Shpendi Topollaj: Iku dhe Znj. Juri Kim, por ç’la pas?

410

A nuk është ajo protagoniste e gjoja reformës në drejtësi, kur atë edhe i verbëri e sheh se është e kapur… nga vetë ajo? Ne i shohim vendimet e njëanshme, që jepen dhe që janë larg, shumë larg pavarësisë, duke mbajtur haptazi nga dëshirat e pushtetit. Dhe për ta lënë këtë pushtet nën fre, nuk ka më mirë sesa ta shpartallosh opozitën. Me atë opozitë që ka qënë e para pro amerikane, pasi pikërisht për këtë prirje është pushkatuar, burgosur, persekutuar e shpërfillur. Aq cinike dhe e egër u tregua ambasadorja sa evokoi për ta fjalët e shokut Enver, armikut më të madh të Amerikës, ‘se do të hani bar’…

Sigal

Në historinë e Shqipërisë moderne, brenda harkut kohor të rreth 25 vjetëve, dy gra do të mbahen mend gjatë për rolin, që luajtën për krijimin e situatave konfliktuale me pasoja të pariparueshme, çka do të jetë edhe një njollë turpi për vetë ne: Sudja e fajdeve dhe ambasadorja Juri Kim. Antipode të njëra – tjetrës, njëra pa asnjë vlerë intelektuale dhe tjetra me kulturë dhe karrierë të admirueshme diplomatike, njëra pa ditur se ku do shkonte puna e tjetra me llogari matematike, njëra me fytyrën gjithmonë të habitur e plot frikë e tjetra e pa depërtueshme, por që s`e fshihte një ndjenjë supremacie prej guvernatoreje, njëra me nismën e vet dhe tjetra duke zbatuar detyrat e ngarkuara, ato i sollën shoqërisë tonë me gjendje ekonomike, shpirtërore dhe sociale të tronditur, një dëm që s`do ketë të ndalur. Të pa ngjashme ato ishin edhe në fatin e vet, pasi njëra përfundoi e mbyllur pas hekurave e tjetra u largua me mendimin se lavdia do ta ndiqte pas, gjë që e konfirmoi edhe ngritja e saj në detyrë për të pasur në mbikqyrje Evropën mbarë. Dhe në qoftë se kapitulli i ngjarjeve të 97 – ës me protagoniste qyqaren Sude po shkon drejt fundit, kapitulli i asaj që mbolli zonja Juri Kim, mesa duket sapo ka nisur. E në,qoftë se te rasti i mashtrimit të parë kemi edhe vetë ne pjesën e rëndësishme të fajit, pasi po shkelnim në rrugë të panjohura për të dalë nga varfëria, në rastin e dytë jemi akoma më fajtorë, pasi u vetmashtruam me vullnet të plotë edhe pse e kuptonim më së miri se nënshtrimi ndaj kujtdo qoftë, asgjë të mirë nuk do të sillte, veç humbjes së dinjitetit kombëtar dhe njerëzor. I referohemi përherë demokracisë amerikane si modeli më i arrirë, por kemi harruar se mësimet e saj janë të domosdoshme për t`u zbatuar nga çdo shtet që kërkon ta ndërtojë atë. Kushdo që e njeh sado pak historinë e demokracisë të atij vendi të madh, duhet t`i kujtohet ajo broshura prej 50 faqesh e Tomas Penit me titull “Gjykimi i shëndoshë”, ku pasi kritikonte e tallte pa drojë vetë mbretin, shprehej se një njeri i ndershëm vlente më shumë se “gjithë maskarenjtë me kurorë të kësaj bote”. Dhe pak më vonë, në vitin 1790 ishte Tomas Xhefersoni ai që deklaronte se “Çdo njeri apo grup njerëzish në këtë botë, ka të drejtën e vetqeverisjes”. Atëherë, me të drejtë lind pyetja: Po ne përse ua dorëzuam çelsat e shtëpisë të huajve? Po ata përse krijuan me ne marrëdhënie vartësie? Si erdhi puna deri sa të shkojmë pas të huajve si Oso mbas daive? Pse e lejuam ambasadoren e një vendi tjetër, qoftë ai dhe më i fuqishmi i globit, të na vërë kapistallin? Mos vallë i mungojnë burrat e ndershëm, të mençur, të ditur e trima Shqipërisë? Jo or jo! Këtë ne e kemi peshqesh së pari nga politika servile, që ndjekin ata që kemi votuar dhe tremben se mos i hapin telashe vetes, po kërkuan vetqeverisje pa asnjë tutelë. Dhe këtë klimë fetishizimi ndaj ndërkombëtarëve ata e përhapën edhe në popull me anë të mediave apo në takime direkte. Por edhe në këtë klimë përuljeje, asnjë ambasadori, e ca më shumë përfaqueses së SHBA nuk i lejohet të marrë atribute, që nuk i takojnë, pasi kjo ka shumë më tepër të këqia sesa të mira. Të këqiat vinë me radhë: humbet integriteti e sovraniteti i vendit, nëpërkëmbet dinjiteti kombëtar dhe autoriteti i atdheut në sytë e shteteve të tjera, dobësohet besimi në rolin e qeverisjes, krijohet ideja e gabuar se gjithçka do na vijë nga jashtë, deri edhe mbrojtja e vendit, vendimet merren jo në interes të shqiptarëve, por të të fuqishmëve, dhe ato ndryshojnë sa herë i ndryshojnë ata politikat. Natyrisht që para kësaj situate edhe roli i përfasuesve të atij vendi, do ndërhyjë vend e pa vend, pasi është i sigurt se nuk e kundërshton askush. Kryeministri ynë apo anëtarët e kabinetit të tij, le pastaj deputetët, le të kapardisen sa të duan, dhe le t`i ndërrojnë kravatat jo çdo ditë, por çdo orë; në sytë e popullit të tyre, më e rëndësishme është zonja ambasadore. Po ku ngjet kjo? Le pastaj, kur shkohet akoma më tej, si në rastin e zonjës Juri Kim, kur ajo mbjell përçarje mes partive, politikanëve dhe vetë popullit. A nuk është ajo protagoniste e gjoja reformës në drejtësi, kur atë edhe i verbëri e sheh se është e kapur… nga vetë ajo. Ne i shohim vendimet e një anshme që jepen dhe që janë larg, shumë larg pavarësisë, duke mbajtur haptazi nga dëshirat e pushtetit. Dhe për ta lënë këtë pushtet nën fre, nuk ka më mirë sesa ta shpartallosh opozitën. A nuk ngjau kjo me opozitën shqiptare. Me atë opozitë që ka qënë e para pro amerikane, pasi pikërisht për këtë prirje është pushkatuar, burgosur, persekutuar e shpërfillur. Aq cinike dhe e egër u tregua ambasadorja sa evokoi për ta fjalët e shokut Enver, armikut më të madh të Amerikës, se do të hani bar. Por ajo fliste kështu, pasi e kishte gjetur pikën më delikate me atë “Non Gratën” e famshme, misteret e së cilës, nuk u thanë kurrë, pasi mesa duket, do t`i marrë me vete në varr. Ajo e dinte mirë se në Shqipëri askush nuk e vinte në dyshim aleancën me SHBA. Por ishte më mirë që ajo të mbetej si tempulli i Delfit në Fokidë, që e lakmonin dhe i faleshin të gjithë, deri dhe mbreti i Lidisë, Krezi. Bah! Sa frikë e kishin priftëreshën Piti atje te ai guri gjysmërrethor, Omfali që thuhej se qe qendra e botës! Pitia, iku, por profecia e saj lëshuar në atë dalldinë dhe tymnajën mbi pirusti vazhdon. Fjalët e saj të ngatërruara, priftërinjtë e tjerë të tempullit do t`i sistemojnë me kujdes që të kenë dy kuptime, për t`i ngatërruar pelegrinët e shkretë akoma më keq. Më keq, sa nuk i dihet fundi. Apo deri sa të kacafyten me njëri – tjetrin, vetëm për një fjalë magjike të gjetur atje në administratën ku drejton sekretari Blinken. Se nga ky zotni e ca të tjerë, kjo përçarje vijoi edhe te problemi i Kosovës, ku u krijua artificialisht një furtunë në gotë, jehonën e të cilës do ta shohim. Por që ngatërroi edhe vetë shqiptarët, derisa duke u përbetuar për dashuri ndaj aleancës, Kryeministri ynë i ra shkurt: u parapriu masave ndëshkuese që do të merren ndaj vëllezërve tanë dhe vetë Kosovës në rast se nuk i plotësojnë dëshirën ndërkombëtarëve për t`i fërkuar kokën Aleksandar Vuçiçit. Se pak është ndëshkuar dhe ka vuajtur Kosova gjithë jetën nga mizoritë e serbëve. Or shqiptarë! Mos bëni sikur nuk e kuptoni. Ja ku po ua them unë: Hapni sytë se na e kanë me hile! Dhe rrjedhojat e këtyre hileve do t`i shikojë me krenari si suksese të sajat ish ambasadorja nga maja e Olimpit ku do të ngrejë tani e tutje selinë e saj. Dhe mos harroni se Virgjili që edhe sot e kësaj dite nuk duket aq i largët nga ne, te vepra e tij madhore “Eneida” nuk ka folur vetëm për romakët kur thosh “Audaces fortuna juvat”, pra “Fati ndihmon të guximshmit”.