Rudina Hoxha/Mençuria Europiane

554
Sigal

Referendumi vërtet ka vlerë shumë të madhe por në rastin tonë një mënyrë e tillë e nxjerr opozitën shqiptare jashtë loje.  Shkurt,  bën që opozitës  ti bie vlera. Dhe një vend pa opozitë, dihet se ç’është.

 Mbasi dhuroi të parin distinktiv të anëtarësimit në Klubin e Bashkimit Evropian (EU Club) në një seminar mbi Evropën dhe Tjetrin, të mbajtur nga fundi i muajit shkurt, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi nënvizoi se: “Evropa bazohet jo vetëm në procedura por edhe në  vlera bazë”. Më tej ai shtoi se janë pikërisht këto vlera që nuk njohin kufij. Pikërisht për këto vlera e kish fjalën edhe Komisionieri i Lartë për Zgjerimin, z.Stefan Fule në reagimin e tij pas vendimit për mbajtjen e një referendumi popullor për miratimin e tre ligjeve të integrimit. Konsensusi është vlerë e paçmuar dhe e pazëvendësueshme e një demokracie që funksionon. Kundërshtimi i prerë z. Fule tregoi edhe njëherë mençurinë europiane. Por edhe faktin se, parimet e demokracisë janë të shenjta për ata që jua dinë vlerat atyre dhe rrjedhimisht ato ose zbatohen dhe respektohen si duhet ose humbja është e madhe. Ky është një mësim që e kemi kuptuar mirë ne shqiptarët tashmë në këto dy vitet e fundit kur integrimi është bërë kryefjala e jetës sonë të përditshme. “Tё zgjedhësh referendumin nё kёtё rast nuk ёshtё mёnyra se si ndёrtohet konsensusi ndёrpartiak. Kjo nuk mund tё jetё një mёnyrё pёr tё anashkaluar mungesën e bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës pёr agjendën evropiane. Kjo nuk ёshtё mёnyra pёr tё plotёsuar kushtet e nevojshme,” tha Fule në reagimin e tij të premten e kaluar. Ndërsa Z. Fule ka qenë dhe vazhdon të jetë i qartë në atë që duhet bërë, politikanët shqiptarë po përpiqen ta bëjnë vendin pjesë të familjes evropiane me anë të manovrave.   Referendumi vërtet ka vlerë shumë të madhe por në rastin tonë një mënyrë e tillë e nxjerr opozitën shqiptare jashtë loje.  Shkurt,  bën që opozitës  ti bie vlera. Dhe një vend pa opozitë, dihet se ç’është. Nga ana tjetër, nëse këto tre ligje të rëndësishme do të bëhen objekt i një referendumi, frika është se një format i tillë mund të ndiqet edhe për ligje të tjera në të ardhmen.  Por si perceptohet mesazhi i z. Fule nga njerëzit e thjeshtë, ato që priten të votojnë këtë 23 Qershor?  “Unë jam dakord me z. Fule. Sepse mënyra si kërkon ai që të bëhen gjërat në Shqipëri është më demokratike, nuk është e imponuar nga dikush siç mund të ndodhë me referendumin. Normal reagimi i tij, patjetër duhet konsensus. Nëse nuk përqafohet konsensusi, s’ka zgjedhje të lira në Shqipëri”, thotë Vladimir G, menaxher i një kompani ndërtimi. Kurse Erjona, studente në Fakultetin e Drejtësisë, viti i tretë: “Vendi ynë ka nevojë për mendje të hapur. Brenda kësaj historie, tingëllon lufta për pushtet. Po u mërzitëm, boll më! Por mund ta vendosim vetë”. “Ndonjëherë është mirë të dëgjojmë veten tonë se sa të tjerët”,- thotë Iliri, i cili mendon se, -“Shqipëria është viktima e luftës midis Perëndimit dhe Lindjes. E ndërsa zgjedhjet po vijnë bashkë me rritjen e temperaturave, shumë premtime po dëgjojmë. Por mos mësojmë si në ‘45-n kur ish- diktatori Hoxha na premtoi se do të hamë me lugë floriri, por në fakt me zor hëngrëm edhe me lugë druri. Por Shqipëria ka bërë ndryshime të mëdha në këto 20 vite. E këto ndryshime do të jenë më të shumta e më të shpejta nëse konsensusit, kësaj fjalë, me origjinë latine që do të thotë “të ndihesh së bashku” do ti dalim ballë për ballë; çdo rrugë tjetër nuk mund t’i ikë dot mençurisë europiane”.