Vangjush SARO/Rrota dhe rrotacioni

641
Sigal

Duke lënë jashtë listave zgjedhore disa emra të njohur dhe që në fushat e tyre janë ekspertë (Selami Xhepa, Mark Marku, etj., në PD, Arben Malaj, Ethem Ruka, etj., në PS) partitë politike në Shqipëri edhe njëherë treguan se notojnë në ideologji, nuk jetojnë me kërkesat e kohës, janë larg perceptimit të politikës dhe qeverisjes si proces në shërbim të përparimit e të qytetarisë. Nuk jam i mendimit se emrat e përmendur më sipër janë doemos më të mirët, ishte thjesht një shembull. Por duke iu dhënë vendet e para në lista atyre më të bindurve, të dashuruarve pas kryetarëve, sherrxhinjve, madje edhe ish-kundërshtarëve politikë, siç ndodhi me tre të tillë Gereb-ë* të PS-së, me në krye “Kaçin e Zi”, drejtuesit e dy partive kryesore u prezantuan edhe njëherë si njerëz të pandreqshëm, inatçinj, që nuk dalin dot nga psikologjia e klanit dhe e kryetarit të “fortë”. Si të thuash, jemi sërish në grackë. Dhe çështja shtrohet që kjo dukuri dhe ky mentalitet shtypës, mbisundues, nuk janë thjesht problemi i tyre; është problemi i Shqipërisë.

Në shumë raste, në politikë dhe në ekonomi, te ne drejtojnë rrotat, e thënë më butë, njerëz jo ekspertë, që i ka vënë në post partia…për ‘meritat’ e tyre. (Njësoj si në rendin e shkuar.) Në përzgjedhjet e fundit, këto principe të vjetruara mbivaluan. Për fat të keq. Të marrësh tre ish-kundërshtarë, madje edhe ndonjërin prej atyre e ke gostitur me epitetet më të rënda dhe t’i shesësh për yje të demokracisë e të Partisë Demokratike, kjo vetëm në Shqipëri mund të ndodhë dhe vetëm atje ku nuk drejtohet, por sundohet.

Ndërkaq, në këtë fushatë elektorale të shpallur tashmë, duke kundruar me trishtim pamjen e vendit, si dhe duke këqyrur ftohtë shifrat që na ofrojnë institucionet më serioze, ne mund të shquajmë se pikërisht për shkak të kësaj mënyre qeverisjeje e sjelljeje, ka fare pak përparim, për të mos thënë që në disa rrafshe – si siguria apo kontrolli mbi pushtetet – është bërë prapa. Aktualisht, arka e shtetit shqiptar po zbrazet dita-ditës; (jo vetëm prej pagesave për kompanitë si Podesta, që lobojnë për qeverinë dhe klanin Berisha). Kjo ndodh edhe për shkak se këto kohë, për arsye elektorale, qeveria po bën disa “mirësi” në kurriz të viteve të ardhshme. Sipas ekspertëve, goditja më e fundit në financat publike ishte ajo e “paketës lehtësuese të taksave, të cilat i heqin buxhetit mbi 17 miliardë lekë të ardhura në vit, pa parashikuar burime kompensuese ose ulje të shpenzimeve”. (Intervistë e A. Malaj). Nga ana tjetër, është vetë Banka e Shqipërisë që konstaton: “…Viti 2012 ishte një tjetër vit i vështirë për ekonominë shqiptare. Dobësitë e partnerëve tanë tregtarë e financiarë janë manifestuar në një kërkesë të ulët për eksportet shqiptare, në kushte të shtrënguara financimi për kapitalin e huaj dhe në pasiguri të shtuara tek agjentët ekonomikë. Po ashtu, ekonomia shqiptare vijon të përballet me një kërkesë të dobët të brendshme, si në sektorin publik dhe në atë privat.”

Nuk ka fakte e shifra që të flasin as për ndonjë përmirësim të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë; shifrat e ofruara nga Instituti Vjenez për Studime Ekonomike dhe nga Eurostat, faktojnë se jemi (siç edhe kemi qenë) të fundit në Evropë, bashkë me Kosovën. Po ashtu, nuk duket se pati ndonjë përmirësim në punësim gjatë kësaj periudhe; përkundrazi, papunësia mbeti po ajo plagë që ishte, në mos u përkeqësua dhe shifra prej 13. 3 % që INSTAT e performon herë pas here me ca dhjetore më pak ose më shumë – por pa e kaluar kurrsesi këtë cak të gënjeshtërt – është një demagogji që nuk mund të përcillet më në publik. Nuk ka më asnjë sekret, e gjithë fshatarësia ‘kapitaliste’ është jashtë veprimit të këtyre treguesve, çka në mënyrë abuzive ul përqindjen e papunësisë; “rrotat” e pushtetit s’e kanë për gjë të përjashtojnë nga statistikat edhe familjet e papuna që mbahen me remitanca apo që kanë humbur çdo shpresë se mund të mendojë kush për perspektivën e tyre.

Ka përkeqësim edhe në çështje të sigurisë: vrasje, vjedhje me dhunë në mes të Tiranës e ditën për diell, pedofilë që lihen azat, grupe të rinjsh më të rrezikshëm se kurrë, krime të shumta brendapërbrenda familjes, gjakmarrje (për këtë qeveria nuk flet kurrë), individë jashtë kontrollit që rrahin gratë me leva, etj. Dhe ajo që është më e keqe, njerëzit e shtetit, që qytetarët i paguajnë me taksat e tyre t’i mbrojnë e t’i sigurojnë, në vend që t’i kushtohen kësaj sigurie, survejojnë dhe ndjekin kundërshtarët, i kërcënojnë ata, iu çojnë (gabimisht) edhe helikopterë përmbi çati…Pothuaj, njësoj si në kohërat më të errëta për shqiptarët. Një pasiguri e tillë në një vend me vetëm 2.5, e shumta 2.8 milionë banorë, është me të vërtetë e frikshme.

Përmirësime nuk po duken as në probleme ambientale dhe që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve, të fëmijëve më së pari. Në pikën e parë tëDeklarata e Rio de Zhaneiros për Mjedisin dhe Zhvillimin” 1992, thuhet: “Çdokush ka të drejtë për një jetë të shëndetshme dhe produktive në harmoni me natyrën.” Në Shqipëri, kjo e drejtë është marrë me gurë. Lura, Munella, Dajti, Gramozi, etj. janë kthyer në varreza që vetëm sa tregojnë se dikur aty ka pasur drurë. Kruja digjet tërë kohën, në mal e nën mal; ndërkaq, ndërtimet pa lejë po sulmojnë kalanë e Skënderbeut; atë që s’e merrnin dot osmanët (historia flet për tre rrethime) po e marrin vetë shqiptarët, që për pak abuzim shesin çdo nder. Gjithkund ka biznese pa lejë e që nuk kontrollohen, gjithkund digjen goma e prishen shtretër lumenjsh; është një histori kaq e trishtë. Tani së fundi, që të kënaqen edhe ndërtuesit “demokratë” dhe padronët e tyre, ka dalë në qarkullim një plan rregullues që e bën kryeqytetin përfundimisht gur e çimento. Më keq se ç’kishte katandisur ai gjer më sot.

Asnjë përmirësim sa i takon edhe përbërjes së administratës, përveçse rekrutime nga radhët e militantëve dhe atyre që shërbejnë me ç’të mundin e në mënyrë të verbër. Nuk është ndonjë gjë e re të kujtojmë panoramën e Doganave shqiptare, sa edhe të Policisë, ku shefat dhe të punësuarit e tjerë janë në masë nga disa pak zona verilindore. Krahinorizmi është një realitet të cilin sot nuk mund ta anashkalojmë, nuk duhet ta tolerojmë – edhe pse dikujt mund të mos i vijë mbarë – në mënyrë që mandej kjo sjellje aspak demokratike të mos performohet sërish në të tjera terma. Askush nuk qeveris më në Perëndim duke mbajtur në dorë fort skeptrin e krahinës dhe të fisit.

Për këto dhe për të tjera arsye që s’mund të përmblidhen në një shkrim, vendit i duhet rotacioni. Por ai rrezikon të mbahet edhe më tej peng nga rrotat, pra nga njerëz të partive, militantë, të gatshëm vetëm për t’i bërë lavde kryetarit dhe, po ashtu, për ndonjë abuzim. Këta njerëz vërviten nga njëra detyrë në tjetrën, nga njëri post në tjetrin, pa i sjellë vendit asnjë kontribut real, për shkak se ata, ashtu si edhe kryetarët e tyre, prodhojnë vetëm ideologji, në shumë raste edhe urrejtje; dhe këtu ky kapitull është i mbyllur. Njerëz që dinë më shumë se ne, na vijnë gjithnjë në ndihmë për t’i vënë një pikë kësaj ligjërate të ligjëruar nga e keqja. Më vjen ndër mend një nga porositë e Abraham Linkolnit për mësuesen e djalit të vet: “Mundohuni t’i mësoni fëmijës tim forcën për të mos ndjekur turmën, edhe pse të gjithë hidhen mbi qerren e fituesit.” Por këtë herë, më vjen kaq shumë për mbarë edhe një thënie e urtë popullore: “Duken pemët që kur lëshojnë lule.”

Si shkojnë këto punë…

*Gerebi – Një nga personazhet kryesore të romanit “Djemtë e rrugës Pal” të shkrimtarit Ferenc Molnar; u hodh përkohësisht me kundërshtarët në luftën që shokët e tij bënin për të mbrojtur një fushë ku ata fëmijë luanin.