PS-ja harroi premtimet që ditën e parë që mori pushtetin

423
Sigal

Analizë nga kineasti dhe ish-partizani Abaz Hoxha: Shqiptarët ju besuan votën por ju I zhgënjyet. Në 8 vite  papunësia u rrit në 400 mijë dhe vendi po zbrazet nga rinia. Na premtuat rritje pensioni, prona, ujë,drita,  respektim të LANCC, por në vend të dëshmorve ringjallët tradhëtarët. Opozitarët europian dhe thirrjet e Ramës për të mbajtur pushtetin e tij me luftë

 

Ju nuk investuat fare për rritjen e kapacitetit të burimeve të furnizimeve të energjisë elektrike  në 8 -vjet

 Ku janë premtimet tuaja që bëtë që ditën e parë që morët pushtetin?

A nuk është skandaloze që në një vend me burime hidrike të jashtëzakonëshme të mos ketë ujë për të pirë?

-Përse nuk u zbatua neni 181 i dispozitave të fundit për t’u dhënë pronarëve pronat e tyre të ligjëshme?

– Përbetoheni dhe ju digjet zemra për veteranët e luftës dhe dëshmorët, kur ju i keni braktisur ata.

– Ç’bëtë ju për pensionistët se partia juaj është në mbrojtje të shtresave në nevojë, kjo është emblema e partive socialiste

– Gjoja pensionet janë rritur 8% në vit, por harroni që nuk keni bërë asnjëherë indeksimin e çmimeve

– Krahasojeni njëherë trajtimin e veteranëve të luftës me ata të Algjerisë, Greqisë e Marokut, Gjermanisë, Francës, Anglisë.

– Rama kohët e fundit përherë e më tepër po bën thirrje për luftë, kërkon që me ç’do kusht dhe me ç’do mjet të marrë pushtetin.

Abaz Hoxha
Dhe çfarë bëtë me premtimet tuaja në 8- vjet që ishit në pushtet: Nga 250.000 të pa punë u arrit afro 400.000; të rinjtë shqiptarë morën rrugët dhe u mbytën nëpër detrat dhe u vranë kufijve se humbën shpresat e jetës, paratë e firmave piramidale jo vetëm nuk i kthyet, por i zhvatët edhe ato që kishin mbetur nëpër banka dhe i përvetësuat, ose ua shitët njerëzve tuaj edhe asetet e tyre me çmime qesharake.

Unë kam qenë një nga kreditorët e firmës “Leka”.

Pasi e morët ju administrimin ne krijuam një këshill për mbrojtjen e të drejtave tona dhe kërkuam që të bëheshim edhe ne pjesëtarë në trajtimin e aseteve të firmës. I bëmë kërkesë publike në shtyp e radio F.Arapit që vetëm fabrikën e konjakut të na jepesh në administrim ne, nën kontrollin e shtetit, dhe ne merrnim përsipër jo vetëm t’u shlyenim borxhin kreditorëve (rreth 5 milionë dollarë) por të kishte edhe fitime. Më vonë u ofrua një firmë shkodrane për ta marrë duke ofruar 10 milionë dollarë, që të merrte përsipër shlyerjen e kreditorëve. Ju nuk pranuat dhe e nxorët në shitje në fillim me një çmim qesharak rreth 500.000 dollarë. Nuk e di sa e keni shitur miqve tuaj por fabrika e konjakut atëherë që nuk punonte me kapacitet të plotë kishte mbi 20.000 dollarë fitime në ditë. Ku shkuan këto para që nga dita që e morët ju në administrim?! Firma “Silva” vazhdonte të shlyente kreditë edhe në muajin shtator 1997, kur ju e ndërpretë veprimtarinë. Ajo në atë kohë kishte në Bankë rreth 14 milionë dollarë. Përse nuk e latë të bënte shlyerjen dhe ta detyronit që të ulte përqindjen e kredisë, por e mbyllët? Ku shkuan asetet e firmës “Silva”?  Ajo kishte një pasuri të çmuar që administronte dhe po të detyrohej të shlyente kreditë, e kontrolluar nga shteti, ajo mund të vazhdonte zhvillimin e biznesit shumë të leverdishëm të rërës bituminoze që kërkohej aq shumë. Ajo kishte importuar edhe makineritë përkatëse. Dhe ju, jo vetëm nuk ua kthyet kreditorëve investimet e tyre, siç premtuat, por i gllabëruat  edhe  asetet e tyre.

 

Ju zotërinj socialistë pse akuzoni të tjerët…

Ju zotërinj socialistë pse akuzoni të tjerët që janë në fuqi vetëm 8 -muaj për ujin, energjinë elektrike, strehimin etj. Ju nuk investuat fare për rritjen e kapacitetit të burimeve të furnizimeve të energjisë elektrike në 8 -vjet. Ju premtuat se do vendosnit matësat elektrikë në çdo familje, përse nuk i vendosët ato, por mashtruat me premtime gjithë kohën. Përse nuk ndihmuat investitorët privatë për vënien në efiçencë të hidrocentraleve të vegjël që ishin braktisur, por e penguat edhe ndonjë firmë nisiatore në këtë drejtim? Ç’farë bëtë ju zotërinj, për reabilitimin e rrjetit elektrik në 8 -vjet, për furnizimin me ujë të qyteteve. A nuk është skandaloze që në një vend me burime hidrike të jashtëzakonëshme të mos ketë ujë për të pirë? Si është e mundur që Vlora, Elbasani, Berati dhe qytete të tjera të Shqipërisë ku egzistojnë burime të fuqishme uji të pishëm të cilësisë së lartë, që do ta kishte zili çdo vend, qytetarët e tyre vuajnë për ujë. Dhe tashti për 8- muaj në fuqi, akuzoni pushtetin ekzistues. Si keni kurajon të bëni akuza të tilla? Ç’farë bëtë ju për strehimin e qytetarëve pa strehë në 8- vjet, sa herë mashtruat edhe me kredinë greke për familjet që kishin humbur shtëpitë në firmat piramidale, paratë e të cilëve i morët ju? Si keni guximin të flisni për rrjetin rrugor dhe heroizmat që keni bërë? Ç’farë bëtë me koridorin Tetë, një autostradë rreth 100 km që do ishte bërë 5 herë në 8 vjet të e pushtetit tuaj. Ç’bëtë me paret që morët për rrugën e veriut që u emërua me emrin e kryeparlamentarit tuaj Majko? Sa shqiptarë u mbytën në Adriatik dhe Jon gjatë periudhës së sundimit tuaj? Ku shkoi hekuri i gjithë industrisë që u shkatërrua e deri tek shinat e hekurudhave që u nxorën jashtë shtetit dhe donit të na mbushnit mëndjen se i morën kontrabandistët? Si mund të kalojnë këto qindra e mijra tonë hekur jashtë shtetit pa dijeninë tuaj, sikur të ishin kilogramë droge, nga cila rrugë do kalonin, përveç atyre automobilistike si një transport i rëndë?

 

Zotërinj!

Bëtë një fushatë të madhe për Kushtetutën duke premtuar se ajo do t’i zgjidhte të gjitha problemet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Por ç’farë ndodhi pas miratimit të saj? A u zbatua nga Ju kushtetuta? Përse nuk u zbatua neni 181 i dispozitave të fundit, që përcakton se brenda tre vjetëve të miratimit të kushtetutës, do të nxirrnit ligje në zbatim të nenit 41 të saj, për t’u dhënë pronarëve pronat e tyre të ligjëshme. Ju i injoruat këto nene se nuk u interesonte mbasi që nga viti 1998 kur u miratua kushtetuta, e deri sa latë postet, bëtë kërdinë me trojet dhe tokat turistike. Përkunrdrazi, përsëri ju e shfrytëzuat në favorin tuaj, për pasurim dhe zhvatje të pasurisë kombëtare dhe private. Sot akuzoni mazhorancën se ajo nuk po zbaton premtimet e saj, kur ajo ka vetëm 8 muaj në pushtet se tre muaj ju e latë Shqipërinë pa një qeveri legjitime se duhej të bënit bilancet ç’farë u kishte mbetur ende për të marrë ose për të zhdukur gjurmët e atyre që kishit përvehtësuar.

Ju digjet zemra për pronarët dhe përpiqeni t’i vini ata kundër mazhorancës.

 

Po ju ç’farë bëtë 8 vjet? Jo vetëm që nuk u dhatë asgjë në zbatim të kushtetutës që e miratuat vetë por zhvatët edhe ato toka, kryesisht në bregdet ose në vende turistike duke i marrë vetë ose duke ua dhënë njerzve tuaj,sigurisht jo pa përfitime. Përse nuk u zbatua neni 41 i kushtetutës për pronarët. Përse nuk i vutë këto toka në shërbim të pronarëvet. Si është e mundur që pas 8 vjet në pushtet ende të mos dihet sa toka janë të lira. Pse janë shpërndarë tokat turistike dhe në bregdet pa u zbatuar fillimisht ligji për pronarët. Po marr një shembëll të një dokumenti që më ka rënë në dorë të firmosur nga dy ish kryeministra, Ilir Meta dhe Pandeli Majko, (njëri lejen e sheshit të ndërtimit dhe tjetri lejen e ndërtimit). Flitet për tre hektarë tokë, në një vend perlë e Adriatikut, për ngritjen e një fshati turistik. Le ta zëmë se kjo është bërë për interesa të kombit për zhvillimin e turizmit. Po pse kjo ende sot nuk është zbatuar? Kujt ia kini dhënë dhe pse?

Si u keni shërbyer interesave të kombit?

Le të marrim Gjirin e Vlorës. Atje është bërë kërdia, është ndarë parcela- parcela dhe u është dhënë personave të tjerë i duke injoruar tërësisht pronarët e ligjshëm. Në Tragjas, p.sh në vitin 1966, kishin mbetur pa u shpërndarë fshatarëve me ligjin Nr.7501, edhe 45 hektarë tokë në kodrat karshi detit. Ne ish pronarëve nuk na u dhanë, por u janë dhënë personave të tjerë. A nuk bie kjo era korrupsion? A nuk vëteton kjo se, ju kushtetutën, e përdorët për t’u hedhur hi syve popullit dhe në veçanti pronarëve? Le të shkojmë edhe më tej. Tamam në tokat e familjes sonë në Tragjas, është ngritur një hotel luksoz me 4 yje. Sigurisht që ky hotel nuk i shërben popullit të Tragjasit me çmimet stratosferike, por grupeve mafioze nga Vlora dhe Tirana që bëjnë atje orgji ose allishverishe. Ky hotel thonë se është pronë e një bashkfshatari tonë, por gojët e liga thonë se mbrapa tij qëndron ish kryeparlamentari Gjinushi dhe kjo thash e theme e ka një bazë. Pronari i hotelit është i Partisë së Gjinushit dhe në zgjedhjet e vitit 2000, ai ishte kandidat i asaj Partie për kryetar Bashkie në Orikum, ku u bë gjithë ajo zallamahi nga Gjinushi për të rrëmbyer me çdo kusht votat, që të fitonte kandidati i tij, gjë që u trajtua gjërësisht në shtypin e kohës. Këto të lënë të dyshosh se nuk janë thjesht thash e theme.

Veteranët u ngritën në luftë për Atdheun dhe jo për partinë tuaj.

Përbetoheni dhe ju digjet zemra për veteranët e luftës dhe dëshmorët. Një demagogji e plotë se ju jeni ata që i keni braktisur të parët. Le të kujtojmë prononcimet e kryetarit tuaj për veteranët në t’ashtuquajturat “refleksione” në fillimet e lëvizjeve demokratike i cili gadi sa nuk donte t’i zhdukte edhe fizikisht veteranët e luftës. Dhe tashti atij dhe juve të gjithëve, u digjet zemra për ta. Deri sa i doni kaq shumë, ç’bëtë 12 vjet në pushtet për këta veteranë të luftës? Statusi i veteranit u dha që në kohën kur qeveriste Partia Demokratike. A nuk ju vrau ndërgjegja që këta veteranë lufte marrin një shtesë 2-3 kile mish në muaj. Nuk është kjo qesharake. Pa krahasojeni njëherë trajtimin e veteranëve të luftës jo me ata të Algjerisë e Marokut, Gjermanisë, Francës, Anglisë etj, por edhe me vlerësimin e tyre në vendet përreth si Maqedonia, Serbia, Greqia etj. Nuk ju vjen turp që mbroni veteranët kur keni nevojë për votën e tyre, për t’i përdorur ata për qëllimet tuaja të ndyra, t’i nxisni edhe ata dhe t’i përdorni si mish për top në luftën tuaj për pushtet. Mos harroni se ne veteranët e Luftës nuk u ngritëm në luftë në emër të ndonjë partie, por në emër të Atdheut, dhe mos guxoni të na përdorni ne për qëllimet tuaja të ndyra.

Ç’bëtë ju për pensionistët se partia juaj është në mbrojtje të shtresave në nevojë, kjo është emblema e partive socialiste. Por edhe pensionistët ju doni t’i përdorni vetëm për qëllimet tuaja të ndyra dhe i ndërseni ata kundër një pjese të madhe të popullsisë. Ju ju duhen ata për vota dhe jo se ju digjet zemra për ta, mbasi ndonëse jeni një parti me emër të majtë, ju keni zbatuar një program në mbrojtje dhe përkrahje të biznesmenëve që e kanë vënë pasurinë në mënyrë të dyshimtë. Ju keni zbatuar jo thjesht kapitalizmin monopolist shtetëror, por kapitalizmin monopolist të një klike pushtetarësh, të cilët janë pasuruar dhe bëjnë një jetë përrallore. Nuk u ha meraku për pensionistët, por keni nevojë për votat e tyre. Mos mendoni se edhe ata do t’i mashtroni gjatë, ata nuk kanë dhënë djersën, mundin, përkushtimin sakrificat dhe gjakun e tyre jo për ju ose për  ndonjë parti, por i kanë shërbyer me devocion në kushte shumë të rënda dhe me sakrifica sublime atdheut, dhe për këtë e meritojnë të trajtohen me nderim të veçantë.

 

Ç’keni bërë ju me pensionet?!

Shumë zhurmë për asgjë në 8 -vjet sundim. Gjoja pensionet janë rritur 8% në vit. Kjo nuk është e vërtetë. Harroni që nuk keni bërë asnjëherë indeksimin e çmimeve. Çmimet janë rritur çdo vit, pra pensionet janë rritur të shumtën 3-4% në vit. Pra ku janë meritat tuaja në shërbim të pensionistëve? Në të kundërtën ç’bëtë me rrogat dhe jetën tuaj përrallore kur ishit në pushtet me numurin e pa mbaruar të celularëve që përdoreshin kryesisht për qëllime personale, që nga shoferët e badigardët e sekretaret e deri në krye të piramidës. Ju zotërinj u ngritët menjëherë kundër kryeparlamentares Zonjës Topalli, vetëm se ajo deshte t’ju hiqte makinat lluksoze deputetëve që i trashëgonin nga koha e shkëlqimit të tyre në pushtet, duke bërë gara marramendëse se kush të kishte makinën më luksoze, të blera me paratë e popullit të varfër.T’ju vijë turp për këtë që abuzoni me votat e një populli i cili vuan në varfëri dhe ju doni lukse e privilegje. Në një vend të vogël dhe të varfër si Shqipëria, të gjithë debutetët me makina luksoze, me badigardë e sekretare kur deputetët e vendeve shumë më të fuqishme ekonomikisht nuk i kanë këto privilegje. Dhe pastaj flisni dhe përgjëroheni për veteranët!

Ai që dje i injoronte dhe i përçmonte veteranët e luftës, sot kujton se do t’i mashtrojë me kafen e mëngjesit, që edhe ajo ishte vetëm një tallje. Ju digjet zemra për dëshmorët e kombit. Ç’farë keni bërë ju për ta?

 

Le të hedhim një sy varrezave të dëshmorëve.

 

Një katastrofë, të thyer dhe shkatërruar gurët e varrit. Ç’bëtë 8 -vjet për këta dëshmorë të kombit, ju e kishit pushtetin në dorë, përse i kërkoni të gjitha këto sot koalicionit në pushtet që ka vetëm 8 -muaj që ushtron kompetencat e tij? Por ju jeni të paduruar, ju mundon shumë ikja e pushtetit, e pse jo, edhe ndonjë frikë se mos ju zbulohen allishverishet tuaja.

Ilir Meta shkoi në fushatë me emblemën e luftës kundër korrupsionit dhe kritikoi ashpër Partinë Socialiste dhe kreun e saj që kishte një pushtet të korruptuar. Ai shpalli se nuk do të bënte asnjë koalicion me atë parti që vazhdonte të kishte në krye ish ministra të korruptuar. Ai kritikoi gjithashtu “megadushkun” që ishte pjellë e Partisë Socialiste. Pse tashti u bashkua me ta, ata janë atje, në forumet drejtuese të Partisë Socialiste, përse nuk distancohet nga ata? Ju u vërsulët kundër L.Xhuvelit pse u bashkua me koalicionin qeveritar. Politika pa kompromise nuk është një politike që të shpie larg, kur kompromiset shpien ujë në programin e partisë sate. Xhuveli është kryetar i Partisë për mbrojtjen e mjedisit, është një parti ambientaliste. Çfarë konfliktualiteti ka kjo me Partinë Demokratike në qoftë se programin e kësaj Partie do ta zbatojë koalicioni qeverisës. Çdo parti ka të drejtë të bashkohet me atë koalicion që merr përsipër zbatimin e programit të saj. Me koalicionin e majtë janë bashkuar shumë individë dhe “parti” që fillimisht kanë qënë kundërshtarë politikë të vendosur dhe prej 8 -vjetësh bashkëpunojnë me Ju. Përse nuk ndihet opozita dhe shtypi për këta individë ose parti që për hir të karrikeve bëjnë lojën e “dridhe moj bandille”, por janë ngritur kundër Xhuvelit që po përpiqet të zbatojë programin e Partisë së tij, dhe bravo i qoftë që shfrytëzon të djathtën për zbatimin e kësaj politike. Por ata që kritikojnë s’kanë as parime as politika, kanë vetëm interesa karrikesh.

Zotërinj! Bëhuni opozitarë europianë dhe jo të xhunglave.

 

Ka midis jush njerëz të ekulibruar dhe opozitarë të vërtetë. Më kujtohet fjala në kuvendin e parë pas zgjedhjeve e zonjës Ermelinda Meksi. Ajo dha shembullin e një opozitareje që kritikon programin e qeverisë nga pozitat e partisë së saj, por edhe sugjeron mënyra zgjidhjeje, në kohën kur Gramoz Ruçi me një urrejtje patologjike, gadi sa donte t’i hante të gjallë qeveritarët, e veçanërisht Berishën. Më kujtohen disa diskutime të zotit Dritan Prifti në lidhje me problemin e energjisë elektrike. Kam parë tek ai një opozitar bashkëkohor europian që kritikon dhe jep zgjidhje. Por jo si ujqër, siç bën kryetari juaj, që ka 8 -muaj që vetëm kritikon, shan, hidhet e përdridhet që fraza e parë dhe e fundit të tij është mohim absolut i çdo gjëje, që edhe në inagurimin e ndonjë gjysmë rruge e fillon dhe mbaron fjalën Berisha gënjeshtar, mashtrues që nuk mban fjalën etj, etj. Përse nuk thotë ç’bënë ata kur kishin pushtetin 8 vjet dhe kërkojnë që të mbahen zotimet në një periudhë 8 mujore. Por me këto veprime ulin dinjitetin e tyre, bëhen të mërzitëshëm dhe shpejt a vonë do t’i njohë dhe do ja u “varë trastën” elektorati i tyre. Si mund t’i besojë populli që ata kërkojnë nga e djathta për ato që nuk bënë ose i katranosën për 8 vjet. A kanë cipë këta politikanë. Në vend të ulin kokën dhe t’i kërkojnë falje Shqipërisë që e lanë pas vendeve më të pa zhvilluara. Merrni një herë frymë, zotërinj opozitarë, kërkoni fillimisht falje, reformoni një herë vetveten dhe pastaj, pasi të bindet populli që e keni bërë këtë atëhere mund të kini kurajon të kërkoni përsëri pushtet. Ju nuk e merituat, por abuzuat me pushtetin, prandaj edhe shkuat në opozitë. Lerini bilbilat dhe trumbetat dhe sjelljet qesharake në Kuvendin e Shqipërisë, për të cilat duhet t’ju vijë turp, se po e tregoni veten si një bandë huliganësh në sytë e popullit dhe të botës.

Nuk dua të ndërhyj në punët e Partisë Socialiste por, zotërinj, mblidheni veten, keni zgjedhur në krye një njeri konfliktual të pakoregjueshëm, prejani yryshin se do të bëhet i rrezikshëm edhe për ju vetë. Që kur mori poste drejtuese i kam thënë bashkëshortes:  “Ky njeri po ta lësh, bëhet një Hitler”, ndonëse për babain e tij, skulptorin e nderuar, Kristaq Rama, kam patur një konsideratë. E.Rama kohët e fundit, përherë e më tepër po bën thirrje për luftë, kërkon që me çdo kusht dhe me çdo mjet të marrë pushtetin. Frenojeni zotërinj, se do të jetë tepër vonë. Kështu e filloi dikur edhe Hitleri. Kujdes, socialistë të nderuar, mos e harroni “Arturo Ui”. Mos lejoni që Shqipëria përsëri të kthehet në një kasaphanë.

Sa për “Zërin e Popullit”, që në titullin e saj me shkronja të mëdha shkruan “Liri, ose luftë” duhet që të vihet para përgjegjësisë ligjore si luftënxitëse dhe të dënohet rreptë, mbështetur në nenin 9 të kushtetutës. Ky aventurier që e drejton atë organ nuk meriton të drejtojë një organ kryesor të forcave opozitare. Ai është një njeri konfliktual që do të ruajë me çdo kusht postin dhe shërbimin që i bën eprorit të tij.

Shtypi dhe mediat përgjithësisht duhet të reagojnë për këto thirrje për luftë të “Zërit të Popullit”.

 

Unë jam një studiues dhe historian i kinemasë, nuk jam marrë dhe nuk dua të merrem me politikë, por këtu flitet për një çështje tepër serioze, që indiferenca e kujtdo është me pasoja të rënda që mund të shpien përsëri në tragjedi kombëtare. Prandaj nuk mund të hesht.