Donald Trump dhe Qeveria e tij ndryshuan tërësisht politikën e brendshme dhe gjeopolitikën me pozicionimin në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe qëndrimin ndaj superfuqive të kohës. Me zhgënjim, shqetësim e keqarje janë ndjekur pasojat sidomos nga shtetet partnere evropiane. Ndodhemi përballë një relitetit të ri gjeopolitik ku Evropa kërkohet të marri vendin e saj në arenën botërore. Mendimi politik dhe qëndrimet zyrtare po ju përshtaten realiteteve të reja. Perëndimi dhe Aleanca Perëndimore që kemi përjetuar dhe bashkuar ngushtë të sotmen e të ardhmen nuk jamë më ashtu si i kemi dashur. Perëndimi aq tërheqës e rrezatues për potencialet e ti pozitive nuk ekziston më. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa ishin aq të lidhur sa nuk ndihej distanca e Oqeanit Atllantik.
BE po kërkon aleatë e partnerë të tjerë
Aktualisht po ndjehet çdo ditë e më shumë ftohtësia e largësia, në dritën e përkeqësimit të shpejtë të marrëdhënieve me SHBA-në nën Presidentin Donald Trump, që e ka detyruar Evropën të kërkojë diku tjetër për aleatë dhe partnerë.”Perëndimi siç e dinim nuk ekziston më,” paralajmëron Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Është me vend të theksohet, se evropianët përfshirë edhe Von der Leyen, e cila e përshkruan veten si një “mike e madhe” e SHBA-së dhe një “atlantiste e bindur”, mendojnë e shpresojnë se lidhja e gjatë e interesat e përbashkëta themelore midis të dy anëve të Atlantikut mbetet e paprekur pavarësisht ndryshimeve nën Trump.
Evropa e parashikueshme dhe e besueshme
Pas tarifave të gjera të Trump, të cilat Brukseli i përshkroi si “as të besueshme dhe as të justifikuara”, Presidentja e Komisionit Evropian ka kontaktuar përfaqësues nga Norvegjia, Islanda, Kanadaja, Zelanda e Re, Singapori dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Von der Leyen foli gjithashtu me kryeministrin kinez Li Qiang, duke nxitur spekulimet për një afrim midis BE-së dhe Kinës pas vitesh tensioni.
“Bota është bërë gjithashtu një glob gjeopolitikisht dhe rrjetet tona të miqësisë tani shtrihen në të gjithë globin, siç mund të shihet në debatin për tarifat”, tha von der Leyen në një intervistë të detajuar me gazetën gjermane Die Zeit të botuar të martën, më 14.04.2025.
“Tani për tani, unë mund t’i bëj këto diskutime 24 orë në ditë. Të gjithë duan më shumë tregti me Evropën, dhe nuk ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet ekonomike. Ka të bëjë gjithashtu me vendosjen e rregullave të përbashkëta dhe parashikueshmërinë. Evropa njihet për parashikueshmërinë dhe besueshmërinë e saj, e cila shihet përsëri si diçka shumë e vlefshme.
Nga njëra anë, kjo është shumë inkurajuese, por nga ana tjetër, ne padyshim kemi një përgjegjësi të madhe që duhet të përmbushim”, tha presidentja e Komisionit të BE-së.
Largimi nga aleatët tradicionalë
Me politikën e tij agresive tregtare, refuzimin e sistemit shumëpalësh, kërcënimet e tij për aneksim dhe përpjekjet e tij për t’iu afruar Rusisë, Presidenti Trump po largon Shtetet e Bashkuara nga aleatët e saj tradicionalë.
Kur u pyet nëse Amerika ishte një mik, një ish-mik apo një kundërshtar, Presidentja e Komisionit shmangu “atë lloj klasifikimi”, por pranoi se marrëdhënia ishte “e ndërlikuar”.
Von der Leyen nuk e kritikoi në mënyrë eksplicite Trump; në fakt emrin e presidentit amerikan e përmendi vetëm gazetari i Zeit. Megjithatë, ajo tregoi një refuzim të vendit që Trump po përpiqet të ndërtojë përmes një sërë urdhrash ekzekutivë.
Evropa është ende një projekt paqeje. Ne nuk kemi “vëllezërit” apo oligarkë që bëjnë rregullat. Ne nuk i pushtojmë fqinjët tanë dhe nuk i ndëshkojmë ata. Përkundrazi: 12 vende janë në listën e pritjes për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian. Popullsia e këtyre vendeve në procesin e anëtarësimit në BE është rreth 150 milionë njerëz.
Evropa mbetet sociale e humane. Fëmijët mund të shkojnë në shkolla të mira, pavarësisht se sa të pasur janë prindërit e tyre. Ne kemi emetime më të ulëta të CO2, kemi një jetëgjatësi më të lartë. Debatet e diskutueshme lejohen në universitetet tona. Këto dhe të tjera janë të gjitha vlera që duhen mbrojtur dhe që tregojnë se Evropa është më shumë se një bashkim. Evropa është shtëpia jonë. Njerëzit e dinë këtë dhe duan të ruajnë qytetërimin e mirëqënien.
Big Tech në pikëpyetje
Në lidhje me negociatat në vazhdim me Shtëpinë e Bardhë, pranohet se si mallrat industriale amerikane ashtu edhe shërbimet dixhitale mund të jenë në shënjestër si hakmarrje nëse bisedimet nuk çojnë në një zgjidhje. Brukseli shpreson se pauza 90-ditore e prezantuar nga Trump dhe e reciprocuar nga BE-ja do të çojë në një kompromis në të cilin tarifat gjithëpërfshirëse ose do të hiqen ose do të ulen ndjeshëm.
Megjithatë, sulmi ndaj shërbimeve të vlefshme të Silicon Valley rrezikon të pësojë zemërimin e administratës Trump, e cila është ankuar vazhdimisht dhe me zë të lartë për rregulloret që BE ka futur vitet e fundit për të frenuar fuqinë e kompanive të mëdha të teknologjisë.
Komisioni besohet se është në fazat përfundimtare të hetimeve të tij ndaj Meta dhe Apple sipas Ligjit të Tregjeve Dixhitale. Kompanitë mund të përballen me gjoba të rënda në procedurë. BE thekson se hetimet po zhvillohen plotësisht në mënyrë të pavarur nga bisedimet tregtare. Mbivendosja kohore e dy temave mund të ketë një efekt shpërthyes.
Evropianët po e bëjnë të qartë qëndrimin zyrtar, dhe amerikanët po bëjnë të njëjtën gjë. Dhe ky është thelbi i çdo negocimi: asgjë nuk është rënë dakord derisa të bihet dakord për gjithçka. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për tregtinë e mallrave industriale apo mallrat dixhitale, BE ka të drejtë të paraqesi dhe të mbrojë intereat e saj në kushtet e situatës së imponuar nga qëndrimet e njëanëshme të mbivlerësuara nga administrata amerikane që rëndojnë shtetet evropiane.
Për kompanitë e mëdha amerikane të teknologjisë, Evropa është një treg shumë tërheqës dhe i pasur. Ai përfshin 450 milionë njerëz që kanë një standard të lartë jetese dhe shumë kohë të lirë në krahasim me pjesën tjetër të botës. Kjo do të thotë se ka të ardhura dhe fitime të mëdha në sektorin e shërbimeve dixhitale këtu në Evropë. Asnjë kompani nuk dëshiron të humbasë aksesin në këtë treg të konsoliduar prej një kohe të gjatë e me fitime të garantuara.
Nga Pekini në Moskë
Ndërsa SHBA njoftoi tarifa ndëshkuese prej 20% për importet nga BE, Kina u godit me një tarifë të rëndë prej 145 për qind dhe arriti në 245 për qind për mallra e produkte të rëndësishme. Pekini u përgjigj menjëherë me tarifa për mallrat amerikane të një sasie të ngjashme. Tani tarifat janë aq të larta sa që të dy tregjet janë izoluar efektivisht nga njëri-tjetri, duke nxitur frikën se Kina mund të devijojë masivisht eksportet e saj të lira në Evropë në kërkim të një tregu alternativ.
Komisioni Evropian do të mbetet “shumë vigjilent” për të siguruar që kjo përmbytje e tregut të BE-së të mos ndodhë. Megjithatë, kur von der Leyen u pyet nëse Evropa duhet t’u “besojë kinezëve”, ajo nuk hodhi poshtë spekulimet në rritje për një afrim. “Kur kushtet e aksesit në treg bëhen më të vështira për një partner të madh tregtar si SHBA-ja, është e qartë se ne do të kërkojmë partnerë të rinj tregtarë për të lehtësuar aksesin në tregje të reja për kompanitë tona”, u përgjigj ajo.
Von der Leyen, e cila mbrojti një strategji “të mos rrezikojë” në trajtimin e Kinës gjatë mandatit të saj të parë, ka zbutur qëndrimin e saj javët e fundit, në vend të kësaj duke folur për një politikë të jashtme “transaktive” që mund të çojë në një marrëdhënie “konstruktive” me vendet që nuk ndajnë domosdoshmërisht vlerat themelore të BE-së, si Kina.
Partneriteti “pa kufij” midis presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin do të përbëjë një pengesë të madhe për çdo përpjekje për afrim. Dyshohet se “ambiciet imperialiste” të Putinit mund ta bëjnë atë të guxojë të sulmojë një vend anëtar të NATO-s ose BE-së në një moment në të ardhmen. Disa agjenci të inteligjencës vlerësojnë se Kremlini mund të jetë gati për një sulm të tillë deri në vitin 2030.
Meqë Trump nuk ka ndërmend të ofrojë mbështetje të mëtejshme ushtarake ose financiare për Ukrainën, Evropa po nxiton të mbushë boshllëkun, edhe pse aftësitë e kontinentit nuk mund të përputhen me ato të SHBA-së. Në të njëjtën kohë, aleatët perëndimorë kanë formuar një “koalicion të të gatshëmve” për të ofruar garanci sigurie për Kievin dhe për të siguruar një marrëveshje të mundshme e dinjitoze paqeje.
Ukraina e ka mbrojtur veten me guxim me ndihmën e miqve të tij. Evropa do të vazhdojë të mbështesë edhe e vetme Ukrainën. Udhëheqësit evropianë vlerësojnë jashtëzakonisht të rëndësishme që të tregojnë këmbëngulje, sepse llogaritja e Putinit që në fillim ishte se mbështetja për Ukrainën do të shkërmoqet. Në fakt, ka ndodhur e kundërta.
Për të garantuar paqen e sigurinë evropiane mbetet detyrë parësore gjetja e zgjidhjeve të pranueshme nga Ukraina, BE, SHBA e Rusia përfshi edhe Kinën.