Sevo TARIFA/ Rinia- shtylla e çeliktë e LANÇ-it

1751
Sigal

Në kuadrin  e 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut

 “Kjo Shqipni ka lindur burra,/që nuk njohin dy flamura”!” (Shahin Toçi, dëshmor)

Parafjalë

Rreziku i pushtimit të Shqipërisë nga fashizmi italian ishte ndier prej kohësh, Të paktën tre janë faktet:

Fakti i parë. Lufta e Vlorës. Fashizmi italian u lind më 1922-n, kur në krye të shtetit erdhi Musolini, por Italia u përpoq ta pushtonte Shqipërinë më 1920, dy vjet më parë! Dihet si përfundoi kjo luftë. E thonë vargjet e popullit: “Italianët u hodh në det/ Në vitin nëntëqindenjëzet/ Fitorja jonë historike/ Ndezi zjarr në ato vite”.

Fakti i dytë. Ushtarakë e civilë italianë kishin ardhur në Shqipëri para 7 prillit 1939. Vepronin fshehurazi dhe haptazi për përpunimin psikologjik e ideologjik, të rinisë së Shqipërisë, me qëllim fashistizimin e saj..

Fakti i tretë. Shkëndijën e parë të Antifashizmit shqiptar e ndezën komunistët Qemal Stafa, Vasil Shanto e komunistë revolucionarë të tjerë, të cilët ishin të burgosur nga regjimi i Zogut. Këta heronj kishin paralajmëruar pushtimin fashist të vendit tonë. Kërkuan të shkonin nga burgu në frontin e luftës. Por mbreti tradhtar, jo vetëm nuk i liroi, por u shtrëngoi edhe më shumë “darën e rrethimit”, duke i “siguruar” me më shumë xhandarë! Grupet komuniste e patriotë të vërtetë që e ndienin rrezikun e pushtimit, vepronin guximshëm si Ali Kelmendi, Baba Faja Martaneshi, Myslim Peza, Haxhi Lleshi. Enver Hoxha la Korçën, erdhi në Tiranë, në dyqanin “Flora” dhe u vu në krye të rezistencës antifashiste. Shkrimtari Nonda Bulka me skica letrare tallte Duçen dhe Hitlerin. Migjeni shkruante me sarkazëm, ironi dhe ide lakonike ndaj rrezikut të pushtimit fashist. Shkroi mendja e fuqishme e Fan Nolit. Kështu edhe patriotë të tjerë antifashistë.

Ishin këto shenja që paralajmëronin pushtimin fashist të vendit tonë dhe sinjale për qëndresë kundër tij.

Zanafilla e LANÇ

“Nga gryka e maliherit/do të vijë liria”. (Nyzafer Katroçi, dëshmor)

Nuhatja politike u vërtetua. Paralajmërimet ishin largpamësi. Por zanafilla  e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është 7 prilli 1939, kur në orën 5:30 të mëngjesit Shqipëria u sulmua nga 22.000 trupa të mbështetura prej 400 aeroplanësh, 300 tanke të lehtë dhe 12 anije luftarake. 7 prilli i pushtimit italian ishte edhe dita e parë, ndonëse simbolike e LANÇ të Popullit Shqiptar. Italianët e pushtuan Shqipërinë para se sa gjermanët të pushtonin Poloninë. Në Ballkan jemi vendi i parë që u sulmuam. Ajo e premte e zezë është edhe dita e parë e rezistencës së armatosur Antifashiste e Popullit Shqiptar. Qysh në atë mëngjes, u pa qëndresa që u bë nga bij besnikë të popullit në të gjitha pikat e zbarkimit në Durrës, Vlorë, Shëngjin, Sarandë. Pushkën e parë kundër pushtuesve fashistë nuk e zbrazi Abaz Kupi, siç është shprehur Berisha, por heroi Mujo Ulqinaku. “Kush lufton ashtu në këmbë?/ Kush ha hekurin me dhembë?/ Është Mujua një kapter/ që lufton e vdes me nder”. Ushtari Hasan Mëhilli në frymëmarrjen e fundit mundi të thoshte: “Zjarr e hekur do të derdhim shokë! Ta shohin çdo të thotë të shkelësh Shqipërinë” Dhe ra dëshmor. Ranë dhe dëshmorë të tjerë. Zogu i Parë dhe i fundit, tradhtoi. Ndërsa Berisha i ngre monument në Tiranë?!

Rinia në luftë 

“Rinia brofi në këmbë! /Shkrepi zjarr si rrufeja!”

Lufta kundër pushtuesve italianë e gjermanë u rrit e u zmadhua në Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Rinia e ndjente e para rrezikun që i kanosej jetës së saj, mbarë popullit shqiptar, ndaj ishte e gatshme të kacafytej me armiqtë pushtues. Ajo përbente forcën më e gjallë sulmuese. “Rinia ishte shtylla e çeliktë” e kësaj lufte dhe e ndërtimit socialist,- ka thënë Komandanti i Përgjithshëm, Enver Hoxha.  Argumentet:

E para  rinia mbushi radhët e demonstruesve antifashistë në prag e në ditët e para të pushtimit.  Tonin e jepte rinia e Tiranës. Sheshet e kryeqytetit gjëmonin nga zërat e brezit të ri. Kështu edhe në qytetet e tjerë të vendit. Nuk kishte ditë pa demonstrata masive kudo në Shqipëri. Java e parë ziente prej tyre. Këto përsëriteshin në çdo 7 prill e 28 nëntor. Kolonat e rinisë zgjateshin gjithnjë e më shumë me punëtorë, fshatarë e nxënës shkollash. Në ballë prinin komunistët. Në krye të kolonës Flamuri Kombëtar. Fashizmi jepte urdhra: “Porositeni në mënyrë kategorike që të dispononi të gjitha masat preventive që, më 7 prill të mos bëhet asnjë mbledhje ose manifestim, si nga ana e studentëve, ashtu dhe nga populli”.

 E dyta, në prag të pushtimit fashist kryefjala e rinisë ishte: duam armë! Në Tiranë rinia u  sul tek pallati i Zogut që ruhej nga mijëra xhandarë. E revoltuar rinia thërriste: “Armë! Armë!”. Por këto nuk u dhanë asnjëherë nga mbreti dhe pushtetarët e tij. Në Durrës  një grup me Mujo Ulqinakun në krye hapi depot dhe mori armë.  Normalistët e Elbasanit u nisën drejt kazermave të Krastës. Por këtu s’kishte armë. Edhe ato që u gjetën nëpër depo ishin pa shula. Kjo ndodhte edhe në Vlorë. Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Lushnje, kudo në Shqipëri. Por në luftë e sipër armët u gjenden sipas thirrjes së popullit: “Në mos kini armë gjeni, ia rrëmbeni atij qeni”!

 

 E treta, organizimi i rinisë ishte armë e fortë e mobilizimit të saj në Luftën Antifashiste. Dy javë pas themelimit të saj, Partia Komuniste, personalisht Enver Hoxha, krijuan Organizatën e Rinisë Komuniste, që u bë krahu i djathtë i saj dhe udhëheqëse e denjë e Rinisë Antifashiste. Organizimi i rinisë u shtri deri tek fëmijët: Më 10 shkurt 1942 u formua DEBATIK-u, duke hedhur në luftë edhe fëmijët. Vetëm në vëllimin e VII “Yje të pashuar”, ka një syth që titullohet: “Zogj shqiponje”, ku janë 29 fëmijë dëshmorë.

 E katërta, rinia përbënte forcën më të madhe numerike të luftëtarëve të lirisë. Rreth 70 për qind e partizanëve ishin të rinj e të reja, Betimi i tyre: “Jam partizan me yll në ballë/ Për ty, o popull, zot kam dalë”! Heroi Dino Kalenja shprehej: “Këta yje që kemi në ballë janë liria që duam dhe kërkojmë”. Dëshmorja Donika Dule thoshte prerë: “Ne të rejave dhe grave na takon të bëjmë një luftë të dyfishtë, sepse kërkojmë jo vetëm lirinë e Atdheut tonë të dashur, por edhe lirinë tonë si gra, që të mos vuajmë si nënat tona nën zgjedhë të dyfishtë

E pesta, në betejat e luftës, të rinjtë ishin në vijën e parë të sulmit dhe binin dëshmorë në fushën e nderit.. Vetëm në vëllimin 12 “Yje të pashuar” ka 100 dëshmorë, nga 21 rrethe e nga 17 brigada partizane. Nga 11 shkolla të mesme që kishte Shqipëria atëherë, dhanë jetën 390 dëshmorë, midis të cilëve 43 u shpallën më vonë “Hero të Popullit”. Shumë partizanë luftuan dhe nuk u vranë. Mbetën invalidë. Flasin plagët e tyre. U shtruan në spitale partizane mbi 12, 500, prej të cilëve 1.200 mbetën invalidë të përjetshëm, të cilët quhen “Dëshmorë të gjallë”…

E gjashta, shumicën e kuadrit komisar e komandant, që nga skuadra, e përbënin partizanët të rinj në moshë, të cilët ishin plot energji, dituri, shkathtësi e mbi të gjitha atdhetarë të vendosur, liridashës. Lufta për çlirimin e vendit u bë shkollë e përgatitjes dhe e kalitjes së tyre, që mundën edhe gjeneralët fashi-nazistë me akademi ushtarake.

Fazat e luftës

“Shkalla më e lartë e mençurisë dhe e zotësisë, është të mos biesh në grackë”. (Sami Frashëri)

Fashizmi italian ngriti jo pak gracka ndaj rinisë. Por rinia, e frymëzuar nga patriotët paraardhës, nga rilindësit mendjendritur, nga Partia Komuniste, kishte në zemër zjarrin e atdhetarisë, zgjuarsi, mençuri, zotësi dhe ndezi luftën antifashiste. Tek lufta ajo shihte çelësin e fitores. Dhe kush kishte rininë, ai kishte fitoren. Këtë problem Partia Komuniste e zgjidhi jo me fjalë, por me vepra. Në luftën e rinisë kundër pushtuesve fashistë e nazistë dallojmë katër faza kryesore me karakteristikat përkatëse:

Faza e parë, 7 prill 1939-nëntor 1941. Në këtë fazë, tipar karakteristik i rinisë ishte qëndresa dhe lëvizja e saj antifashiste. Përpara rinisë shtrohej alternativa: ose t’i nënshtrohej fashizmit, ose të luftonte kundër tij. Rinia zgjodhi rrugën e dytë: luftë. Aksionet e saj ishin zinxhir: sot grisej e bëhej copa-copa flamuri trengjyrësh italian ose kthehej kokëposhtë. Nesër zhdukej fotografia e Musolinit. Pasnesër shuheshin dritat në shkollën e mesme femërore e në banesa të fashistëve. Dej në mëngjes gjendeshin të shkruara nëpër mure parulla kundër pushtuesve. ..

Faza e dytë, nëntor 1941– gusht 1943, është periudha kur rinia nis t’i drejtohet maleve, aleatëve të partizanëve. Në këtë fazë pjesëmarrja e rinisë në LANÇ ndryshon cilësisht dhe ngrihet në nivel më të lartë, merr tipare të reja:

Së pari, para rinisë shtrohen pikësynime të caktuara, Veprimtaria e saj merr ngjyra të theksuara antifashiste. Pushtuesit tronditen. Në një thirrje të Rinisë Popullore në nëntor 1942 lexojmë: “Të demaskojmë politikën e okupatorit e të tradhtarëve. Të ndihmojmë Luftën Nacionalçlirimtare”. Dhe gra e vajza mblidhnin ndihma për partizanët. Të rinj kryenin detyra të korrierit partizan. Në ballë të rinisë antifashiste  prinin të rinjtë komunistë.

 Së dyti, u shtuan e u thelluan format e luftës antifashiste. Më parë lufta e armatosur nuk përbënte formën kryesore të luftës së rinisë. Goditjet me armë ishin sporadike. Tani rinia i përgjigjej thirrjes: “Forco dhe shtrëngo radhët e tua…formo frontin e pathyeshëm të brezit të ri në luftë kundër zaptuesit”.  Në një qarkore të K.Q të Rinisë thuhet: “Rinia të mbushë radhët e çetave partizane, është koha që ajo të lërë bankat e shkollës, të lërë zanatin, qytetin dhe të luftojë me armë në dorë kundër fashizmit”. Dhe rinia u përgjigjej me gatishmëri  të rrallë: në një ditë në Elbasan lanë shkollën 100 djem e vajza dhe u bënë partizanë. Në Elbasan, brenda ditës lanë bankat e Shkollës Normale 100 djem e vajza dhe dolën malit partizanë. Brenda një dite, 68 vajza nga qyteti i Fierit, Mallakastrës dhe Myzeqesë shkuan partizane. Babai i dëshmorit Ferit Bregu shprehej: “Të pestë djemtë e mi le të shkojnë partizanë”. Dhe katër prej tyre ranë dëshmorë.  Në Tiranë digjen kazerma e depo ushtarake. Në sy të fashistëve rrëmbehen shaptilografë e makina shkrimi. Kështu edhe në qytete të tjerë..

 Së treti, kombinimi i veprimtarisë ilegale me atë legale. Vepronin kudo spiunë të fashizmit. Por për të çmendur kishte të mençur. Bazë ishin shtëpitë e atdhetarëve të vërtetë. Roje nënat trimëresha. “Bazë” edhe mjedise në natyrë. Funksiononin grupet edukative. Shkohej gjoja në piknik apo në ekskursion dhe mësoheshin këngë partizane, Bëheshin  mbledhje të rinjve. Tipike ishin tri pika të rendit të ditës: informacion mbi situatën politike të brendshme e të jashtme, raport për punën e kryer dhe të ndryshme. Në fund merreshin vendime për aksione antifashiste.  Heroi Vojo Kushi, thoshte: “Nuk mund të quhet njësit gueril ai që nuk bën të paktën dy aksione në javë.  Por organizata e Rinisë komuniste nuk mbeti vetëm  Në shtator 1943 u krijua edhe organizata e Rinisë Antifashiste. Në një trakt lexojmë: “Rinia e ka zanun fashizmin për gryke e nuk e lëshon sa ta shikojë të vdekur”. Në një tjetër: “Rinia shqiptare merret vesh me armikun vetëm me tytën e pushkës”. S’ka manovër që na kthen. S’ka forcë që na mposht. Për rininë ka vetëm një rrugë: luftë deri në fitore”.

Së katërti, duke filluar nga mesi i vitit 1943, qendra e rezistencës së rinisë punëtore e shkollore u zhvendos nga qytetet në zona të çliruara e të pushtuara, në veprime të përbashkëta me rininë e fshatit. U rrit pjesëmarrja e rinisë në njësitet guerile e në veprimtaritë ilegale. Në Tiranë vepronin 50 njësite me 600 guerilas. 200 prej tyre  shkuan njëherësh në mal dhe në vend të tyre në njësite guerile pranoheshin të tjerë sypatrembur.  Në rend të ditës qëndronte thirrja: “Lufta e hapur është i vetmi qëndrim kundër zaptuesit. Çdo bir i këtij vendi të jetë një ushtar i LANÇ”-it. Tani rinia kishte hyrë në rrugën e kryengritjes së armatosur.

Së pesti forcimi i unitetit i të rinjve me prindërit në luftë kundër pushtuesve të huaj e tradhtarëve të vendit. Flasin dokumente. Fashizmi dhe qeveria antipopullore u drejtonte prindërve thirrjen që “të bëjnë zap fëmijët e tyre”. Në një qarkore të Ministrisë së Arsimit bëhej thirrje: “Prindër, shpëtoni fëmijët, familjen, veten, kombin. Shkolla kombëtare është në rrezik”.  Por kësaj thirrjeje prindërit iu përgjigjën “Ne s’mund të jemi kundër djemve tanë. Në janë komunistë, le të jenë. Zemrat e tyre rrahin për Shqipërinë si dhe tonat”.