Ambasadorja e SHBA-së znj. Yuri Kim në konferencën për shtyp në dt 21.06.2023, para largimit nga Shqipëria, deklaroi se për Shqipërinë problem mbetet korrupsioni. Me shumë të drejtë znj. Yuri Kim theksoi të drejtën e pronës, duke kërkuar që kjo e drejtë të jetë plotësisht e garantuar. Theksojmë se para 10 vjetësh Kryeminstri Edi Rama ka deklaruar në Kuvendin e Shqipërisë se për shkak të anarkisë me të drejtat e pronësisë janë më shumë se 8.000 të vrarë dhe ky numur pa llogaritur familjet që janë ngujuar dhe pastaj detyrohen të emigrojnë për ti shpëtuar gjakmarrjes. Në këto kushte rekomandimi i drejtë i znj. Yuri Kim duhet plotësuar me kushtëzimin dhe monitorimin nga institucionet ndërkombëtare për zbatimin e Kushtetutës që vazhdon të shkelet.
Për të siguruar drejtësi, paqe, liri, sundim të ligjit, që janë vlera dhe shërbejnë si “shtylla e parë” për zgjerimin e Bashkimit Europian, duhet që e drejta e pronës të respektohet në përputhje me detyrimet kushtetuese, “Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut”, “Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut” dhe mbi koncepte ligjore të përcaktuara mirë në jurisprudencën e vendeve më demokratike.
Milton Friedman, ekonomisti fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi është shprehur se të drejtat e pronës janë “më themeloret e të drejtave të njeriut dhe themeli për të gjitha të drejtat e tjera njerëzore.” Sipas Friedrich A. Hayek, ekonomist dhe filozof i shquar dhe Fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi… “Prona private është garancia më e rëndësishme e lirisë.”
John Locke, një nga filozofët që ka patur një ndikim të madh mbi demokracinë, në Traktatin e Dytë, pohon se shoqëria civile u krijua vetëm për mbrojtjen e pronës. Locke thotë që “pronë” do të thotë “jetë, liri dhe pasuri”. Kjo do të thotë se kur dikujt i mohohet prona e tij, atij i mohohet jo vetëm pasuria fizike por edhe jeta e liria, që do të thotë ta skllavërosh atë. Nga Inkasit tek “Politika” e Aristotelit, nga Tora e hebrejve, Bibla dhe Kurani tek Kanuni i Lekës, të gjitha këto krijuan parimet që mbronin pronën private. Ato ishin një mbrojtje e përgjithshme dhe e hershme e pronës private, ndërkohë që ndalonin vjedhjen. E drejta për të poseduar dhe gëzuar pronën është pjesë themelore e të drejtave të njerëzve. Të drejtat pronësore janë themelore për të gjitha të drejtat e tjera.
Funksionimi i mbrojtjes nga ana e shtetit të të drejtave pronësore në një sistem të zyrtarizur të pronës, ku pronësia dhe transaksionet shënohen dhe regjistrohen në mënyrë të qartë dhe të pakontestueshme, bën të mundur një pavarësi më të madhe për individët për të mbrojtur pasuritë e tyre dhe siguron pronësi të qartë, të vërtetueshme dhe që mund të mbrohet; kjo rrit investimet serioze dhe afatgjata, veçanërisht ato të huaja; rrit besimin që vjen nga një siguri më e madhe në dënimin e mashtrimeve në transaksionet ekonomike dhe lejon zhvillimin ekonomik.
Mosrespektimi i të drejtave pronësore ushqen pafund korrupsionin. Korrupsioni është një kërcënim vdekjeprurës për demokracinë, që e shkatërron besimin e njerëzve në institucionet politike dhe administratën shtetërore siç është situata e Shqipërisë sot. Mosrespektimi i të drejtave të pronësisë krijon një rrezik real që demokracia të mos funksionojë dhe të kthehet në një maskaradë dhe të zhduket.
Një pasurim i padrejtë është një përfitim i marrë gabimisht për shkak të ligjit apo fakteve ose rastësisht. Në jurisprudencën e vendeve demokratike është pranuar gjerësisht se ai që merr një përfitim në dëm të pronarit të ligjshëm duhet të bëjë kthimin e tyre pronarit të ligjshëm, prona e të cilit vërtetohet se është e blerë, e dhuruar apo e trashëguar. Një pasurim të cilit i mungon baza ligjore konform kushtetutës është i padrejtë dhe ky është një transferim i paefektshëm për të çuar në një ndryshim përfundimtar të së drejtës së pronësisë për pronarin që vërteton se pronën e ka të blerë të dhuruar dhe të trshëguar siç pëcakton neni 41 i Kushtetutës. Kjo situatë dominon në bregdetin Vlorë -Sarandë dhe në prill 2021 është bërë publike nga Banka Botërore.
Askush nuk kundërshton se shtetin e bën ligji dhe shkelësi i ligjit duhet ndëshkuar. Vetingu dhe transparenca e pronave duhet të fillojë me shtetin.
Shoqatat e pronarëve kanë deklaruar shumë herë se prona zgjidhet shpejt dhe pa faturë financiare nëse secili merr pronën e tij sipas dokumentave të origjinës dhe deryrimeve kushtetuese , por kjo kërkon vullnet politik ose kushtëzim nga ndërkombëtarët.
Prpblemi i pronës drejtohet nga Kryeministri, i cili si drejtues i Kadastrës duhet të urdhërojë verifikimin e ligjëshmërisë së titujve të pronësisë, duke filluar me rastet që vetë Departamenti i Kontrollit Antikorrupsion i Kryeministrisë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i kanë konstatuar dhe i kanë bërë publike si akte absolutisht të paligjëshme, por për zbatimin e ligjit nuk është bërë asnjë veprim për zbatimin e ligjit. Gjykata Kushtetuese mund t’a realizojë zgjidhjen e ngërçit nëse në arsyetimin e një rasti konflikti për pronat do të përcaktojë se çfarë prone duhet kompensuar, të kërkojë zbatimin e nenit 181/2 të Kushtetutës, duke saktësuar që kompensimi të përfshijë vetëm pronat që janë tjetërsuar për nevoja publike, por jo prona të përfituara nga klanet e politikës me akte NUL.
Zgjidhja e çështjes së të drejtave të pronësisë që jep tituj pronësie të pakontestueshëm, do të parandalojë humbjen e jetëve të tjera njerëzore, do të rrisi sigurinë dhe stabilitetin social dhe hap rrugën për në BE. Në përfundim zgjidhja e anarkisë institucionale që vazhdon prej vitit 1991, kërkon vullnetin politik por edhe kushtëzimin nga ndërkombëtarët për zbatimin e Kushtetutës.