Prof. Përparim Kabo: Atdheu si retorikë…

1098
Ditët ikin dhe një mal me fjalë… dëgjon për atdheun, atdhetarinë, integritetin territorial, për patriotë të flaktë dhe tradhtarë të hapur, për ngritës dhe shitës flamurësh…për të vonuar që iu ka mbetur ora mbrapa dhe për të tillë që tejkalojnë kohën e prapambetur… Atdheu si retorikë..asgjë më shumë… Po atdheu a është toka dhe uji, nëntoka dhe ekosistemet, janë njerëzit që nga qyteti frymës-varrezat, a është kujtimi i të parëve, a bën pjesë historia e lashtë e mugëtirave, historia me shtetin dhe institucionet? Po identiteti historik dhe ai kulturor, po pasuritë kombëtare, po prona publike e komunitare, po prona e individit, a janë atdhe? Po tradita arsimore dhe kulturore, po shërbimet spitalore dhe ato publike në tërësi, po arshivat dhe dokumentacioni, po muzetë dhe institucionet e artit, si teatrot, kinematë, teatrot për fëmijë, teatri operës dhe baletit, po cirku, po botimet e specializuara në fushën e artit e kulturës dhe trashëgimisë, po gërmimet arkeologjike gjetjet dhe konservimi i tyre.., a janë atdheu? Po ikja e njerëzve të pashpresë dhe të lodhur nga keqpërdorimi dhe zhgënjimi në këtë periudhë që nuk rezultoi, si e lirisë dhe prosperitetit, por fatalist, si e dëshpërimit, pasigurisë dhe zhbërjes në dinjitetin njerëzor, a është atdheu…?! Apo zbrazja e territoreve dhe largimi masiv, po pakësimi popullsisë dhe ikja e pjesës vitale njerëzore, apo kjo ikje quhet mobilitet në globalizëm? Po pasurimi i paligjshëm i disave dhe daljet e tyre si propagandistë të mrekullisë që po ndodh, por që ne nuk e kuptojmë dot ose që paskërka ndodhur në një tjetër kohë, por ne nuk e patëm kuptuar; ndaj tani le të vuajmë paqartësinë tonë, po kjo shfaqje e përditshme debatesh politike,… është atdheu…? Po është atdheu si retorikë…! Po ulja e lindshmërisë dhe mosvaksinimi njerëzve, po fëmijët dhe gratë e dhunuara, po jeta e pakonsideruar dhe spitalet pa medikamente, po shkollat pa ngrohje dhe fëmijët me ushqim të pamjaftueshëm, po pleqtë e braktisur dhe arroganca e ryshfeti në zyrat e shtetit, po higjiena e munguar dhe pasiguria e ushqimeve që hamë e pimë që nga buka dhe deri te uji pijshëm…po garancitë sociale të jetës…a janë atdheu?! Nëse doni të bëni diçka për atdheun.. ju sugjeroj modestisht dy gjëra…Mos e vidhni atdheun dhe mos e pështyni dinjitetin atdhetar të njeriut të zakonshëm me “atdheun” si retorika e shpëlarë e hipokrizisë…! Mjaft më!
Sigal