Prof.Dr. Gjergj Sinani: Kur mungon drejtësia totalitarizmi merr pushtetin dhe politika e brendshme i le vend intrigave dhe dhunës

Prof. Gjergj Sinani

-Besa “Kodi moral i shqiptarëve” që i dallon ata nga popujt e tjerë mbetet unik ku mungon drejtësia

– Një nga zbulimet e qeverisë totalitare, ka qenë metoda që konsistonte në gërmimin e vrimave të mëdha ku varrosnin faktet dhe ngjarjet.

Sigal

-Totalitarizmi nuk u kërkon njerëzve që të jenë vetvetja, por u kërkon një bindje të pakushtëzuar.

 

“Ne jetojmë në frikë, tani ne do të jetojmë me shpresë”, këto fjalë i tha gruas së vet shkrimari francez Tristan Bernard (1866 – 1947) me origjinë hebreje në makinën e gestapos që po i shpinte në kampin e përqëndrimit. Fjalë që shprehin dramën më të thellë të ekzistencës së hebrejve në Europë.

Për të realizuar një përtëritje shpirtërore, vlen të kujtojmë ato pika referimi në historinë tonë të afërt europiane që dëshmojnë për aktet e larta të njerëzve, të cilët, kur ora e historisë i vuri në provën e integritetit moral, treguan virtyte të larta të moralit dhe të humanizmit. Në këtë kontekst njeriu shqiptar tregoi një integritet të lartë moral. « Kodi moral i shqiptarëve i dallon ata nga popujt e tjerë të Europës. Ky grup i vogël që jetonte në kushte të ashpra ekonomike u shfaq si shoqëria më morale e ditëve më të egra të Luftës II Botërore », -shkruan Harvey Sarner. Si shumë dëshmimtarë okularë dhe shumë autorëve të tjerë edhe Sarner është i mrekulluar nga ky virtyt i lartë moral, që quhet « Besa », sa thekson se për fatin e hebrejve refugjatë që kërkonin strehë nga makina vrasëse naziste, ata u mirëpritën nga familjet shqiptare, sepse për ta « mik » nënkupton mik jo vetëm në shtëpi, por edhe në vendin e vet. Virtyti i besës, sipas të cilit nëse shqiptari të jep fjalën ai më mirë vret djalin e vet se sa ta thyejë atë, pasi në rast të kundërt ai humbet nderin e tij, vlen të kujtohet dhe të mendohet për të kuptuar personin njerëzor. Ajo që përbën unicitetin e rastit shqiptar është fakti se edhe qeveria kuislinge, pavarësisht nga mëkatet e saj, nuk dorëzoi asnjë hebre te pushtuesit nazistë. Kur atyre ju kërkua që të dorëzonin një listë të të gjithë hebrejve, që gjendeshin në Shqipëri, ata jo vetëm që nuk u bindën, por deklaruan se për aq kohë sa do të ishin ata në sundim asnjë e keqe nuk do t’u vinte hebrejve. Pavarësisht se kjo fjalë është përdorur shumë edhe nga diskursi politik. Më duhet të theksoj se të paktë janë ata që kanë reflektuar ndaj kësaj vlere të shqiptarëve. Ky përbën një virtyt të kulluar moral, sepse nuk përmban interesin brenda. Dhe këtë na e shpjegon në disa rreshta të mrekullueshme albanologu hungarez Franc Baron Nopça, i cili e pa këtë virtyt si te të krishterët dhe te myslimanët. Pas një përshkrimi të hollësishëm të virtyteve shqiptare ai vëren se « rezultati ishte se dallova që një besë mund të ishte e qëndrueshme vetëm atëherë kur njerëzit nuk e venë re nëse unë jam ose jo i interesuar në arritjen ose mosarritjen e besës ». Ky veprim i shqiptarëve dëshmon edhe për një fakt tepër të rëndësishëm se është e pamundur për një qenie njerëzore që brenda tij të mos punojë humaniteti i tij.

Ky është një fenomen shumë vendimtar.

Humaniteti ynë është i lidhur në mënyrë të pandashme me një hapje thelbësore që na bën të shqetësohemi për të tjerët, sidomos kur ata ndodhen në një gjendje të dëshpëruar. Dhe pikërisht këtë hapje thelbësore ne duhet ta mendojmë filozofikisht në qoftë se ne duam që të kuptojmë qenien e të qenurit tonë, sepse edhe gjyetari nuk mund ta vrasë një zog që fluturon drejt tij për të kërkuar një strehë. Ndërmjet dëshmive të shumta që kanë dalë në dritë mbas përmbysjes së regjimit totalitar komunist, vlen të theksohet vlerësimi që ka bërë Dr. Mordecai Paldiel për këtë virtyt, drejtor i departamentit të të drejtëve në Yad Vashem. « Ky (virtyt) është vetëm e vetëm shqiptar. Dhe në sajë të Besës pothuajse të gjithë prej 2000 hebrejsh në vend u shpëtuan dhe mbijetuan. Si përfundim, shembulli shqiptar është dëshmi e një tipi Islamik sjelljeje i ndryshëm nga ato që për fat të keq përbëjnë kryetitujt e këtyre ditëve. Jo hakmarrja, urrejtja dhe vetvrasja, por dhemshuria, dashuria mirëbërëse dhe ndihma ndaj personave të një besimi dhe origjine tjetër ». Kjo tregon se virtyti tjetër i shqiptarëve është toleranca fetare. Pra, detyra themelore e të qenurit njerëzor do të thotë që të bësh atë që duhet bërë edhe pa qenë nevoja t’i bëhet thirrje ndonjë parimi universal. Shqiptari bëri atë që duhej bërë pa hezituar. Humaniteti i tij nuk do të ishte i qetë në qoftë se ai nuk do të bënte atë që i kërkohej atij në atë kohë: të shpëtonte të pafajshmit. Duket se maksima e Sokratit se më mirë është që ta pësosh vetë të keqen se sa ta bësh atë, ishte rrënjësuar thellë tek ata edhe pse nuk e njihnin filozofinë e tij. Merita jonë historike, përfshirë dhe tolerancën fetare, nuk duhet parë si një mbijetesë e padobishme.

-Totalitarizmi përdor gjithçka për ta përfshirë në aparatin e pushtetit të tij, për ta dominuar individin sipas rolit që legjenda i atribuon gjarprit; ta joshë viktimën, me qëllim që ta gëlltitë sa më mirë.

-Ajo që përbën unicitetin e rastit shqiptar është fakti se edhe qeveria kuislinge, pavarësisht nga mëkatet e saj, nuk dorëzoi asnjë hebre te pushtuesit nazistë.

 Aktualiteti e bën imperative kujtesën e meritave historike.

Pra, detyra e kujtesës është jo vetëm që të sjellë në kujtesën e njerëzve shembuj që tregojnë se si shfaqet humaniteti i njeriut, kur vihet në provën e faktit që i sjell historia, por edhe që të kuptojmë se kjo barbari nuk ishte fakt vetëm i një individi imoral, por se kjo ishte vepër e një sistemi të ri. Kjo do të thotë se forca e një njeriu u ridublua, ose u drejtua, përmes një sistemi. Atëherë detyra jonë është që të kuptojmë dhe t’ua trasmetojmë të rinjve koherencën e tmerrshme të këtij sistemi të të keqes. Detyra e kujtesës është që mendojmë se si u lindën marksizëm – leninizmi, stalinizmi dhe nazizmi, por gjithashtu edhe aspektet e jetës sonë aktuale. Duke lexuar dhe kujtuar ne njohim një eksperiencë që lidhet me ne edhe sot, përfshirë dhe demokracitë liberale. Regjimet totalitare që përjetuam, përfaqësojnë botën e jo-lirisë, të mos-zbutjes, botën e ndrydhur ku edhe Zoti ishte tërhequr. Përballë autoritetit të tyre arbitrar, meskin dhe të padrejtë, e vetmja rrugë shpëtimi ishte të ndiqje ligjin tënd individual, të refuzoje nënshtrimin dhe të kapërxeheshin barrierat ndaluese. Detyra e kujtesës na thërret që të mendojmë se disa janë humanë dhe disa nuk janë.

Ne të gjithë duhet të gjejmë mënyrat për të qenë humanë.

Të jesh human nuk është një natyrë, por diçka që ne duhet të jemi dhe që nuk është e parapërcaktuar. E thënë filozofikisht, qenia e të qenurit human nuk është natyrore. Prandaj Levinasi theksonte se çështja vendimtare duhet të jetë ajo e etikës, domethënë e marrëdhënies me tjetrin. Kështu, projekti nazist i shfarosjes nuk kishte asnjë lidhje me luftën, por ishte kërkuar si një projekt sistematik deri në realizimin e vet total. Thelbësorja e këtij krimi nuk ishte thjesht zgjedhja e viktimave, por natyra e tij. Sigurisht herbrejtë ishin viktimat kryesore, por e rëndësishme është të kuptohet se me këtë krim kemi të bëjmë me një sulm ndaj vetë humanitetit të njeriut, nën formën e seleksionit. Historia ka njohur shumë konflikte ndërmjet popujve, por ajo që karakterizon krimin nazist është karakteri kalkulues, mekanik, burokratik i shfarosjes dhe, nga ana tjetër, zbatimi si projekt “mjeksor”. Nazizmi kishte si veçori se ishte një antisemitizëm “shkencor” dhe mjeksor dhe kjo gjë për herë të parë në historinë e njerëzimit. Dita e kujtesës na thërret të reflektojmë se si u arrit në racionalitetin e tmerrshëm të shfarosjes e mishëruar kjo në kampet e përqëndrimit. Veçanësia e këtyre kampeve ishte drejtimi i tyre i pastër administrativ dhe teknik që fshiu çdo lloj humaniteti. Qeniet njerëzore nuk ishin gjë tjetër veçse mallra që i hypnin në trena drejt një shkatërrimi të programuar. Duke e bërë industrial këtë shkatërrim të qenieve njerëzore dhe pastaj në kufoma, kjo i bëri nazistët që të mendojnë në mënyrë teknike, domethënë vetëm e vetëm në funksion të rezultatit të kërkuar; shkatërrimin masiv dhe ekonomik për maksimumin e popullsisë. Prandaj, sot na duhet që të kuptojmë katastrofën e djeshme, pasi, siç shprehej Niçe, të vërtetat që harrohen kthehen në katastrofa. Të tregosh se e vërteta e sistemit nazist funksiononte në një moment pavarësisht nga qeniet njerëzore që e bënë të ishte, kjo do të thotë që të mohohet përgjegjësia e secilit dhe lirinë që duhet të na karakterizojë. Është kollaj të quhet barbari ose monstruozitet ajo që ndodhi me nazizmin, por ajo që ndodhi u krye përmes përdorimit të metodave industriale që u përdorën në mënyrën sa më pak spektakolare të mundshme që synonin një “seleksionim biologjik” sa më afikas. Por, a jemi ne të lirë sot nga një marrëdhënie biologjike me qenien njerëzore? A jemi ne të lirë nga perspektiva e operimit të një seleksioni efikas ndërmjet atyre që kanë të drejtë për të jetuar dhe atyre që nuk e kanë? A jemi ne të lirë në raport me sëmundjen, të bazuar me çdo çmim te efikasiteti, duke mohuar dimensionin me të vërtetë njerëzor të mjeksisë? A jemi ne të lirë nga një marrëdhënie totalitare me natyrën, me kafshët dhe tërë gjallesat, domethënë a jemi ne të lirë për t’i parë jashtë skemës së rentabilitetit ku ne i shikojmë këto gjëra? Këto pyetje, që shtrohen në shoqërinë e teknologjisë së lartë, do të thotë se brishtësia e kushtit tonë nuk është një aksident i thjeshtë, por është fytyra e ekzistencës njerëzore. Prandaj ne kemi nevojë për sjelljen në kujtesën europiane të aksioneve morale që tregojnë humanitetin e një populli, pasi aksioni moral e përpunon individin. Në këtë kuptim, aksioni moral i shqiptarëve vlen të theksohet e të ritheksohet për gjeneratat e reja, pasi liria dhe institucionet demokratike nuk do të jenë të qëndrueshme pa aksionin moral.

– Merita jonë historike, përfshirë dhe tolerancën fetare, nuk duhet parë si një mbijetesë e padobishme.

– Totalitarizmi mbështetet mbi shkëputjen e lidhjeve, që e lidhin njeriun me disa pika referimi të qëndrueshme dhe duke e privuar nga çdo referencë morale, njeriu aspiron nga hiçi dhe anarkia brenda tij.

-Totalitarizmi i premton çdo njeriu atë që ai dëshiron me qëllim që ta joshë sa më mirë.

Shpesh dëgjohet se e kaluara duhet të harrohet për të parë nga e ardhmja.

Në fakt e kaluara duhet menduar për të kuptuar se çfarë lloj njerëzish jemi. Për shoqëritë, që dalin nga totalitarizmi kjo është një detyrë themelore me qëllim që njerëzit të mos vazhdojnë të mbeten viktima të mashtrimit dhe iluzionit. “Një nga zbulimet e qeverisë totalitare, shkruante Hanah Arendt, ka qenë metoda, që konsistonte në gërmimin e vrimave të mëdha ku varrosnin faktet dhe ngjarjet që nuk mund të flitet, ndërmarrje e gjerë që mund të realizohej vetëm duke vrarë miljona njerëz që kishin qenë aktorë ose dëshmimtarë të të kaluarës. E kaluara ishte e dënuar sikur nuk kishte ekzistuar kurrë”. Nuk duhet të harrojmë se totalitarizmi, kudo ku u realizua përfshirë dhe Shqipërinë, duhet të konsiderohet si i vetmi rrezik i madh që kërcënon me rrënim total jo vetëm entitetin tonë politik, por edhe mbijetesën shpirtërore dhe substancën tonë morale. Kur totalitarizmi merr pushtetin, politika e brendshme i le vend intrigave dhe dhunës. Totalitarizmi mbështetet mbi shkëputjen e lidhjeve, që e lidhin njeriun me disa pika referimi të qëndrueshme dhe duke e privuar nga çdo referencë, sidomos çdo referencë morale, njeriu aspiron nga hiçi dhe anarkia brenda tij. Totalitarizmi i premton çdo njeriu atë që ai dëshiron me qëllim që ta joshë sa më mirë. Në këtë kaos human, që nuk kuptohet si një kaos i brendshëm, sepse së jashtmi rendi ekziston, por që ka si pasojë një ndjenjë pakënaqësie të thellë, totalitarizmi shfaqet si një rrugë shpëtimi. Totalitarizmi nuk u kërkon njerëzve që të jenë vetvetja, por u kërkon një bindje të pakushtëzuar. Totalitarizmi përdor gjithçka për ta përfshirë në aparatin e pushtetit të tij, për ta dominuar individin sipas rolit që legjenda i atribuon gjarprit; ta joshë viktimën, me qëllim që ta gëlltitë sa më mirë. Kështu, njerëzit, të privuar nga çdo pikë reference, që nuk kanë më ndërgjegjen e vetvetes dhe të lirisë së tyre, por që aspirojnë që të pohohen në mënyrë të verbër duke ndjekur një rregull të imponuar, e lenë veten të bien në kthetrat e kësaj makine që i trajton thjesht si një material dhe kështu humbasin gjithçka, që kishin besuar se e kishin fituar dhe e ruanin. Prandaj totalitarizmi ka vetëm një armik; vetë lirinë, domethënë të vërtetën, universitetet, vendet e kërkimit të lirë, artin dhe letërsinë, pasi ato na bëjnë që të depërtojmë në tokat e panjohura të shpirtit, gjithçka që është eksperiencë, gjithçka që piqet përmes përsosjes intelektuale, gjithçka që te çdo qenie njerëzore nuk lejon që të udhëhiqet nga diçka tjetër; ndërgjegja për të qenë vetvetja. Jo më kot Hitleri deklaronte se do t’i largonte njerëzit nga ajo humnerë që quhet ndërgjegje. Historia që ndikon në emancipimin do të ndikojë në një ripërtëritje shpirtërore, sidomos për shoqëritë e sapo dala nga regjimet totalitare. Prandaj, çdo vullnet që nuk do të mendojë rreth rreziqeve që na tregojnë historia dhe aksioni politik, atëherë ai do të përballet me surpriza të çuditshme në të ardhmen. Detyra e kujtesës është që të përjetësohet liria brenda një vendi të lirë. Në rendin shpirtëror të drejtat e pensionit nuk ekzistojnë. Më lejoni ta mbyll këtë diskutim me fjalët e Levinas: “Ekziston vetëm kjo: kohë pas kohe, muzgje të çuditshme e ndalojnë historinë e ndriçuar, drita copëtohet në flakëra të vogla të panumërta luhatëse dhe ambige, toka e fortë ju rrëshqet nën këmbë, ngjarjet fillojnë të rrotullohen në rrathë ferri rreth një ndërgjegjeje përsëri pa vend.