Problemet fillojnë nga parkimi, gjelbërimi, ndriçimi, lyerja e fasadave e shkallëve, pastrimi, ashensori, depozitat e pompat e ujit, dëmtimi i tubacioneve qëndrore, ndërhyrjet e parregullta, pusetat, ndotja akustike, oraret e punimeve etj, që në finale degradojnë pallatin e vetë mjedisin urban.
“Pallat” me probleme!
Bëhet fjalë për pallatet. Administrimi i sotëm i tyre ka ndikim direkt në bashkëjetesën e fqinjësinë e mirë mes nesh. Ndonëse i rregulluar me ligj, problemet për qytetarin janë të shumta dhe gjetje si Ansambleja, Kryesia, Administratori etj, praktikisht janë larje duarsh e qeverisë e bashkisë me të. Kjo cënon si besimin e qytetarit tek sistemi ashtu edhe vetë fqinjësinë e mirë.
Problemet fillojnë nga parkimi, gjelbërimi, ndriçimi, lyerja e fasadave e shkallëve, pastrimi, ashensori, depozitat e pompat e ujit, dëmtimi i tubacioneve qëndrore, ndërhyrjet e parregullta, pusetat, ndotja akustike, oraret e punimeve etj që në finale degradojnë pallatin e vetë mjedisin urban.
Jo të gjithë preken njëlloj. Prishet ashensori deri me ditë, por dikush nuk qahet se zbret shkallët, por të tjerë, sidomos pleq, bllokohen, ikën pompa e ujit, por dikush merr nga presioni i rrjetit e tjetri ka depozitë ekstra, çahet kollona e shkarkimit të shkallës, por dopiogjashta i mbetet atij në katin ku ndodh etj? Ca irritohen, ca sokëllijnë, ca i zbrazen administratorit, ca njëri-tjetrit…
Gjetje si Ansambleja, Kryesia apo Administratori nuk janë zgjidhje afatgjatë për të garantuar fqinjësi të mirë të pandikuar nga moria e problemeve të mirëmbajtjes e riparimeve në pallat. Përkundrazi, mund ta cënojnë atë.
Pallate mes katër rrugëve!
Ansambleja, në dukje gjetje liberale, që nxit inisiativën e lirë, është reminishencë voluntariste “kooperative”, që bie ndesh me individualizmin, privatësinë, kohën, hapësirën e lirinë e individit. Fqinjësia sot nuk është më si dikur. Sot lëvizja e popullsisë është dinamike, pallatet janë të mëdhenj, apartamentet ndërrojnë pronarë, qytetarë në masë janë të zënë me hallet e përditshme e për ca shtëpia është hotel, ca emigrojnë, ca kanë lënë pleq të pamundur në shtëpi, ca japin me qera etj… një tabllo komplekse, që vetëm rëndohet me thirrje për mbledhjen e Ansamblesë, caktimin e administratorit të rradhës, fatura shtesë riparimesh etj.
Qytetarët sot duan të mbledhin mëndjen. Të paguajnë paratë, të marrin shërbimin dhe kaq. Pa komente, pa paragjykuar apo dyshuar se po ia hedhin nga pas.
Ndaj dhe Ansambleja si gjetje nuk ngjit. Kur mblidhet, nëse mblidhet, ajo sërish mund të paragjykohet, përgojohet dhe tok me të edhe vetë institucioni i administratorit.
Administratori në vetvete është pozicion delikat. Si çdo banor, ai ka momentet e tij (sëmuret, ikën me pushime, ka punë gjetiu etj) dhe kjo ndikon rutinën e përditshme, sepse banori mund të ketë nevojë në çdo kohë. Edhe kur përpiqet e bën transparencë sërisht përflitet, i bëhet karshillëk dhe kjo shqetëson e zhgënjen vetë administratorin që dorëhiqet dhe avazi fillon nga e para!
Zelli për administrim nuk nxitet duke e detyruar administratorin të gjuajë banorët për pagesat mujore, të trokasë çdo muaj tek dera një e disa herë deri sa ta hapë dikush, të “kryqëzohet” në çdo kat përse këtë apo atë, të durojë dyshime apo akuzohet për klientelizëm etj. E ka të vështirë të qëndrojë gjatë.
Administratorët nuk janë magjistarë dhe shumë gjëra dalin jashtë fuqisë së tyre. Digjet pompa e duhet një e re, duhet ndërruar ashensori etj ndërhyrje që kushtojnë. Të thërrasin Ansamblenë, jo të gjithë ia kanë ngenë, ta riparojnë apo blejnë vetë, përgojohen për klientelizëm dhe heqin të zitë e ullirit për t’i marrë çika-çika lekët nga banorët më pas etj.
Ndaj dhe në kushtet e urbanizimit masiv është domosdoshmëri një gjetje e re funksionale e administrimit të pallateve që nxit bashkëjetesën e fqinjësinë e mirë dhe besimin tek sistemi.
Aq më tepër kur sot ballafaqohemi edhe me një vërshim turistik masiv dhe surprizat duhet të jenë vetëm për mirë për të huajt, që marrin një banesë me qera.
Pushteti vendor duhet të ndërhyjë sikurse bën për mjaft shërbime publike që i ofrohen komunitetit (mbledhja e mbeturinave, gjelbërimi, shkollat etj), që bazohen tek taksa qytetare, por ca i delegohen e ofrohen nga privati kundrejt kontratave me bashkitë.
Taksë administrimi që mbledh mëndjen e çdokujt
Një mundësi tjetër administrimi do të ishte prania e ndjeshme e pushtetit vendor në të. Një lloj rikthimi i “Komunales” apo “Pasurisë së shtetit” me ndryshimin se punën e bën privati që liçensohet nga bashkia dhe lekët i merr po nga bashkia, bazuar në një taksë administrimi.
Një taksë “administrimi” që shkon në buxhetin e bashkisë, më vete apo bashkë me faturat mujore, garanton qetësinë e mëndjes të banorit. Nuk ka më trokitje të përmuajshme tek dera, njoftime në mur për pagesa shtesë, llafe shkallëve etj. Kur ka probleme tashmë ka adresë, administratori e bashkia bashkë. Kjo e fundit i ka të gjitha fondet e mundësitë që në mos vetë, përmes të tretëve, të ndërhyjë në kohë.
Një angazhim i tillë prej pushtetit vendor ofron mjaft avantazhe. Ai nxit fqinjësinë e mirë teksa banorët nuk debatojnë vënd e pa vënd dhe për çdo gjë, sepse përgjegjësia është mbi ta.
Ai rrit besimin e banorit tek sistemi duke e bërë më komode rutinën e tij. Probleme do të ketë, por zgjidhja është një numër telefoni larg, një derë në bashki etj.
Ai rrit interesin e qytetarit për zgjedhjet vendore. Për bashkinë nuk mjaftojnë më asfaltet e shtruara, buja e Çelsave të Qytetit të dhuruara, pemët në periferi etj., por duhet edhe normaliteti në blloqet e banimit. Një “notë” më shumë në vlerësimin e punës së saj.
Ai uniformizon rregullat dhe praktikat e administrimit. Sot diku paguhet më shumë, diku më pak, diku administratori mbyll ujin nëse nuk paguan, diku çahet tubi qëndror e paguan vetëm banori i katit ku ndodh etj), si veprohet kur banori jeton jashtë, kur ka pensionistë të vetmuar, zgjidhja e mosmarrëveshjeve apo faturave të papaguara, kodi i shkruar i bashkëjetesës në pallat etj.
Me kapacitetet e saj Bashkia ka mundësi të ulë shpenzimet e blerjes së pajisjeve që mund të përdoren nëpër pallate (pompa uji, ashensore etj). Qytetari nuk merakoset më për rastet e riparimeve apo blerjeve të kushtueshme (psh. ashensori që për shumë pallate kanë mbi 20 vjet, pompë e re uji, lyerje fasadash, shtrim tarrace etj). Bashkia krijon fond emergjence sikurse ajo krijon edhe grafik të ndërhyrjeve të rradhës për çdo bllok banesash në qytet.
Bashkia ka mundësinë e përzgjedhjes së duhur të kontraktorëve private, që do të ndërmarrin funksionin e administrimit në pallate duke rishikuar në kohë liçensat e tyre në varësi të punës së bërë dhe reflektimeve të banorëve.
Ofrohen mundësi punësimi jo vetëm për nëpunësit e bashkisë, por dhe punësimin e kontrata të qëndrueshme për punonjësit e kompanive private, që fitojnë kontratat me bashkinë.
Riktheni “Komunalen”!
Nuk është bashkia ajo që do të merret me rutinën e përditshme të mirëmbajtjes, sepse janë me qindra mijra apartamente kudo në vënd. Por ndërkohë, janë po me qindra mijra subjekte që do paguajnë taksë në buxhetin e bashkive dhe mundësi pafund punësimi për shumëkënd. Ajo thjesht do përzgjedhë kush do e kryejë atë, përmes taksës së administrimit do e paguajë atë dhe do ndërhyjë nëse duhet ndërhyrë.
Përtej rritjes së vlerës së pronës ku banon pas investimeve të bashkisë, që qytetarët të mos zhgënjehen se blenë në këtë apo atë pallat duhet që sistemi të ofrojë garanci për rutinën e përditshme në to.
Bashkëjetesa qytetare e fqinjësia e mirë ka nevojë për rikthim në identitet. Mbase nuk shkon deri tek “fara e kosit” si dikur, por tek fqinjësia e mirë bazuar tek respekti, harmonia e mirësjellja reciproke.
Ndaj dhe duhet të rikthehet fryma e përgjegjësisë së pushtetit vendor si “Komunalja” apo “Pasuria e Shtetit” dikur por në kontekstin demokratik. Se jo për gjë, por është edhe në modë rikthimi në identitet! Por kësaj rradhe jo për një godinë në qëndër që shumëkush e sheh rrallë, por për pallatin ku hyjnë e dalin përdita të gjithë.