga ndryshimet teknologjike. P.sh., në Spanjë, Podemos është kundër kastës së vjetër politike (të ashtuquajturës “la casta”). Partia e Pavarësisë në Britani, si grupim i djathtë, synon zhvlerësimin e demonizimin e elitës liberale të deritanishme. Grupimi i Beppe Grillo-s është kundër “tre grupimeve shkatërrimtarëve: gazetarëve, industrialistëve dhe politikanëve”, etj.
Ashtu si populizmi i viteve 1920-të dhe 1930-të (jo vetëm në Gjermani e Itali, por dhe vende të tjera), edhe eksplozioni populist aktual nuk duket që të jetë një aberracion kohe. Sot, parti e lëvizje të ndryshme po përfaqësojnë një prirje të furnizuar prej pakënaqësive të mëdha në situatën e krijuar. Vetë elitat teknokrate kanë humbur jo pak besueshmërinë e tyre publike, sidomos me krizën financiare globale të shfaqur më 2008 e në vazhdim. Në këtë kuptim, fuqizimi i lëvizjeve populiste i detyrohet, në radhë të parë, rritjes së mëtejshme të pabarazive ekonomike e gjeografike në vendet Perëndimore dhjetëvjeçarët e fundit. Megjithatë, për më optimistët, populizmi mbetet thjesht një lëvizje proteste, sado e rrezikshme dhe rrënuese. Ajo do të zbehet në kohë me anë të humanizimit të globalizimit dhe zhvillimi shumë-kulturor. Janë këta të fundit që udhëhiqen nga forca të pakthyeshme të vetë progresit teknologjik e demografik. A është kjo e vërtetë? Në fakt, një shikim i shpejtë i historisë tregon se vërtetësia e një pohimi të tillë është e dyshimtë. Kështu, p.sh., globalizimi pati një ecuri të kundërt në vitet 1920-të e 1930-të, pavarësisht përdorimit të teknologjive të reja të komunikimit e telekomunikimit, si telefoni dhe aeroplani…
Pretendime për një rend të ri botëror dhe një nacionalizëm të ri
Pas Luftës së Dytë Botërore, për një apo dy gjenerata, elitat Perëndimore arritën të gjenin një konsensus mbi mjaft çështje madhore, me anë të një “martese”, të mbështetur mbi përfitimet e tregtisë së lirë, teknologjive të reja dhe vetë emigracionit. Por, me kalimin e viteve, njëtrajtshmëria e përgjigjeve ndaj problemeve bazike krijoi, gradualisht, jo pak diferencime e shqetësime, deri duke kërcënuar vetë rrjedhjen e procesit politik, ekonomik e social. Në mënyrë të veçantë, kriza ekonomike financiare dhe pabarazitë e shtuara ndihmuan disa udhëheqës populistë (Farage, Le Pen, etc.) për ta rritur vitet e fundit audiencën e tyre; sidomos gjatë vitit 2016. Ajo, që ata po kërkojnë, nuk është BE-ja, por një mozaik shtetesh në Evropë. Pra, në vend të një bashkimi të integruar me një treg të përbashkët, me monedhë të njëjtë dhe kufij të hapur, ata preferojnë shtete kombëtare dhe kufij të mbyllur të tyre. Shkurt, duan një Evropë të njëjtë me atë që ishte para eksperimentit të madh – ndërtimit të BE-së, pa e vrarë mendjen se ky eksperiment i mençur, ky ndërtim inteligjent u projektua me synimin e madh të parandalimit të cikleve të pafundme të luftërave midis kombeve evropiane…
Po të ecet më tej në këtë drejtim të kundërt, ajo që vjen pas është krejtësisht e pasigurt. Madje dhe vetë realizimi i Brexit po del i vështirë, pavarësisht skenarëve të mundshëm të tij (gjysmë-anëtarësia, EEA (European Economic Area) si Norvegjia; EFTA (European Free Trade Association) si p.sh. Zvicra; FTA (Free-Trade Agreement); Bashkimi Doganor (Custom Union) si Turqia; CETA (Comprehensive Economic and Trade Agreement) si Kanadaja; përafrimi MFN (Most Favored Nation)/WTO (OBT). Edhe pse ekonomia britanike po reziston, rritja ekonomike po duket më e ngadalshme nga ajo që pritej nga anëtarësia në BE.
Është interesante të kujtohet se Presidenti Regani, kur po zgjidhej, e përshkroi Amerikën si “një qytet llamburitës”, si një vend që do të kontribuonte për ta mbajtur botën të sigurt. Ai vetë e ëndërronte Amerikën “jo të orientuar brenda vetes, por jashtë saj, për nga të tjerët”. Përkundrazi, Presidenti Trump është betuar për të pasur Amerikën të Parën. Madje, premtimi i tij është se ai nuk do të lejojë që “ta dorëzojë këtë vend dhe popullin e tij tek kënga fals e globalizmit”. Pra, ndryshe nga Amerika e Reganit, që shfaqej besimplotë dhe rrezatonte optimizëm global, përafrimi i Trumpit shfaqet si një nacionalizëm i llojit të ri, i mbështetur në një proteksionizëm ekonomik të qartë. Ndërkohë, udhëheqësit e Rusisë, Kinës, Turqisë, etj., kanë përqafuar dhe po zhvillojnë një shikim “pesimist” mbi çështjet e jashtme, duke i konsideruar ato si një “zero-sum game” (“lojë me shumë zero”), ku interesat globale konkurrojnë me ata kombëtare, por gjithmonë duke i nënkuptuar parësore këto të fundit. Veçse po të vazhdohet të ecet më tej në këtë drejtim, bota e jonë do të bëhet më pak globale, pra dhe shumë më e mbyllur. Dhe dihet rezultati! Prandaj, kjo tendencë duhet të stopohet para se të shkohet më larg…
Nacionalizmi civic dhe ai etnik
Në përgjithësi, nacionalizmi është një koncept i rrëshqitshëm, pra dhe i lehtë për manipulim (shihni, p.sh., R. Meidani, Kurthet e shtetit-komb, Toena, 2005; R. Meidani, Las trampas del Estado-nacion, Siddharth Mehta Ediciones, Madrid 2007). Por, “nacionalizmi i mirë”, le ta quajmë “civic” apo patriotizmi gjithëpërfshirës përmban në vetvete vlera universale si liria dhe barazia. Në kontrast me të është “nacionalizmi etnik”, që rezulton me “shumë zero” (zero-sum), dhe që është agresiv e nostalgjik. Në vitet e errëta të gjysmës së parë të shekullit 20, ky nacionalizëm etnik e çoi Evropën në luftë. Sot, nacionalizmi etnik po frymëzohet e ushqehet gati kudo. Në Rusi, Vladimir Putin u kundërvihet vlerave universale me anë të një përzierjeje të traditave ruse e sllave dhe atyre të krishtere ortodokse. Në Turqi, Erdogan i ka kthyer shpinën BE-së (por dhe ajo atij prej vitesh me vonesat e mëdha të saj!) dhe po ushqen njëfarë nacionalizmi islamik, me ëndrrën e një neo-perandorie osmane. Në Indi, Narendra Modi, nga një anë, shfaqet si luftëtar i një bashkekzistence fetare e etnike dhe një modernizmi Perëndimor dhe, nga ana tjetër, mban lidhje me grupe Hindu, radikale e nacionaliste, që predikojnë shovinizmin dhe jo tolerancën. Në Kinë, nacionalizmi po bëhet aq i egër, sa partia komuniste e ka gjithnjë e më të vështirë kontrollin e tij….
Sidoqoftë, nëse ky lloj nacionalizmi etnik prosperon më tej, në mënyrë të natyrshme lind kjo pyetje shqetësuese: Çfarë do të ngjasë me eksperimentit më të madh botëror në “post-nacionalizëm”? Në fakt, arkitektët e atij projekti, të ndërtimit të BE-së, kanë besuar se nacionalizmi, që i përfshiu popujt e Evropës në dy luftëra gjakatare e shkatërrimtare, do të vyshkej me kohë dhe do të vdiste. Po ashtu, besohej dhe ende besohet se rivaliteti kombëtar, në BE, mund dhe duhet të “shtrydhet” nëpërmjet një morie identitetesh, p.sh., nga të qenit alzasian, francez, gjerman e evropian në të njëjtën kohë. Por, në shumë pjesë të BE-së kjo nuk ka ndodhur! Kështu, britanikët votuan pro largimit nga BE-ja, ndërsa në disa vende ish komuniste si Polonia e Hungaria pushtetin e kanë marrë ultra-nacionalistët. Një rrezik në rritje po ekspozohet në Francë, ku kandidatja presidenciale Le Pen flet për një mundësi shkëputjeje të Francës nga BE-ja. Ky do të ishte dhe fundi i projektit evropian!…
Edhe nacionalizmi i ri i Trumpit, me një nuancim antiglobal, dhe proteksionizmi i tij ekonomik: a) brenda vendit, mund të ushqejë jo tolerancën, dyshimin, deri frikën ndaj pakicave e emigracionit; ndërsa b) jashtë vendit, mund të vështirësojë zgjidhjen e problemeve rajonale e globale, në mungesë të rolit dhe kontributit të ShBA-së. Sipas Trumpit, nëse aleatët e Amerikës nuk do të paguajnë për sigurinë që marrin, atëherë Amerika do të largohet nga struktura të tilla sigurie. Nëse një gjë e tillë do të ndodhë realisht, rezultati i drejtpërdrejtë do të jetë një botë e pasigurt dhe e paqëndrueshme, sidomos kjo pasiguri do të shfaqet në vende të vogla, të cilat sot mbrohen nga rregulla globale dhe struktura ndërkombëtare. Por, le të shpresojmë se Amerika nuk do ta braktisë vizionin e saj global!…
Çfarë duhet bërë?
Në këtë situatë të re, një urgjencë e vërtetë është rikonceptimi i globalizmit, riorientimi fondamental dhe rindërtimi i tij, sidomos në shqyrtimin e sfidave kryesore të kohës sonë: rritjes së pabarazive dhe ngrohjes globale. Për këtë qellim, duhen hartuar e miratuar traktate të reja në përgjigje ndaj këtyre sfidave. Parë me këtë sy, në gjykimin tim, çështja e liberalizimit të mëtejshëm të tregtisë nuk përbën më një fokusim kryesor. Madje, nuk duhet të firmosen më marrëveshje ndërkombëtare për reduktim detyrimesh doganore apo barrierash të tjera komerciale pa përfshirë masa kufizuese e sasiore ndaj abuzimit fiskal dhe atij mjedisor. E thënë ndryshe, nuk mund të negociohen më traktate për tregtinë e lirë pa përfshirë diçka tjetër në shkëmbim. P.sh., marrëveshja CETA- marrëveshja e re e tregtisë së lirë BE/Kanada i takon një lloji të kaluar, sepse ajo nuk mund të konsiderohet e balancuar, por është thjesht komerciale dhe pa masa shtrënguese mbi çështje fiskale e klimatike.
Pra, është koha për ta rimarrë debatin politik mbi globalizimin; sepse tregtia është e rëndësishme, por, ama. zhvillimi i drejtë, i qëndrueshëm dhe i ekuilibruar ka nevojë për shërbime publike më cilësore, një infrastrukturë, edukim, përkujdesje shëndetësore e mjedisore më të mirë. Nga ana tjetër, edhe sistemi tatimor duhet të jetë i mirë-studiuar dhe i drejtë. Nëse kërkesa të tilla nuk plotësohen si duhet, lëvizja “anti-establishment” do të dalë në plan të parë. Për më keq, nëse ajo kombinohet me nacionalizmin e ekstremit të djathtë dhe proteksionizmin ekonomik atëherë dihet rezultati. Prandaj, në kundërvënie ndaj tyre, duhet të zhvillohet një strategji e qartë, që u përgjigjet kërkesave, nevojave dhe të drejtave të njerëzve të thjeshtë. Kjo nënkupton investime serioze publike, një zhvillim industrial bashkëkohor dhe mbrojtje të mjedisit, krijimin e vendeve të reja të punës, mbështetjen e biznesit të vogël, etj. Natyrisht, tregtia do të ketë rolin e vet në ndërtimin e një bote më të mirë por, nga ana tjetër, kërkohet një shqyrtimi i ri më serioz mbi mekanizmat dhe politikat e saj.
Pjesë nga fjala e mbajtur në konferencën “Democratic Security in a Time of Extremism and Violence. Current Perspectives: The Western Countries”; Cairo, 14-16 January 2017.