Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi të hënën, më 22.07.2024, një rregullore për përfshirjen në regjimin e udhëtimit pa viza të qytetarëve serbë të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga Serbia, mes zhgënjimit të autoriteteve në Kosovë për një vendim të tillë.
Pasaportat e tilla nuk ishin përfshirë në kohën kur ishin liberalizuar vizat për Serbinë.
Në një njoftim të këtij këshilli thuhet se rregullorja siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke hequr përjashtimin e deritashëm për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Bashkërenduese serbe, e cila pajis serbët e Kosovës me dokumente nga Serbia.
Heqia e vizave për qytetarët serbë të Kosovës që mbajnë pasaporta të Serbisë arsyetohet nga BE si një “vendim teknik” për tu mundësuar të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor një regjim të njejtë vizash. Në të vërtetë kjo është një padrejtësi dhe paligjshmëri që bie ndesh me parimet e sanksionuara në të drejtën kushtetuese të Kosovës, si dhe të normave ndërkombëtare të Marrëveshjes së Lisbonës që është faktikisht Kushtetuta e maskuar e Bashkimit Evropian.
Vendimi i BE-së është marrë disa ditë pas marrëveshjes me Serbinë për partneritetin në shfrytëzimin e rezervave të Litiumit.
Autoritetet në Prishtinë u shprehën të zhgënjyera me vendimin e Bashkimit Evropian
Qeveria e Kosovës nuk ka mundësitë e nevojshme ligjore për të ndikuar në vendimet e Brukselit.
Megjithatë, ajo ka deklaruar se cilido vendim i Bashkimit Evropian, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten jolegale, në shkelje të plotë të tërësisë tokësore dhe sovranitetit të shtetit, e rrjedhimisht, të papranueshme për Republikën e Kosovës.
“Ato pasaporta, do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona. Secili qytetar i vendit, nga secili komunitet, ka të drejtën e plotë që të përfitojë nga lëvizja e lirë pa viza, përmes pasaportës së Kosovës. Andaj, justifikimi i përdorur se bartësit e këtyre pasaportave ilegale do të mbeten të izoluar, është i pasaktë dhe në shpërputhje me realitetin”, thuhet në reagim.
Qeveria tha se është e pashpjegueshme ngutja për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar pasojat qё munden dhe do tё përcjellin zbatimin e vendimit dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit të Kosovës.
Serbia e mirëpret vendimin
Ministri i jashtëm i Serbisë Marko Gjuriç e mirëpriti vendimin e Bashkimit Evropian duke e cilësuar “një fitore të vogël por e rëndësishme për të drejtat e njeriut të serbëve në Kosovë”.
Pasaporta e Kosovës njihet ndërkombëtarisht
Kosova është Republikë Demokratike dhe ka forcuar pozitat e saj në bashkësinë ndërkombëtare. Pasaportat e saj njihen gjerësisht.
Kosova është shtet që njihet nga Bashkimi Evropian dhe nga shtetet e saj anëtare, me përjashtim të pesë shteteve. Në tërësi, ajo njihet ndërkombëtarisht nga 115 shtete. Shteti i Kosovës është i përkushtuar tërësisht në integrimin evropian dhe vepron me të gjitha mundësitë për njohje të mëtejshme ndërkombëtare, megjithë pengesat e krijuara nga presionet e Serbisë për heqien e njohjeve dhe kërkesat që BE dhe SHBA të mos mbështesin njohjet e mëtejshme.
Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të mbajnë pasaporta serbe
Qytetarët serbë të Kosovës mund të mbajnë edhe pasaporta të Serbisë meqë kjo u lejohet me ligjin për dyshtetësi.
Kosova ka qasje liberale sa i përket dyshtetësisë dhe nuk u kufizohet qytetarëve të saj të kenë madje disa shtetësi. Por, me vendimin e BE-së legalizohet dhe pranohen dokumentet e lëshuara nga autoritetet serbe dhe nuk flitet për detyrimin që ata kanë për pasaportat si shtetsa të Kosovës. Kështu pranohet krijimi automatikisht i dualitetit të pasaportave dhe identietit shtetëror. Qendra koordinuese lëshon pasaporta për shtetas të Kosovës ndërsa Ministria e Punëve e Brendshme serbe lëshon për qytetarë të Serbisë që jetojnë në Serbi!
Vendimi i Këshillit të KE-së krijohen vështirësi për marrëveshjen përfundimtare
1.Vlen të theksohet se vendim i KE-së merret në kohën që diplomacia evropiane kërkon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Kosova pranon Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit. Ndërsa Serbia nuk e pranon tërësisht, pasi nuk do që ta njohi faktikisht Kosovën. Për këtë arësye, pengesa kryesore për marrëveshjen përfundimtare është Serbia.
Problemi kryesor për Beogradin është krijimi i Asociacionit të Serbëve të Kosovës dhe ushtron presion që të arrihet ky qëllim.
Kosova deklaron se do të krijojë asociacionin me garanci nga ndërkombëtarët. Garancia është e domosdoshme për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit teritorial të vendit, moslejimin e kushteve për krijimin e një Republike të Re Srpska, parandalimin e tentativave për shkëputje dhe bashkim me Serbinë.
Por garancia nuk deklarohet zyrtarisht nga ndërkombëtarët.
- Njohja e pasaportave e pasaportave serbe legjitimon në realitet ndikimin e Serbisë ndaj pushtetit të Kosovës, pasi pakica serbe nuk do të ketë përparësi integrimin në institucionet e shoqërinë e shtetit, por do të thellohet varësia nga Serbia.
- Serbia vazhdon të ketë në fuqi nenin 6 ku Kosova është pjesë e saj. Paisja e serbëve të kosovës me pasaporta serbe dhe heqia e vizave përforcon pushtetin e Serbisë në komunat me shumicë serbe. Në pasaportat e serbëve janë të shënuara vendbanimet si pjesë e teritorit të Serbisë, jo të Kosovës.
- Serbët e Kosovës përfitojnë një status tjetër të veçantë në Kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ndryshimi ndodh kur Serbia pasivizon adresat e pasaportat e shqiptarëve në Serbinë Jugore, veçanërisht në Luginën e Preshevës. Me këtë akt evropian pranohet e thellohet roli i privilegjuar i serbëve të Kosovës dhe diskriminimi i mëtejshëm ndaj shqiptarëve në Serbi. Serbët gëzojnë të drejta të shumta në Kosovë, ndërsa shqiptarët në trojet e tyre në Serbi nuk arrijnë të kenë të mbrojtura të drejtat minimale të njohura ndërkombëtarisht.
- Problemi politik bëhet më i dukshëm, për vetë të drejtat që BE u njeh serbëve në Republikën e Kosovës. Praktikisht nënvleftësohet pushteti qëndror në Prishtinë dhe shtrirja e fuqisë së tij në gjithë teritorin pa kufizime.
Analiza e masave të marra nga Këshilli i BE-së tregon apo nënkupton precedentin që dobëson sovranitetin, tërësinë teritoriale dhe zbatimin me kufizime të Kushtetutës e ligjeve të Kosovës.
Serbia mbështetet në kërkesat që bën dhe ndaj Kosovës ushtrohet në vazhdimësi presion.
Nuk është zbatuar barazia në marrëdhëniet ndërkombëtare të BE-së me Kosovën dhe Serbinë.
Vënia e sanksioneve ndaj Kosovës dhe mos ndëshkimi i Serbisë për ngjarjen e 23 shtatorit 2023, në Banjskë, është padrejtësi ndaj Kosovës dhe presion për ti imponuar marrjen e vendimeve në kundërshtim me interesat kombëtare, sovranitetin e integritetin teritorial të saj
Afrimi i Serbisë ndaj BE-së është bërë me lëshimet që kanë bërë drejtuesit politikë të Kosovës edhe në kundërshtim me interesat kombëtare të shqiptarëve.