Prof.Qemal Lame:Zhvillimi dhe rreziku i Kinës me dy sisteme politike

Kina me rritjen ekonomike me ritmet më të larta në botë, që nga fillimi i politikës së hapjes dhe reformës në 1978, është katapultuar nga varfëria e tmerrshme në radhët e vendeve me të ardhura të larta mesatare. Megjithatë, shkalla e lartë e zhvillimit të pesëdhjetë viteve të fundit ka sjellë me vete probleme serioze të shpërndarjes pasi hendeku i të ardhurave është zgjeruar, si dhe i zhvillimit midis rajoneve dhe midis zonave urbane dhe rurale. Ekzistojnë gjithashtu mospërputhje të mëdha në shërbimet publike, mundësive ekonomike, pabarazisë në arsim në varësi të rajonit dhe të ardhurave.

Qeveria kineze ka si objektiv parësor vazhdimin e zhvillimit ekonomik e shoqëror me ritmet më të larta për t’u bërë superfuqia Nr.1 ekonomike dhe ushtarake në botë. Ritmet e zhvillimit perspektiv dhe mënjanimi i mangësive të deritanishme janë përfshirë në planet e saj pesëvjeçare dhe vizionin afatgjatë për vitin 2035 duke luftuar edhe “efektet anësore” negative të zhvillimit të shpejtë ekonomik.

NOA

Për të njohur më mirë sfidat e zhvillimit ndihmon analiza e klasifikuar e fazave të ndryshme të zhvillimit të saj. Deri në reformat e vitit 1978, Kina kishte një ekonomi rreptësisht të centralizuar dhe të planifikuar. Shteti përcaktonte pothuajse të gjitha aspektet e përdorimit të burimeve natyrore dhe njerëzore. Që nga themelimi i Republikës Popullore, në vitin 1949, qeveria ka siguruar qëllimisht një nivel pagash të ulët dhe relativisht uniforme për të nxitur akumulimin e kapitalit dhe krijuar mundësi fitimi bisnesit të huaj, që kishte dëshirë dhe investonte realisht. Ndërmjet viteve 1952 dhe 1986, Kina ishte një nga vendet me më pak pabarazi në botë.

Qeveria i përdori pagat e ulëta si një mjet efektiv për të nxitur industrializimin. Por, rëndoi mbi mirëqënien e popullit punëtor, të displinuar dhe i gatshëm për të sakrifikuar në interes të një të ardhmeje më të mirë. Rezultati: në vitin 1978, Kina zuri një nga vendet e fundit në botë me të ardhura për frymë prej vetëm 156 dollarë amerikanë. Në vitin 1978, 770 milionë banorë ruralë jetonin në varfëri; shkalla e varfërisë ishte 97,5 për qind.

Në vitin 1978, qeveria reagoi ndaj efikasitetit të pamjaftueshëm të ekonomisë së planifikuar dhe vështirësive të mëdha financiare me një ndryshim të vendosur kursi dhe filloi reformat ekonomike dhe liberalizimin e vendit. Ajo e bëri zhvillimin prioritetin e saj kryesor dhe la forcat e tregut të luanin një rol vendimtar në shpërndarjen e burimeve. Rreth fundit të mijëvjeçarit, kalimi në një ekonomi tregu ishte i plotë. Pjesë e këtij procesi ishte edhe anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), e cila përshpejtoi integrimin e Kinës në ekonominë botërore.

Liberalizimi i tregut çoi në një riorganizim të ritmeve të zhvillimit dhe shkaktoi rritje të shpejtë ekonomike dhe të ardhurave. Kjo e zgjeroi hendekun e të ardhurave urban-rurale nga 155 dollarë në 1978 në 3,375 dollarë në 2015.

Në “Epokën e Re”, në të cilën ndodhet edhe sot vendi, qeveria kineze ka marrë sërish masa konkrete politike për të zgjidhur problemet e shpërndarjes. Përafërsisht mund të dallohen dy faza: faza e parë kishte të bënte me zhdukjen e varfërisë absolute dhe faza e dytë kishte të bënte me realizimin e “prosperitetit të përbashkët”.

Pasi mori detyrën si sekretar i përgjithshëm i PKK, Xi Jinping sugjeroi “zbutjen e synuar të varfërisë” gjatë vizitës në provincën perëndimore Hunan. Si rezultat, zbutja e varfërisë është bërë konsensus në të gjithë PKK dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes. Fonde të konsiderueshme shkuan për përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale dhe ngritjen e iniciativave të ndryshme të punësimit të qëndrueshëm në nivel lokal. Me mbështetjen e planifikuar nga pushteti qëndror, vendosjen e kuadrove në fshatra dhe masa të tjera, brenda shtatë viteve u arritën rezultate të konsiderueshme: deri në fund të vitit 2020, 832 rrethet më të varfra në vend kishin kapërcyer varfërinë dhe varfëria absolute u eliminua pothuajse tërësisht nga kinezët.

Me zhdukjen e varfërisë absolute, Kina ka hedhur një themel të fortë për fazën e dytë: realizimin e “prosperitetit të përbashkët” dhe reduktimin e mëtejshëm të pabarazisë së shpërndarjes. Edhe nëse nuk është plotësisht e qartë se çfarë do të thotë saktësisht “prosperitet i përbashkët”, shumë nga dokumentet e strategjisë në dispozicion tregojnë se kërkohet “barazia ex ante”, d.m.th., mundësi të barabarta, jo rezultate të barabarta.

Sipas PKK, “detyra e parë e qeverisë së këtij vendi është të bëjë njerëzit më të pasur”. Prandaj, Kongresi Kombëtar i vitit 2015 e çoi “realizimin gradual të prosperitetit të përbashkët për të gjithë njerëzit” edhe më lart në listën e prioriteteve dhe theksoi se prosperiteti i përbashkët duhet të jetë parimi bazë dhe parakushti vendimtar për socializmin me karakteristika kineze.

Xi Jinping e pohoi këtë në fjalimin e tij në 100-vjetorin e themelimit të partisë në 2021: “Arritja e prosperitetit të përbashkët nuk është vetëm një çështje ekonomike, por edhe një çështje e rëndësishme politike që lind nga parimet e qeverisë së partisë.” vendosmëria e palëkundur e partisë për të rinovuar Kinën.

Kina ka çdo arsye politike për të ecur përpara me realizimin e “prosperitetit të përbashkët” me shpejtësi të plotë. Rritja e pabarazisë në të ardhura dhe çmimet e larta të pasurive të paluajtshme pengojnë brezat e rinj nga avancimi social dhe dëmtojnë lëvizshmërinë vertikale të grupeve të popullsisë me të ardhura më të ulëta. Kjo çon në paqëndrueshmëri sociale: Peticionet dhe mitingjet nga grupe të caktuara shoqërore janë shtuar së fundmi dhe mund të rrezikojnë stabilitetin politik.

Përveç aspekteve politike, mund të supozohet edhe një motiv ekonomik për objektivat e ritmeve të zhvillimit. Përplasja e fundit e politikës tregtare midis SHBA-së dhe Kinës është një tregues se konflikti i tyre gjeopolitik dhe gjeoekonomik po përshkallëzohet. Duke kaluar në të ashtuquajturën “politikë me dy cikle”, Kina po reagon ndaj përqendrimit në kërkesën e brendshme me hapje të njëkohshme ekonomike globale, në mënyrë që të bëhet më e pavarur nga tregtia dypalëshe në funksion të konflikteve të mundshme. Kërkesa e brendshme kuptohet tregu i brendshëm. Ekonomia vepron duke plotësuar nevojat e brenshme dhe nuk varet nga tregu i jashtëm dhe marrëdhëniet e eksportit e importit. Ky është në fakt modeli i ekonomisë amerikane me cikël të mbyllur brenda vendit që ka marrë si shembull edhe Kina. Problem është pabarazia e shtuar që dobëson prirjen mesatare për konsum, kërkesën e brendshme dhe rrjedhimisht rritja ekonomike mund të ngadalësohet.

Politikat për të arritur “prosperitetin e përbashkët” demonstrojnë shqetësimin e qeverisë për drejtësinë sociale dhe pasqyrojnë përpjekjet për thellimin e reformave. Ideja thelbësore është dhe mbetet “t’i lëmë tregut një rol vendimtar në shpërndarjen e burimeve, nëse është e nevojshme të plotësohet me ndërhyrjen e shtetit”.

Mundësitë e barabarta duhet të arrihen, ndër të tjera, përmes mbështetjes së konsiderueshme financiare për arsimin e detyrueshëm në rajonet më pak të zhvilluara; kufizimi i kurseve jashtëshkollore që mund të përballojnë më të pasurit; subvencionimi i ofertave universitare të lidhura me aftësitë, si dhe aktivitetet e kërkimit dhe zhvillimit në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe një infrastrukturë më e mirë për trajnime në kompani dhe arsimim të mëtejshëm. Ndërhyrjet më të rëndësishme për të rritur efikasitetin e tregjeve janë masat e politikës së konkurrencës me të cilat do të kufizohet fuqia monopole e platformave të ndryshme të internetit si DiDi, WeChat, Meituan dhe Alibaba.

“Prosperiteti i përbashkët” synon mbi të gjitha të balancojë efikasitetin dhe barazinë, në mënyrë që frytet e zhvillimit ekonomik të shpërndahen në mënyrë të barabartë në të gjithë shoqërinë. Katalogu i masave të politikës ekonomike dhe sociale kontribon në krijimin e një modeli të rritjes, që siguron mundësi të barabarta dhe minimizon shtrembërimet e tregut. Ky është një eksperiment i madh shoqëror, por se si do të zhvillohet veprimi mbetet për t’u parë.

Modeli kinez me dy sisteme dhe me pushtetin autoritar ka tërhequr vëmëndjen e studiuesve edhe në vendet kapitaliste perëndimore ku kanë rënë ritmet e zhvillimit ekonomik e shoqëror. E metë kryesore mbetet rrezikshmëria e pushtetit autoritar dhe ambiciet hegjemoniste, mosrespektimi i të drejtave të njeriut dhe tendenca për zgjerim politik e gjeografik. Ajo po e dëshmon këtë me politikën e saj me të dy metodat: me diplomaci dhe me pushtim. Udhëheqësi kinez deklaroi hapur politikën për rimarrjen e Taivanit me diplomaci dhe në rast se kjo dështon me anë të pushtimit ushtarak. Për këtë qëllim ka në gatishmëri gjysëm milion ushtarë dhe provokon pothuajse çdo ditë hapësirën ajrore të këtij vendi.

Zhvillimet politike, ekonomike dhe të teknologjisë së lartë tregojnë se bashkëpunimi i ngushtë ushtarak dhe strategjik që shtrihet edhe në hapësirë midis Kinës dhe Rusisë është një sfidë për perëndimin. Ato kanë shpejtuar ritmet për të zhvilluar një sistem që do të rivalizonte sistemin amerikan GPS të navigimit satelitor dhe atë evropian Galileo. Gjysëm milion ushtarët kineze në afërsi të Tajvanit dhe shtatëdhjetë mijë trupat ruse në kufirin me Ukrainën në gatishmëri për të vepruar kanë krijuar ndërlikime të mëdha për sigurinë globale. Për këtë qëllim SHBA dhe NATO po veprojnë konkretisht për t’iu kundërvënë dhe parandaluar sulmet e mundshme.