Shpendi Topollaj: Vetëm një zë duhet të kenë shqiptarët për mbrojtjen e Kosovës

134
Sigal

Të moshuarit, por edhe ata që e njohin sado pak historinë, patjetër që e kujtojnë fillesën e konfliktit në vitin 1948 pas largimit të britanikëve, midis hebrejve që krijuan shtetin e Izraelit dhe palestinezëve të përzënë nga tokat e tyre, të cilët atë që ndodhi e quajtën “Al Nakba”, d.m.th. “Katastrofa”. U bënë kaq vjet, u zhvilluan aq e kaq bisedime me përkujdesjen e diplomacisë ndërkombëtare dhe ende, jo vetëm që nuk është zgjidhur problemi, jo vetëm që nuk bëhet fjalë për paqe, por gjaku, si rezultat i konflikteve të vazhdueshme, vazhdon të derdhet. Mesa duket, vajti kot edhe dhënia e çmimit “Nobel” në vitin 1994 Jaser Arafatit dhe Yitzhak Rabinit e Shimon Peresit. Dhe vështirë se do të gjendet një formulë e gjithpranueshme për t`i dhënë fund mosmarrëveshjeve dhe konflikteve arabo – izraelite, sado bisedime mes palëve të bëhen. E solla në vëmendje këtë moment nga historia jo e largët, për të hequr një paralele me atë që po ndodh midis Serbisë dhe Kosovës, ku edhe pse janë përqendruar të gjitha energjitë e diplomacisë ndërkombëtare, përsëri gjenden shkaqe për acarime, e konfrontime, që nuk paralajmërojnë asgjë të mirë. Aktualisht, sebepi, pas çështjes së targave, ku qeveria e Kosovës u detyrua të lëshonte pe, është gjetur ajo e paszgjedhjeve në Veri të Kosovës, në komunat me shumicë serbe.

Tashmë dihet se duke marrë direktiva, në mos, urdhra nga Beogradi, popullsia serbe i bojkotoi ato zgjedhje, Në këto kushte edhe pse në pakicë, me të drejtë u vendos që kryetarët e dalë nga votat e shqiptarëve të fillonin nga detyra e pastaj duke parë e duke bërë. Mirëpo, bojkotimi kaq e pati dhe autorët e saj, përsëri në zbatim të skenarit të parapërgatitur, u gjallëruan dhe rrëmbyen hunjtë për të penguar të zgjedhurit të ushtronin detyrat e tyre kushtetuese. Ju turrën egërsisht policisë së Kosovës dhe nuk kursyen as forcat e KFOR – it.Këto veprime, pakica serbe nuk guxoi t`i bënte as mbasi përfundoi lufta dhe Serbia pranoi humbjen, pra kur situata ishte e tensionuar dhe pakënaqësia e kuptueshme dhe po trimërohen tani pas kaq vitesh. Kjo, për atë që i ndjek nga afër zhvillimet politike, por edhe për këdo që i ka sytë në ballë është rrjedhojë e marrjes me të mirë të qeverisë së Aleksandar Vuçiçit, dhe e lëshimeve të njëpasnjëshme nga ana e diplomacisë perëndimore. Kjo e fundit nuk është se nuk ka arsye për t`u sjellë kështu, pasi kërkon me çdo kusht ta tërheqë sa të mundë Serbinë nga Rusia agresive, pas barbarisë që ajo po demonstron prej mbi një viti ndaj popullit paqësor ukrainas. Por rruga që është zgjedhur për ta realizuar këtë largim të Serbisë nga sivëllezërit e tyre rusë, nuk është e duhura. Pikë së pari, ajo nuk ka për të ndodhur asnjëherë dhe së dyti, nuk ka pse të sakrifikohet dinjiteti, interesat dhe sovraniteti i brishtë i shtetit të Kosovës. Ta trajtosh Kryeministrin e Kosovës, kushdo qoftë ai, si një manekin të bindur është gabim i madh. Po ashtu, të mendosh se ke të drejtë që të mbërrish synimet e tua duke e trajtuar atë vend si plaçkë tregu, kjo është e papranueshme. Boll ka vuajtur dhe ka sakrifikuar populli kosovar prej barbarëve serbë. Mijra e mijra të vrarë, më së shumti djem e vajza të reja, me varr e pa varr, bota nuk ka përse t`i harrojë. Ajo përzënia e madhe që ndodhi në vitin 1948 në Lindjen e mesme, me emrin “Katastrofa” a nuk ngjau me përmasa edhe më të mëdha me popullin e Kosovës? Janë serbët ata që i detyrohen popullit të Kosovës për krimet e panumërta që kryen. Duke u mbetur përjetë mirënjohës forcave të NATO – s me SHBA në krye, duhen parë me zgjuarsi edhe qëndrimet e tanishme të diplomatëve perëndimorë. Dhe në qoftë se diçka nuk përputhet me interesat e Kosovës, kësaj zgjuarsie i duhet shtuar edhe burrëria për të thënë mendimet e tua dhe për të marrë vendimet e duhura afatgjata. Por kjo arrihet kur midis vetë ne shqiptarëve të unifikohen mendimet e qëndrimet. Se pak a shumë në terren dhe debate politikanësh a opinionistëve po konturohen dy qëndrime. Kemi një përvojë të hidhur nga ajo Konferenca e famshme ku shkuam me katër delegacione. Të nxjerrim mësime prej saj. Disa e sulmojnë kryeministrin Kurti e disa e lëvdojnë. Disa e kritikojnë e disa e inkurajojnë. Disa i thonë se ato që bën nuk janë legjitime e disa se ke vepruar sipas Kushtetutës. Disa i thonë se duhet të konsultoheshe me të huajt e disa se duhet të vendosë me këmbëngulje autoritetin e shtetit tënd. Disa e quajnë deri tradhtar e disa atdhetar. Dhe e keqja më e madhe është se kritika e sulme atij dhe qeverisë që drejton i vinë nga Shqipëria dhe qeveria e saj. Flitet në Shqipëri për Kosovën sikur të bëhej fjalë për ishujt Tonga apo Tuvalu, andej nga Oqeani Paqësor. Sikur nuk i dimë dhe nuk i njohim hallet, vuajtjet dhe aspiratat e saj. Sikur nuk i kemi provuar në kurriz të këqiat që na kanë ardhur nga Serbia. Sikur Kosova ashtu sikurse edhe Çamëria nuk janë Shqipëri. Sikur vërtetë besojmë se ai shtet do i dojë shqiptarët dhe do i qëndrojë korrekt marrëveshjeve. Sikur neve na kanë besuar të mbrojmë interesat e supershteteve, qofshin këta dhe aleatë. Kjo është një koniukturë e radhës, por natyrisht që nuk është e fundit. Mitologjia e kishte mençurinë dhe largpamësinë që krahas Perëndeshës së Paqes Irenës që në njërën dorë mbante bririn e bollëkut e në tjetrën degën e ullirit, të vinte dhe atë të luftës, Aresin, me fytyrën e egërsuar dhe helmetën në kokë. Përsa na takon neve, as që diskutohet që do t`u mbetemi besnikë të palëkundur aleatëve tanë, dhe do t`i plotësojmë pa asnjë mëdyshje detyrimet apo kërkesat e arsyeshme që do të kemi. Por kjo nuk duhet kuptuar që edhe kur këto kërkesa i tejkalojnë ndjeshëm detyrimet dhe cënojnë sado pak interesat tona, të mos u themi atyre peqe e lepe për gjithçka. Ne po e shohim se kryeministrin e Kosovës, diplomatët edhe po e kërcënojnë. Kjo është krejt e padrejtë dhe nuk duhet pranuar. Pastaj, a nuk ka Parlament Kosova? Atje dhe vetëm atje duhen marrë vendimet e rëndësisë strategjike. Si mbeskan marrëdhëniet mes dy vendeve në dëshirat e dy vetëve: Aleksandar Vuçiçit e Albin Kurtit? Ndeshjen e dy komandantëve të legjioneve kundërshtare si në lashtësi, le t`u lëmë filmave të Hollivudit. Të konturuara kështu, marrëveshje me firmë dhe pa firmë, me lehtësinë më të madhe, mund të shkelen nesër kur të vinë në drejtim të qeverive respektive të tjerë njerëz. Dhe ta dini: rufjanët e diplomacisë dhe politikës serbe, pak nga pak do t`u rrisin kërkesat. Në këto kushte, sikur të ngjasë e pangjara dhe diplomacia ndërkombëtare, e shtyrë nga nevoja për ta izoluar pansllavizmin, t`i thotë qeverisë së Kosovës që të bashkohet me Serbinë, atëherë më thoni: do e pranojmë këtë, se na e kërkojnë aleatët, apo do ngrihemi i madh e i vogël në mbrojtje të lirisë e pavarësisë së saj. Se kur preket Kosova, është prekur Shqipëria.