Prof. Tritan Kalo/ Realiteti dhe jo ëndrra që jetojmë…

629
Më 2 korrik 2016 u mbushën plot 35 vjet të përfundimit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë dhe fillimin më pas të punës si mjek stazhier në Spitalin Nr. 4 të Sëmundjeve Infektive, sot Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, pjesë integrale e QSUT-së “Nënë Tereza”…Një jetë e tërë në shërbim të pacientëve…Sfida, vështirësi, lodhje por edhe kënaqësi pafund! Në këtë përvjetor jo pak të rëndësishëm për jetën time, u ula dhe hodha në letër rreshtat e mëposhtëm…Mbetem i hapur për mendimet apo vërejtjet tuaja në lidhje me atë çka shkruaj. Fundjavë të mbarë miq e kolegë të shumë, ku ju zuri mëngjesi i ditës së sotme: Letër e hapur e K.T., jo e K.K., drejtuar R.E.: “Biri im”, të uroj së pari shëndet të mirë e bereqet të bollshëm, pas tre vitesh mundimesh, hamendësish, përpjekjesh e udhëtimesh pa fund, në të mirë të “grigjës” sy e veshmbyllur, mendjengrirë e shpirtnxirë, që të dha e përmalluar dhe besimplotë jo pak, por 1.000.000 vota=shuplaka, për të goditur në fytyrë dhe për t’i nxirë faqen të keqes së këtij vendi, të drejtuar për hir të së vërtetës në periudha të barabarta kohore, pas 31.03.1991 si nga ju mëngjëroshët po ashtu edhe nga ata-ata, krahëdjathtët… Atdheu im, që besoj e shpresoj se mundet të jetë edhe i juaji, kam këtu parasysh të gjithë JU, “taborrin” e politik e parabërësve, ndihet sot më i begatë se kurrë, edhe pse bota rreth nesh kalon përmes dallgëve të një krize të thellë ekonomike. 

NE, kur them ne, flas për vete dhe një sërë mendjembyllurish, sy e veshëzënësh si unë, SOT paguajmë më shumë “leka” për energjinë edhe pse konsumojmë më pak se 300 kwh në muaj, sepse për kënaqësinë tonë 1 kwh nga 7.5 leka, na u bë 9.3 leka. Kur hipim në autobusët urbanë, që për kënaqësinë tonë edhe pse bileta u rrit me 10 leka, ne më të shumtën e herës as kondicionerin nuk na i hapin në zhegun përvëlues prej 40ᵒc, duke kontribuar që trupi ynë të kullojë nga djersa dhe ne të mos marrim më pas mundimin të dalim nga liqeni për të rënë në peshë. Rrogat na janë shtruar e begatuar, aq sa na duhet për muaj të ndërrojmë kuletat, nga më të mëdhatë dje në më të voglat sot, jo se kemi më pak leka, por pse ato po na fluturojnë më shpejt nga brendia e tyre. Shëndeti sa vjen e na përforcohet, për të vetmen arsye se sot mbi të “vigjëlojnë” jo vetëm spitalet publike, por plot e plot “koncensionaristë”, që merren me “ketch-upin”, me pastrimin e veglave që përdorim për bark-hapje, për pastrimin e veshkave tona kur ato vetë sillen “si dembelë” në këtë detyre, etj, etj, dhe sidomos nga efektshmëria super-cilësore e barnave me çmime më të ulura, të cilat një herë e në sene, nëse ne “mantel-bardhët” lëshojmë ndonjë pordhë ankimore, dërgohen në Kroaci për kontroll… Kënaqësinë më të madhe e kemi kur për ndonjë hall shkojmë nëpër zyrat e “perandorisë gjyqësore” dhe “ato të administratës publike”, sepse mundemi të vijmë me “sportivitet” vërdallë, dhe në më të shumtën e rasteve te mos zgjidhim asnjë problem, veçanërisht kur bëhet fjalë për një “klasë reaksionare si NE ish-pronarët”, që ish ishim në 45 vjet para 1990 dhe ish mbetëm edhe në këto 25 vjet. 

Në letër e tapibartësit menduam se “prona/haka do të shkoj të i zoti”, sikundër na premtuan në fillim dygisht-tundësit e “çekut të bardhë” e më pas ju “brezi i rilindësve të shekullit XXI”., dhe nuk ju sulëm të zëmë çfarë të mundeshim e më pas t’i bënim edhe me letra si tonat, sikundër bënë shumë syresh votësjellës për ju dhe paraardhësit tuaj. Ajo që më jep më shumë kënaqësi kur hyj në mjediset e mësipërme është fakti se aty ka shumë vajza fundshkurtëra e gjoks-hapura që më bëjnë të eci me kokën pas, si dhe djem të bukur, shpesh ende pa vënë brisk në faqe, të veshur me “Armani”, “D&G”, etj. të cilët picërrojnë sytë nën syzet optike pa numër dhe e trashin pak zërin që të duken më bindës, ndërsa fillojnë të flasin e të flasin pa pushim, pa subjekt, e pa të nxjerrë asgjë në vijë, të vetëbindur se ishin, janë dhe do të jenë ata të përzgjedhurit për ato vende pune të mirëpaguara, por jo frutdhënëse në funksionalitet për ne, përsa kohë ata shprehen për kënaqësinë tuaj se “të bëfsha gjeneratën”, e unë i varfëri me 60 vite mbi supe e 35 vite shërbimi ndaj të sëmurëve largohem nga këto mjedise jo vetëm i pashpresë për zgjidhjen e halleve të mia, por edhe jo pak i shokuar sepse më kujtohet teto Ollga kur dikur thoshte: “Sa bukur flasin këta artistët, asnjë fjalë nuk i mora vesh”… Uroj që freskia e vjeshtës t’u sjellë edhe më shumë freski e pak më shumë optimizëm e mendimeve dhe dëshirave të mia për jetën, si dhe për ardhmërinë e këtyre trevave të bekuara nga Perëndia dhe të mallkuara nga njerëzia. Plot pritshmëri, po ju pres buzë Lanës, por jo me shumë besim e shpresë! DUM SPIRO SPERO!…Amen/Inshalah!
Sigal