Rajna Kovaçi: Shteti i burrave të shkatërruar dhe i grave të vdekura

42

“Sipas INSAT, më shumë se gjysma e grave dhe vajzave të moshës 15-74 vjeç kanë përjetuar një ose më shumë nga pesë llojet e dhunës. Pa siguri financiare dhe lidhje me botën përreth ju bëheni lehtësisht viktimë e manipulimit. Në një periudhë shumë të shkurtër kohe, ktheheni në një kukull të pafuqishme në duart e një kukulltari me përvojë.”

Sigal

/Telegraf.al/ Para disa ditësh u vra një grua në Kosovë, në moshën më të bukur tridhjetëvjeç, në një fshat pranë Prishtinës, më pas një tjetër: u përdhunuan dy vajza, pastaj një tjetër… një tjetër e një tjetër e kështu me radhë. Shkruajtën gazetat disa ditë me radhë e pastaj u harrua problemi i dhunës kundër gruas. Pra është e vërtetë ajo fjala e urtë se këtu tek ne “çdo çudi zgjat tre ditë”.Mendoj se duhet shkruajtur përditë nëpër gazetat dhe të bëhen emisione për këtë problem kaq akut dhe kaq të rëndë për shoqërinë tonë. Dhuna në familje për çështjen e pronës ka marrë përmasa të frikshme. U vranë dy vëllezër për këtë çështje.

Pas një lajmi tjetër për një grua të vrarë nga bashkëshorti i saj, ka ardhur koha të kuptojmë se ka diçka shumë të gabuar në rritjen dhe edukimin e meshkujve në vendin tonë. Ne nënat shqiptare mbartim gabime në mënyrën e edukimit, rritjes, llastimit, ledhatimit, privilegjet ndaj djemve. Sepse psikopatia e vrasjes së partneres dhe fëmijës së përbashkët për shkak të një ndarje të thjeshtë nuk është e natyrshme dhe nuk ndodh  tek ne gratë. Prandaj në kronikat e zeza nuk ka burra të pushkatuar nga gratë e tyre. Në përgjithësi ndodh e kundërta. Tashmë burrit agresorë nuk i dhimbsen as fëmijët, e vrasin nënën e fëmijëve para syve të tyre, pa i bërë as syri tërt, duke vazhduar të luajë dramën tragjiko –komediane, njësoj si ato dramat Shekspiriane…

Kultura patriarkale, si kjo shqiptare (dhe ballkanike), e shohin emocionin mashkullor si dobësi dhe u imponojmë burrave një frymë konkurruese, që i çon në nocione të ndryshme imagjinare të suksesit, fitores dhe përmbushjes me çdo kusht honorifik. Si rezultat, ne shohim burra “të pjekur”, që nuk janë mësuar të përballen me humbjen,  me refuzimin, me dështimin dhe në përgjithësi me emocionet e vështira. Si dhe për shkak se ata nuk dinë të gëlltisin ndjenjat e tyre të poshtërimit dhe të vetmisë, ata kthehen në agresorë.

Në planin psikologjik, ky është një fenomen me të cilën gratë po përballen, nëse ne gratë nuk e kuptojmë rolin e tyre në këtë proces, nesër djemtë e tyre mund të jenë abuzuesit e rinj. Në shoqërinë e sotme, shtetit nuk duhet t’i interesojë kush dhe çfarë lloj traumash fëmijërie ka kaluar filan vrasës, apo fisteku kriminel. Agresorët duhet të ndiqen penalisht nga ligji dhe të ndëshkohen me gjithë ashpërsinë e tij. Është absurde që gratë të kërkojnë ndihmë nga institucionet dhe nuk arrijnë ta marrin. Është absurde që psikopatët me komplekse dhe frikë të pavetëdijshme të jenë në gjendje të vrasin me qetësi. Është absurde që ne hedhim vështrimin dhe shikojmë Botën e Tretë, ku gratë janë të privuara nga çdo lloj e drejtë si e pronës etj. Dhe shpesh kemi një ndjenjë superioriteti, por në të vërtetë nëse vështrojmë me llogjikë të ftohtë rreth nesh shohim si në vendin tonë vdesin çdo vit dhjetëra gra dhe mijëra janë viktima të dhunës.

Pa e kuptuar, ne po lejojmë që të rriten gjenerata burrash  të rinj të kompleksuar, që janë kudo. Disa prej tyre janë në pushtet, të tjerë bëhen oficerë policie, shpesh tallen me gratë që vijnë për të kërkuar ndihmë duke i këshilluar që t’i zgjidhin vetë problemet e tyre familjare, apo ka edhe të tjerë, që bëhen deputetë dhe refuzojnë të miratojnë legjislacionin e duhur mbi dhunën në familje.

Kështu dalëngadalë po kthehemi në vendin e burrave të kompleksuar të këtyre burrave të “dëmtuar dhe grave të vdekura”. Dhe nëse nesër ju që komentoni se ndonjëherë gratë e meritojnë drurin, ndodh që mund ta gjeni vajzën tuaj të pushkatuar ose të vrarë dhe djalin tuaj të arrestuar, ju lutem mos u habitni shumë….

“Kultura patriarkale, si kjo shqiptare (dhe ballkanike), e shohin emocionin mashkullor si dobësi dhe u imponojmë burrave një frymë konkurruese, që i çon në nocione të ndryshme imagjinare të suksesit, fitores dhe përmbushjes me çdo kusht honorifik. Si rezultat, ne shohim burra “të pjekur”, që nuk janë mësuar të përballen me humbjen,  me refuzimin, me dështimin dhe në përgjithësi me emocionet e vështira.”

Gruan  nuk ke të drejtë ta quash të përdalë, leckë apo plehër

A e dini se çdo grua e tretë shqiptare është viktimë e dhunës në familje dhe çdo ditë 10 gra evropiane vriten në shtëpitë e tyre? Kjo statistikë u publikua në media disa ditë pas një tjetër vrasjeje brutale.

Është shkruar dhe folur shumë për dhunën në familje, si për atë mendore apo fizike. Do të ketë gjithmonë ngacmues dhe gjithmonë do të ketë viktima. Shumë gra jetojnë në terror të përditshëm. Ato i rrahin, i poshtërojnë dhe janë të dërrmuara mendërisht. Ata shpesh i quajnë të përdala, lecka apo plehra. Të fyera dhe të shtypura, ato vazhdojnë të jetojnë me dhunuesin e tyre. Ato besojnë dhe shpresojnë se gjërat do të ndryshojnë. Ato luten që burrat e tyre të ndalojnë të dehen dhe të përmirësohen. Ato kanë turp t’i tregojnë dikujt për atë që ndodh pas derës së shtëpisë së tyre. Ato nuk i tregojnë as shoqeve as prindërve…

Ato durojnë dhe gëlltisin lotët për hir të fëmijëve dhe nuk mendojnë se po i dëmtojnë më shumë ata. Fëmijët nuk janë as të shurdhër dhe as të verbër. Ata e kuptojnë se çfarë po ndodh në shtëpi dhe nuk duan të jetojnë me prindërit që vazhdimisht zihen dhe ndonjëherë edhe godasin.Gratë nuk duhet të vuajnë. Ato duhet të kuptojnë se nëse nuk e ndihmojnë veten, askush tjetër nuk do ta bëjë atë për to. Duke heshtur, ato vetë bëhen jo më pak fajtorë se vetë dhunuesit. Duke u pajtuar me krimin, edhe ju vetë bëheni abuzuese, sepse i shkaktoni dhimbje vetes dhe njerëzve tuaj të dashur.

A keni menduar ndonjëherë se sa gra ka dhe janë bërë individe të nënshtruar? Disa prej tyre punojnë të tjerat janë të pushuara nga puna, disa të tjera nuk kanë fatin të punojnë jashtë shtëpisë, por qëndrojnë brenda mureve të shtëpisë, dhe kujdesen për komoditetin e të ashtuquajturës familje. Shpesh nuk shohin as të afërmit, as miqtë. Ato janë të mbyllura brenda shtëpisë së tyre dhe i vetmi vullnet që përmbushin është ai i burrit të tyre. Kur nuk ke një jetë shoqërore, mund të biesh lehtësisht në grackën e dhunuesit. Ju humbni kontaktin me realitetin dhe vështirë se filloni të dalloni të mirën nga e keqja, të drejtën nga e gabuara. Fillimisht shkëputeni nga ambienti i punës, e më pas nga gjithçka tjetër.

Pa siguri financiare dhe lidhje me botën përreth ju bëheni lehtësisht viktimë e manipulimit. Në një periudhë shumë të shkurtër kohe, ktheheni në një kukull të pafuqishme në duart e një kukulltari me përvojë. Ju filloni të bëni gjithçka që ju thonë dhe jo vetëm nuk dyshoni në fjalët e tij, por pranoni gjithçka si të drejtë. Ju besoni se kjo do ta bëjë atë t’ju dojë më shumë. Ju ndaloni së komunikuari me meshkujt që partneri juaj të mos jetë xheloz. Ju refuzoni të gjitha takimet me miqtë për të mos rënë në sytë e tij. Në fund të fundit, vendi juaj mbetet shtëpia – ku ai mund t’ju gjejë gjithmonë.

Nuk e di nëse me këto fjalë do të ndihmojë dikë të guxojë të thotë: Mjaft! Deri kur do të jetë kështu! Nuk duhet të lejoni askënd që t’ju ofendojë ose t’ju nënvlerësojë. Ju duhet të shikoni më nga afër jetën tuaj dhe jetën e njerëzve tuaj të dashur. Shenjat e një forme shtypjeje janë gjithmonë të dukshme, por ne shpesh bëjmë sikur nuk i shohim. Të mos i injorojmë!

Është për të ardhur keq që në shekullin e 21 tema e të drejtave të grave, mbrojtjes nga dhuna në familje, garancive është më se e rëndësishme. Për më tepër. Gjithsesi, përmasat e këtyre problemeve nuk janë prezente në hapësirën publike. Statistikat për viktimat e dhunës janë mëse alarmante dhe shumë shqetësuese, vetëm 4% e 62 milionë grave në BE janë viktima të sulmit ose dhunës dhe kanë raportuar në polici.

“Shumica e incidenteve të ngacmimit seksual ndodhin në rrugë (rreth 83 %), e ndjekur nga në shkolla (rreth 42 %), tregje/dyqane (rreth 38 %), në shtëpinë e një gruaje (rreth 29 %) dhe në vendin e punës (rreth 26 %). Vende të tjera, por më pak të zakonshme, janë brenda makinave, autobusëve dhe mjeteve të tjera të transportit, bare, restorante dhe/ose disko/klube, shtëpia, fusha ose zona natyrore të dikujt tjetër, dhe pranë ujërave”

Gratë viktima të dhunës në familje

Mendoj se duhen bërë ndryshime adekuate në legjislacionin për trajtimin e dhunës ndaj grave dhe dhunën në familje. Këto krime duhet të lëvizin nga “problem privat” në problem me karakter të përgjithshëm.

Statistikat për viktimat e dhunës janë mëse alarmante. Akoma më shqetësues, është fakti se vetëm 4% e 62 milionë grave në BE që janë viktima të sulmit ose dhunës e kanë raportuar atë në polici. Një situata e re po ndodh  me krimet përmes internetit dhe “skllavërinë” me qëllim të shfrytëzimit seksual të refugjatëve dhe emigrantëve, si dhe me trafikimin e qenieve njerëzore, mendoj se kërkojnë norma të reja legjislative jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në nivel ndërkombëtar.

Sipas INSAT, më shumë se gjysma e grave dhe vajzave të moshës 15-74 vjeç kanë përjetuar një ose më shumë nga pesë llojet e dhunës (dhunë nga partneri intim, dhunë në lidhje dashurie, dhunë nga jopartneri, ngacmimi seksual dhe/ose përndjekja), gjatë jetës së tyre, sipas një vrojtimi të kryer nga INSTAT në vitin 2018. Një e treta e grave dhe vajzave, rreth 37 %, kanë përjetuar dhunë gjatë 12 muajve të fundit. Lloji më i zakonshëm i dhunës është dhuna në lidhje dashurie; lloji i dytë më i zakonshëm i dhunës është dhuna nga partneri intim dhe e treta është ngacmimi seksual.

Rreth 18 % e grave në moshën 18-74 vjeç e kanë përjetuar atë, dhe rreth 9 % aktualisht po e përjetojnë. Gratë e moshës 18-44 vjeç kanë më shumë të ngjarë të kenë përjetuar ngacmim seksual (ndonjëherë), krahasuar me gratë 45 vjeç e lart. I njëjti fenomen tregohet në përjetimin e ngacmimit seksual në 12 muaj para studimit (aktualisht).

Llojet më të zakonshme të ngacmimit seksual janë komentet në lidhje me trupin e një gruaje dhe/ose pamjen fizike që e bëjnë atë të ndihet jo rehat, në siklet ose e ofenduar (rreth 12 % ndonjëherë, 5 % akstualisht), dhe pyetje ndërhyrëse për jetën e saj seksuale, intime apo private që e bëjnë atë të ndjehet jo rehat, në siklet ose e ofenduar (rreth 6 % ndonjëherë, 3 % aktualisht). Shumica e incidenteve të ngacmimit seksual ndodhin në rrugë (rreth 83 %), e ndjekur nga në shkolla (rreth 42 %), tregje/dyqane (rreth 38 %), në shtëpinë e një gruaje (rreth 29 %) dhe në vendin e punës (rreth 26 %). Vende të tjera, por më pak të zakonshme, janë brenda makinave, autobusëve dhe mjeteve të tjera të transportit, bare, restorante dhe/ose disko/klube, shtëpia, fusha ose zona natyrore të dikujt tjetër, dhe pranë ujërave.

                      Normat sociale në Shqipëri lidhur me dhunën në familje

Normat sociale në një shoqëri mund të kontribuojnë ose parandalojnë mbizotërimin e dhunës në familje të partnerit intim. Rreth gjysma e grave në sondazh thonë se shumica e njerëzve në komunitet besojnë se dhuna midis burrit dhe gruas është çështje private dhe se të tjerët nuk duhet të ndërhyjnë. Gjithashtu, pothuajse gjysma e grave në sondazh thonë se shumica e njerëzve në komunitet besojnë se një grua është pjesërisht fajtore nëse burri i saj e rreh. Ajo gjithashtu duhet të turpërohet të flasë me këdo jashtë familjes për dhunën në familje. Këto norma sociale mund t’i mbajnë gratë në një marrëdhënie abuzive dhe të mos i lejojnë të raportojnë krimet në polici.

Lloji më i zakonshëm i dhunës në familje është kontrolli i sjelljes xhelozia. Rreth 41 % e grave e kanë përjetuar dhe rreth 25 % e përjetojnë aktualisht. Disa gra, gjithashtu, janë të kufizuara nga partnerët e tyre intimë ose u ndalohet të takohen me miqtë (rreth17%ndonjëherë, 11 % aktualisht) dhe kontrollohen nga burrat / partnerët që duan të dinë se ku janë në çdo kohë (rreth 17 % ndonjëherë, 13 % aktualisht).

Lloji i dytë më i zakonshëm i dhunës në familje është dhuna psikologjike. Rreth 31 % e grave e kanë përjetuar atë dhe rreth 20 % e përjetojnë aktualisht. Format më të zakonshme janë ato kur gratë përjetojnë fyerje nga burri dhe i bën ato të ndihen keq për veten e tyre (rreth 25 % ndonjëherë, 14 % aktualisht) dhe duke u folur në mënyrë që i bën ato të ndihen pa vlerë (rreth 19 % ndonjëherë, 10 % aktualisht).

Parandalimi i të gjitha formave të dhunës përmes informimit dhe debatit për mbrojtjen dhe masat kundër ngacmimit seksual është urgjentisht i nevojshëm për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e viktimave. Denoncimi i dhunës në familje apo dhunës seksuale tek autoritetet kompetente duhet të bëhet me një procedurë më të thjeshtë, në vend që viktimat të detyrohen të presin nga institucioni në institucion dhe të shpjegojnë dhjetëra herë se çfarë u ka ndodhur. Ligji më ideal, megjithatë, nuk do të ketë efekt nëse nuk zbatohet, nëse nuk ka presion publik, mirëkuptim dhe veprime pa kompromis nga ana e institucioneve. “Pyetja kryesore para nesh është: “A e kemi humbur ndjeshmërinë për këtë temë”.

Për Lulet e Dhuruara me Grusht

“Të dua mami e dashur dhe të premtoj se nuk do të bëj budallëqe, mos u shqetëso për mua.” Me këto fjalë një vajzë 15-vjeçare i thotë lamtumirën nënës së saj, e cila u vra nga vetë babai i saj. Kjo vajzë do të rritet me vështirësi dhe e vetmuar. Duke luftuar me mungesën dërrmuese të njërit prind dhe duke fshirë tjetrin nga vetja. Nuk ka vetmi më të madhe se të ndahesh nga genet e tua. Për t’u degjeneruar dhe depersonalizuar. Të fshish gjysmën e vetes dhe të jetës tënde deri tani. Që të mund të marrësh frymë mes ankimeve të ankthit. Kështu që ju mund të vazhdoni të jetoni pavarësisht dhe sepse, të zgjasësh duart e tua fëmijënore drejt veshjeve të prindërve, të dalësh prej saj dhe të mos jesh as viktimë e as kriminel, por vetëm vetja….

Çdo vit ndodhin në vendet fqinjë nga 100 deri në 130 vrasje për motive shtëpiake, në dy raste të vitit të kaluar bashkë me gratë u vranë edhe fëmijët e tyre, Ministria e Punëve të Brendshme pothuajse çdo ditë kap fëmijë dhe adoleshentë që bëjnë krime. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e statistikave gri, jopersonale që lexojmë diagonalisht dhe u kalojmë pranë. Derisa të arrijnë tek ne. Tek dera ngjitur, te tavolina në të djathtë, te shoqja që vjen gjithmonë e para në shtëpi dhe  fsheh trupin me rroba të gjata pa formë. Pastaj ngjyra gri merr ngjyra dhe forma, mavijosje dhe plagë, gëlltitje fjalësh dhe rënkime të ulëta. Deri atëherë, në shumicën e rasteve, tashmë është tepër vonë…..