Vetëm një muaj nga takimi i presidentit të Republikës Popullore të Kinës, Xie Jinping, me presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, Uashingtoni dërgoi një delegacion të nivelit të lartë në Pekin. Ky delegacion, përveç tjerash, shkoi atje për të përgatitur njëkohësisht një vizitë zyrtare të sekretarit të Shtetit Amerikan, Anthony Blinken, në Kinë. Siç njoftonte departamenti i Shtetit në SHBA, ky delegacion i nivelit të lartë amerikan udhëtoi këtë javë dhe bëri vizita gjithashtu edhe në Korenë e Jugut dhe në Japoni. Ai kryesohej nga i ngarkuari për Azinë Lindore dhe Pacifikun, Daniel Kritenbrink, të cilin e shoqëroi gjithashtu e ngarkuara për Kinën e Tajvanin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Laura Rosemberger. Presidenti Xi dhe ai Biden u takuan më 14 Nëntor të këtij viti në kuadër të Samitit të G20-ës në Bali. Ata biseduan për disa orë dhe trajtuan temat më të rëndësishme e sensitive të zhvillimeve në botë si dhe të marrëdhënieve midis të dy vendeve.

Kina dhe SHBA-të nuk pajtohen mes tyre për disa çeshtje të këtyre zhvillimeve, por në Bali të dy kryetarët e shteteve ranë dakord që të intensifikojnë përpjekjet për rivendosjen e rendit botëror pas sulmeve ushtarake ruse kundër Ukrainës të 24 shkurtit 2022. Në takimin e Balit dy liderët e dy vendeve më të fuqishme të botës u morën vesh për bashkëpunim të dyanshëm. Presidenti Biden e siguroi presidentin e Kinës, Xi Jinping, se SHBA-të do ta trajtojnë dhe menaxhojnë me përgjegjësi të plotë konflikin me Republikën Popullore të Kinës. Kjo do të thotë se Uashingtoni në kushtet e rrethanat e reja të zhvillimeve aktuale, sidomos në Ukrainë, dëshiron një lloj detante me Pekinin. Pse jo, edhe një marrëdhënie bazuar në mirëbesim. Ndërkaq Presidenti kinez, Xi, e siguroi homologun e tij amerikan se Kina nuk ka për qëllim të sfidojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as të ndryshojë rendin ekzistues ndërkombëtar. Ndaj dhe garancitë e ndërsjellta të të dy presidentëve po çojnë në shtendosjen e marrëdhënieve midis të dy vendeve. Por nuk mund të thuhet se skepticizmi dhe mosbesimi është eleminuar. Mesa duket në këtë situatë të krijimit të një ekuilibri të ri midis tyre ka shërbyer fakti që zonja Pelosi është larguar tashmë nga funksioni i spikeres së Dhomës së Ulët të Kongresit Amerikan. Individët në politikë kanë një rol të caktuar, shpesh herë të rëndësishëm edhe në marrëdhëniet midis shteteve. Nëse i kthehemi historisë së marrëdhënieve kinezo-amerikane, atëherë kuptojmë p.sh sa rol të rëndësishëm kishte në këto marrëdhënie të fillimit të viteve 1970 ish-sekretari i Shtetit, Henry Kissinger. Interesant duket fakti që vizita e delegacionit amerikan në Pekin vijoi gjithashtu në Korenë e Jugut dhe në Japoni. Eshtë lehtë të kuptohet se pala amerikane po kërkon mirëkuptimin e aleatëve të saj në Pacifik për shtendosjen e marrëdhënieve Uashington-Pekin. Ka mundësi që në këtë ndërmarrje diplomatike të flitet edhe për përmirësimin e marrëdhënieve midis Pekinit, Seulit dhe Tokios. Në fund të fundit një gjë e tillë vetëm se do ta forconte stabilitetin në kontinentin më të madh të globit. Uashingtoni ka interes të posaçëm për marrëdhënie normale me Kinën, pasi i duhet që ta kapërcejë sfidën ruse në Ukrainë. Mbajtja e Kinës në një pozicion neutral ose në pozicion aktiv kundër agresionit rus në Ukrainë është pjesë e taktikës amerikane të bashkëpunimit me Pekinin. Dhe duket qartë se në këto përpjekje SHBA-të janë e duhet të jenë serioze dhe të vendosura. Pas katër vitesh, për herë të parë sekretari i Shtetit Amerikan do ta vizitojë Pekinin. Në rrethana normale të zhvillimeve ndërkombëtare kjo vizitë mund të mos ishte lajm i rëndësishëm. Por në kushtet e krijuara pas datës 24 shkurt të këtij viti që po mbyllet, një vizitë si kjo përbën ngjarje me rëndësi globale. Në fund të fundit qëllimi kryesor në kushtet e sotme është të parandalohet një luftë e re botërore dhe të punohet për stabilitetin, paqen e soigurinë në botë. Një objektiv i tillë nuk mund të arrihet pa kontributin dhe angazhimin e Republikës Popullore të Kinës. Ndërkaq presidenti dhe qeveria kineze kanë shansin që në këmbim të këtij kontributi të kërkojnë më shumë mirëkuptim dhe arsyetim të interesave të saj. Natyrisht që pjesë e diskutimeve dhe dialogut midis Kinës dhe SHBA-ve janë e do të jenë edhe çeshtje të tjera si ajo e Tajvanit dhe Koresë së Veriut. Por Ukraina përbën atë që quhet nyja gordiane e rikthimit në kushtet e stabilitetit dhe paqes globale.





















