Prof. Dr. Enver Bytyçi: Kush janë fajtorët e vërtetë të dramës së 21 janarit 2021?!

*

Debat i paparë për vrasjet e 21 janarit 2011! Preç Zogaj thotë se ato vrasje “u bënë me paramendim”! Lorenc Vangjeli shton më pas dhe bën kasandrën: “Atë ditë mund të ishin vrarë dhjetra e qindra, masakër do ishte bërë”! Dikush tjetër flet si profan e thotë “I vrau Saliu”! Sa e sa formulime janë sajuar e sajohen për atë ditë dimri të vjetit 2011 e sidomos për vrasjet e katër protestuesve. Artan Hoxha nga ana tjetër i thotë një moderatorit të një TV-je se “ja ku e ke audion, dëgjoje kush i vrau ata katër njerëz”! Vetëm SPAK-u nuk po i sheh këto fraza që nxjerrin profanët e ekraneve në këtë rast, si në shumë raste të tjera.

Janë këto e shumë mufka të tjera që lëshojnë psh Idajet Beqiri apo beqirë pa fund, të cilat më bëjnë që 21 janarin ta shoh përmes një analize më të hollë e më të detajuar. Vendimi për të bërë protestën e 21 janarit erdhi më 12 janar, 9-10 ditë para realizimit të saj. Kohë më parë TV Top Channel transmetoi në emisionin Fex Fare të Sajmir Kodrës videon e famshme të aferës “700 mijë eurove” të Ilir Metës, asokohe zv. kryeministër dhe ministrë i Ekonomisë së vendit. Ilir Meta ka dhënë këto ditë versionin e tij për atë ngjarje tragjike dhe shpjegimi i tij duket i arsyeshëm. Ai mund të mos ketë thënë shumë gjëra të tjera në rrëfimin e tij. Por ato që thotë kanë sens, kanë logjikë dhe duken të besueshme. Në fund të fundit është fakt se SPAK nuk po heton “700 mijë eurot” e videos Meta, por po heton “vrasjen” e katër protestuesve.

NOA

Videoja e transmetuar dhe shërbyer nga Dritan Prifti (ministër i LSI-së në qeverinë Berisha 2), doli e sajuar dhe e montuar. Madje para protestës së 21 janarit autorët u detyruan të tërheqin pjesën në të cilën përfshihej Liri Berisha dhe Sali Berisha. Sepse panë që kishin bërë autogol me fallsifikimet dhe montimet e shëmtuara të atij rasti. Sigurisht që përfshirja ishte e qëllimshme, për të akuzuar gjithë qeverinë dhe kryeministrin për afera korrupsioni të paqenë. Prokuroria duhej ta deklaronte videon menjëherë si të fallsifikuar, kur pa që emri i kryeministrit dhe bashkëshortes së tij ishin montuar në të. Por kjo nuk ndodhi. Sepse kryeprokurorja dhe presidenti i vendit, Bamir Topi, ishin palë me fallsifikatorët e kreut të opozitës, Edi Rama. Edhe për këtë shkak ndodhën vrasjet e 21 janarit 2011. Por le të shpjegojmë logjikën e atyre ngjarjeve.

Në çdo ngjarje, sidomos kur ka vrasje, pyetja e parë që bëhet është ajo se “Kush ishte i interesuar për to”? Kush donte që më 21 janar 2011 të kishte viktima? Vrasjet ndodhën dy orë pas fillimit të protestës. Nuk ndodhën në kulmin e sulmit të dhunshëm të kamikazëve të paguar nga PS dhe Edi Rama kundër kryeministrisë. Ndodhën në momentin që po qetësohej situata. Garda nuk qëlloi as në momentin kur një makinë sulmoi te porta e jashtme e kryeministrisë, një akt terrori i organizuar ky. Deri më sot opinioni publik nuk e di emrin e atij që drejtoi atë automjet. Për këtë nuk ka as video, as audio gazetari Artan Hoxha. Nuk e di nëse kanë apo jo ata që u kërcënuan dhe u sulmuan atë ditë, pra policia dhe ministria e Punëve të Brendshme. Por deri sot askush nuk e ka parë atë fytyrë. Askush nuk e ka hetuar atë njeri. Nuk e kanë pyetur pse e bëri atë akt terrori dhe nga kush mori urdhër!

Shkurt, derisa garda nuk qëlloi në kulmin e dhunës kundër policisë dhe kryeministrisë, do të thotë se ajo nuk kishte interes të bëhej e akuzuar për vrasje. Kush qëlloi atëherë? Një gardist është dënuar për vrasje pa dashje, sepse paska qëlluar në ajr, por “gabimisht” plumbi paska shkuar te njerëzit protestues. Ky gardisti ishte përgjegjës i grupit të zjarrit. Agron Malaj quhet. Por edhe pse vrau protestuesit e Ramës, tani si kandidat po i Edit është deputet në kuvendin e Shqipërisë. A ishte Agron Malaj një prej të rekrutuarve nga ana e Edi Ramës ose ndonjë subjekti pranë tij dhe me mision për të kryer vrasje? Këtë duhet të sqarojë SPAK. Pa sqaruar këtë moment, nuk do të dëshmohet e vërteta!

Para protestës së 21 janarit PS e Edi Ramës për një vit e gjysëm kishte organizuar qindra protesta me moton “Hap kutitë ose largohu”! Flaka iu vu Shqipërisë nga jugu në veri të vendit. U bë edhe një grevë urie që përfundoi te “Krokodili” i Strasburgut. Dhe në fund erdhi 21 janari. Askush nuk hetoi dhe askush nuk u vu para përgjegjësisë për to. Mediet e kohës kanë dhënë pamje se si eksponentë të PS-së shpërndanin para për pjesmarrësit në atë protestë. Por asnjë prej tyre nuk u pyet dhe nuk u vu para përgjegjësisë. Krerët e opozitës, përfshirë Edi Ramën, deklaruan një ditë para protestës se “Qeveria, policia dhe garda do të kalojnë mbi trupat tanë”! Pra ata e dinin se do të ketë dhunë dhe vrasje. Ishin parapërgatit për këtë gjë. Megjithatë prokuroria e policia e shtetit nuk u morën me këtë fakt. Nuk hetuan as Spartak Ngjelën për deklaratën televizive “Edhe sikur 300 protestues të vriten, nuk janë asgjë”, të bërë dy ditë para 21 janarit. Nuk u hetua gjithashtu edhe një deklaratë e kreut të opozitës, Edi Ramës, më vonë pasi ai kreu një vizitë në SHBA. Kur u kthye në Tiranë tha “Kurrë më 21 janar”! Dmth se në të ardhmen nuk do të angazhohej për një rsat tjetër si ai i 21 janarit 2021.

Por logjika nuk ndalet këtu. Ata që qëlluan më 21 janar 2021 kundër protestuesve, së paku kundër dy prej tyre, u dënuan. Ndër ta ishte dhe komandanti i Grupit të Zjarrit, Agron Malaj. Ai ka qëlluar atë ditë dhe kjo është provuar. Por prokuroria e shtetit nuk hetoi se kush i dha atij urdhër për të qëlluar kundër protestuesve. Malaj nuk ka qëlluar pa urdhër. Po kush ishte urdhërdhënësi? Nëse ishte “vrasësi Sali Berisha”, siç thonë këta papagajt e qeverisë së krimit, atëherë ai do ta kishte pohuar një milion herë deri më sot. Pra, logjikisht i bie të mos jetë ish-kryeministri i kohës urdhërdhënësi i atyre vrasjeve. Kush atëherë? Po Preçi, Lenci, Tani, Hydajeti pse akuzojnë Berishën, kur nuk e akuzon vetë vrasësi? Sepse janë paguar për këtë lloj propagande të shpifur! Nuk e kam fjalën për të mbrojtur Sali Berishën. Ai ka dëshmuar se di të mbrojë veten dhe nuk ka nevojë për avokatinë time. Por e vërteta duhet thënë siç është.

Përgjigjen e të vërtetës e gjejmë te ajo çfarë ndodhi më vonë me Agron Malajn. Pasi doli nga burgu Malaj u thirr në Partinë Socialiste të Edi Ramës. Rama e dërgoi në Mat, në vendlindjen e tij. E bëri fillimisht kryetar të Partisë Socialiste të Matit. Më pas e kandidoi për kryetar bashkie dhe ai qeverisi Matin për dy mandate. Tani Agron Malaj është deputet i parlamentit të Shqipërisë i mandatuar nga Rilindja e Edi Ramës. Ndonjë ditë do ta shohim në përkujtim të ndonjë përvjetori të vrasjeve të 21 janarit duke vënë lule në vendngjarje, para kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”! Madje duke thirrur “Të gjenden vrasësit”! De jure ai ka qenë në krah të Ramës në këto përkujtime, sepse për vrasjet që bëri u shpërblye jo vetëm me pushtet, por edhe me tendera dhe para publike pa fund.

Tani le të më thotë Preçi, Lenci, Tani e kushdo tjetër ai ishte apo jo vrasësi i së paku dy protestuesve Agron Malaj?! Nëse po, pse u shpërblye kaq bujarisht nga Edi Rama?! Dhe prej këtej del arsyetimi se kush i ka urdhëruar vrasjet e 21 janarit 2021, Sali Berisha apo Edi Rama? Rama që shpërbleu vrasësin, apo Berisha që ndaloi aktin e arrestimit të zingjirit komandues të Gardës?! Në atë zingjir fillimisht nuk bënte pjesë Agron Malaj. Sepse prokuroria po kujdesej që të mos zbardhej e vërteta. Të tjerë vranë dhe të tjerë do të shkonin në satër. Logjika më e thjeshtë të thotë se ishte kryeoorganizatori i protestës autori i atyre vrasjeve. Edi Rama ishte i interesuar të ndodhte tragjedia. Kur ai pa se kamikazët e tij të dhunshëm nuk ia arritën të hyjnë në kryeministri, ndjeu dështimin e turpshëm që do ta përcillte gjithë jetën. Në këtë rast mendja diabiloke e tij kishte përgatit planin B. Të urdhëronte vrasje për të kriminalizuar pushtetin e Berishës! Edhe një trelefonatë e bërë publike asokohe se “Nëse nuk ka viktima ti Edi humbe për gjithnjë”, shpjegon faktin që them.

Por ka edhe të tjera, ku djalli fle dhe akoma nuk është zbuluar. Pse ish-ministri i Brendshëm i kohës shkoi dhe kërkoi ndihmë te “Horri i Bulevardit”, pra te Bamir Topi, që protestën e quajti “ngjarje në bulevard”? Çfarë frike kishte ai dhe çfarë faji kishte bërë? Nëse nuk kishte bërë faj, atëherë natyrshëm nuk kishte pse të kërkonte ndihmën e presidentit të Republikës për të ndërhyrë te Prokurorja e Përgjithshme, që ajo të mos merrej me Lulin! Ky fakt e çon edhe më tej rrjedhën e analizës. Sepse ministri shkoi të kërkojë ndihmë te presidenti pa dijeninë e shefit të tij kryeministër. Aq më tepër që kryeministri ato ditë ishte në armiqësi me presidentin, për shkak të bashkëpunimit të këtij të fundit me organizatorin e protestës, Edi Ramën. Edhe pse ministri dhe të gjithë ne e dinim këtë fakt, ai nuk nguroi të shkelë në zyrën e presidentit “armik” të kryeministrit! Duhet të ketë patur një zor shumë të madh, se ndryshe nuk do të ndodhte kjo!

Shkojmë më tej me logjikën tonë: – Pse Bamir Topi ndërhyri te Ina Rama për ta kursyer në hetime Lulzim Bashën?! Pse Edi Rama pas vrasjeve kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, por jo të ministrit të Brendshëm?! A kishte një komplot të organizuar me të rekrutuar në qeveri e në Gardën e Republikës? Këto pyetje duhet të marrin përgjigje nga hetimi i ri, nëse SPAK kërkon zbulimin e të vërtetës. Së pari Agron Malaj duhet të shpjegojë se kush e urdhëroi atë të qëllojë mbi protestuesit? Prokuroria dhe gjykata e kohës kanë thënë se ishte “vrasje nga pakujdesia”! Preçi, Lenci, Tani, Idajeti e të tjerë e pranojnë këtë version. Po nëse vrasësi paska qëlluar nga pakujdesia, atëherë pse kërkohet e projektohet një “vrasës” hipotetik?! Apo se kjo i intereson fajtorit kryesor të asaj drame të dhimbshme, kreut të organizatës kriminale e mafioze, Edi Ramës!